top of page

Lirikat e Nju Jorkut


Faslli Haliti

KAM RЁNЁ NË DASHURI

ME TY DASHURI

Si një adoleshent febril

Kam rënë keq

Në dashuri,

E dashura ime diskrete,

As vet s’e di, si rashë kaq keq,

S’e di,

S’e di,

S’e di, vërtet.


SA MIRЁ

Sa mirë

Që ti s’më takove në stinën e rinisë blerore,

Sa mirë që s’të takova dhe unë ty,

Sa mirë që s’u takuam atëherë,

Sa mirë që u takuam

Pikërisht

Tani,

Që ti je e tëra dashuri fertile

Sa mirë,

Sa fat

Që s’u takuam

Në ato vite blerore, fushave me bar të artë...


PRANVERAT E MOSHЁS

Në moshën superbe të Gëtes

U dashurova

Dhe unë me ty,

Siç u dashurua dhe muzgu movё Gëte

Me guvernanten hёnore të tij.

Unë nuk jam Gëtja

Sigurisht,

Por

Si ai

Kam edhe unë në shpirt

Po aq prille dhe lёndina gjithë blerim.

Si Gëtja dhe unë

Nuk kam as edhe një copë dimёr në shpirtin sublim...


TЁ DUA

S’të dua

Akull,

Avull,

Të dua vesë.

Ah, buzët, e mia, buzët e mia eshkë...


PORTRETET TANЁ

Unë të shoh në sy,

Ti

Portretin tim e përcjell

Nga syri në zemër menjëherë

Dhe e ruan në galerinë brilante të shpirtit tënd

Si një portret rembrantesk, i gjithi plener,

I tëri Holandë...

Por unë

Portretin tënd

E ruaj dyfish:

Në zemër

Dhe

Sy ,

E ruaj si një Monalizë, si një Shën Mёri.


PO TI

Unë veten time e ndiej

Të dashuruar

Si në mite,

Po ti?

Përgjigjmu, pra, me shpejtësi mendimi drite...!


E DASHUR

e- mailet e mia

Unë të them

E dashur,

E dashura ime finale,

Po ti si ma thua fjalën i dashur në e- mail?

Thjesht si një dhelpër apo si një sutë, sorkadhe?


PЁRKIM I PLOTЁ

Ti idealiste

Dhe unë idealist,

Ti e sinqertë dhe unë i sinqertë,

Por sikur s’jemi të sinqertë, sinqerisht,

Gjersa

Ti mua

Dhe unë ty,

I flasim njeri- tjetrit

Me metafora, simbole, alegori...


SYTЁ

Unë të përpij me sy,

Unë s’ngopem duke të të parë.

Në çfarë materie zambakësh je derdhur,

Si je derdhur kështu, statujë lulore, e kulluar, behar ?

Në vazon rozë të zemrës sime

I kam mbjellur unë sytë e tu

Si dy lule kaltёrore

Dhe ata

Më përkaltërojnë të tërin blu...


PUTHJA

Buzët e tua të plasaritura për një puthje,

( Puthjet janë shiu i buzëve )

Buzët e tua Saharë,

I përmbyta

Me rrebeshin

E shpirtit tim prill.

O, si vërshuan puthjet mbi buzët e tua,

O, si u kthyen befas, nga Sarë, në lëndinë,

Si harbuan ato, si harbuan

Në blerim?

Si u mbushën ashtu

Gjithë petale rozë, me nektar intim...?


FLAKE NDROJTJEN

S’të solla kot në parkun e madh botanik,

S’të ula kot këtu mbi këtë stol,

S’të shtriva mbi bar

Ashtu kot,

Flake ndrojtjen dhe puthmë,

Që të rinohet, të blerohet kjo botë,

Flake ndrojtjen mesjetare,

Përcëllomi buzët me flakë puthjesh stuhi,

Mbulomi me prushin e buzëve, këto buzë febrile,

M’i thith, me afshin me stilin më lirik

Para se t’i mblojë

Një hi i ftohtë,

Anemik...


NUK MBULOHET BUKURIA

Bluza jote

Si pupël kanarine,

Gjiri yt i bardhë, si gjoks pinguini,

Unë e lëmoj edhe më shumë me sferën e syve,

E sfumoj imët, imët me shikimet e mia.

Mos e mbulo, gjirin si zall lumi,

Si u mbuluaka kështu

Bukuria ?!


EDHE NЁ VJESHTЁN E MOSHЁS

Edhe në vjeshtën bionde të moshës

Mes pjeshkave,

Vishnjave,

Qershive,

Ti vjeshta ime bionde bleron përhera

Siç ke bleruar mes akujsh, dëborërash,

Mes gjetheve bionde të rëna si baluke nga era

Ti pa një gjethe tuberkulare vjeshte në shpirt.

Krejt pranverore,

Fllad, puhi

Si dikur

Në adoleshencë, në vajzëri...


EJA

Eja

Unë të pres,

Siç pret bjeshka prillin

Që të çmendet, pastaj, në blerim,

Pasi ka duruar dëborëra,

Shira,

Erëra,

Stuhira.

Pritmë bjeshka ime, pritmë,

Unë do të të vi,

Jo si bar i thatë,

Unë do të të vi si blerim i ri !


KOT E KE

Kot e ke,

Mos bëj kot dush,

Nuk i lan dot ti, puthjet e mia,

Puthjet e mia s’i ke në gji, s’i ke në gushë.

Tё puth

Si romantik

Si realist,

Apo si surrealist,

Unё tё puth vetëm në zemër,

Unë të puth vetëm në jetë, vetëm në shpirt...


MOS THUAJ

Mos thuaj

Jam

Ermimi yt

Ermimi përhapet kaltërsive.

Mos thuaj

Jam

Dëbora jote.

Dëbora flirton me diellin

Mos thuaj

Jam

Lulja jote.

Lulja idilon me bletët.

Mos thauj

Jam

Hëna jote

Hëna s’i ndahet yllit të mëngjesit…

TI JE

Ti je ajri, puhia, flladi im.

Ajrit

Puhisë

Flladit

S ’ua shoh fytyrat.

Vërtet,

Si e ka fytyrën sytë, buzët, ajri,

Si e ka fytyrën, sytë, buzët flladi,

Si e ka fytyrën, sytë, buzët, gjijtë puhia?

Ajrit flladit, puhisë s’ua shoh vërtet, fytyrat, buzët, sytë

Por fytyrën, buzët, sytë, gjinjtë e tu e dashur njujorkeze

T’i shoh me sytë

E dridhjeve të shpirtit tim myzeqar

,

Që me vesën e barit të fushës sime janë larë


DASHURIA IME

Sipas H. Hese

E dashura ime njujorkeze sykaltër.

Unë

Të shoh

Me shpirt si në skype,

Unë të shoh si në skajp me zemër ty.

Kurse ti mua më ndien përtej Atlantikut me sy ...


PRANVERË, STINA IME

Gjithashtu

Nuk jam Lasgush,

Por Lasgushit ia kalova,

Natyrisht,

Jo në poezi,

Jo në art,

Por në dashuri.

Lasgushi

Të dashurën e tij ferishtore

E ndoqi me aeroplan gjer në Holandë,

Unë të ndoqa ty e dashur shumë më larg

Gjer në shtetin Nju Jork,

Gjer në qytetin Najak.

Gjersa të kam stinë

Pranverore

Atje

Në Nju Jork përherë

Mund të rri pa çelur unë kёtu,

Çdo vjeshtë, dimër, verë e pranverë?


DASHURO

Dashuro,

Më tha oqeani,

Siç dashuroj unë brigjet

Siç i përqafoj

Siç i puth

Brigjet unë çmendurisht,

Çdo sekondë,

Çdo minutë,

Çdo ditë.

Dashuro,

Më thanë dallgët atlantike

Dashuro, po munde sa më shumë

Siç dashurojmë e përkëdhelim ne brigjet

Pa u qetësuar, pa fjetur, pa marrë një sy gjumë.

Dhe po të thanë se po "mëkaton"

Dashuro më tepër akoma

Dashuro

Dashuro

Dashuro si një adoleshente.

Dhe shiko po s’e ndjeve veten krejt inoçente.


PASI HUMBA AVIONIN NË VJENË

Pasi humba avionin në Vjenë,

U nisa me taksi

Urgjent.

Udhëtova

Gjer në breg të Atlantikut

Aty pagova kuaj dallgësh oqeanikë.

Dallgët

Si kuaj të kaltër

Me shkumë në turinj

Vraponin me shpejtësi si të ishin kuaj reaktivë

Dhe kuajt e kaltër të dallgëve me sollën e dashur te ti

Para se avioni të ulej në aeroportin,Kenedi»

New York, qershor 2007



17 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page