top of page

Llesh NDOJ: TȄ “PAVARUR” VETȄM PȄR TȄ QENȄ VASALȄ…!



     Thelbi i ekzistencës së një shteti demokratik, bazohet në pavarësinë e institucioneve, sipas parimit “check and balance”, parim i cili ia nënshtron veprimtarinë e institucioneve të shtetit kushtetutës e ligjit dhe në këtë aktivitet e kuadër, ato kontrollojnë e ballancojnë pushtetet. Është krejt e thjeshtë t’a thuash, nuk është e vështirë t’a kuptosh, teorikisht është plotësisht e mundur të realizohet, por në praktikë arritja e kësaj balance është tepër e vështirë. Tipikisht këtu gjen gjithë kuptimin e vet shprehja popullore: “Nga e thëna në të bërë, shtrihet në mes një det i tërë”, e ky det që ushqehet nga bajraktarizmi ynë tipik, nga të sjellurit e drejtuesit si pronar i institucionit, nga duart e gjata korruptive, “ia lidh” këmbë e duar ligjit e kujtdo që lufton për pavarësi brenda kuadrit të tij, duke i lejuar atij vetëm një udhëtim me dy kahje, ose në rrugë të madhe e i shpërfillur, në mos në burg, ose në gjunjë “i pavarur” nga ligji e i vasalizuar nga “Maliqi”.

     E gjithë shoqëria shqiptare gjendet aktualisht në një shqetësim serioz për “furtunën” e ngritur kohët e fundit në raportin idilik drejtësi - politikë, “furtunë” që rrezikon t’a shuaj edhe flakën e zbehtë të shpresës, që sapo kishte nisur të ndriçonte në udhëtimin tonë për t’u bërë shtet e shoqëri normale. E kam fjalën për luftën e hapur mes SPAK - ut e GJKKO - s, pa përjashtuar edhe organet e tjera të Drejtësisë së Re si KLP, KLGJ apo ILD, nga njëra anë, dhe dy partive kryesore politike në vend, në pushtet apo kandidate për pushtet, nga ana tjetër. Ndërsa drejtësia, hapur e fshehur, bën politikë (jo politikë penale, por politikë sade!), politikanët tanë, të hetuar ose jo, të akuzuar ose jo, të paraburgosur, të burgosur e të lirë por të frikësuar nga bëmat e veta, përpiqen të hetojnë e të bëjnë gjyqin, jo vetëm njëri - tjetrit, por tashmë edhe organeve të drejtësisë. Ngjan absurd, paradoksal dhe i frikshëm ky përshkallëzim i gjendjes së këtij konflikti, thuajse vijues, sidomos në këtë periudhë, kur ai është i mbivendosur edhe me fushatën zgjedhore që ka trokit.    

     Kam shkruar për këtë situatë edhe më herët, por situate sa vjen e bëhet më e komplikuar dhe duket se aktualisht, në të dy krahët e balancës së prishur me dashje, mungojnë autoritetet e duhura që të kenë fuqinë morale, personale apo institucionale, në lartësinë e kompetencave ligjore, si dhe ndërgjegjen profesionale e shoqërore në nivelin e kërkuar të momentit që kalojmë, për t’a rivendosur ekulibrin. As zgjedhjet e reja nuk mendoj se premtojnë t’a shërojnë këtë lëngatë që nuk është e sotme, por që tani është rikthyer rrezikshëm. Recidivat, në mjekësi njihen për rrezikshmërinë e lartë e prognozën e tyre përgjithësisht jo të favorshme, ndërsa në shoqëri, për të njejtin shkak, kanë gjithnjë dënueshmëri më të lartë. Por nga kush? A do të mundet sistemi drejtësisë që, në vend të daljes nga binarët duke u marrë me politikë, apo duke tentuar hijet e drejtësisë persekutore e depresive të sistemit të kaluar, të shëroje veten duke e vënë gishtin e lëpirë në plagët e saj? A do të mundet elektorati shqiptar të kontribuoje me votën e dhënë për njerëzit, partitë e programet e duhura në këto zgjedhje, që sistemi ynë politik të ndërgjegjësohet e të nisë të bëjë të njejtën gjë?! A do rikthehet “dora e fortë” (ndihma) e SHBA-ve, qoftë edhe si “diktat” alla Trump, të na ndihmojë që “lufta” e pashpallur mes dy pushteteve, të mos dalë nga binarët? A do t’a përdorë Bashkimi Europian procesin e quajtur të skrinimit për të parë se ku pikon çatia jonë në ndërtimin e konstitucionit të këtij shteti që rrugëton në udhën evropiane të integrimit? Të tilla pyetje pafund, thuajse pa përgjigje e me pak shpresë, gjenden plot, në se gjykojmë si të pavarur nga politika e të pa pickuar nga drejtësia. Por pavarësia në një shoqëri realisht demokratike, ku sundon shteti i së drejtës, nuk nënkupton vetëm kaq, ndonëse ato, pushteti legjislativ dhe drejtësia, janë dy shtyllat bazë. Po aq të rëndësishme janë edhe dy pushtetet e tjera, ai administrativ dhe media, për fat të keq, të dyja thellësisht të politizuara, të varura, të korruptuara e të inkriminuara në disa segmente të tyre, por ato nuk përbëjnë fokusin e këtij shkrimi.

       Më tej: - A e kemi ne sistemin arsimor të pavarur nga politika? Jo! Absolutisht jo! Ngjarjet në Universitetin Bujqësor të Tiranës, i vetmi institucion i arsimit të lartë në Shqipëri me diplomë të njohur edhe jashtë vendit, ia hoqën petat lakrorit edhe në këtë fushë, ku teorikisht arsimi universitar duhet të jetë, jo vetëm i pavarur, por edhe autonom në punën e tij. Ato treguan hapur atë që të gjithë ne e dimë, e të gjithë e pëshpëritim me zë e nën zë, se politika dhe krimi i kanë ngulur aty tentakulat e tyre prej kohësh, vetëm se tash mungojnë ish - organizatat e ish - komitetet legale të partisë. Unë nuk di të them në se në atë universitet është bërë apo jo korrupsioni i shpallur si i dyshuar e i hetuar nga SPAK - u, nuk di të them në se ishin apo jo proporcionale masat e ndërmarra me ndalime e arrestime, disi masive për një universitet, nuk mendoj se të akuzuarit personalisht dhe rektori institucionalisht, nuk duhet të bëjnë çdo përpjekje për t’u liruar nga akuzat, e rivendosur në vend nderin personal e institucional (në se e kanë!), por nuk kuptoj çfarë kërkon Kryetari i Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe Kryeministër, me këtë situatë? Më tej, ç’lidhje ka grupi parlamentar i një partie politike, qoftë ky edhe i Partisë Agrare, me këtë çeshtje? Dhe as nuk mund të kuptoj gjë, pasi paragjykoj veten në se mund të gjej një arsyetim logjik, për faktin se rektori i këtij universiteti shkon “me vullnet të lirë” dhe reagimin e parë institucional për situatën e krijuar në institucionin që drejton e bën para grupit parlamentar socialist. Hetimi, ndalimi dhe arrestimi i një pjese të stafit akademik dhe personelit ndihmës në Universitetin Bujqësor të Tiranës, për të cilin ruaj edhe nostalgjinë e një ish-studenti e kandidati për pedagog, po bëhet për një çeshtje dytësore në raport me qëllimin primar të tij, por mos qoftë larg, po të investigojë e hetojë ndonjë strukturë e posaçme apo e zakonshme e prokurorisë, policisë apo çdo organi ligjor e kompetent aty dhe në të gjitha universitetet e vendit për korrupsion në marrjen/dhënien e diplomave, korrupsion në marrjen/dhënien e gradave shkencore, apo për zgjedhjet e korruptuara në to, do të kuptohet qartë se korrupsioni është metodë pune, e vartësia politike çelësi i suksesit të shumë prej tyre. Më tej, në arsimin parauniversitar, situata sigurisht që është më e komplikuar, sepse aty ndërhyjnë edhe elemente rajonale, krahas atyre qendrore. Le të kesh sa të duash diploma e kualifikime universitare e shkencore, le të renditesh në krye të portalit përkatës, vetëm servilizmi politik, aftësia “çudibërëse” e grumbullimit të votave, ose paraja, të bëjnë mësimdhënës e drejtues. Pika e pavarësisë universitare, pika depolitizimit të arsimit në tërësi, pika kësaj politike që ka ngrirë në të shkuarën, e nuk sheh aspak nga e nesërmja!

      Këta mëkatarë e të tjerë pa fund në politikë, administratë, media, arsim, shëndetësi e kudo, nuk na kanë rënë për hise nga qielli, por janë pjellë e shoqërisë sonë të pa pjekur ende demokratikisht, ku secili kërkon të bëjë “gjelin mbi grumbullin e plehut”, ku askush nuk e pranon as e njeh atoritetin e ligjit as të institucionit, ku askush nuk lufton hapur e ligjërisht për të drejtat e tij, por e gjen më të udhës t’i nënshtrohet paligjshmërisë ndaj çdo kaleci)1 të pushtetit, në vend që të ruajmë integritetin tonë moral, ku secili kërkon me patjetër të gjëj një mik për të marrë atë që i takon, duke harruar të luftojmë për të drejtat tona. Na vjen “për shtat” t’i biem shkurt e të paguajmë nga xhepat e shkyer, për atë që ligji t’a jep pa pagesë, në vend që të dërgojmë para organeve të drejtësisë, ose ato administrative ku varet, atë “Maliqin” që e tejkalon ligjin për hir të interesave të veta. Nuk e vrasim mendjen për të ndjekur rrugën ligjore, dhe pse shpesh e mundimshme, për të marrë shërbimin që na takon nga institucionet, duke “hyrë nga dera”, por kërkojmë mik e “hymë nga dritarja”. Përtojmë të ndjekim rrugën e sistemit nga mjeku i familjes tek specialisti për një vizitë mjekësore, një ekzaminim a ndërhyrje, dhe kontaktojmë vetë drejtpërdrejt me mjekun, duke bërë pazar edhe kur ai nuk t’a kërkon një gjë të tillë. Na duket e tepërt të studjojmë e marrim shkollën, diplomat e kualifikimet e tjera, ndaj preferojmë t’i biem shkurt e të bëjmë pazare me mësues e pedagogë. Jo vetëm kaq, por ne nuk protestojmë për të mbrojtur të drejtat tona të shkelura e të nëpërkëmbura, por për të “mbrojtur” udhëheqësit tanë “të ndritur”, se po vuajnë nga që nuk dinë nga t’i legalizojnë paratë që na i kanë vjedhur pamëshirshëm.

      Deformimi ynë si shoqëri është i thellë dhe nuk daton si origjinë vetëm nga sistemi i kaluar, i cili duhet pranuar, ia dha një shtysë të fortë deformimit të personalitetit tonë si njerëz, por vjen që nga kohët e hershme, kur na kanë sunduar të huajt. Fatkeqësisht as në këto vite të pluralizmit polik, zhvillimet nuk kanë shkuar në kahjen e duhur, përkundrazi është rritur numri i faktorëve depresiv dhe shkalla e presionit deformues të tyre, aq sa sot edhe në një bisedë mes dy vetave i treti, njërit i jep të drejtë e tjetrit i shkel syrin! Edhe kjo është një premisë negative, që bën të mos shpresojmë për një ndryshim të shpejtë.

       Ndryshimi i kësaj situate aspak normale si baza e ndryshimit të shumë raporteve shoqërore, institucionale e ligjore, duhet të nisë tek secili prej nesh, duke i thënë vetes: - Po…! Unë mundem e do t’ia dal për të drejtat e mija pa u bërë vasal i askujt e pa paguar jashtëligjësisht, besim që mund e duhet t’ia transmetojmë fëmijëve që rritim e përgatitim për jetën, familjes, grupit shoqëror ku bëjmë pjesë, e të përpiqemi t’ia imponojmë me votë e me qëndresë qytetare kujtdo, individ apo institucion qoftë ky, që ka për detyrë të respektoje të drejtat tona. Vonë jemi…, por më mirë vonë se kurrë!

 

Lezhë, më 01. 03. 2025

---------------------------------------------------------------------------------------------------------

)1 kalec - nga turqishtja: portier. Në zhargon popullorë: njeri që rri e hap portën të gjithë pushtetarëve, pa asnjë vlerë, spiun e servil, matrapaz, yesman.

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page