top of page

Lis Bukuroca: Ikigai ose gjetja e kuptimit të jetës me filozofinë japoneze





Filozofia japoneze Ikigai merret me kuptimin më të lartë të jetës. Me ndihmën e disa pyetjeve, edhe ti mund të zbulosh Ikigain tënd.


Ne jetojmë në epokën digjitale, në të cilën shumë prej nesh kalojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës në kompjuter ose celular. Të mos humbet njeriu në këtë botë virtuale, nuk është gjithmonë e lehtë. Si pasojë, shumë njerëz kanë edhe dëshira për të zhvendosur fokusin e tyre nga bota digjitale, për t'u kthyer në "këtu dhe tani" pra në kohën e tashme dhe për të drejtuar "unin" vetjak.


Ikigai vjen nga Japonia dhe në përkthimin e fjalëpërfjalshëm ka kuptimin: "Vlera e jetës, jetëvlera, ia vlen të jetohet“, ("iki" për "jetën" dhe "gai" për "vlerën"). Koncepti sillet rreth zbulimit të asaj që e bën jetën të vlefshme për individin. Shprehur thjeshtë: me Ikigai duhet të zbulosh se cila është arsyeja jote personale, që e bën të vlefshme ngritjen e përditshme në mëngjes herët dhe fillimin e një dite të re.

 

生き甲斐, IKIGAI mund të përkthehet edhe si "arsyeja e jetës" ose "arsyeja e të qenit".


Zbulimi i këtij kuptimi individual të jetës duhet të jetë çelësi për një jetë të gjatë dhe të përmbushur. Kultura japoneze është e famshme për urtësitë e saja dhe banorët e ishullit japonez Okinava janë të njohur në mbarë botën si ndër më të lumturit në botë. Jo rrallë njerëzit atje jetojnë mbi njëqind vite. Ky fakt është i mjaftueshëm për t‘i hedhur një vështrim nga afër Ikigait.


Lirohu nga të gjitha trysnit dhe manipulimet - gjeje ikigain tënd

 

Katër fushat e Ikigait

Sipas filozofisë japoneze, secili prej nesh ka ikigain e vet, pra një arsye individuale për një ekzistencë, që ia vlen të jetohet. Me Ikigain duhet të jesh në gjendje për të zbuluar çfarë është me të vërtetë e rëndësishme për ty, çfarë të bën ty gjatë rrjedhës së jetës të ndihesh me dëshira të plotësuara dhe i lumtur. Gjetja e ikigait tënd nuk është e lehtë dhe kërkon durim. Pyetjet vetjake mbi të cilat bazohet Ikigai duken të lehta për t'u përgjigjur në fillim. Por disa herë duhet të vështrosh brenda vetes për të gjetur përgjigjet e duhura.

Ushtro durimin: padurimi shpesh na pengon për t’i arritur qëllimet tona. Ikigai përbëhet nga katër fusha të ndryshme. Ti mund t'i imagjinosh si rrathë unazash. Aty ku puqen katër rrathët duhet të jetë rruga drejt Ikigait tënd.

 


Katër elementët kryesorë janë:

1. Diçka që të pëlqen ta bësh

2. Diçka që botës i duhet prej teje

3. Diçka nga e cila ti mund të fitosh lekë

4. Diçka në të cilën je i mirë dhe i talentuar

 

Këto katër zona ndërthuren, gërshetohen dhe secila formon një nevojë themelore sipërore:

• Nga 1 dhe 2 rezulton Misioni yt personal

• Nga 2 dhe 3 rezulton Talenti, (dhuntia, vokacioni)

• Nga 3 dhe 4 rezulton Profesioni yt ideal

• Nga 4 dhe 1 mund të lexohet Pasioni yt i madh


(Disa shpjegime paraprake:

Me „Diçka që të pëlqen ta bësh, ose me “atë që dua unë ta bëjë“ mendohet në veprimtarinë, punën, që dikush do ta bënte me kënaqësi, domethënë që i pëlqen shumë.

Talenti: Veti natyrore e veçantë që ka një njeri për ta rrokur e përvetësuar diçka shpejt e lehtë, dhunti e aftësi për të bërë diçka shumë mirë e në mënyrë krijuese; zotësi e veçantë që e shquan një njeri në një fushë të caktuar.

Pasioni: Dëshirë a dashuri e zjarrtë për diçka; vrull i brendshëm; të dhënët me mish e me shpirt pas diçkaje: pasioni për muzikën; punon me pasion…)

 

Si të gjesh Ikigain tënd personal

Ikigai yt gjendet në pikat ku ndërlidhen pasioni, misioni, talenti dhe profesioni yt.

 

Nëse dëshiron të zbulosh Ikigain vetjak, gjeje një vend të qetë dhe të rehatshëm ku do të jesh i papenguar. Tani bëhet fjalë për plotësimin e fushave të mësipërme me përmbajtjen tënde individuale. Merr kohë dhe mos iu përgjigj me nxitim pyetjeve. Përpiqu të vështrosh brenda vetes. Shko rreth pas rrethi dhe shkruaj çdo përgjigje që të duket e përshtatshme. Pastaj kontrolloi përgjigjet tua duke u bazuar në pyetjet e mëposhtme:

 

1. Diçka që të pëlqen ta bësh, që ti do:

• A të mahnit, a të emocionon?

• A mund ta bësh për një kohë të gjatë pa u ndier i lodhur?

• A e ke bërë atë me dëshirë si fëmijë?

• A të pëlqen të flasësh për të?

• A mund ta marrësh me mend ta bësh atë gjatë gjithë ditës?

 

2. Diçka që botës i duhet prej teje:

• A të përmbush me kuptim?  (A i jep kuptimin që e dëshiron jetës tënde, sa të ndihesh me dëshira të plotësuara).

• A përputhet me vlerat tua?

• A duhet të mbete diçka dhe të mbahet mend kur nuk do të jesh më këtu?

• A do të mungonte diçka nga ajo që bën ti, nëse nuk do të jesh aty për ta bërë atë për një kohë? Çfarë saktësisht do të mungonte, e çfarë do te mbetej e papërfunduar?

• Ku ose kujt do t'i mungoje ti konkretisht?

 

3. Diçka nga e cila mund të fitosh lekë:

• A është profesioni yt?

• A i fiton të ardhurat prej saj?

• A ke të hyra (te ardhura) tjera?

 

4. Diçka në të cilën je i mirë dhe i talentuar, ku ke prirje:

• A është talenti yt, a ke prirje në atë veprimtari?

• A je në atë fushë më i mirë se disa të tjerë?

• A ke pasur ndoshta përgatitje profesionale, e ke mësuar atë?

• A ke dëgjuar nga të tjerët se je i mirë në atë fushë?

• A ke aftësi të tjera, ndoshta të pazakonta?


Hap pas hapi do të kristalizohet ikigain yt. Nuk bëhet me nxitim dhe përfundimisht nuk funksionon nën trysni. Ndonjëherë duhet t’i kthehesh disa herë brenda ditës në gjendje të ndryshme shpirtërore. Shëno gjithmonë fjalë kyçe që të bien ndërmend dhe jepi vetes kohë. Siç ke parë, tema e parave luan një rol të dorës së dytë në Ikigai. Përparësi ke ti dhe vlerat tua.


Këshillë: ndoshta do të kesh vështirësi për t’u përgjigjur menjëherë për atë që e do shumë ose çfarë të pëlqen ta bësh. Mos u shqetëso! Ndoshta është pasojë e bllokimeve të brendshme ose e bindjeve të kaluara. E mundur se ato të pengojnë të shkruash thjesht përgjigjen tënde. Nëse gjëja e parë që të bie në mend është se të pëlqen të shtrihesh në diell për të lexuar një libër, shkruaje atë. Ajo përgjigje ka po aq legjitimitet, sa edhe të tjerat.

Atë që e do, atë që dëshiron ta bësh në jetë, nuk domethënë se ti duhet ta zotërosh tashmë në mënyrë të përsosur. Kur mendon në pikturim, nëse ndien kënaqësi, gëzim, atëherë "pikturimi" është përgjigja, edhe nëse nuk mendon se je i talentuar. Në vazhdim mund të mendosh si të zhvillosh atë, që e do më shumë dhe ta përjetosh atë që e do. Në këtë rast, për shembull, një kurs pikture.

 

Përveç fushave shumë personale të jetës, filozofia Ikigai t’i dhuron edhe disa udhëzime të tjera themelore. Ti mund t'i kujtosh këto herë pas here, pavarësisht nga përgjigjet tua personale nga skema e mësipërme, dhe të reflektosh për zbatimin e tyre në jetën e përditshme:

 

• Fali vetes kohë për ëndrrat tua dhe shijoi ato

• Ji gjithmonë aktiv

• Ruaju dhe kujdesu për vetveten

• Ji mirënjohës, edhe për gjëra të vogla

• Shmangu nga stresi aq sa është e mundur

• Rrethohu me miq dhe me njerëz që ti i do

• Kalo kohë në natyrë

• Ji gjithmonë kureshtar


Më gjerësisht rreth Ikigait mund të lexohet te Ken Mogi: 

  • Ken Mogi: „The Little Book of Ikigai: The secret Japanese way to live a happy and long life“

  • Le petit Livre de l'Ikigai: La méthode japonaise pour retrouver un sens à sa vie

  • Ken Mogi: „IKIGAI – die japanische Lebenskunst“, Dumont Verlag

  • Ken Mogi Il piccolo libro dell'ikigai. La via giapponese alla felicità  

Nga gjermanishtja për lexuesit e bllogut: Lis Bukuroca

12 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page