![](https://static.wixstatic.com/media/a48dbc_0ff4f25d15e1400fa5d23c22e4852b33~mv2.jpg/v1/fill/w_319,h_381,al_c,q_80,enc_auto/a48dbc_0ff4f25d15e1400fa5d23c22e4852b33~mv2.jpg)
Unë i ndërpreva disa kohë studimet sepse pësova një aksident automobilistik mbi bazën e të cilit u bë edhe skenari i filmit “Flutura në kabinën time”.
E kisha takuar edhe një herë tjetër, ose më saktë të them ia kisha parë “lotin në sy“ tek recitonte vargjet e një poeti midis poetëve diku në një lokal të vogël në afërsi të sheshit Koliatsu...
E pashë edhe sot, më 20 maj 2007, në ditëlindjen e 55 – të të Spiro Xhavarës në një sallë të madhe, plotë dritë, në afërsi të sheshit Viktoria. Në një dorë mbante mikrofonin, në tjetrën mbante një libër me poezi “Qoshku i rrëzuar“. Nuk ia fiksova dot lotin në celuloid. E pashë kur i doli nga deti njerëzor dhe mori tatëpjetë mollëzave mbi parket...
Nuk e lashë të bjerë. Nxitova dhe e fiksova në një tjetër celuloid, në atë që as shkruhet e as fotografohet, por ndjehet, mbillet e mbetet në shpirt...
* * *
A. Ashiku:Tek recitonit pashë lot në sytë e tu, ndjeva një gjendje shpirtërore që reflektohesh thellë në pamjen tuaj. Çfarë janë lotët për një aktore?
Lavdie Bisha: Është e vërteta, shpirtit loti...”Mos ma qorto lotin”, thotë poetja Englantina Kume, sepse ai del i lirshëm, i dlirë, ashtu i pastër, siç është nga brenda. Edhe kur është i vërtetë ai rrjedh pa u shtrënguar” Unë mendova se është e vërtetë sepse në poezinë e zoti Spiro Xhavara, edhe unë gjeta vetveten. Ashtu, siç ia kanë rrëzuar atij qoshkun atje në Gjirokastër, edhe neve, një pjese të mirë të emigrantëve shqiptarë, na i rrëzuan atë qoshk. Vallë kur do ta ngremë?
Ju jeni aktore. Në jetën tuaj sa herë keni qarë ?
Sa herë e kam ndjerë të vërtetë.
Mbani mend ndonjë rast të veçantë ?
Të vërtetë ? Në skenë ? ha, ha, ha...Uuuu...të them të drejtën... Kohët e fundit, në filmin që luajta, të mos zëmë ato të parat por të vijmë tani, nga fundi, pastaj të zëmë të hidhurat që të ëmblat të jenë në fund. Në filmin që interpretova “Ilios sto Egjeo“ (Dielli në Egje), film grek me regjisor grek, krah për krah aktorëve grekë. Ne jemi një familje shqiptare që kemi ardhur duke mbartur mbi supe derte e halle dhe punojmë në një fidanishte, mbledhim mastika. Më tej ka edhe ngjarje të tjera. Është një moment kur vemi në një festë. Aty nis një muzikë për të kërcyer e kënduar. Mblidhen shqiptarët dhe ndërkohë ngrihen edhe djemtë e mi për të kërcyer. Grekëve nuk u erdhi mirë kjo. Nuk u erdhi mirë se diku diku thellë ekziston ai racizmi që një shqiptar të ngrihet të kërcejë dhe të zërë vendin e atij dhe aq më tepër të kërcejë aq bukur. Aty plasi sherri. Filluan të rrihen. Në kohën që unë u ngrita dhe u sula për të ndarë sherrin pashë djalin tim që e interpreton Laert Vasili, të gjakosur, të lemerisur, të grisur. Natyrisht në atë moment, cilado nënë shqiptare kur shikon djalin të gjakosur, sepse unë nuk e kisha parë me grim, e pashë kështu rastësisht kur më doli përpara, ulërita me një forcë kaq të madhe dhe më doli nga shpirti një duf, si një ujk nga një shpellë mund të them, më ra të fikët dhe kur më dhanë ujë unë nuk e kapërceja dot...ë ë ë..u mbyta, u mbyta. Cila nënë shqiptare do ta duronte dot djalin të gjakosur nga një dorë e huaj? Aty më shpërthyen lotët dhe nuk e mbaja dot më veten dhe thërrita birë...birë...birë... ulërita dhe rashë në gjunjë. Mu përfytyruan fëmijët e mi menjëherë. Mu përfytyrua vetja ime. Ja këta janë hallet tona, dertet tona. Ja, aty nuk ishte lot i vërtetë?
Kjo është skenë e filmit apo...?
Kjo është skenë e filmit që unë e interpretova dhe kur mbaroi filmi ajo skenaristja thirri: Bravo! Bravo! Bravo! Regjisori më mori përqafe dhe më tha : “Si është e mundur që e bëre kaq bukur ?” I thashë: Unë nuk interpretova, luajta vetveten. Luajta atë që neve na ndodh çdo ditë. Kështu që loti prandaj ishte i vërtetë.
A mund të prezantohesh pak. Kur e fillove karierët e teatrit?
Dëgjo. Unë ika nga shtëpia shumë e vogël, shumë e vogël. Ika për të ikur një lugë nga sofra sepse ne mbetëm katër motra të vogla jetime. Dhe nëna ime thoshte: “Kam katër vajza, katër male në kurriz”. Dhe vërtet ashtu ishte. Nuk e di, ndoshta kishte lindur brenda vetes time ajo që unë diçka do të bëhesha për skenën. Është interesante. Kam një shenjë në këmbë, e kam djegur aksidentalisht me mashë kur kam qenë e vogël. Babai më thoshte: “Babai do të të bëj artiste” Babain unë nuk e mbaj mend, se nuk e dija se fëmijën e rrisin dy prindër, por ma thoshte më vonë nëna “se do të bëj babai artiste, do të të vesh çorape satapure, që të mos duket këmba e djegur”. Dhe çuditërisht kështu erdhën ngjarjet.
Unë fillova të punoj që në moshën trembëdhjetë vjeç, akoma nuk dija se ç’ishin skenat. Luanim me shkollën, recitonim, këndonim. Fillova të punoj në kombinatin e peshkut që u hap atëherë, në 55-ten a 56-ten kur unë akoma nuk i kisha bërë trembëdhjetë vjet. Dhe nga që isha shumë e vogël në fillim më vunë të laj peshkun por ato halat e peshkut m’i shponin duart dhe mu ënjtën. Pastaj më vunë për të ruajtur salcën. Më ulnin në karrige. Bëje hesap isha kaq e vogël saqë këmbët nuk më ceknin në tokë dhe shpesh herë më zinte gjumi duke ruajtur sahatin që të mos digjej salca.
Në një konkurs që u bë në Tiranë me repartet ushtarake unë isha si valltare kurse Petraq Karaja ishte si recitues. Aty na dhanë fletë lavdërimi. Këtu filloi ngacmimi i parë. Pashë Tiranën, pashë skena të mëdha, njerëz të kulturës e të artit....
Shpesh herë, turp nuk është ta them, (psherëtin)...Ne e kishim shtëpinë lart në tarracë. Poshtë nesh ishte një berberhane. Dhe kur na mungonin lekët për bukë unë zbrisja poshtë në berberhane, merrja një furçë dhe fshija nga mbrapa të porsa qethurit të cilët më jepnin dy lekë, tre lekë, pesë lekë. Dhe këto unë i mblidhja për të nxjerrë bukën e ditës. Ishte koha e zisë së bukës, e triskëtimit. Se unë isha më e madhja nga fëmijët. Që të zë hollësisht të gjitha ato të zënë të qarat. Bëje hesap kur zinte shiu hipte ustai të rregullonte një qeramidhe dhe thyente njëzetë. Dhe ne vinim poshtë legenët për të mbledhë ujin....
Fëmijërinë e kam pasur shumë të hidhur. Një nga ata të berberhanes që merrej me amatorët diletantë, që më kishte ndjekur në shfaqjet me shtëpinë e pionierit ku unë kërceja, këndoja, recitoja, më tha “Shko në Tiranë”. Më dha një fragment nga një dramë ruse “Dashuria në agim“. Bashkë me mua erdhën edhe katër pesë të tjerë prej të cilëve vetëm unë fillova në liceun artistik. Kjo ndodhi kur isha vetëm 13 vjeç.
Mbarova shkollën. U diplomova. Nuk po them shkëlqyeshëm se nuk dua t’i bëj qejfin vetes. Pas shkollës punova një vit në estradë sepse nuk e përballoja dot universitetin nga ana ekonomike. Nuk isha me pagesë, me bursë isha, por më duhej të blija një valixhe, një palë këpucë, ndonjë fustan...Dhe punova një vit në estradë.
Më pasa kalova në Institutin e Arteve.
Kur e mbaruar Institutin ?
Unë i ndërpreva disa kohë studimet sepse pësova një aksident automobilistik mbi bazën e të cilit u bë edhe skenari i filmit “Flutura në kabinën time”. Është një ngjarje e jetës sime, e hidhur edhe ajo...
Si mbarova, pata disa propozime për të punuar në Tiranë, por unë preferova Vlorën, vendlindjen time. Kur e filluat karrierën artistike ?
Në vitet ’68 –‘69
Deri kur? Deri në vitin 1992. Pastaj, mbas një turneu që vajtëm në Austri ika dhe erdha këtu me një shfaqje, festival për fëmijët, teatri i kukullave. Ne ishim tre aktorë që shkuam për të ndihmuar amatorët e teatrit të kukullave. Disa nga shokët tanë ndenjën. Ishte koha e emigracionit. Unë, duke pasur disa detyrime familjare por edhe mosha ishte e tillë që nuk i përballoja punët e vështira në emigracion, u ktheva në Shqipëri. Pastaj më mori vala, si shumë të tjerë dhe unë u riktheva në Greqi. Erdha në fund të vitit 1995, mbas vdekjes së nënës. Si humba nënën nuk më mbante më asgjë.
Si e fillove jetën në Greqi ?
Këtu pata fatin të punoj fillimisht tek një aktore. Ajo kishte një fëmijë për të rritur. Unë nuk dija asnjë fjalë greqisht. Më prezantoi dikush tjetër dhe sa më pa tha: “Do ta marr se jemi kolege“.
Fillove rolin e grave shqiptare...
Rolin e grave shqiptare dhe rolin e një aktoreje...Edhe atje kam pësuar një tragjedi. Ajo shkonte në teatër natë për natë. Unë në një moment rrezikova jetën, edhe mund të vdisja për problemet e shtëpisë...
Kam larë shkallët. Nuk i kam larë me ujë, i kam larë me lot. Kam bërë edhe punë të ndryshme si të gjitha gratë shqiptare, të rënda...
Tani me se merresh ?
Pata para pak kohësh një propozim për një rol nga kanali ALTER të cilin unë nuk e pranova vetë. E pyeta atë që më mori në telefon për rolin. Më tha kështu...kështu... I thashë nuk është për mua. Përderisa kam bërë një hap përpara pse të bëj dy hapa mbrapa? Kështu nuk e pranova.
Aktualisht punoj në një familje. Zonja dikur ka qenë pianiste, bashkëkohëse e Maria Kalasit dhe unë jam ajo që e shoqëroj. Kaloj mirë në atë familje. Një nga djemtë është aktor. Parmbrëmë pata një ftesë dhe shkuam në teatrin “Aliqi Vuluglaqi” ku luhej komedia “Nuk jam unë”. Më trajtojnë mirë. Jam e kënaqur.
Me kë jeton këtu në Greqi ?
Jam me familje. Plotë jemi. Shyqyr Zotit ! Mbi të gjitha kam djalin, atë që kam më të shtrenjtin e jetës sime.
Çfarë pune bën djali ?
Në ndërtim. Ka mbaruar mjekësoren në Vlorë por punon në ndërtim. Hyjnor e ka emrin e vërtetë, Hyjnor Qerimi por është kthyer në Niko (qesh). Unë e solla të vogël kur akoma nuk i kishte dalë pasaporta. Si të bëjmë? E morëm me pasaportën e një shoku. Nusen e futa në pasaportën time si të jetë vajza ime. Ata ishin akoma të vegjël, sapo dolën nga shkolla mjekësore...Me probleme me dokumentet, si të gjithë shqiptarët. Çfarë do të bëhet, lesh e li e kashtë e kokërr...
Si e sheh të ardhmen ?
Të them të drejtën...pak dritë jeshile shikoj. Një nga nipat e mi u kthye në Tiranë, atje kam motrën, ishte inxhinier kimist, erdhi në kohën e turbullirave këtu dhe atje ka dy vjet që nuk është rregulluar me punë. Për mua ndoshta nuk është problem sepse mund të luaj rolin e ndonjë plake me flokë të bardha por...kam frikë. Kam frikë se çfarë do të bëhet. Makar të shoh një dritë jeshile e të kthehem një ditë. Unë, jo për atdhetarizëm, për tu dukur, të them të drejtën, por e dua shumë Shqipërinë, veçanërisht Vlorën. Pa erën e detit unë s’jetoj dot...
Faleminderit !
Faleminderit edhe unë!
Bisedoi Abdurahim Ashiku
Comments