top of page

LIGJËRATA E VETME QË KA VËRTET RËNDËSI



LIGJËRATA E VETME QË KA VËRTET RËNDËSI

Nga Fatmir Terziu


Mos u malloni me një rrënjë Rrapi që lexon.

Rrapi që është bërë gjithçka, që ëndërron, që shkruan …, që fotografon, që pretendon, që adhuron, që mendon, që këshillon, që … fundja lum si ne që jemi rritur nën Hijen dhe Rrënjët e (a)tij Rrapi madhështor(!) (Sa breza me fat që paskemi qenë!)

Bini në dashuri me pemën që gjeni në një pyll. Sigurohuni që të mos jetë nga fis Rrapi, rrënjët e tij, hijet e tij, sinorët e tij, damarët e tij… dallditë dhe dalldisjet e tij… Gjejeni atë në kulmin e furtunës dhe të shtrëngatës së një dimri dhe të një nate që lë pasoja. Sigurohuni që ajo të mos e përziejë vërdallisjen e saj me dhimbjet dhe ulërrimat e tjera të qena e të paqena, që u dalin simotrave të tjera nga jashtë e nga brenda. Duajeni atë që është duke shkulur flokët e saj xhufka-xhufka në krah të rrjedhës dhe rrëkëllimës me mejdan gjysmë të zbrazët.

Kudo që ta gjeni, gjejeni atë që ka mbetur duke buzëqeshur me buzët e saj të ngrira sa nga etja e madhe, aq edhe nga pija. Sigurohuni që të zgjasë kjo ndodhi pak më shumë. Përdorni linja marrëse dixhitale nga kohërat moderne, nga më të fundit dhe argëtojeni atë me të shara parlamentare, qeveritare, rrugore, zyrtare, të kuptimta e të pakuptimta. Mos e zgjoni ndjesinë e saj të rraskapitur nga një ditë e gjatë dhe mos ia faturoni gabimet që dini se do të bëhen. Merreni atë jashtë dhe dashurojeni në shi. Bëjeni kështu duke imagjinuar…, ose sepse e keni parë në një film. Komentoni për mirësinë e tij. Për mirësinë e asaj peme që e keni dashuruar duke kërkuar veten tuaj të përhumbur në një pyll, madje në një xhungël postmoderne. Mos e krahasoni me ndonjë pikturë alla-kryeministrore, as me ndonjë ftesë për të qenë në ndonjë ekspozitë të tillë.

Gjithësesi edhe Ju tashmë jeni në atë pyll. Jeni në atë xhungël. Jeni me hir, a me pahir. Ndaj, tërhiqeni atë në një marrëdhënie të tolerueshme. Lërini muajt të kalojnë pa asnjë vërejtje. Pastaj le të kalojnë vitet pa u vënë re. Flisni, por jo për gjëra të rrëndësishme, por për asgjë, për asgjë me rëndësi dhe tërhiqeni bisedën nën të, kur ajri rritet i ndenjur dhe mbrëmjet bëhen të gjata. Luftoni se si stërkalat e dushit (nëse e keni, apo ato kanaçet me vajguri në se i keni mbajtur) duhet të mbahen larg nga kaçurrelat e kësaj peme… ajo tashmë është e mbyllur në pyllin e saj. Vetëm të huajt duhet të flasin për fatin e saj, vetëm disa të ftuar, disa të angazhuar, dhe nëse ka mbetur ndonjë nga të paangazhuarit. Propozoni pak më vonë, më vonë se sa të prononcohen të huajt, sepse e kuptoni që do të kishit humbur kaq shumë, nëse do ta kishit bërë propozimin në ndonjë kohë ndryshe, thjesht para tyre. Merreni atë në një restorant, që shkatërron stomakun e pangrënë mirë me muaj me salcë dhe peshq të marinuara dhe kërko me dashuri nga kamerieri që të sjellë një shishe shampanjë të shtrenjtë… Por, kujdes mos harroni bëni një fotografi se do të ju duhet. Mos harroni! Ofroni një unazë modeste dhe mos u shqetësoni shumë nëse nuk ndjeni asgjë nga sinqeriteti, ose angazhimi i tërë kësaj strukture. Ju po jetoni të lumtur. Dhe aspak nuk duhet ta kuptoni se fallco, krejt me dëshirën e të huajve ju po e dashuroni atë.

Bëni këto gjëra. Sepse një jetë e jetuar në purgator është më e mirë se ajo që jetohet në ferr. Ajo do ta bëjë atë më ferr. Unë po ju lus, qëndroni larg nga pema që rritet e tillë, nga pema që lexon, shkruan dhe flet si Njeri. Kush qesh, apo qan, kur ajo bën dashuri? Të huajt do të thoni JU? Kush mund ta delendisë me kujdes shpirtin e saj dhe ta rrotullojë atë duke e kthyer në prozë dhe poezi? Nëse ajo e do poezinë, ikni. Mos guxoni ta shikoni nga pas, as një shikim nga mbrapa. Ajo do të mbetet e vetme. Buzëqeshjet e vogla janë të rrezikshme, dhe ato duhet t’ju bëjnë të tronditeni. Mos buzëqesh duke lënë sytë nga mbrapa.

Mos u dashuroni me një pemë që mendon. Do ta kuptoni se ajo është e përbërë nga magji dhe e njeh veten si magjistare. Mos e doni atë që di të zhduket brenda një libri, ose një poezie, apo qoftë larg brenda një pikture. Nëse ajo harxhon më shumë se disa sekonda duke shikuar në sytë e një mëkatari, dilni prej aty. Më mirë të futeni në Bunk-Art, ose të imagjinoni se e keni kuptuar pikturën e Kryetarit. Hë, ju lutem bëni kështu!

Mos u dashuroni me pemën që është e interesuar për politikën, e cila ndjen një si sëmundje kur e sheh jetën dhe arsyen në padrejtësi. Mos e doni atë që është intensive, të kthjellët dhe karizmatike. Qëndroni larg nga ajo që ka ndonjë ndjenjë, ambicie, rebelim, apo edhe aludimin më të vogël që të të çudisë në sytë e saj. Jini të kujdesshëm ndaj atyre që nuk mund të jetojnë pa muzikë. Nëse ajo mund të të tërheqë, të të shpjerë diku që të të argëtojë, të të pushojë dhe të pushojë shpejt së ndikuari mbi ty.

Një pemë që lexon është ajo që e njeh veten. Jam i sigurt Ajo është e arsimuar dhe është zjarr brenda një shisheje të mbuluar me kashtë thekre. Pema që lexon është ajo që është e kënaqur me: “Mirupafshim!”. Mendoni për këtë: ajo ka lexuar disa romane dhe secili mbaron … pas një leximi, por ama leximet i krijojnë skenare filmi. Dhe filmat… shumica përfundojnë me vdekjen e karakterit të preferuar. Ata e bëjnë atë të mendojë. Dhe ajo fluturon nëpër faqet e romaneve, sikur ato janë një verë e lagur në pjesë të padukshme. Dhe ajo është në rregull me çdo fund. E sigurtë. Ajo mund të qajë, por ajo do ta fshijë fytyrën dhe do të zgjedhë një libër tjetër. Vetëm për ta bërë atë përsëri, që ta ndjejë se si e këshillojnë të huajt. Mos harroni këtë, nëse ajo ndonjëherë thotë se libri i saj i preferuar je Ti.

Ajo është një romantike dhe si mund të përputheni Ju me princat dhe heronjtë në librat e saj? Ajo nuk di asgjë tjetër. Ju nuk mund ta doni atë ashtu si ata personazhe, që kanë hyrë në botën e saj, me rrënjë Rrapi të pashkulur prej furtunave, me … rritjen mes shqotave, e mes tyre të rritet, eh, duhet edhe një gjysëmshekull që ajo, kjo dhe ata personazhe, të rimarrin formë tjetër. Eh, nëse do të mund të merrnin formë.

Sigurisht, Ajo mban një fjalor, i cili pretendon aftësinë e saj për të bërë dallimin midis të jashtëzakonshmes dhe të pashpirtshmes. Ajo mban në gojë dhe në duar fakte retorike që i kthejnë shiritat e kuq në shirita të zi në librat, që i duan “të huajt” aq shumë dhe i kërkojnë aq thellë deri tek ndonjë … Bunker.

Ajo meriton një njeri që mund ta mbajë dorën ashtu si i mban librat e saj. Dikush që mund të shkruajë shënimet e saj dhe t’i fshehë në kutinë e Pandorës. A mund të shkruani në mënyrë kursive, ashtu siç kërkon ajo?

Ju lutemi, mos u dashuroni me një Pemë që lexon në një Pyll xhungël, ku fatura paguhet me zhgarravina e të ashtuquajtura piktura. Sepse një Pemë si ajo, nuk të bën të kthehesh kurrë nga ajo. Kujdes nga rrënjët e saj! Kujdes! Dhe e di pse? Se rrënjët e saj, janë shtrirë ende gjerë e gjatë në atë dhe këtë Dhe…, që nuk di a mund ta quajë më … më falni nuk e kisha këtë as të vjetër e as të re. Ndoshta…, ndoshta nga mallimi i trishtës, që m’u vidhas tek vargjet e pavdekshme të Fishtës.


7 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page