top of page

Ligjëratë mbi restaurimin e Kodikut të Purpurt të Beratit në Kinë


Dr. Eranda Allmetaj- Ligjëratë mbi restaurimin e Kodikut të Purpurt të Beratit në Kinë

Nën organizimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike në Pekin, pranë Katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, u mbajt ligjërata rreth restaurimit të Kodikut të Purpurt të Beratit nga znj. Wang Dan.

Znj. Wang Dan është angazhuar si drejtoreshë e Muzeut të Artit të Pekinit. Prania e saj në këtë ligjëratë ishtë e një rëndësie të veçantë për shkak se ajo është vajza e Z. Wang Xu, një prej restauruesve kryesorë që mori pjesë drejtpërdrejtë në punën për ruajtjen e Kodikut. Ai ishte Drejtor i Departamentit Teknik të Institutit të Arkeologjisë.

Puna për restaurimin e Kodikut i përket vitit 1971. Përgjatë atyre viteve marrëdhëniet kino-shqiptare ishin tepër të ngushta, ku rezultojnë edhe shumë shkëmbime të nivelit politik, kulturor dhe ekonomik. Vlen për t’u theksuar edhe fakti që gjatë periudhës kur u bë restaurimi i Kodikut, në Kinë po ndodhte Revolucioni Kulturor, ndërsa Shqipëria po përballej me ndalimin e kulteve fetare. Kjo mbetet një temë diskutimi edhe në ditët e sotme se si dy vende të cilat praktikisht në atë kohë shpallën ndalimin shtetëror të besimeve fetare, në të njëjtën kohë punuan dhe bënë përpjekjet maksimale për ruajtjen e një vepre me përmbajtje fetare.

Puna ishte sfiduese, sepse personat apo insitucionet të cilët pranuan të merrnin përsipër ruajtjen e Kodikut nuk kishin eksperiencë, por pavarësisht kësaj, për shkak të miqësisë së ngushtë ndërmjet dy vendeve, ato u treguan të gatshëm që ta kryenin, gjë të cilën e arritën. Eksperienca që ata morën gjatë restaurimit shërbeu për të gjetur dhe krijuar metodat më efikase për ruajtjen cilësore të materialit të Kodikut, i cili rezultonte të ishte në faza të shkatërrimit përfundimtar. Metodat e përdorura rezultojnë të jenë edhe në ditët e sotme ndër më novatoret dhe cilësoret që mund të përdoren për procese të tilla.

Puna u ndoq nga afër edhe nga drejtori i akademissë së shkencave të Kinës, Guo Moruo, i cili udhëzoi: "Kini kujdes dhe lini vend për restaurimet e relikeve kulturore." 【Përmbledhja mbi pritjen e ekipit të restaurimit të librit antik shqiptar《接待阿尔巴尼亚古书修复小组简报》】

Bai Rongjin, Wang Zhenjiang dhe Wang Xu (babai i zonjës Wang Dan) nga Instituti i Arkeologjisë ishin përgjegjës për restaurimet. Ata hapën rrotullat e mbërthyera dhe zgjodhën të restauronin fillimisht pjesët më të dëmtuara. Wang Xu bëri vizatime të ikonave me dorë në fletoret e tij të punës. Në të njëjtën kohë, ata shkuan në Institutin Fetar të Kinës për të mësuar rreth përmbajtjes së dy librave dhe gjetën Dhjatën e Re Greke për ta krahasuar. Përmbledhja mbi pritjen e ekipit të restaurimit të librit antik shqiptar《接待阿尔巴尼亚古书修复小组简报》】



Kostoja e restaurimit të Kodikut ishte 10.000 RMB, çka për kohën ishte një shumë e konsiderueshme, dhe ajo që vlen për t’u përmendur është që këtë kosto e mori përsipër vetë shteti kinez pa kërkuar asnjë pagesë nga shteti shqiptar.

Specialistët u përpoqën të projektonin mbështjellje dhe membrana bambuje për të restauruar librat, por librat ishin shumë të brishtë dhe materialet e mësipërme ishin shumë të forta. Më pas u shpik teknologjia e përforcimit me rrjetën e mëndafshit, duke përdorur materiale mëndafshi plus materiale kimike, dhe duke përdorur një makinë mbështjellëse rrjetë (katër lloje rrjete). Në të njëjtën kohë, ata kontaktuan 40 njësi të ndryshme pune, fabrika etj. dhe gjetën 16 lloje ngjitësish. Faqet e librit u përforcuan me rrjetë dhe u vendosën në material qelqi, duke u shtuar materiale kimike. Për ta bërë më konkrete atë çka po shpjegonte, znj. Wang Dan mundësoi për të gjithë pjesëmarrësit disa copëza materialesh që ishin përdorur për restaurimin e Kodikut dhe secili prej tyre pati mundësi që me anë të prekjes të kuptonte materialin nga i cili përbëheshin fletët apo shkonjat.

Po ashtu, si dëshmi u sollën edhe disa kujtime nga ditari i Xia Nai, i cili ka shërbyer si zëvendësdrejtor dhe drejtor i Institutit të Arkeologjisë pranë Akademisë së Shkencave të Kinës. Në ditarin e tij rreth Listës së Trashëgimisë Botërore, ai shprehet se:

“1971年3月21日 阿尔巴尼亚为修复古书,派阿利雅、玛拉两位同志今日到京,院部由外事局曹文彬同志负责. (21 mars 1971: Shqipëria dërgoi sot në Pekin shokun Alia dhe Mara, për të restauruar librat e lashtë. Ndërsa për pritjen ishte përgjegjës shoku Cao Wenbin i Byrosë së Punëve të Jashtme.)”(Xia Nai, Lista e Trashëgimive Botërore (f.22-23) - Kodiku i Purpurt i Beratit 《世界遗产名录》-《培拉特紫色圣典》)


Po ashtu, në një kujtim të disa muajve më vonë, ai shkruan:

“1971年6月22日,阿尔巴尼亚的两位外宾在我所参加修古书工作,自从3月21日起今已3个月。现已将古书的性质搞清楚,是有名的Berat Codex,乃是《新约·福音书》的7世纪及11世纪两种希腊文写本。前者是大字本银书,后者是小字本金书。修复工作,后者已完成,并开始复制。前者决定不久将动手。两位外宾将由卢兆荫同志陪同往外地参观。今天由郭沫若院长接见. (22 qershor 1971: Dy të ftuarit e huaj nga Shqipëria morën pjesë në punën e restaurimit të librave të lashtë në institutin tone. Prej 21 marsit u bënë tre muaj. Natyra e librave antikë tashmë është sqaruar, është Kodiku i famshëm i Beratit. I pari është një libër argjendi me karaktere të mëdha, dhe i dyti është një libër ari me karaktere të vogla. Puna restauruese për të dytin përfundoi dhe sapo filloi procedura e riprodhimit. I pari do të restaurohet së shpejti. Dy të ftuarit e huaj do të shoqërohen nga shoku Lu Zhaoyin për të vizituar vende të tjera. Sot ata u pritën nga Dekani Guo Moruo.)” ( Xia Nai, Lista e Trashëgimive Botërore (f.22-23) - Kodiku i Purpurt i Beratit 《世界遗产名录》-《培拉特紫色圣典》)


Rëndësia e Kodikut të Purpurt të Beratit është theksuar ndër vite nga historianë të ndryshëm, të cilët kanë theksuar vlerat e tij, si nga ana e materialit me të cilin është hartuar, por gjithashtu edhe nga ana përmbajtësore. Për Kodikun dhe restaurimin e tij janë mbajtur fjalime dhe janë bërë studime të ndryshme, por e veçanta e kësaj ligjërate ishte për faktin që së pari, kjo ligjëratë u mbajt në Kinë; në një vend kaq të largët, por njëkohësisht kaq domethënës sa i përket rëndësisë së ruajtjes së këtij Kodiku, duke marrë parasysh vlerat e tij jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel botëror; së dyti, dhe çka është më rëndësishme, ligjërata erdhi si një dëshmi e drejtpërdrejtë e një prej familjareve të restauruesit, pikërisht vajzës së tij.

Z. Wang Xu ka ndërruar jetë në vitin 1997, por vlen për t’u çmuar përcjellja e kësaj pune dhe e sjelljes ndërmend të këtyre kujtimeve nëpërmjet trashëgimtares së tij. Teksa znj. Wang Dan fliste me modesti, ndihej qartë emocioni dhe krenaria që ndjente për punën e babait të saj. Ajo solli disa fakte të cilat më shumë se sa dëshmi historike e dokumentuar në arkivë, kishin të bënin më ndjesinë e përjetimit të kësaj pune nëpërmjet rrëfimeve të babait të saj apo lënies si një “testament” të shkrimeve nëpërmjet ditarit të tij. Ajo shprehet se zotit Wang gjatë punës, i pëlqente të mbante shënime rreth përvojave të tij, duke ofruar shumë materiale referimi për brezat e ardhshëm. Ai ishte përgjegjës për mbrojtjen e pëlhurave të mëndafshta gjatë hulumtimit për hapjen e varreve në Mawangdui Han Tomb, Famen Temple, Mashan Han Tomb dhe Varri i Mbretit të Nanyue. Krahas kësaj, ai ishte gjithashtu përgjegjës për restaurimin e një kafke primitive njerëzore të kalcifikuar me gurë dhe ndihmoi Shen Congwen të përfundonte "Kërkimet mbi veshjet e lashta kineze".

Si e vetmja shqiptare prezente në këtë takim, nuk mund të mos ndjeja mirënjohje dhe falenderim teksa dëgjoja rrëfimin e Znj. Wang Dan për punën që babai i saj dhe kolegët e tij kishin bërë. Fryma e përcjellë në këtë takim ishte ndër më të veçantat e takimeve dhe ligjëratave që janë mbajtur në Katedër. Një rrëfim modest, por i mbushur me krenari dhe dashuri për punën e të atit.

Përpos faktit që një vepër kaq e rëndësishme i përket vendit tim, po ashtu merr rëndësi edhe fakti që ishte pikërisht shteti kinez që mori përsipër këtë punë, edhe pse Shqipëria i kishte kërkuar vendeve të tjera që ta bënin, por kishin refuzuar. Edhe pse kanë kaluar disa vite, ky kontribut do të mbetet gjithmonë në kujtesë si një ndër arritjet e suksesshme të ruajtjes së trashëgimisë botërore.

111 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page