- A votojmë me përgjegjshmëri qytetare ne shqiptarët? -
Nga LLESH NDOJ
Duke qenë se kam qenë për shumë vite aktiv në fushatat elektorale, edhe mua më ka rënë rasti me dhjetëra herë të kem kontakte individuale me zgjedhësit, të cilëve jam munduar t’ua mbush mendjen që të marrin pjesë në votime dhe t’a japin votën e tyre shumë të vlefshme, për alternativën më të mire, që ata mendojnë. Më ka rënë, po ashtu rasti të kërkoj mbështetje me vota edhe për individë të caktuar për të cilët kam menduar se ia vlen të votohet, ndonjëherë edhe jashtë alternativës politike, kryesisht në zgjedhjet administrative vendore, ashtu siç kam kërkuar, edhe pse pak e rrallë, edhe mbështetje me vota për përsonin tim.
Është një punë sa e bukur, aq edhe e vështirë, sepse duke qenë individuale apo në grupe të vogla e deri familjare, kjo metodë të bën të njohësh pikëpamjet reale të njerëzve realë, larg euforive e “dehjes momentale” që injektojnë në trupën elektorale mitingjet e mëdha e monologjet e liderëve të partive politike, kryesisht atyre të mëdha, që rrinë gjithnjë në dhomën apo paradhomën e pushtetit shtetërorë. Parë kështu e në këtë këndvështrim, në aspektin e njohjes reale të asaj që mendojnë e kërkojnë zgjedhësit, jashtë tentativave imponuese përmes pushtetit, asnjëherë nuk e kam keqkuptuar të ashtuquajturin “sistem patronazhimi” edhe pse s’jam bërë kurrë “patronazhist”, por nuk është qëllimi i kësaj analize kjo çeshtje. Por meqenëse jam i shkëputur praktikisht nga çdo parti politike dhe pjesmarrje në fushatat e tyre elektorale prej afro dy dekadash, as që më intereson kjo. Në këtë analyze, fokusi im është drejtuar tek efektet që sjell kjo mënyrë kapilare e fushatës elektorale tek disa votues, tek tipologjia e tyre dhe sa e përgjegjshme është vota jonë. Ndoshta, të mësuar që mbi krye të mos kemi pushtete të prodhuara nga vota jonë historikisht, edhe pse gjithnjë në një formë, a në një tjetër jemi ftuar formalisht në votime, shqiptarët nuk i japin votës së tyre peshën reale që ajo ka dhe për fat të keq, nuk ia dine vlerën. Edhe kur e shesin atë, edhe kur e falin atë pa bindje e për hatër të shokut, mikut apo armikut, edhe kur qëndrojnë indifferentë ndaj saj duke mos marrë pjesë në votime, ne e nënvleftësojmë fuqinë e votës e për rrjedhojë edhe të vetes sonë, duke u vetëçertifikuar si njerëz të paaftë për të ndikuar në ndryshimin e realitetit.
Gjithnjë më ka bërë përshtypje një tipologji votuesish mendësia e të cilëve mund të përmblidhet në frazën: “Për votën time s’mbet pa dalë…”. Janë, sipas meje, kategoria më e pa vlerë e votuesit, ose votuesit votuesit “as mish as peshk”, janë pikërisht kjo kategori, që mund të marrin pjesë ose jo në votime, por që nuk e tregojnë mendimin, që mund t’a shesin apo zhvlerësojnë votën në çdo moment. E për rrjedhojë s’kanë guximin t’a thonë dhe janë në pritje të “ofertës së pa kërkuar”, me vlerën më të lartë, janë ata që mund të të votojnë kundra, e të thonë “të shpëtova” me votën time, ose kur nuk del, “më vjen keq se nuk dole megjithëse votova për ty”! Këta tipa votuesish duhen shpërfillur nga të gjithë aktorët e faktorët politikë, pasi janë deformuesit më të mëdhenj të mjedisit politik e zgjedhorë.
Përtej kësaj, ne si shqiptarë, gjithsesi nuk e njohim peshën reale të votës e të veprimit tonë. Historia ka peshën e përgjegjësinë e saj ndaj nesh edhe në këtë aspekt, por pas tri dekada e gjysëm, formalisht të inkuadruar në një sistem ku fuqia e votës është e vetmja që duhet të jetë motori real i transformimeve ekonomiko - shoqërore e politike, kjo mendësi realisht është e rrezikshme e faktori kryesor i riciklimit të krizave sistemike, marrëveshjeve për pushtet mbi baza klienteliste e pazare jo demokratike, mosalternimi i pushtetit dhe i elitave në tërësi, duke shënuar një ngecje të trishtueshme në përparimin demokratik të shoqërisë. Ne si popull, tentojmë të jemi çdo ditë “mbret” e të veprojmë secili në mendjen e tijë pa përfillur ligjin e cënimin e të drejtave të të tjerëve dhe të vetmen ditë që duhet të jemi “mbretërit” e vërtetë të vetes, shoqërisë dhe shtetit, jemi ditën e votimeve, ne “abdikojmë nga froni”, duke mos marr pjesë në votime, duke e shitur votën apo duke ia falë atë dreqit e dhënë të keqit, zhvleftësojmë veten, fuqinë e votës sonë e aftësinë që me energjitë tona t’i japim një dorë ecjes përpara të shoqërisë sonë. Interesante është, se duke mos kryer detyrën tonë minimale, pjesmarrjen me votë, ne i rezervojmë vetes, besoj më shumë se të tjerë popuj të botës demokratike, ku duam të integrohemi, të jemi të pakënaqur gjithnjë, kudo e ndaj kujtdo, gjë që e shfaqin hapur edhe të dhënat e marra nga disa sondazhe në shkallë rajoni apo kontinenti, duke qenë populli që nuk mungojmë të reagojmë, jo rrallë, edhe dhunshëm për të “sjell ndryshimin”, sipas interesave të grupimeve politike.
Ja fusha…, ja meidani! Kemi kohë plot deri në votime e secili prej nesh duhet t’a bindë veten, së pari, të marrë pjesë në votime, duke e konsideruar këtë detyrë, e duke i thënë vetes: “Po! Vota ime përcakton pushtetin e ardhshëm”, e jo të krijohet bindja fictive, se “Për votën time s’mbet pa dale…”, e së dyti, mes alternativave, të paktën në formë të bollëkshme, se në realitet s’ka alternativë, të zgjedh njërën prej tyre, në mos jo, të bëhet vetë alternativë, ndonëse kjo rrugë paraqitet akoma fort e mundimshme. Sidoqoftë kurrë nuk duhet nënvleftësuar vetja! Fuqia jote qëndron tek besimi yt, tek vota jote, ndaj përdore atë në të mirën tënde dhe të shoqërisë! Gjithnjë ka shpresë, e bërja e saj realitet vjen nga vullnetet tona të kanalizuara përmes votës e jo pazareve, përmes besimit e mosdorëzimit, përmes shpenzimit të energjive tona pozitive si kontribute ndërtuese, tullë pas tulle, e jo shkatërruese, duke prerë edhe degën e vetme mbi të cilën mbahemi, për inat të lisit… Natyrisht që nuk është e lehtë! Partitë politike shqiptare nuk janë (jo absolute kjo!) parti të funksionimit demokratik, e nuk e lëshojnë lehtë pushtetin. Por vota jonë ka (duhet të ketë!) peshën e “gurit të hequr” në muret e atyre, që nuk na përkasin ne e duan të ngrejnë veten duke na hedhur si faculetë hundësh të përdorur, e të “gurit të investuar” në themelet e mureve të atyre që duan të ngrihen më lart, edhe për ne e bashkë me ne. Gurë - gurë bëhet murë, por gurë - gurë edhe rrëzohet një murë! Ndërsa për të ngritur njëheri nga hiçi është e pamundur, e për të shembur përnjëheri, rrezikojmë t’na zërë poshtë të gjithëve.
Është e pështirë sjellja servile e disa individëve, shoqatave apo partive të vogla ndaj partive politike kryesore, në pushtet e opozitë, të cilave u afrohen shpesh edhe elemente injorantë që bëjnë të fortin, pa asnjë kontribut, pa asnje idealizëm, pa shkollë, hajdutë e kriminelë, njëra palë për të “çimentuar” pushtetin, e tjetra për të siguruar “karrigen” e nesërme, ashtu siç është papërgjegjshmëri mosangazhimi në këtë mission të rendësishëm i intelektualëve e idealistëve të vërtetë që e duan këtë vend, ndërkohë që e gjitha kjo, shkon në favor të mosndryshimit të gjendjes ku ndodhemi dhe për më tepër rrezikon që gjithnjë të gjendemi të ngecur në dialogun tonë të brendshëm: “Ku ishe? Hiçgjëkundi! Çfarë bëre? Hiç asgjë!”.
Shikoni administratën tonë aktuale e historike që në pragzgjedhjesh nis e merr gjithnjë fytyrën e më të fortëve, injorantë e hajdutë ku është i përqëndruar pushteti i vërtetë, i dukshëm apo i pa dukshëm. Shikoni hermetizmin e partive politike, e përqëndrimin e gjithë vendimmarrjes së tyre vetëm tek njëshi, shikoni opozitën kryesore që pushtohet nga një grup njerëzish “virulentë”, përfaqësues të dhunës, shkatërrimit e obskurantizmit dhe… imagjinoni lehtësisht fytyrën e pushtetit aktual dhe të të atij që mund të instalohet nesër. Por kjo s’mund të jetë shkak dorëzimi e tërheqje nga asnjë prej nesh, por shkak angazhimi e lufte demokratike për ndryshim, përmes fjalës dhe votes sonë të lirë, ose…
Heshtim dhe e gëzofshim të djeshmen si të ardhme! Madje si popull i lumtur…
Comments