Lindi dhe vdiq menjëherë operata e parë e Elbasanit
F. Terziu
Në vitin 1982 pata rastin të njek Operetën e parë dhe të vetme të shfaqur në Elbasan. Një kor amator, që drejtohej nga Leonard Shuteriqi, dhe aktorët, këngëtarët profesionistë e amatorë, në regjinë e Llambi Burgias, ishin protagonistët e pjesës së dukshme, që shfaqej vetëm në pankartë-reklamën e madhe në ballë të Teatrit “Skampa”. Pjesa tjetër që shënohej aty në atë reklamim të madh dhe që shënonte atë që vinte nga teksti e muzika, ishte nën emrat e libretistëve Bahri Myftari dhe Fahri Balliu, ku spikaste muzika e Alfons Balliçit. Ishte opereta “Festa e Çelikut”, që shkonte mes tre akteve të saj në atë që shënohej si “puna dhe edukimi i njeriut të ri”. Koralet “Nuk ka bllokadë që na mposht”, “Moj e bukura rini”; aria e Zanës dhe muzika e baletit, ishin fytyra e dukshme zanore e operetës.
Tek pantonima e Petrikës muzika e përdorur shkonte jashtë asaj që pritej të realizonte opereta, ndërsa veprimi skenik të linte një arsye më shumë të mendoje se e gjitha ishte një domosdoshmëri për tu dhënë, me një tematikë që i duhej vetëm propagandës së kohës, ku vetëm orkestra që mbante peshën më të madhe në atë operetë, ishte reparti më i përgatitur.
Por kjo i takon asaj kohe, i takon një kohe kur duhej plan realizimesh artistike, dhe kur ky plan i duhej vetëm propagandës dhe direktivave të saj. Pjesa që mbetet është thjesht vetëm një memorje… Na ishte një herë një operetë…, që fati i saj u shkrua për të mos pasur aspak jetë.
Comments