Nga Llesh Ndoj)*
“Gjësë së vjedhur nuk ia sheh kush hajrin”, thotë një shprehje popullore, shprehje e cila synon të dekurajojë lakminë për t’u pasuruar përmes vjedhjes apo grabitjes së mallit të tjetrit, ose të shtetit. Kjo vjedhje apo grabitje, nuk është doemosdo në formën e saj klasike apo thjesht materiale. Ajo është e shumëanshme, si vjedhja e karrierës, e mundit dhe djersës duke e keqpaguar atë, përvetësimi nga pak duar i asaj që duhej të ishte e gjithë shoqërisë etj. Jo vetëm është shumëplanëshe, por vjedhja e grabitja e tjetrit janë edhe të kudondodhura, duke u bërë fenomen me të cilin jemi mësuar, e thuajse tashmë nuk po na bën përshtypje e nuk reagon askush. Pronarët sipërmarrës, në vend që t’a bëjnë punëtorin të interesuar e ai t’a ndjejë veten pjesë të kapitalit të tij, me keqpagimin dhe mosrespektimin e djersës e dinjitetit të punëtorit e bëjnë atë “armik” të punës dhe të sistemit, që në çdo rast pret të përfitojë prej tij, e në mos jo, t’a dëmtoje atë, sipas parimit të pa shpallur: hiqja derrit qimen. Ndodh pikërisht si thuhet për kafshën e ngarkesës dhe të zotin: Ajo (kafsha e ngarkesës) gjithë ditën i bindet të zotit, e gjithnjë pret rastin me ia dhënë ndonjë shkelm! Po me shtetin, ç’ngjet? Këtu fenomeni është edhe më prezent, edhe më akut, edhe më masivisht i përhapur. Shteti ynë vazhdon të sillet si pronar i pasurisë publike, jo si administrator i saj dhe si i tillë ai grabit ç’të mundet nga pasuria e djersa jonë, duke na vjedhur ditën për diell dhe pastaj shtetarët e stërvjedhin gjënë me forcë prej nesh, në favor të xhepave të tyre. A nuk dëshmojnë këtë koncensionet e pafundme në të gjitha kohërat, e në të gjitha fushat në gjithë teritorin? Besoj se tashmë e kanë të gjithë të qartë se forca e shtetit, në këtë rast, jo vetëm që është grabitje e asaj që u takon të qeverisurve prej saj, por edhe “rrjedhë e drejtuar” e parave drejt xhepave personalë të qeveritarëve. Kështu është vepruar me pasuritë minerare e me naftën, me pyjet, me bregdetin, me ujin, me ish pronën shtetërore e gjithshka tjetër që u është dhënë mundësia.
Shikoni bregdetin! Asnjë pëllëmbë e pa “grabitur” me lejen e shtetit, por asnjë nga ata që janë “graduar” pronarë me katapultë përmes shpërdorimit të pushtetit, nuk lëshon kupon tatimorë, as pëë parkingjet që janë bërë miniera “floriri”, as për shezllongjet, as për…, të paktën si një “ngushëllim”, a më mirë të themi mashtrim, se nga kjo para do të përfitonte diçka edhe populli, ndoshta indirekt përmes investimeve e shërbimeve. Sipërfaqe të tëra toke publike si kullota, pyje, rërë e deri uji, pa e “ngulur asnjë kazëm” u shndërruan si me magji në “toka bujqësore” vetëm e vetëm për t’u ndarë sipas ligjit 7501, duke grabitur ish pronarët realë e duke “farkëtuar” klasën e re të pronarëve kudo në Shqipëri. Kuptohet, aty ku toka ka vlerë, se në disa zona të thella malore vlera e saj është minimale, e më shumë “morale” se sa materiale. E akuzuan dikurë një ish drejtues të një ekonomie bujqësore “Ia vure kazmën kooperativës, o filani…”, e ai ishte përgjigjur: “Për idealin e Partisë asnjë tef kazme nuk kam ngul në jetën time”! Tamam kështu, ligji i famshëm e korrupsioni shtetëror me tokat bëri “bujq” shumë njerëz që kurrë nuk e kanë ditë se ç’është toka e bujqësia. As orizi nuk bëhet në toka e ujë të kripur deti, ndërsa këta ndërtuan aty parajsën e tyre, kinse bujqësore.
A mund të ndodhte kjo pa “xhepat - thasë” të pushtetarëvë? Duhet të jesh fort naiv të mendosh se shteti e lejon, që “të fuqizohet” klasa e sipërmarrësve privatë. Jo!
Apo në dobi të popullit! Jo e jo!
Çdo logjikë minimaliste të orienton tek rrjedha: shteti grabit ne, e shtetarët vjedhin arkën e shtetit. Dyfish të vjedhur ne, e dyfish përfitues shtetarët. Nuk mund të shpjegohet ndryshe, se pse shtetarët janë në këtë vend të pasurit më të mëdhenj, me pasuri të dukshme e të fshehura, me llogari të hapura në parajsat fiskale e kudo, përveçse jo me drejtësi e me djersë. Nuk ka si shpjegohet ndryshe fakti që “lufta për jetë a vdekje” mes palëve politike, dominohet e drejtohet nën rrogoz nga “konsensusi” i dukshëm, por i pa shpallur: Vidh të vjedhim se ka për të gjithë! Ndryshe asnjë burg nuk do të mund t’i zinte thjesht të burgosurit e niveleve nga drejtorë të përgjithshëm, kryetarë, zëvendësministra, ministra, kryeministra e zëvendës të tyre, deputetë etj. Vetëm emrat, tashmë të mirënjohur në këtë fushë, që nga Meta, Berisha, Koka, Beqaj, Ahmetaj etj, apo ata që përfiten, jo krejt për ajri, të djeshëm e të sotëm, janë mjaftueshëm për t’a bërë të besueshme sa më sipër, por lista është e gjatë e litari i saj zgjatet dita - ditës. Prandaj besoj se as SPAK-u do të mund t’a “këpusë” këtë tërkuzë… Shihni, po të doni, hapësirat publike në qytete, që janë uzurpuar kudo nga njerëzit, me lejen e shtetit. Asgjë nuk flet ndryshe, përveçse përdorim i shtetit për t’na grabitur, e përdorim i pushtetit për të vjedhur shtetin nga pushtetarët. Lista është e gjatë me të tilla xhevahire, aq sa nuk ka shkrim që i zë, por do të doja të përmendja një të vogël fare, lehtësisht të verifikueshëm edhe për ata që janë “të dashuruar” me pushtetet. Qendra e qytetit të Lezhës përshembull, u rregullua me programin e rilindjes urbane dhe për hir të së vërtetës, u bë një punë shumë e mirë. Më vonë, sheshi administrativ para bashkisë u kthye në shesh parkimi për mjetet. Edhe ky një veprim, që tej diskutimeve se a duhej apo s’duhet bërë për shkak të zonës muzeale - arkeologjike, në kushtet e mungesës së parkimeve publike në qytet, lehtësoi qytetarët dhe duhet vlerësuar pozitivisht. Këtij parkingu jo të vogël, iu vu edhe nje portë gjysëm automatike që kontrollon hyrje - daljet e mjeteve e kohën e qëndrimit bashkë me pagesën që duhet të bëjë secili. Edhe kjo, përtej faktit që herë funksionon e herë jo, është veprim pozitiv dhe i vlerësueshëm. Por… Dalim ku e nisëm.
Sheshi është bërë me parat tona (taksat e qytetarëve e bizneseve) dhe vendosja e një tarife për të shkuar tek zyrat e shtetit që paguhen po prej qytetarëve, mund të konsiderohet “grabitje”. Personalisht do të isha shumë i kënaqur me kaq. Shtetit i duhet paguar dhe kërkuar llogari që parat tona t’i përktheje në investime e shërbime. Por ç’ndodh? Asnjëherë dhe për asnjë njeri në këtë pike, nuk lëshon kush kupon tatimorë, duke e kthyer çdo lek të marrë prej nesh në një “grabitje”, përderisa është forca e shtetit që na e detyron, por edhe duke konsoliduar mendimin që ato lekë “orientohen” në xhepat e privatëve. Rrjedha e tyre nuk është krejt e papërfillshme, pasi as që do ishte marrë mundimi të vihej trau po të ishin shuma që as ulin e as ngrenë peshë. Dhe xhepat drejt të cilëve duhet të rrjedhë, pike - pikë e përditë leku, nuk janë e s’ka si të jenë të atyre 2 - 3 punonjësve që shërbejnë aty. Po të kujt janë?
Emrin nuk e di e s’kam si t’a them, por e sigurtë është se rrjedha shkon në ndonjë xhep të vogël pushtetari… Unë nuk jam “revizor” publik, as pjestarë i KLSH - s apo strukturës së Hetimit Tatimor të flas me shifra se sa është madhësia e rrjedhjes (vjedhjes), nuk jam as prokuror të them se në xhepat e kujt shkojnë para të tilla. Dëshiroj të jem i gabuar, por që të përgënjeshtrohem mjafton lëshimi i kuponave tatimorë, kësaj “shpikje” që bota e ka nxjerr prej kohësh, e ligji e kërkon kudo ku bëhen arkëtime cash. E kam parë këtë jo vetëm në botën perëndimore ku duam të integrohemi, por edhe në Lindjen e Largët e Ballkanin e afërt. Bile edhe në Tiranën që sheh më shpejt drejt Perëndimit. Përbetimet në zot, as në idealin e partisë, tashmë nuk mjaftojnë!
Ka plot të tilla raste dhe kudo, por askush s’ka vullnetin t’a ngrejë zërin, e as të ndërhyjë për t’a ndryshuar situatën. Pushtetarëve të të gjitha rangjeve u pëlqejnë vetëm duartrokitjet tona, por jo kritikat, u pëlqejnë epitetet që ua veshim pa doganë si “i madh”, “gjigand”, “i paparë”, “Skënderbe” e lloj - lloj të tilla, por harrojnë se më i miri prej tyre thjesht ka bërë detyrën, pjesa tjetër “hanë përshesh me kos” e “gjigandët” e popullit servile, grabisin me forcën e pushtetit, e vjedhin shtetin duke pasuruar veten. A do të lindë në këtë vend ndonjëherë “një Ataturk”, që të marrë pas vetes ekonomistë të zotët, me të cilët para se çdo njeri të marrë funksione e detyra publike, t’i bëhen llogaritë e pasurisë? Po ashtu edhe kur ai duhet t’a dorëzoje postin apo funksionin, t’i bëhen llogaritë dhe ose t’i thuhet publikisht je i ndershëm e meriton respektin e njerezve, ose nga karriga të orientohet drejt e në qeli, e pasuria e grabitur t’i sekuestrohet për t’ia kthyer të vjedhurve prej tij. Natyrisht, kur them këtë, e di që ekziston, por nuk e kam fjalën për ILKPD - i e mekanizma të tjerë po kaq të korruptuar, që asnjë shenjë jete nuk kanë dhënë deri më sot, por për vullnetet politike të atyre që quhen burrështetas.
---------------------------
)*intelektual, studjues
Comments