Liljana Troqe: Volejbollistja vlonjate që futi ekipin elbasanas në kategori të parë
Nëse ajo që na ka shkuar, nuk na ndjek përpara, por edhe nuk na sfidon përpara me kohën, ne do të kemi vetëm veten për të fajësuar! Kështu m'u kujtua ose ky mendim më erdhi kur, krejtësisht lexova disa poezi të vlonjates, Liljana Troqe, dhe më së shumti kur u ngacmova nga një koment në një nga poezitë e mia. Isha me nxitim sepse një ditë e imja është me shumë vrap, me shumë nxitim... Dhe kjo jo thjesht rreth punës, apo punërave të mia. Një takim unik me një pjesë të së kaluarës së Shqipërisë mesjetare, më bënte të largohesha disi nga Arkivat Britanike dhe të shkoja midis një kohe tjetër, ose më saktë me atë mesazh që lexoja nga Liljana Troqe: „Një kohë e shkuar!“. E aty u ndala dhe nisa të mendoja, ose të rilexoja ëndrra…Diku më dukeshin të realizuara, e diku të parealizuara…Ëndrrat e parealizuara janë një fenomen i pakapshëm, prandaj nuk mund të zbuten me fjalë dhe kufizohen me pafundësinë. Të arriturat, megjithatë, shpesh e ngushtojnë hapësirën e tyre në hapësirë, kohë dhe vend por e zgjerojnë në informacione të shkurtra dhe të sakta për kohën e caktuar në detaj, të cilat në rastin e fundit reflektojnë si një rrjedhë e një fakti jetik që vijon. Me këtë rast mendimi shkon në kanalin, e duhur për këtë intelektuale dhe poete të heshtur, të thjeshtë e të talentuar, por dhe një sportiste disi e lënë në harresë në Elbasan, një nënë shembullore, një vajzë e përjetshme sportive dhe rinore, një talente që ka ende bulat e djersës tek volejbolli elbasanas.... Por Liljana Troqe është dhe autorja e tekstit të këngës mjaft të bukur „Vjen një çast“ , pra me tekst nga Liljana Troqe dhe muzika nga Ilir Dangëllia, që është kënduar nga e mirënjohura pogradecare, Ermira Baliu dhe që fitoi në një festival universitar…
(F. Terziu)
Liljana Troqe: „Një kohë e shkuar!“
Aty nga viti 1967-68 na mbyllën pedagogjiken e Vlorës dhe na çuan në Elbasan te shkolla e mesme Pedagogjike, „Luigj Gurakuqi“. Ishte një emër i lexuar, po as në ëndërr nuk e kishim parë veç njohjes nga ana historike. Nejse bëmë gati valixhet e drurit, futëm ato plaçka që kishim dhe u nisëm një grup vajzash nga Vlora. Ndaluam në Rrogoxhinë të prisnim trenin dhe zgjatëm syrin nga dyqanet, dhe si rini harruam, dhe ngelëm me një shoqen time në Rrogozhinë.
Thamë se u përmbys bota. Kjo kuptohet nga mosdalja, dhe jo aq nga padija, por dhe se ishim vajza, vajza të asaj kohe, të atyre viteve. Me mundim të madh gjetëm një makinë. Ajo ishytte një makinë e tipit ngarkim-shkarkimi, që shkonte në Elbasan. Na iku ajo ëndrra ta shijonim Elbasanin siç e kishim menduar mbrëmjeve. Shoferi na çoi te porta e shkollës, pikërisht aty ku na prisnin pothuajse të gjithë me gjak të ngrirë. Atmosfera e gëzimit i kapërceu dyert e hekurta të asaj shkolle të bukur, menjëherë sapo e pamë. Atë bukuri të jashtme e shijuam edhe nëpër klasa kur na hynin mësues, që filuam t'i adhuruam sapo filluam orët e para të mësimit.
Ftesa për volejbollin e Elbasanit
Por do të kalonte shtatori dhe mua do më vinte një ftesë për të ringritur ekipin e volejbollit të Elbasanit, meqë kisha qenë volejbolliste e Flamurtarit. Ju futa me pasion duke marrë edhe dy shoqe të mia dhe arritëm të fitojmë dhe ta futim Elbasanin në kategori të parë.
„Dhjetçi“ që ngriti peshë sportadashësit elbasanas
Kur hyja në Këndin e Lojërave me Dorë, (se ateherë nuk kishte Pallat Sporti), ngriheshin në këmbë dhe thërrisnin si në korr: „Dhjetçi, Dhjetçi, Dhjetçi…“, se mbaja numrin 10-të në fanellën e Elbasanit.
Pse u nisën këto kujtime?
Ah, doja t'ua tregoja se pse po ti nis këto kujtime. Sepse për nderin që u bëra duke i futur në kategori të parë vetë Kryetari i Komitetit i bëri letër Vlorës, që unë të caktohesha mësuese fiskulture në qytet.
Vlerësimi më tutje
Nga 9 matura që ishim në atë vit vetëm unë u caktova mësuese në qytet. Nderim më të madh nuk kishte. E fundja kush isha unë? Vija nga një familje e thjeshtë e të caktohesha unë në qytet. Ja pse e ruaj respektin për atë Elbasan, për drejtorin e shkollës tejet rigoroz Vasil Kamani, për mësues Genci Stringën, e biologjisë që më krijoi kushte speciale të mësoja në laborator meqë isha sportiste e atj qyteti...e shumë të tjerë.
Tani tek arsyeja e këtij shkrim-prezantimi
Unë nuk i harroj dhe kur hapa emrin tuaj dhe pashë që ishit nga Elbasani nuk di pse më ngacmuat atë mirēdashësinē e atij qyteti që ndoshta nga kjo që nisa thjesht do mundohem nën atë stilin tuaj ta zgjeroj tregimin kur të plakem edhe ca!
Dhe së fundi!
Skoti i kërkoi Heminguejit t'i thoshte dy fjalë për një tregim që ja kish dhënë.
Dëgjo, - i tha Hemingueji - do t'i them të mirat, por dhe ca gjëra që nuk më pëlqyen.
Dakort, - i tha Skoti.
Tregimin e filloje bukur rreth psh një personazhi, por rrugës e transformove, ç'pate që e bëre tjetër?
Dhe unë ju kam vënë re se këpucës i shkoni deri në fund, gjilpërës i hyni deri në kashtë, po se po. Gruas i thoni fjalë të bukura, duke e shtrirë deri te emri përgjithshëm, Grua. Apo, edhe te emigranti…Sepse, lexoj ca poezi që shkasin si tregimi Skotit ... diku, dhe unë prandaj qëndroj tek poezia juaj, që është figurativisht shumë lart dhe filozofikisht shumë thellë, por atë që kap pena juaj e bën të vdekur.
Shkrimi im dhe poezia ime
Unë shkruaj thjesht por i shkoj me thjeshtësi asaj që dua të tregoj. Ndoshta duhet ngritur ca lart. E po jo të gjithë bëhen si Van Gog në pikturë. E më vonë do thonë, e po Fatmir Terziu i qante vargjet. Kaq besoj do më mirëkuptosh, se nuk i kam llafet të ngatërruara. Faleminderit që më ngacmove kujtimet me krijimtarinë tënde. Pena mos t'u ndaltë!
Liljana Troqe, Vlorë, më 6 dhjetor 2024
___________________________________________________________________
„Vjen një çast“, pra me tekst nga Liljana Troqe dhe muzika nga Ilir Dangëllia, që është kënduar nga e mirënjohura pogradecare, Ermira Baliu dhe që fitoi në një festival universitar…
Nuk e di se si lindi mes nesh
kjo ndjenjë e bukur miqësie
dorë për dore tek ecnim buzë liqenit
jetonim çaste dashurie.
Asnjë fjalë ti s'më the
se valët e liqenit të ngacmonin
tek përcillnin njëra tjetrën
mendoja të dua të më thoje.
Refreni:
Dhe vjen një çast i bukur
kur shoku im i lumtur
harron të flas si çdo ditë tjetër
dhe lehtë më thotë të dua.
Kjo zemra ime pse gufon
e rreh si zog me flatra
s'ka çast më të bukur o njerëzit e mi
kur kujtoj atë ditë plotë mall, plotë mall…
Comments