Lot balade për Duro Mustafain
Nga Albert Habazaj
Kjo e diel e parafundit e vitit
Na mori Duron e bardhë flori në gji,
Ndër lot, shirit të zi i hodha shpirtit
Dhe vargut i vura shirit të zi.
Shakullina shiu më lanin lotët,
Apo qanin me lotët e mi...
Unë, që për kurajë radhitem me të fortët,
Rendja buzë detit, ngashëryer si fëmijë.
E diela, sot, me zë suferine,
Nga dhimbja derdhi e derdhi shi egër,
U fut nga dritarja në dhembjen time,
Druhem Duros t' i bëj telefonatë nesër...
Shkrimtari më i qeshur që kam njohur,
Me buzëqeshjen detare që i dha Vlora,
Në udhëtimin e gjatë e të palodhur,
Me fjalë kyçe: Vranishti, qyteti, Hora.
Lamtumirë, shkrimtari i dashurisë për vendlindjen, miku im i shtrenjtë, Duro Mustafai, që më doje e të doja aq shumë! Fisnikërisht,
Ujë i Ftohtë, Vlorë, e diel, 22.12.2019
Albert Habazaj Faleminderit dr. Fatmir Terziu. Duro Mustafai pastë dritë! Ti paç jetë të gjatë e të begatë!