
POLITIKA, KAFSHA POLITIKE DHE POLITIKA KAFSHȄRORE
- Persiatje mendimesh “teorike” rreth aktualitetit politik -
Nga kohët e largëta të studimeve në universitet, më kujtohet se shprehja “kafshë politike” është thënë e shtjelluar nga Aristoteli në veprën e tij të titulluar “Politika”. Gjithnjë, por sidomos në këtë periudhë zgjedhjesh për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, interesimi për politikën dhe vlerat e saj vjen me intensitet të lartë për të gjithë njerëzit, ata që Aristoteli, në veprën e tij, i konsideron si “të vetmet kafshë politike” dhe jo vetëm për ata që janë apo duan të bëhen politikanë. Është e natyrshme kjo, sepse politika është krijuar si “privilegj” i mendjeve njerëzore për t’u përdorur si mjeti më efikas, që e bën të mundur bashkëjetesën mes tyre, si dhe bashkërendimin e mendimeve, punëve e forcave, me qëllim që me sa më pak energji të harxhuara të maksimalizohen rezultatet, të arrihet prosperiteti social dhe ekonomik dhe, në radhë të parë e mbi gjithshka, të eleminohen sa të jetë e mundur më shumë, kontradiktat antagoniste e të sigurohet bashkëjetesa paqësore mes tyre.
Aristoteli e lidh konceptin “kafshë politike” kryesisht me të folurën, me aftësinë e njerëzve për të artikuluar fjalët, gjë për të cilën unë nuk do të isha plotësisht në një mendje me të. Po të jetë vetëm për këtë aftësi, shpesh nuk do të kisha ndonjë dëshirë të konsiderohesha “kafshë politike”, nisur nga fakti se politikanët tanë, dhe jo vetëm ata, flasin tej mase, por mendojnë pak e nuk komunikojnë fare. Natyrisht që filozofi i lashtësisë, duke veçuar të folurën si tipar të njeriut, kësaj “kafshe politike”, ka patur parasyshë, në radhë të parë, mendimin e artikuluar në fjalë e fjalën si mjet komunikimi, por fatkeqësisht të dyja këto çalojnë e stonojnë dukshëm për klasën tonë politike në të gjitha nivelet e thuajse në të gjitha kohët. Mendimi, është ai që “kafshën politike” - njeri e shkëput nga “mbretëria” e kafshëve, qëllimi për t’i shërbyer shoqërisë e lehtësua bashkëjetesën e bën atë politikan, ndërsa komunikimi me të tjerët shërben që mes palëve, “kafshëve politike” e politikanëve, të arrihet një marrëveshje, një kontratë, e cila rinovohet herë pas here përmes sistemit demokratik të zgjedhjeve.
Gjithsesi, i gjithë koncepti nis nga të qënit “kafshë politike”!
Po ku dallon kafsha politike nga “mbretëria” e kafshëve dhe politika nga politika kafshërore? Në “mbretërinë” e kafshëve i vetmi rregull që sundon e zbatohet, është nënshtrimi ndaj më të fortit. “Gjuha” e komunikimit nuk vjen nga mendimi, por nga forca. “Marrëveshja” mes tyre përfundon me nënshtrim total e deri edhe me zhdukjen fizike të palës më të dobët. Jeta aty shndërrohet thjesht në mbijetesë. Për t’a zhbërë këtë rregull, “kafsha politike” - njeriu, përpunoi ndër shekuj rregulla shoqërore, morale e ligjore, të cilat duhen zbatuar në mënyrë të ndërgjegjshme, ose të imponuar me mjete të dakortësuara e të gjithëpranuara, me qëllim që secili të jetoje në paqe me veten e me të tjerët, ku e drejta e secilit mbaron aty ku nis e drejta e tjetrit, e ku shteti, si organizim politik, u “shpik” si makineria që shërben për t’a ruajtur këtë ekulibër dhe për të siguruar kushte e mundësi të barabarta jetese për të gjithë. Shkurt, politika lindi si mjet për t’a kaluar “kafshën politike” nga mbijetesa, në mundësi të barabarta shansesh për jetesë. Është pikërisht politika që bën të mundur kalimin e shoqërisë njerëzore, nga thjesht një bashkësi “kafshësh politike”, në shoqëri moderne e të zhvilluar, ashtu si edhe mund të bëhet shkas, apo rrezik, që ajo të rrëshkasë herë pas here në zgjidhje parapolitike. Por kjo ndodh kur politika e humbet misionin e saj e koha thërret në skenë mjete të tjera, fatkeqësisht të ngjashme me ato të “mbretërisë” së kafshëve, ndonëse modern e të kamufluara bukur, ndonjëherë edhe me fasada demokratike.
Është i njohur fakti se instiktet, apo subkoshienca, lindin bashkë me njeriun, janë pjesë e prejardhjes së tij, e si të tilla ruhen gjatë e transmetohen si të paprekshme. Edhe pse në kushte normale nuk shfaqen e nuk janë të dorës së parë, kur duhet ato luajnë rol reagues kryesisht pozitiv. Por fatkeqësisht irracionaliteti shfaqet hapur edhe në politikë, duke e “tunduar” atë në labirintet e kohëve parapolitike e duke sjellë dëme, ndonjëherë edhe të pa riparueshme. Ndonëse politika lindi për t’a shkëputur njeriun nga bota e kafshëve, ndodh që cikli të përmbyllet, e politika të bëhet kafshërore, dmth mjet për nënshtrimin e tjetrit, mjet sundimi pa shpirt, ku nuk ka vend për të gjithë, shndërrohet nga mjet - mundësi kushtesh të barabarta për jetesë, në mjet ku dikush sundon pamëshirshëm, e këtu hyjnë pakica, ndërsa të tjerët, ku hyn shumica, u duhet të përshtaten për mbijetesë. Kjo politikë kafshërore ndodh t’a tejkalojë edhe vetë “mbretërinë” e kafshëve, për shkak se përdor edhe mjete të sofistikuara dhune duke prodhuar genocid, të pamundura për kafshët, e duke mos kursyer as gjakun e vet. Largimi i politikës nga misioni si mjet shërbimi, që i shkon përshtat sidomos filozofisë demokristiane, në mjet sundimi, ka sjellë situatën ku dominojnë interesat individuale të pushtetarëve mbi misionin e shërbyesit, ku njeriu për njeriun është ujk, e ku “vdekja jote” është “shansi im”, që ka zëvendësuar parimin e pashkruar, “I vetëm s’jam asgjë, bashkë bëjmë diçka”, në përpjekjet për një jetë më të mirë. Cikli i lartpërmendur tashmë është përsëritur shumë herë në histori, shfaqja më flagrante e së cilës janë luftërat botërore e lokale, armët e shfarosjes në masë, polarizimi e shpërndarja ekstremisht e pabalancuar e pasurisë etj. Edhe aktualisht ka kohë që ky cikël shfaq shenja të rrezikshme dëshmie se është gati duke u plotësuar për t’u rikthyer aty ku nisi. Skematikisht cikli si më lart, mund të përmblidhet në kalimet: Kafshë - kafshë politike - politikë - politikë kafshërore…! Ne, këtu jemi! Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në një pjesë të madhe të aktualitetit botëror. Shenjat janë se këtu jemi… Fatkeqësisht! Shih konfliktin Rusi - Ukrainë, shih konceptin “Tramp” për rendin botëror, shih konfliktin në Lindjen e Mesme, shih rikthimin e etheve të riarmatosjes globale, shih po deshe fqinjët serbë që na rrethojnë, shih… shih…
Shih më mirë brenda vetes! A nuk jemi shndërruar të gjithë ngapak në robotë, që lakmia për pasurim me çdo kusht, qoftë edhe në kurriz të të tjerëve, na e ka heq shpirtin pak e nga pak, por çdo ditë? A nuk jemi ne që s’pyesim për vllain, për nanën, për motrën, se për komshiun e njeriun në emergjencë mbijetese, jo se jo! Po politika? Ajo edhe këtu mbetet pararoja e së keqes. Nga politika, mjet për një jetë më të mirë e më të paqtë, jemi në fazën e kafshërisë politike, ose politikës kafshërore. A nuk e dëshmoi Presidenti i shtetit lider të gjithë botës në trajtimin e luftës Rusi - Ukrainë, në dy pamje ekstreme brenda pak ditësh: - Më jep mineralet e dobishme pa kusht, të flasim pë paqen e kushtëzuar! Ky ishte qendrimi i parë i tij, që më tej u pasua me një lumë fjalësh fyese e poshtëruese ndaj Presidentit Ukrainas, e nga mijëra jetë të humbura në frontin e luftës prej ndërprerjes së ndihmës ushtarake e inteligjente, dhe vrulli që i dha Putinit qëndrimi i tij. Po lufta në vetvete, a nuk është kafshëri politike? Po ç’ndodhi më pas? Kur Zelenski pranoi “nënshtrimin” ndaj Tramp dhe e nënshkroi marrëveshjen, ky i fundit ndërroi faqe: - Topi është në anën e Rusisë e ajo duhet t’a pranojë marrëveshjen, ndryshe do të ballafaqohet me sanksione shtesë! E gjithë kjo betejë fjalësh bëri që fajin e luftës t’a kalonin aty ku është në fakt: Nuk është më Zelenski një “diktator i vogël që e filloi luftën”, por qenka Putini! Në të njejtën menyrë mund të arësyetojmë për Gazën dhe për shumë konflikte të tjera, fatkeqësisht gjerësisht të përhapura aktualisht në gjithë botën.
Po këtu tek ne, a duhet ti harrojmë vitin e vështirë 1997 - të, kur politika kaloi në kafshëri politike? Po ngjarjen tragjike të Gërdecit të 15 marsit 2008, e cila për “pak para” mori jetë njerëzish e hodhi në erë një zonë të tërë? Po 21 janarin ku politika kafshërore vrau për pushtet? Po veprat antinjerzore të llojë - llojë zyrtari - maskara, që ka zënë zyrat e shtetit tash disa vjet, e na rjep përditë pamëshirshëm, a nuk dëshmojnë se jemi në fazën e politikës kafshërore? Po listat e kandidatëve për deputetë, aktuale e historike, a nuk e dëshmojnë hapur se politika kafshërore po synon të na trajtoje tamam si kafshë (jo si “kafshë politike”) të gjithëve? Po historitë e mik - armikut mes palëve politike, thjesht e vetëm për interesa të ngushta të klasës apo individëve të caktuar, a duhet t’i harrojmë? Në këto çaste të vështira, ne duhet të kthjellohemi, e nëse është e mundur t’i ndalojmë, apo të paktën të mos i nxisim me duartrokitje e përkrahje pseudopolitikanët tanë, që se kanë për gjë t’a djegin Shqipërinë për interesat e tyre meskine, pasurore e pushtetore. Koalicionet e shpallura e të pashpallura, vetë listat e subjekteve zgjedhore, e dëshmojnë hapur “politikën kafshërore”, por mbi të gjitha e dëshmon lista e gjatë e atyre që ne i kemi votuar, me hir ose pahir, e sot kanë mbushur qelitë e burgjeve, ndërkohë që radha duket e gjatë...
Jo! Vota ime nuk është për t’u burgosur, ndaj nuk mund t’ua jap sojit të atyre që s’kanë as din e as imanë! Politika kafshërore e klasës sonë politike e dëshmon me forcë se nuk ndalet para asgjëje në turra - vrapin e pushtetit për t’u pasuruar, pasurisë për të blerë pushtet e dominimit të gjithçkaje në jetën e vendit. Mirë që akoma nuk kanë arritur në konkluzionin, se nuk u duhemi fare as si “kafshë pune”, se si “kafshë politike”, (nënkupto njerëz me mendime, ndërgjegje e nevoja materiale e shpirtërore), as që na konsiderojnë.
Prej këtu ku jemi, me shpresën se nuk do të mbetemi të tillë gjatë, cikli do të ndodhë të përsërisë vetveten, shpresoj “jo i plotë”, e të rikthehemi tek “kafsha politike”, duke e lënë pas si “kafshërinë”, ashtu edhe “politikën kafshërore”, të cilat kanë të përbashkët mospranimin e bashkëjetesës në të njejtin habitat. Por kjo gjendje, as ka ardh si fatalitet, as rreziku i saj nuk largohet duke u lutur. Prandaj është koha të kërkohet veprim nga secili prej nesh në peshën që ka, në radhë të parë duke njohur vetveten, e peshën e votës së tij. Është e vetmja gjë e shenjtë që e kemi, duhet ta ruajmë të tillë, të pastër e të shenjtë, duhet ta përdorim pa hezituar, por me ndërgjegje të plotë, pa e falur e pa e shitur atë! Edhe falja e votës pa bindje të brendshme është mëkat, ndërkohë që shitja e saj është krim e dy herë i tillë! Vota jonë është e ardhmja e fëmijëve tanë, e atë nuk kemi të drejtë as ta falim, as ta shesim!
ความคิดเห็น