Nëse pak vonohem rrugës, mos u trishto!
Po vi si ai pasagjeri i fundit i trenave të natës,
Me valixhe druri, me një adresë shkruar në letër,
Ti vazhdo më prit tek stacioni ynë i vjetër.
Po vonohem shpirt, se bota akoma nuk po fle,
Nuk paska gjumë, si do t`i vidhem syve të saj
Do u vidhem syve, veshëve, gojëve çapraze,
Gojëve të liga që s`heshtin kurrë e të bëjnë qepaze!
Është e keqe bota shpirti im nuk e ke harruar
Pas shpine na ther, na shan, na quan të përdalë
Na përgjon tinëz, na njollos, na baltos, na vret natës,
Po s’guxon të na shajë në sy, as të na të dalë përballë.
Ndaj, do ta deh botën, do t’i jap të pijë, do ta bëj tapë,
Ta vë në gjumë, t`ia mbyll sytë, t`ia lidh edhe gojën,
Me gojë lidhur do ta prangos në shtrat
Vetëm e dehur shpirt, shpresoj që s`ma kupton lojën.
Ndaj, nëse pak do vonohem rrugës, mos u trishto!
Ja po vi, si ai pasagjeri i fundit i trenave të natës,
Me valixhe druri, me adresën shkruar në letër,
Ti vazhdo më prit tek stacioni ynë i vjetër.
Do të vi patjetër!
Shumë poezi e bukur. Komplimente vërtet!