top of page

Lirie Cami: Për  misionin e dijes sakrifikuam nga jeta jonë


80 vjetori i Shkollës  8 vjecare  “Fasli Cami “ Vicisht


Për  misionin e dijes sakrifikuam nga jeta jonë


(Kujtime të  Ish drejtoreshës Lirie Cami në vitet 1971 – 1975)

Ndonëse jam 78 vjec sot, përkujtimi i 80 vjetorit të Shkollës 8 Vjecare të Vicishtit të Dibrës më dha forcë dhe m’i  ngjalli  kujtimet e paharruara të atyre viteve të vështira të luftës për dije, për dritë, për një jetë më të mirë.

Në këtë fshat shkova si nuse e re, si bashkëshortja e Emin Camit, edhe ai mësues dhe i pari drejtor i kësaj shkolle. Kur Emini në dhjetor 1971 shkoi për të kryer shërbimin ushtarak, unë u emërova drejtoreshë e kësaj shkolle. Shkollat atëhere kishin varësi të dyfishtë , edhe nga seksioni i Arsimit të Rrethit, edhe nga Këshilli Popullor i Bashkuar. Unë si drejtoreshë kisha nën mbikqyerje përvec shkollës së Vicishtit, shkollën fillore të Tërbacit, Shkollën 8 vjecare të Pasinkës dhe Shkollën 8 vjecare të Lubaleshit.  

Ishin vitet 70. Akoma nuk ishte bërë elektrifikimi i vendit. Mësimi bëhej ditën, por përgatitjet bëheshin natën nën dritën e kandilëve të vajgurit. Mësimi i mbasditës, shkolla e natës,  fillonte me një orë ditë, por vazhdonte me dritë kandili.

Me urdhër të Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Rrethit Dibër ngritëm edhe muzeun e fshatit dhe të shkollës në sallën e Këshillit Pedagogjik. Këto foto që po ja dhuroj sot shkollës në 80 vjetorin e saj janë bërë nga Izet Dardeshi, fotograf i Qendrës Kulturore të Dibrës.

Në shtator të vitit 1971 në ciklin e ulët jepnin mësim dy mësues me klasa kolektive: në klasën e parë dhe të tretë jepte mësim Fiqiri Topi, ndërsa në klasën e dytë dhe të katërt, Destan Cami. Në Ciklin e ulët në Tërbac jepte mësim Vesel Shabani me katër klasa kolektive, të I, II, III, IV.


Në ciklin e lartë me klasat V, VI, VII, VIII jepnin mësim Shemsi Ceka, matematikë dhe fizikë, Fisnik Manjani , gjuhë  shqipe dhe lexim , Fiqirete Lila dhe Femi Lika lëndët e tjera. Unë jepja vetëm 11 orë mësim në javë, gjuhë dhe lexim për shkak të ngarkesës si drejtoreshë shkolle.

Në bazë zone bëheshin shumë seminare për ngritjen profesionale të mësuesve. Në kushtet e mungesës së informacionit nëpërmjet radios dhe televizorit, mësimi nëpërmjet librave mësimore dhe atyre jashtë shkollorë merrte shumë rëndësi dhe nxënësit ishin shumë të etur për dije, mësonin shumë.

Por  nxënësit kishin mjete mësimore të kufizuara, nuk kishin canta shkollore, por ua qepnin nënat me lecka dhe rroba, nuk kishin bojë pelikani, por e bëin atë nga lulet e xhivozit, e cila u derdhej dhe u përlyente cantën, nuk kishin pena e maja penash, lapsa cilësorë etj.

Me porosi e urdhër partie, komunistët që nuk e kishin shkollën 8 vjecare duhet ta bënin atë nëpërmjet shkollës së natës, të cilën e bënim tre herë në javë. Kjo i shtonte shumë vështirësitë e mësuesve, të cilët duhet të udhëtonin natën drejt shtëpive të tyre në Gjoricë, Cerenec e Shupenzë, kur në dimër nuk mungonin të shfaqeshin edhe ujqërit.

Mbaj mend në një rast, në një natë dimri me borë, kur po ktheheshim nga shkolla e natës, nga Vicishti në Golevisht, na dolën përpara dy ujqër që ulërinin. U trembëm shumë, por fatmirësisht ne na shoqëronte cdo natë, vjehrri im Uke Cami, që kishte armë si veteran lufte që ishte. Ai qëlloi drejt tyre dhe ata u larguan.


Një ngjarje tjetër na ndodhi kur po ktheheshim nga fshati Lubalesh, pas një inspektimi që kisha bërë atje në shkollën e atij fshati. Pas inspektimit bëra takim me të gjithë prindërit e nxënësve, por në fakt erdhi  gjithë fshati. Edhe në këtë takim më shoqëroi vjehrri im Uke Cami.

Kthimi qe shumë i vështirë, për shkak të dëborës, të ftohtit dhe errësirës, aq më tepër ku rruga ishte përmes shkurreve e lisave të shumtë. Deri në Kryq të Lubaleshit na shoqëruan dy djem të fisit Kotili, miq të shtëpisë sonë që nga koha e luftës antifashiste,  sepse na kishin strehuar në shtëpitë e tyre, kur shtëpitë tona u sulmuan nga fashistët italianë.

Aty ata u kthyen për në shtëpitë e tyre dhe  vetëm pas pak  minutash na dolën përpara ujqërit. Duket si e pabesueshme, por ata që e njohin vendin dhe kohën kur ka ndodhur e besojnë sikur të ishin ata vetë. Përsëri Baba Uke qëlloi drejt tyre. Djemtë e Kotile u kthyen drejt nesh  kur dëgjuan krismën dhe na shoqëruan deri te shtëpia e Jashar Likës.

Vështirësi të tilla na kanë shoqëruan vazhdimisht për ato katër vjet që unë punova në Vicisht se më pas u transferova në Peshkopi së bashku me bashkëshortin që ishte emëruar oficer i Ushtrisë në Peshkopi.

Sic dihet drita elektrike erdhi më 25 tetor 1975 dhe deri atëhere ne u përballëm edhe me errësirën. Por kishim rezultate shumë të mira, kishim këmbëngulje shumë të madhe. Shkolla nga një inspektim i seksionit të arsimit të rrethit u shpall shkollë me rezultate shumë të mira në shkallë rrethi. Unë u zgjodha anëtare dhe zv kryetare e Këshillit Popullor të Rrethit Dibër dhe pata mundësinë që të ofroj edhe më shumë bursa për nxënësit e mi, për nxënësit e shkollës 8 vjecare Vicisht, që mbetet një gur i cmuar i jetës sime.

Respekt të jashtëzakonshëm për kolegët e mi mësues me të cilët unë punova, për Fiqirete Lilën, Fisnik Manjanin, Shemsi Cekën, Latif Demën, Hashim Sutin, Vesel Shabanin, Destan Camin, Fiqiri Topin, Fehmi Likën, Avdi Jasharin, Avni Merën, Tahir Velinë, Kadife Mjeshtrin, Demir Lleshin, Rakip Krrusën, Beqir Merën, Ferit Gugushin, Nexhmije Camin (bashkëshorten e Petrit Camit), për infermjerin e palodhur Fiqiri Izvira. Homazh për ata mësues që nuk jetojnë sot. Kujtimi i tyre do të rrojë në jetë të jetëve sepse ata përcuan dijen tek nxënësit e etur për dije, tek ata që u bënë inxhinjerë e profesorë, agronomë e drejtues shumë të mirë deri në ministër të punëve të brendshme e të mbrojtjes sic ishte nxënësi ynë i shkëlqyer Luan Mersin Rama.

Respekt e konsideratë për popullin e atij fshati e të asaj zone për mbështetjen sepse unë vija nga qyteti i Fushë Krujës dhe ata më trajtuan si bijën e tyre.  

15 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page