top of page

Lola Shehi: Për romanin “I arratisuri”, të autorit Taip Sulko




MBRESA DHE OPINIONE PËR NJË ROMAN DHE AUTOR QË MË KUJTOI FËMIJËRINË DHE RININË TIME.

 

Romanin “I arratisuri”, të autorit Taip Sulko, e lexova me dyfish kërshëri. Sigurisht që kam lexuar shumë romane të autorëve shqiptarë e të huaj, por ky roman e autor, klasifikohet tek të veçantët për mua. Këtë veçim, e bën fakti që jam nga e njëjta anë me autorin dhe e njoh që në rininë e tij të hershme. Lexoja Emirin, dhe përfytyroja autorin. Ishte e pamshmangshme të mos ndodhte ky dyzim gjatë leximit të romanit. Autori përshkruante Anadellin, ndodhitë dhe njerëzit e Anadellit të tij, mua para syve, më kalonte Anadelli im. Autori fliste për kroinjelmin e tij, unë përfytyroja veten dhe gratë e fshatit tim me shtamat në dorë, që shkonin të mbushnin ujë tek kroinjelmi i fshatit tim. E njëjta ndjesi m`u krijua kur lexoja emrat e personazheve, si mësuese Sosja, prifti Hal Kryevidhi, Lalë Rrapi e Mentor Shelgu, Gjyla, Ulumani, Tunxhi, Sidrita, cigania Anja, Engjëlli, Rezarti, etj.

Ai përshkruan ciganen, Anja, ndërsa mua më vijnë ndër mend të gjitha ciganet e bukura me flokët e sytë rrush të zi që parkonin karvanet e tyre në kodrën mbi shtëpinë e fëmijërisë time. Njëri nga kapitujt më të bukur, është pikërisht ky, ku autori përshkruan jetën endacake por të lirë të një taborri ciganësh. Po citoj autorin: „Unë jam cigane! Jam e lirë! Ju anadellasit keni zgjedhur pasurinë, kurse ne kemi zgjedhur bukurinë e lirisë, të këngës, të dashurisë, etj.“

Me një finesë dhe mençuri të jashtëzakontë, autori evidenton dhe justifikon tradhëtinë bashkëshortore. Jo çdokush mund ta bëjë këtë. Zakonisht, tradhëtarin apo tradhëtaren, jemi mësuar ta kryqëzojmë, ose ta shohim të kryqëzuar. Ja si e shpreh ai:

Burri më deshi se isha e bukur, Burri më dha familje dhe fëmijë por jo lumturi.  Më deshi si më e bukura, jo si më e mira, jo si më e çmuara, jo si më e dashura për të.

Autori denoncon konceptin e dashurisë për gruan të trajtuar si send, si objekt bukurie. Mes rreshtash, nënkupton se gruaja duhet dashur për gjithë vlerat, përkushtimin dhe virtytet që mbart.

Një trajtim dinjitoz i bën kohës, fenomeneve dhe figurës së Enverit. Është kujdesur mjaft mirë që të mos e shndërrojë në një vepër letrare politike. E përshkruan me naivitetin e një fëmije. Kështu ka zgjedhur ai vet ta trajtojë. Ja si shprehet:

Në rrugën ku kaloi Enveri, kishin hedhur një breshkë të ngordhur. Mësuesja Sose, vrapoi dhe e hoqi. Arrestuan pesë djem. ( arrestime tepër normale për atë kohë) Thonë se po krijonin qeveri të re kundër.( këtu m`u kujtuan grupet armiqësore që pushteti i asaj kohe  kishte qëllim parësor dhe gjënë më të lehtë). Babai shkon e vjen në punë çehrevrarë. I mërzitur dhe i trembur.( I trembur se syrgjynoseshe me soj e sorollop) Është zemëruar se Ermiri nuk paska kënduar në shkollë këngën “Ndër ara, fabrika, kantiere” Kush ishte përcjellësi i lajmit tek veshi I babait? Në fshat mësuese Sosja nuk flet me asnjë tjetër. Ajo flet vetëm me të plotfuqishmin.

Edhe në këtë tematikë të romanit, më del parasysh i plotfuqishmi i lagjes time. Ai i gjithëdituri dhe i gjithëinformuari. Ai kishte sy e vesh kudo që shkelte.

Me shumë profesionalizëm, trajton temën e lirisë, të asaj lirie që autori ynë e ka dëshiruar dhe ëndërruar më shumë se çdokush. Këtë temë, e ka trajtuar dhe përshkruar duke marrë si personazh qenin, Murro. Me nota poetike, (natyrisht,është edhe poet autori e ska si i shpëton përshkrimit poetik), përshkruan kuisjen e përvajshme të qenit që kishte disa ditë i lidhur me zinxhir. Mes rreshtash, nënkuptohet liria e burgosur e njerëzve që janë pushkatuar me zinxhir në qafë apo të prangosur. Dhe në atë botë, nuk shkuan të lirë. Morën me vete zinxhirët e skallavërisë të pushtetit ku jetuan. Në roman, autori këtë e ilustron me pasazhin kur gjyshja i liron zinxhirin Murros dhe ai vrapon e gëzon si çmendur me qentë e tjerë nëpër rrugët e fshatit dhe vjen e jep frymën e fundit pikërisht në vendin e tij ku qëndronte i lidhur, por kësaj here pa zinxhir në qafë.

Në roman, autori i nënshkrohet tre arratisjeve, por unë dua të mbetem tek arratisja e tretë. Dua të mbetem tek rikthimi në Anadoll. Dua të mbetem këtu, pasi pikërisht këtu, personazhi paraqitet më i pjekur dhe më i ndjeshëm ndaj së bukurës. (këtë e shpreh kur përshkruan emocionet gjatë provave në teatër)

Mbeta këtu, sepse në memorjen time, autori ka mbetur i fotografuar pikërisht në këtë stad të jetës së tij. Vitet kur ishte i pjekur, i bukur, njerëzor e professional. I uroj autorit suksese në botimet e radhës, pasi jam e bindur se nuk do ndalet së shkruari.

86 views1 comment

1 opmerking


Gast
13 nov.

Suksese Taip Sulko.

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page