top of page

LIBRI “ELIMINIMI I GRUPIT KOMUNIST ZJARRI”


Dr. Dorian Koçi

LIBRI “ELIMINIMI I GRUPIT KOMUNIST ZJARRI”

-ANATOMIA E DESIDENCËS SË LËVIZJES KOMUNISTE SHQIPTARE NDAJ P.K.SH-SË



Ky libër sëbashku me librin tjetër të autorit “Eliminimi Grupit Komunist të Të Rinjve’(2016) ka sendërtuar anatominë e desidentëve të lëvizjes komuniste shqiptare dhe si të tillë do zënë një vend të veçantë në kolanën e studimeve historike rreth së majtës shqiptare.

Libri “Eliminimi i Grupit komunist Zjarri” i autorit Enver Lepenica hedh dritë mbi një nga fraksionet më pak të studiuar të komunizmit shqiptar. Rishkrimi i historisë së të kaluarës 70 vjeçare është një përgjegjësi intelektuale po aq dhe një detyrim ndaj brezave për të mësuar rreth ngjarjve dhe personazheve historikë që dominuan historinë e shqiptarëve në shekullin e kaluar. Për mëse 45 vjet Grupi Komunist “Zjarri” u anatemua nga historiografia zyrtare duke e konsideruar si grup antimarksist e kundërrevolucionar. Anëtarët e tij u denigruan dhe shumë herë nuk përmendeshin si antifashistë dhe njerëz të sakrificave që kishin kontribuar në rezistencën shqiptare gjatë viteve 1939-1944. Ky qendrim konstant i mbajtur gjatë luftës dhe më pas pati si vlerësim artikullin e Enver Hoxhës «Pak fjalë për disa shërbëtorë të fashizmit: Grupi i «Zjarrit», botuar në «Zërin e popullit» në janar 1943. Grupi Zjarri si del qartë nga libri plot dokumenta i Enver Memishajt nuk pranoi të merrte pjesë në themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare në nëntor 1941. Grupi komunist Zjarri u krijua nga fillimi i vitit 1936 në Athinë nga Andrea Zisi. Më 1939 Andrea Zisi erdhi në Shqipëri për të organizuar lëvizjen komuniste dhe antifashiste. Ai formoi në Korçë një Komitet qendror dhe në Tiranë e në Vlorë nga një Komitet Qarkor. Në momentin kur Andrea Zisi vendosi të vinte në Shqipëri komunizmi kishte një dhjetëvjeçar që ishte organizuar në formën e grupeve komuniste. Nga leximi i dokumentacionit të viteve 30’ vihet re se komunizmi në Shqipëri synonte depërtimin në shkollat e mesme dhe në organizimet sindikaliste.Kjo lidhje midis modernitetit dhe komunizmit kishte rënë në sy dhe në raportet sekrete të e xhandarmërisë zogiste që ndiqte nga afër situatën në shkollat e e mesme të Shqipërisë. Në raportin mbi tencencat komuniste në shoqëri që Komandanti i Përgjithshëm i Xhandarmërisë Shefki Shatku i drejtonte Mbretit Zog në datën 5 korrik 1936 shkuhej se djalëria komuniste ndahet në tri kategori: 1-Komunistët e vërtetë,2-Djemtë që thonë që janë komunistë vetëm për modernizim dhe për tu dukur intelektualë (reklamistë).3. Të rinjtë që spekulojnë duke u hequr komunistë për interesa materiale.[1]

Një rol të madh në përhapjen e ideve të majta në Shqipëri luante edhe rrjeti i mirëndërtuar i shpërndarjes së literaturës me pikëpamje të majta e komuniste. Përveçse arsyes së tendencës së modernitetit një arsye tjetër e përqafimit të ideve komuniste nga rinia shqiptare ishte e lidhur ngushtë dhe me zgjidhjen e çështjes kombëtare. Mirëpo duke qenë një vend i prapambetur agrar që tentonte të kapërcente shpejt etapat e modernizmit të shoqërisë si dhe duke u nisur nga fakti që Lenini në 1917 kishte denoncuar “Traktatin e Fshehtë të Londrës” midis një pjese të elitës patriotike shqiptare kishte zënë rrënjë mendimi se problemi i modernizimit të shpejtë të shtetit kombëtar shqiptar dhe çështja kombëtare shqiptare mund të zgjidhej përmes një lëvizje revolucionare te tipit bolshevik. Në analizën e revolucionit rus që bënte një nga komunistët të parë shqiptarë Koço Tashko e quante me karakter kombëtar, por edhe kthesë në historinë e njerëzimit, sepse shembi ato që ai i quante mure të imperializmit. Si veprime pozitive që kishin ndikuar në Shqipëri përmendeshin prej Tashkos denoncimi i Traktatit të fshehtë të Londrës të vitit 1915 nga Lenini, vrasja e “kryeagjentit të imperializmit” Esat Toptani, roli i Bajram Currit, shoqëria “Bashkimi” dhe kryengritja e qershorit e vitit 1924.[2]

Në vitin 1936 dolën udhëzimet e reja të Komiternit që e vinin theksin mbi organizimin e luftës popullore kundër rrezikut fashist dhe krijimin e frontit popullor. Këto udhëzime i solli në Shqipëri Koço Tashko në vitin 1937 dhe filluan të propagandoheshin nga Grupi Komunist i Korçës. Pushtimi i Shqipërisë nga Italia Fashiste në 7 prill 1939 dhe rezistenca e dobët e forcave monarkiste të paorganizuara dhe të braktisura nga Zogu duket se rrëzoi iluzionet për krijimin e një fronti të parbashkët fashist për kundërshtimin e pushtimit fashist dhe tulati në mënyrë të konsiderueshme lëvizjen komuniste shqiptare. Aq më tepër që vetëm dy muaj më parë pushtimit ishte zhvilluar arrestimi dhe dënimi i 73 komunistëve prejtë cilëve disa ishin dënuar me disa vjet burg që varionin nga 10 në 6 vjet dhe disa muaj. Gjyqi zgjati nga data 28 janar deri më 10 shkurt dhe pati efekt frenues në radhët e militantëve të rinj.

Grupi Komunist Zjarri është akuzuar se kishte si platformë politike që ‘kalaja fashiste duhej marrë nga brenda’, prandaj komunistët, në vend që të luftonin hapur kundër pushtuesve, duhej të shkriheshin në aparatin e tyre politik dhe administrativ. Në fakt si del nga libri i historianit Enver Memishaj këtë rrugë ekishin djekur një pjesë e madhe e anëtarëve të grupeve komuniste duke filluar nga Koço Tashko e deri tek Bedri Spahiu. Grupi Komunist Zjarri shpalli krijimin e Partisë së vërtetë komuniste duke mos e njohur bashkimin e grupeve të tjera komuniste që kishin themeluar P.K.SH-në në 8 nëntor 1941. Anëtarët e këtij grupi komunist do të vazhdonin në mënyrë të pavarur rezitencën antifashiste derisa një pjesë e madhe e tyre do të pranonin të bashkoheshin me P.K.SH-në Konferencën e Parë të Partisë Komuniste Shqiptare u mbajt në fshatin Labinot të Elbasanit, nga datat 16-22 mars 1943. Midis personaliteve të vinin nga Grupi Zjarri ishin Andrea Varfi, Spiro Koleka, Selim Shpuza, Fetah Butka, Anastas Plasari, Uan Filipi, Zenel Hekali etj. Ata përfaqësonin qartazi siç del nga dokumentacioni i cituar në libër një fraksion të marksizmit që ishte përhapur në Greqi dhe në përpjekjet e tyre synonin një bashkim të të gjitha forcave të majta në Shqipëri. Për këtë arsye ata kishin bashkëpunuar edhe me elementë të tjerë të së majtës që aderonin në Organizatën e Ballit Kombëtar si Hysni Lepenica apo Skënder Muço. Në gjuetinë e shtrigave të organizuar nga P.K.SH ndaj të ashtë quajturve grupe trockiste, Grupi Zjarri dhe anëtarët e tij u vunë në shënjestër pasi P.K.Sh si zbatuese e vijës së ashpër tëimponuar nga P.K.J i ndoqi këmba-këmbës edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Përmes dokumentacionit të gjerë të pasqyruar në libër jepet me detaje fati politik i anëtarëve të këtij Grupi Komunist duke dëshmuar edhe njëherë shprehjen e vjetër se “revolucioni ha kokat e bijve të vet”.

Autori Enver Memishaj ka meritën që përmes një mendimi analitik në burimet e shumta arkivore arrin të pasqyrojë një sintezë të lindjes së mendimit komunist në Shqipëri e sesi ky mendim në ballafaqimet politike me mendimet politike të ndryshme rezultoi të jetë fatal për historinë e Shqipërisë. Krijimi i aparatit stalinist të dhunës dhe eliminimi i elitave politike nuk lindi brenda një ditë por u përshkallëzua në etapa të ndryshme të historike të mendimit komunist shqiptar. Në përgjithësi niveli i debateve dhe mospajtueshmëria e debateve politike të zhvilluara midis anëtarëve të Grupit Komunist Zjarri dhe P.K.SH nuk është se krijoi një situatë tensioni në shoqëri apo u nxit një debat mbi fillimin e zbatimit të socializmit pasi në Shqipëri gjatë regjimit komunist ka egzistuar një reflektim tejet i kufizuar filozofik, me kuptimin e mirrëfilltë , mbi marksizmin si doktrinë dhe mbi etikën marksiste. Madje mund të thuhet se edhe qendrimet politike që ishin imponuar në kulturë politike nuk është se rridhnin kryesisht prej etikës marksiste , por shpesh herë ishin zgjedhur sipas interesave kunjukturale të udhëheqjes komuniste shqiptare për të përforcuar totalitarizmin në çdo qelizë të jetës sociale të shqiptarëve. Ky libër sëbashku me librin tjetër të autorit “Eliminimi Grupit Komunist të Të Rinjve’(2016) ka sendërtuar anatominë e desidentëve të lëvizjes komuniste shqiptare dhe si të tillë do zënë një vend të veçantë në kolanën e studimeve historike rreth së majtës shqiptare.

[1] Kastriot Dervishi. Lëvizja komuniste në vitet 1924-1944 dhe formimi I P.K.SH-së. Tiranë:2016, Shëpia Botuese 55, fq 117 [2]Kujtimet e Koço Tashkos, shkruar më 1.12.1953, AQSH/AP F.Kujtimet, D.24, fle 1.

164 views0 comments

Kommentit


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page