Edhe pse u hidhërova me përkthyesin dhe botuesin e romanit “ Një brengë përtej ëndrrave” nga Handke, kureshtja për ta lexuar romanin e perkrahësit të gjenocidit ndaj popullit tim, më ndiqte edhe në ëndërr. Doja të di pak më shumë për botën e brendshme të shkrimtarit, për vetitë e tij psikike, për tërësinë e ndjenjave, për ndërgjegjen e tij,etj. Ndarja e çmimit Nobël për letërsi Peter Handkes, trazoi paqësorët, shoqatat, shkrimtarët, gazetarët e tërë botës mbarë. Edhe mua si krijuese që idealizoj shkrimtarët disident si njerëz paqësor, si mbrojtës të shtresës së varfër, si gjykues të drejtë të fenomeneve, më ngjalli neveri lajmi që Oslo këtë çmim prestigjioz ia ndau personit që mohoi gjenocidin, shfarosjen e popullit në Kosovë dhe në Bosnë ku 8000 muslimanë të pafajshëm vriten në Srebrenicë. Shkrimtari Peter Handke kritikohet edhe për pjesëmarrjen e tij në varrimin e satrapit Millosheviq që ishte i dënuar në Hag për krime lufte. Pas kësaj ngjarjeje, pati shum mllef dhe pështirosje te shumica e njerëzve nëpër disa shtete të botës. Osllo sot quhet vendi që nderon përkrahësit e kriminelëve. Paskëtaj u bëra kureshtare për të kuptuar ca hollësira nga romani i tij jo shumë voluminoz “ Një brengë përtej ëndrrave” që nga kritikët konsiderohet edhe kryevepra e Handkes. Në roman haset portreti i shkurtër i nënës së Handkes e cila vret veten në moshën 51 vjeçare. Romani pak a shumë autobiografik më yshti që ta lexoj edhe pse nuk e kapa në duar me aq ëndje si romanet e shumta sublime nga tërë bota letrare, të cilët i kam lexuar gjatë jetës time, për faktin që autori njihet si përkrahës i kriminelit të Ballkanit. Dilema për ta lexuar ose jo këtë roman, m’u hoq nga mendja edhe për faktin që në roman personazh ishte një nënë si nëna e Kamysë( edhe pse dy gra me karaktere të ndryshme) te “I huaji”, që poashtu u vlerësua me të njejtin çmim.
SHKRIMTARI I FRUSTRUAR
I dëshpëruari dhe i frustruari Handke i rritur pranë njerkut në një varfëri të skajshme gjatë periudhës së tmerrit nga Lufta e Dytë Botërore dhe pas saj, a duhej të kalitej si njeri që e përkrah genocidin, luftën, racizmin etj. apo të dukej i madh si njeri që respekton të drejtat dhe lirinë e njeriut. Edhe pse një aforizëm thotë se njeriun e bën të madh vuajtja dhe lufta për ta mposhtur ate, me Peter Handke nuk ndodhi kjo. Dhembja gati e padurueshme për nënën e tij të vuajtur nuk e zbuti Handken, nuk e bëri shpirtin e tij më të ndjeshëm për nënat e vrara, për djemtë e tyre të vrarë, për zemrat shkrumb të nënave që humbën djemtë dhe vajzat në luftën e fundit ballkanike.
Poshtë, dy fragmente nga romani” Një brengë përtej ëndrrave”.
Comments