top of page

Llesh Ndoj: Lesht keni për të marr!



1.

Tregojnë se dikur e diku një mbret vendosi të zbresë vetë në popull dhe të mësoje për gjendjen e njerëzve, tej filtrave që iu vihen zakonisht këtyre informacioneve, veçanërisht në sistemet autokratike e totalitare, ku udhëheqja e lartë duhet “ruajtur” e mbajtur larg “gjërave të vogla”, siç janë  hallet e popullit…

Pyetjes së mbretit se si ishin e si i kishin hallet, njëri nga të shumtët, iu përgjigj:

Naltmadhni, jemi mirë krejt, po unë e kam një hall, i thotë dikush.

E dëgjon me vemendje mbreti dhe i drejtohet sekretarit shoqërues:

Shënoje! T’i plotësohet kërkesa deri…


Vazhdoi kështu gjatë bashkëbisedimi midis mbretit e të nënshtruarëve prej tij e për çdo ankesë mbreti urdhëronte sekretarin ta shënonte në qitap e të kujdesej për t’ua transmetuar vartësve, bashkë me urdhërin që të zgjidhej menjëherë. Njerëzit kënaqeshin e besonin si tek Zoti, kur shikonin se mbreti i rrinte mbi krye sekretarit derisa ai t’a shënonte në qitap ankesën bashkë me porosinë e tij, ose më mirë bënte sikur e shikonte se as për të lexuar nuk lexonte dot!. Lista e ankesave e kërkesave të hallexhinjëve u bë e gjatë dhe përgjigja e Lartmadhërisë mbetej po e njeta: Shenoje dhe ndiq zbatimin e kërkesës derisa të zgjidhet!

Andej nga fundi i ditës “me popullin” një njeri iu ankua mbretit për lesh!

Kam me martue djalin madhni, e më duhen 10 kg lesh!

Shënoje! 15 kg lesh për….

Sekretari i vemendshëm, iu afrua tek veshi e i tha:

Madhni! Krejtve ua bëjmë qaren, po leshin për këtë ku me e marr?!

Shënoje more, iu kthye mbreti sekretarit! Krejt lesht kanë për të marr…

2.

Fushatat elektorale, po t’i ndjekësh me vëmendje oratorët, janë mrekullia vetë! Thesi i rrenave hapet bujarisht për të gjithë e të gjithë dalin të kënaqur prej tyre, të paktën deri të sa të dalin rezultatet zyrtare nga organi që i çertifikon zgjedhjet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Sheshet e sallat janë plot e fytyrat e njerëzve të qeshura, aq sa thua ku paska qenë fshehur lumturia deri më sot?! Zgjedhjet politike në vetvete janë nënshkrimi i një kontrate publike mes zgjedhësve e të zgjedhurve prej tyre, por cila është kontrata? Nuk besoj se është rastësi që pothuajse asnjë parti politike nuk paraqet një program elektoral të shkruar, konçiz, konkret e me afate për gjithshka që premtohet prej tyre. Premtojnë pa asnjë llogari e përgjegjshmëri, se “lesht” kanë me na dhënë pas zgjedhjeve. Bile, asnjëri prej tyre, sidomos Rama e Berisha, asnjë copë letër formale nuk e mbajnë në dorë nëpër takimet elektorale, ndonëse flasin me orë të tëra e, si e thotë populli, nuk u bie gjuha në gojë!

Pse të mbajnë letër?! Fol ça të duash, mjafton që turma të eksitohet e t’i duartrokasë në mënyrë frenetike. Se mos do t’u duhet të japin ndonjëherë llogari për ç’thanë e ç’bënë! Rëndësi ka mos me ngec. Rëndësi ka me gjet fjalë që çojnë peshë zemrat e pjesmarrësve, sidomos me batuta që vejnë në epiqendër me tallje, kundërshtarin politik. Po të jeshë vetëm pak i vëmendshëm, në fjalimet e tyre politike, numërohen gafa pafund, aq sa të vjen marre nga vetja se pse i ndjekim e i votojmë këta njerëz!

Më vjen ndërmend një takim elektoral i vitit 1996, diku me një grup fshatarësh në zonën ku banoja e jetoja atëherë. Shoqërova kandidatin për deputet të kohës si një detyrim partiak (për etikë nuk do t’ia përmend emrin!) nëpër disa takime të vogla elektorale me grup-lagje. Në takimin në fjalë, shumica e pjesmarrësve vinin sa për t’i bërë qejfin atij, disa edhe për harrin tim, dhe ishin votues të majtë. Pashë aty edhe një grup djemsh të panjohur deri atëhere për mua dhe mendova se ishin pjesë e grupit shoqërues të kandidatit që vinin nga qendra, siç ngjet gjithnjë. Në fjalën e tij “programore”, kandidati foli edhe për Kinën, edhe për raketat, edhe për…, por asgjë për zonën e për mundësitë që ai do të kishte që, përmes mandatit të deputetit, të ndikonte realisht në zgjidhjen e halleve konkrete të njerëzve. Duke u kujdesur që ta bënte kundërshtarin edhe më të zi se ç’ishte në realitet, kandidati shpërfaqi një turrë shifrash thuajse astronomike adresuar korrupsionit të kundërshtarit politik, që të linin me gojë hapur. Bëri aq shumë gafa sa…

Njëri nga djemtë e “panjohur” ish i persekutuar politik nga një fshat i afërt, njeri mjaft inteligjent ndonëse koha s’ia kishte mundësuar diplomimin për arësye ekstrashkollore, ia demantoi një nga një shifrat astronomike kandidatit, aq sa atij nuk i mbetej asnjë mundësi kundërshtimi me forcën e logjikës, përveçse me forcën e pushtetit. Na u desh shumë “dredhi fjalësh” për të dal nga kjo situatë dhe që nga ajo ditë, iu shmanga me justifikime nga më të ndryshmet shoqérinit të kandidatit në takimet e tjera.

Natyrisht që, aq sa më lejohej, edhe e këshillova kandidatin:

Futja kot sa të duash politikisht e teorikisht, i them, por kur vjen puna tek shifrat bëj kujdes se njerëzit të “tërheqin” për gjuhe! Ato janë të ftohta e nuk lejojnë shumë mundësi me i dal situatës .


Le të vijmë në 2025-n dhe situatën elektorale në zhvillim. Thuajse asgjë nuk ka ndryshuar. Bile as njerëzit e politikës jo! Ja ndonjë shembull: Berisha në takimet e shumta me bizneset gjithnjë premton “taksë zero” për biznesin e vogël dhe merr duartrokitjet e të pranishmëve, a thua ka bërë ndonjë zbulim shkencor të jashtëzakonshëm dhe s’del askush t’i thotë se kjo tashmë është e realizuar prej vitesh e me ligj e mbrojtur deri në vitin 2029 nga qeverisja socialiste, ndonëse është një veprim i padrejtë në thelbin e vet!

Ose,

Tatimi i dividentit do të ulet në 10%, tha në një biznes në Durrës. Por këtu, qëlloi që pronari ishte i vëmendshëm e i tha se 8% është edhe tani!

Si? Po sa e doni? E doni zero Ju?, vazhdoi Berisha, duke bërë sikur shënoi në bllokun e tij, dhe e mbylli me një:

Do ta shqyrtojmë!

Le të mos hyjmë në shifrat makro ku vështirë me e kaluar klasën asnjëri me premtimet e tipit të mbretit të treguar në fillimet e këtij shkrimi. Për çdo taksë premtohet prej tyre ulja ose zerimi, ndërkohë që çdo e ardhur, qoftë si pagë apo si shërbim, do të rritet e përmirësohet në mënyrë të menjëhershme e të paimagjinueshme, a thua se shteti që vjen vetëm do të emetoje monedha e t’i shpërndaje ato të nesërmen e uljes në karriga të pushtetarëve të ri, se të tjerat i “zgjidh” Zoti apo, si e thotë populli, e bën Zoti mirë! Zoti veç mirë bën natyrisht, por llogaritarët e shifrave i ka lënë në tokë, në mënyrë që të kalkulojnë mirë llogaritë e të premtojnë njerëzve ato që janë të realizueshme!

Në fakt jemi aty ku e lamë:

Premto gjithshka me fjalë të bukura, se “lesht” kemi për t’u dhënë!


3.

Sa herë i mendoj këto veprime, fjalë e premtime fodulle të politikanëve, më vjen për të vjellë! Më ndodh të bëhem nervoz, me ndonjërin edhe “të përplasem” me fjalë, në se ma jep shansin me e pasë ballë për ballë, por shpejt e kuptoj se është fushatë e rrenat janë “të liçensuara”, sidomos këtë vit ku fillimi i fushatës korespondoi edhe me 1 prillin. Ndonëse në vitet e rinisë më tërhiqte fort politika e edhe jam marrë me të në nivelet e ulëta të saj, i them vetes: Je me fat që s’të është dhënë mundësia të ngjitesh lart në karriget e politikës se do të merreshin mend’t shpejt e rrëzimi nga lartësitë është kurdoherë me rrezik të lartë…

Pastaj, hap muzikën në makinë e nga një disk i vjetër gjej këngën e Perlat Sheqerit, titulluar “Furka e plakës”. Ç’farë thotë kjo këngë? Në esencë vargjet e saj sjellin dialogun mes një lokeje që tjerr lesh në furkë e ish-deputetit tashmë kandidat, që i kërkon votat. Përgjigja e lokes është brilante: Pasi thotë se “leshi i dhenëve, leshi i dhive/ shkoi me rrenat e partive/(…)” konkludon:


Por këtë radhë e kam nda peshqeshin/ unë mbaj furkën e ti merr leshin…


Të kisha mundësi, para çdo qendre votim në ditën e zgjedhjeve, gjatë të gjithë ditës, do të vija të përsëritej ky fragment kënge me volum të shtuar!

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page