Nuk na duket e drejtë sintagma ‘letërsive shqipe’ dhe mendimi se ‘për shkak të autorëve dhe titujve që prezentojnë prej kohësh letërsinë shqipe në botë, letërsia shqipe shkruhet brenda 2800 km2 të Shqipërisë’, të cilën e propozoni si orientim për debatin që hap ky numër i revistës Ars, dhe nuk na duket i saktë. Ka shumë arsye historike, letrare dhe estetike për të konstatuar kështu.
1.
Në Shqipëri, ka më shumë se gjysmë shekulli që nuk e kemi një antologji të plotë dhe të denjtë jo vetëm për të huajt por as edhe vetëm për shqiptarët. Pas botimit të vëllimit Shkrimtarë shqiptarë I, II (Tiranë, 1943), në Shqipëri dhe në Kosovë ende nuk është botuar një vepër antologjike në përmasat historike, kronologjike, hapësinore dhe estetike, qoftë edhe vetëm për nevojat shkollore brendashqiptare, le më pastaj për të gjithë shqiptarët apo edhe për lexuesit e huaj. Në botimet e deritashme antologjike, kanë munguar jo vetëm autorët që krijonin jashtë Shqipërisë politike, por edhe krijuesit që, për një arsye apo një tjetër, janë hequr nga panteoni i vlerave letrare shqipe.
Kjo mund të thuhet edhe për Kosovën, ku kanë botuar veprat e tyre edhe ata që kanë jetuar apo jetojnë në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Ndër arbëreshët dhe në mërgatë, ndërkaq siç dihet, përpjekjet kanë qenë kryesisht individuale.
Pra, pavarësisht nga deklaratat dhe propaganda e drejtuesve të kulturës dhe të shkencës së shtetit shqiptar, se kanë prezantuar vlerat letrare dhe artistike të letërsisë shqipe në botë në vazhdimësi, edhe kur këtë e kanë bërë vetëm me krijues të rëndësishëm brenda territorit politik shqiptar, të kundërtën e thonë faktet konkrete. Gjendja është edhe më e mugët seç duket. Shikoni botimet e letërsisë shqipe pesëdhjetë vjetët e fundit, fillimisht në gjuhët lindore: rusisht dhe gjuhë të tjera të perandorisë sovjetike, bullgarisht, gjermanisht (Gjermania Lindore), serbisht etj., e pastaj edhe në gjuhët perëndimore: (kryesisht frëngjisht, italisht, gjermanisht etj.) Lexoni autorët e veprave të përkthyera deri në vitet ’70: Migjeni, Sterio Spasse, Dhimitër S. Shuteriqi, Kolë Jakova, Fatmir Gjata, Dritëro Agolli dhe ndonjë tjetër. Po pas viteve ’70: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi e ndonjë tjetër. Sikur dihet, në këtë kohë, në antologjitë e pakta, në mënyrë simbolike përfaqësoheshin edhe disa krijues që botonin në Kosovë dhe që shkruanin kryesisht nën ndikimin e letërsisë së realizimit socialist. Kështu arrinin të përfaqësoheshin disa krijues nën ish-Jugosllavi, por jo edhe ata të mërgatës dhe të arbëreshëve të Italisë.
Po kështu është vepruar edhe në Kosovë. Një kohë të gjatë është bërë përpjekje për të paraqitur në gjuhët sllave të jugut shkrimtarët veç e veç dhe të organizuar: Esad Mekulin, Enver Gjergjekun, Ali Podrimjen, Din Mehmetin, Murat Isakun, Beqir Musliun, Eqrem Bashën etj. Në gjuhë të tjera, jashtë ish-Jugollavisë, është bërë përpjekje për t’i paraqitur edhe në kuadër të antologjive jugosllave. Në Kosovë ishte formuar madje edhe një Shoqatë e përkthyesve letrarë, sado numri më i madh i tyre mund të përkthenin vetëm nga gjuhët sllave dhe anasjelltas.
Pra, në të dy rastet letërsia shqipe, për shkaqe politike dhe ideologjike, është paraqitur ndaras dhe jo e plotë, sado ato i bashkonte jo vetëm gjuha (standardi), por edhe trashëgimia historike, temat, motivet, ndërndikimet (kryesisht e prozës që botohej në Tiranë dhe e poezisë që botohej në Prishtinë), përvoja brenda sistemit ideologjik, njohja dhe studimi në Kosovë i letërsisë shqipe që shkruhej brenda Shqipërisë politike etj.
2.
Dhjetë vjetët e fundit, njëherë për fatin e madh të kombit shqiptar, ky koncept është rrënuar pas ndryshimeve përgjithësisht politike që kanë ndodhur në rajon dhe në botë, por kjo përmbysje politike për fat të keq nuk ka sjellë një koncept të ri mendor, organizues, sistemor dhe drejtues as në kulturën shqiptare në përgjithësi as në paraqitjen e letërsisë shqipe në veçanti. Përmbysja e madhe e koncepteve dominuese në kulturën shqiptare deri në fund të viteve ’80, dhjetë vjetët e fundit ka dhënë frytet e një heterogjeniteti të caktuar të klaneve të vogla.
Intermexo I. Në këtë rast nuk e kemi fjalën për grupet dhe organizatat që i bashkojnë konceptet dhe shijet e caktuara estetike. Fjalën e kemi për grupet dhe klanet të cilat më parë sesa ‘kënaqësitë estetike’ të kulturës i bashkojnë fondet e ministrive, fondacionet e huaja, donacionet e përkohshme të X kompanisë, kulti i Y personit etj.
Shkrimtarët shqiptarë nuk janë përfaqësues të këtij apo atij shteti, të kësaj apo asaj krahine, të një qyteti a një tjetri. Antologjia e letërsisë shqipe nuk mund të formohet prej “përfaqësuesve” po prej vlerave të saj, prej veçantive të saj estetike dhe letrare. Një shkrimtar a një tjetër mund të shkruajë në gjuhën standarde për t’u lexuar nga një rreth më i gjerë lexuesish, mund të shkruajë në njërin apo tjetrin dialekt, madje mund të përdorë edhe ndonjë varietet “për t’u dukur më interesant”, por niveli i vlerave letrare nuk përbëhet vetëm prej gjuhës standarde apo dialekteve të saj. Përbërësit letrarë e estetikë të saj janë më të shumtë. Letërsinë e romantizmit shqiptar e përbënin letërsitë e kolonive, e megjithatë askush nuk e ka quajtur të ndarë, sot letërsia shqipe përbëhet prej një tërësie homogjene, të cilën nuk e ka njohur historia e saj deri në gjysmën e dytë të shekullit XX, e megjithatë diskutohet përbërja e saj dhe prezantimi i saj si një në botë.
Në kohën e lëvizjeve të mëdha kulturore, në kohën e konkurrencës së madhe planetare të dijes dhe të vlerave, ne vazhdojmë të merremi me njishat dhe me prejardhjet sociale e politike të tyre. Në hapësirën shqiptare dhe në shtypin më të popullarizuar shqiptar, mendja perverse e kulturës shqiptare, viteve të fundit ka sjellë shembullin më skandaloz që ka njohur kultura historike shqiptare, me të cilin vlerësohen jo veprat po krijuesit, jo krijuesit po qendrat urbane ku jetojnë ata, madje jo vetëm qendrat ku jetojnë ata, po edhe krahinat prej nga kanë ardhur, pastaj familjet, barqet, fiset e kështu me radhë!
Në kohën që Amerika dhe përgjithësisht Evropa Perëndimore, kur nën rrogoz e kur krejt hapur importojnë njerëzit dhe dijen edhe nga Azia e largët, ndër ne ka disa vjet, që në disa rrethe klanore, duke u paraqitur madje edhe nën ombrellat institucionale, ka filluar të uluritet për rrezikun e prejardhjes së disa prej prej intelektualëve dhe kulturave ‘të importuara’ nga rrethet skajore të vendit: nga Shkodra në Tiranë, nga Presheva e nga Malësia e Malit të Zi në Prishtinë etj!
Intermexo II: Lexoni tregimet e dëgjuara ndër ne, që nuk do t’i përbinin as Bermudet!
- Pse nuk mund të shitet botimi i librit tim në Tiranë?- e pyes një mik.
-Sepse në Kosovë ende nuk përkthehet mirë, përkthyesit nuk e zotërojnë mirë gjuhën shqipe! –më thotë miku me përgjigjen në majë të gjuhës.
-Përkthimin e ka bërë një përkthyes nga Shkodra… –ia kthej unë i gëzuar se ia kam arritur qëllimit që të shes librin në Tiranë.
- Aq më keq! –më përgjigjet, ende pa e përfunduar fjalën.
Beograd, 1989:Serbinë e udhëheqin politikanët e importuar nga malokët e jugut të Serbisë, intelektualët me përkatësi nacionale të dyshimtë…! –klithinin disa “intelektualë” të aristokracisë së qytetit, kur panë se konceptet e tyre shekullore ndaj fqinjëve po u ktheheshin bumerang në vetë kryeqytetin.
Prishtinë, 1999-2003: Kosovën duan ta udhëheqin malokë të Kosovës, intelektualë të importuar nga Mali i Zi, Lugina e Preshevës, Maqedonia… -klithinin dhe vazhdojnë të klithin ‘intelektualët e proviniencës shkollore të Beligradit’ në Prishtinë!.
(Prishtina vazhdon të heshtë dhe të mos e kuptojë se konceptet e shkollës së Beogradit vazhdojnë ta udhëheqin inteligjencien e saj të mbytur në agoninë e fundshekullit, prej të cilës si duket nuk ia vlen barra qiranë ta zgjosh.)
3.
Letërsia e shekullit XIX dhe e fillimit të shekullit XX integrohej gjuhësisht, kombëtarisht, estetikisht, ndërsa letërsia shqipe e fundit të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI vazhdon të lëvizë në të kundërtën pa një strategji kombëtare. A mund të bëhet në këto rrethana përfaqësimi i letërsisë kombëtare në botë. Si është e mundur që sot nuk gjendet një librari në Tiranë, e cila do të pranonte gjithë botuesit brenda dhe jashtë Shqipërisë, në përmasën që ato pranohen në dy librari të Prishtinës. Po shtëpitë botuese, me këtë përvojë të vogël që kanë, çka mund të bëjnë?
Në gjithë botën ka shtëpi botuese të orientimeve nga më të ndryshmet, por kulturën kombëtare e bëjnë në instancë të fundit qeveritë kombëtare. Integrimin e saj, përfaqësimin e saj, popullarizimin e saj në vend dhe sidomos në botë e financojnë ministritë përkatëse dhe burimet e tjera të vjela nga ajo. Editorët kërkojnë botime të cilat përveç vlerave artistike kanë edhe tregun e sigurt, ndërsa qeveritë kombëtare bëjnë projektet dhe përparësitë e paraqitjes së vlerave më të mira kombëtare jashtë dhe brenda vendit, pavarësisht prej interesave materiale që mund të sjellin.
Sot, nisur nga mundësitë që kanë botuesit shqiptarë, nuk mund të pritet shumë, aq më tepër po të kihen parasysh edhe marrëdhëniet e tyre kryesisht teknike. Në këto rrethana mund të thuhet se vetëm institucionet shkencore dhe shtetërore mund të sigurojnë paraqitje normale dhe standarde të vlerave artistike në botë. Disa autorë shqiptarë të popullarizuar edhe mund të vazhdojnë depërtimin në gjuhët e tjera të botës, por mundësitë e paraqitjes hierarkike të letërsisë dhe krijuesve më të mirë ndër shqiptarët do të duhej t’i siguronin qeveritë vendase në Kosovë dhe në Shqipëri. Më parë sesa vlera dhe hierarki, nisur sidomos prej antologjive dhe autorëve të botuar kohëve të fundit në gjuhë të botës, ne kemi afruar anarki vlerash dhe përfaqësimesh.
Në këtë mënyrë sikurse prezentohemi sot, në botëmund të botojnë edhe më tej disa shkrimtarë shqiptarë, por kështu nuk mund të paraqitet ajo që ne duam ta quajmë me një emër, e që në të vërtetë është: letërsi shqipe
Comentarios