Lirikat e Meto Hoxhës
Dr Fatmir Terziu
Jo më kot i cilësuam të tilla. Lirika të thjeshta. Nga fjalori i Oksfordit për Gjuhën Shqipe, mbiemri ‘e sedeftë’ tingëllon disi më natyrshëm përpos burimit të tij origjinal. Në këtë fjalor thuhet se ‘sedef’ është ‘e bija e perlës’. Pra një lloj i çmuar që vjen nga vlera. Në këtë rast nga vlera që lind e prodhon fjalën e bukur e të çmuar. Vlera që matet më së miri me fjalën e artit. Artin e bukur e të çmuar të fjalës. Jo vetëm sepse kjo fjalë ka nisur hershëm mes frymëzimit të poetit rinosh, jo sepse ajo vjen nga maja e Çikës, por se aty mes kësaj fjale skalitet një jetë e tërë, një aritmetikë ditësh, muajsh, vitesh. Një jetë e plotë me shumë mesazhe në vargje…
Fjalëgjerësia e poetit dhe tre veçoritë
Shumë fjalë do t’i shkonin përshtat vargut të poetit vlonjat Meto Hoxha. Mjaft prej tyre do të vinin si një dëshmi nga rinia e tij e hershme. Disa nga dashuria e fshehur vitesh mes artit të fjalës. Të tjerat nga urtia, modestia dhe mençuria e tij. Dhe mes këtyre tre dyndjeve që rreken tinëz në fjalëgjerësinë e poetit vjen qartë dhe ndjeshëm poezia lirike. Ashtu e dendur në kuptime kjo poezi dallohet për tre cilësi. E paraështë lidhja me jetiken, natyrën dhe aspektet që forcojnë traditën në memorjen e autorit. Fjalët janë të thjeshta. Vargu meditues. Tërësia e poezive të tilla duken tërheqëse. Kjo duket tek vargje të tilla si: “… po vij me shpirt e mendje/po të sjell një trastë me këngë/ca nga to i kam dëgjuar/kur ngjitja shpatet e tua…”. Poezi të tilla si “Hapi vajza sytë e shkruar” apo “Mos ma prekni Melin” janë pjesë të lidhjeve të jetikes me shpirt-përshpirtjen e poetit dhe një nga veçoritë dalluese të këtij krijuesi.
E dyta dallohet nga imazhi që krijon fjala e vargu poetik mes një perceptimi dyzues. Përshembull, poezia “Dashuri nëne” kapërcen me fabulën e saj mjeshtërisht çdo imazh për fjalën nënë: “…po qëndroja i maskuar mbi rëpirë tek një pishë/ndali hapin para meje e hutuar nëna bishë…” dhe më tej mes këtyre vargjeve: “…por këlyshët që kish prapa, për të ishin gaz i jetës/s’i braktis nëna fëmijët, i bën ballë çdo rreziku…”.
E tretamë së miri lidhet me folklorin dhe tabanin e çmuar popullor, ku poezia “Për dy sytë e Mamudesë” mund të konsiderohet si një nyje e rrëndësihme në këtë pikë: “Gërshetat si dy tërkuza/Mamude më plasi buza!/çka yt atë që më sheh shtrembër,/përse nuk më do për dhëndër?”
Comments