top of page

Liljana Troqe: Mjekra!



     Thonë, që kur ke hall të vjen koka rrotull e hajt t'i bësh derman, po dhe si t'ja bësh dermanin?. Shtype sa të duash koka nuk dëgjon. Do bëjë të sajën e shkreta kokë. Mjerë kë zë!. Po mirë koka po mjekrës si t'ja bësh?. Se qënka bela e madhe mjekra, që thoni ju!..Mjekra mund të jetë e shkurtër, por kur rritet ca si shumë ta ndryshon surranë. Dhe jo vetëm surranë, por të ndërron edhe drejtimin..

     Ja kështu e gjeti dikur Pilurin fshatë rrëzë mali, deti përkarshi e dielli mystafir për të gjithë. Punonin tërë ditën e mbrëmave mblidheshin e bënin muhabet fshatçe, se kishin lezet edhe ato, se çoku zgjidhnin edhe hallet e fshatit, se helbete edhe ndodhnin gjëra të pamira. Po çoku vidhej ndonjë berr a çoku prishej ndonjë vathë, si për inat dhe mbrëmanet në rrëzë të ndonjë peme ku rrinin, i ftillonin e i zgjidhnin hallet fshatçe, se kishin në fshat burra të zakonit e me mend në kokë.

    Mirëpo i zuri një hall më i madh. Po i ikte koka priftit të fshatit, po dilte nga udha e zotit e njerëzia në fshatë duruan ca e më në fund ua lanë në derë burrave më të vjetër të fshatit, që ta thërrisnin priftin atje rrëze pemës e t'ja numëronin një më një bëmat jo të mira, që bënte prifti. U paraqit prifti me mjekër, që i varej poshtë e dukej tjetër njeri. Pleqtë me mend nuk i thanë gjë për mjekrën, se helbete ishte brënda rregullit fetar, por për bëmat nuk u kursyen, se u kishte ardhur inati në majë të hundës.

      Bëri si bëri prifti, u rrotullua sa andej këndej, se gjërat ishin bërë ashiqare nga ai e nuk i mohonte dot, por edhe nuk i pohonte dot, se ua dinte kokën e shkretë, e më në fund kur e pa se nuk kishte nga t'ja mbante u tha solemnisht. Ç'do gjë mund të më bëni, mund edhe të më hiqni, por mjekrën nuk ma hiqni dot , se vete në Kallarat e bëhem hoxhë. Askush se kishte menduar këtë bombë, që u plasi në mes të fshatit prifti i Pilurit. Mbeti legjendë kjo histori, që i la të shokuar fshatarët në mes të fshatit. As dhanë e as morën gjë, se prifti i kish bërë hesapet e tij më përpara. Do të thoni ju se a ka vlerë kjo legjendë sot?. Si nuk ka. Prifti u bë hoxhë me një mjekër. Sot për diçka eh.. ç'nuk bëhen. E ka marrë lumi këtë kohë, siç i mori lumi piluriotët e legjendës!?

                         Liljana Troqe 2025

 
 
 

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page