top of page

Letërsia për fëmijë: nga shtrati nisës tek karakteristakt e saj, në skalitjen tipologjike të akademi


Bedri Dedja

Letërsia për fëmijë: nga shtrati nisës tek karakteristakt e saj, në skalitjen tipologjike të akademikut Bedri Dedja


Dr Fatmir Terziu


Në vend të hyrjes


Shkrimtari dhe studiuesi i mirrënjohur shqiptar, Bedri Dedja, është më i vëmendshmi i hershëm ndaj traditës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare në fushën e letërsisë për fëmijë. Është një vëmendje thuajse e vetme në një këndvështrim akademik, të detajuar dhe profesional. Një studim i tillë i qartë, i paraqitur në Nëntorin e vitit 1975, natyrshëm mund të shihet në dy këndvështrime. Këndvështrimi i parë rreket me kohën në të cilën ai shkroi, madje e paraqiti këtë studim tepër domethënës dhe së dyti me kohën që ai trajton në këtë hapësirë një temë kaq të rrëndësishme edhe sot. Në këtë mënyrë studimi i hershëm i Dedjas, na bën të mos themi vetëm se Bedri Dedja, Akademik dhe profesor në fushën e pedagogjisë dhe psikologjisë, ka qenë një personalitet shumëplanësh në krijimtarinë letrare shqiptare për të vegjëlit dhe atë shkencore për të rriturit: poet e prozator, përrallëtar e dramaturg, tregimtar e publicist, novelist e romancier, përkthyes, gazetar e kritik, studiues i psikologjisë, pedagogjisë e historisë së arsimit dhe mendimit pedagogjik shqiptar, studiues e teoricien i historisë së letërsisë shqiptare për fëmijë, por edhe një akademik i veçantë në trajtimin e temave me efikasitet e jetëgjatësi në fushën e kulturës letrare shqiptare. Më tej duke ditur se figura e tij akademike e bën të lartësuar, ai si titues i shumë çmimeve letrare, “Qytetar Nderi” i Beratit, mbajtës i “Çmimit të Republikës”, “Urdhërit Naim Frashëri” dhe titullit “Mjeshtër i Madh”, Bedri Deja është vlerësuar gjithashtu nga Qendra Ndërkombëtare e Biografive në Kembrixh, duke zënë vend në Vëllimin e XVI të biografive si autor i shquar i shekullit XX, udhëton në memorjen kulturore shqiptare edhe si një figurë e nderuar nga të gjithë brezat. Duke mirëkuptuar tematikën në trajtesë, se Rilindja Kombëtare Shqiptare, ashtu si në të gjitha fushat e jetës shpirtërore dhe materiale, edhe në fushën e letrësisë në përgjithësi na ka lënë një traditë të pasur, duhet të themi se studimi i Bedri Dedjas mbi traditën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në fushën e letrësisë për fëmijë mbetet unik dhe i vëmendshëm. Në këtë ese analizë, natyrshëm trajtesa merr një formë më të gjerë, ndaj duam ta pikëvështrojmë në disa kënde. Studimi i Dedjas i dha dimensionin e saktë që kjo periudhë në trajtesë i dha meritës që krijoi tradita e fillimeve të letrësisë artistike për fëmijë në gjuhën shqipe. Procesi i krijimit të kësaj letërsie ka rrjedhur natyrshëm në kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit të gjithë letrësisë sonë kombëtare të Rilindjes, dhe këtë sipas Dedjas e shohim me frymë të thellë patriotike edukative.

Aspektualitet i kujdesshëm brenda bindjeve ekstra-narrative

Për ta ridimensionuar studimin e Bedri Dedjas, natyrshëm duhet të ndjekim udhën me të cilën ai paraqiti këtë arritje, në udhën zanafillëse me periudhën, që i parapriu Rilindjes në lëmin e shkrimeve për të vegjël dhe që shërbeu për ta pregatitur atë. Bedri Dedja si një studiues i mirëfiltë, i lindur në Korçë më 20.11.1930 dhe me një gjeografi në jetën e tij edukative, ku shkollën fillore e kreu në Shkodër, ndërsa gjimnazin e përfundoi në qytetin e Durrësit dhe më pas studioi në Universitetin e Moskës ku u diplomua shkelqyeshëm në vitin 1953 në disiplinat e pedagogjisë, psikologjisë dhe njëkohësisht të letërsisë për fëmijë, natyrisht ishte një penë që dinte rendin e fjalës në lidhje me tematikën e letrësisë për fëmijë ndër ato vite. Edhe më tej ai pas përfundimit të studimeve universitare, për 40 vjet ka qenë lektor dhe Profesor titullar i lendeve të psikologjise dhe pedagogjisë në Universitetin e Tiranës dhe për një periudhë 5 vjeçare (1975-1980) edhe në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit. Nga viti 1972 e deri sa u nda nga jeta më 13 prill 2004, ka qenë Anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Paralelisht me veprimtarinë pedagogjike, deri në vitin 1975 ai ka ushtruar edhe funksione drejtuese publike si Drejtor i Institutit të Lartë Pedagogjik Tiranë, Kryeredaktor i Revistës "Fatosi" dhe Gazetës "Mësuesi", Drejtor i Drejtorisë së Botimeve Shkollore e Drejtor i Institutit të Studimeve Pedagogjike në Ministrinë e Arsimit, Zëvendësministër i Arsimit dhe Kulturës si dhe Sekretar i Përgjithshëm Shkencor i Akademisë së Shkencave. Bedri Dedja ka qenë për shumë vjet anëtar i Shoqatës Botërore të Psikologëve, Kryetar i Shoqatë Kombëtare të Psikologëve si dhe Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Shkrimtarëve për fëmijë. Bedri Dedja gjithashtu ka qenë anëtar i Redaksisë së përgjithshme për hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar (1985) si dhe bashkëautor dhe redaktor përgjegjës i botimit të Akademisë së Shkencave dhe Ministrisë së Arsimit, Historia e Arsimit dhe e Mendimit Pedagogjik Shqiptar Vol. I (2003). Shume vepra të tij janë përkthyer e botuar jashtë Shqipërisë si në Maqedoni, Kosovë, Greqi, Rumani, Kinë e Zvicër. Kështu një figurë e tillë, që iu përkushtua me zell traditës së letrësisë për fëmijë, ka dhe natyrshëm vlerërendet në hapësirën studimore shkencore shqiptare. Këtë e ka vlerësuar mes një arti tipik prezantues edhe pena e merituar e Astrit Bishqemit, tek Historia e Letërsisë Shqiptare për Fëmijë, (Universiteti “A.Xhuvani" Elbasan, Botimet Sejko - 2001, fq. 287-289), dhe është plotësuar vetëm me të dhënat e reja dhe botimet pas vitit 2001. Kështu ai mbetet natyrshëm dhe në mënyrë adekuate akademiku që mbajti gjallë dhe ndjeshëm në mesin e letrave tërë gamën hulumtuese dhe studiuese të letrësisë për fëmijë. Ai solli mes shkrimeve të tij një gamë të re të traditës së shkrimeve.

Tradita e shkrimeve të posaçme didaktike për të vegjël, sipas studimit të Dedjas, nis kështu jo me një datë të saktësuar, por me një periudhë kohore që është aty nga fundi i shekullit të XVI. Por më tej në brendësi të shkrimeve të tij, mësojmë se gjer nga fillimi i shekullit të XIX nuk ka patur ndonjë letrësi të mirëfilltë artistike shqiptare për fëmijë, apo edhe për mosha të tjera të quajtura e të kategorizuara si të vegjël. Kështu pos kësaj mungese edhe trajtesa ndër vite, edhe kritika e studimet thuajse nuk kanë qenë dhe nuk kanë ekzistuar. Gjejmë shkitazi trajtesa fjalë-fjalëshe, apo citime spontane nga Stefan Shundi, Karl Gurakuqi, Ibrahim Hasnaji, Sotir Pase, Selahydin Toto, Izet Bebeziqi, Mitrush Kuteli, Qazim Shehu, Vedat Kokona (Hekuran Lumi) aty mes viteve 1939-1942 si cekje nëpër botime periodike e gazetarske të kohës që botuan, por jo në formën e një studimi të mirëfilltë shkencor, të cilin vetëm Bedri Dedja e konsideroi si të arsyeshëm dhe me interes të veçantë. Shumë autorë e pedagogë të tjerë u morrën me libra didaktike e shkollore gjer te Naum Veqilharxhi, por asnjë nga këto vepra nuk dha ndonjë shkëndijë të qartë në fushën e krijimtarisë artistike të subjektit që Bedri Dedja konsideroi për studimin e tij shkencor. Qindvjeçari i lavdishëm i një emri të madh, Rilindja Kombëtare Shqiptare, i dha rrëndësi letrave shqipe dhe për nga përmasat përfaqësuesit e saj më të shquar e ngritën në një shkallë më të lartë dhe kështu themeluan edhe letërsinë për fëmijë, duke e shndërruar nga një letërsi tërësisht me karakter fetar, në një letërsi me karakter didaktik e me karakter kombëtar. Merita këtu sipas Dedjas i takon të gjithë rilindasve duke nisur që nga Veqilharxhi e Kristoforidhi e gjer tek më i fundit dhe më i vonshmi, i tyre, Milto Sotir Gurra, i cili në krijimin e tij mbeti vetvetja një rilindas, vazhdues i veprës së paraardhësve të vet të mëdhenj.

Bedri Dedja ka formuar kështu një mit të përqëndrimit të tekstit të hulumtuar, një mit letrar të gjallë nëpër tekstin e tij, ku letërsia imagjinative e asaj periudhe shqiptare ishte një fushë e konsiderueshme me autorë të ndryshëm, dhe kështu çështja shkon më tej për të trajtuar dhe shkuar përtej njohjes, sugjerim ky që i bën studiuesit e sotëm dhe madje të ndjejnë shijen aestetike të Dedjas në tekstin e tij të shtruar të hulumtimit.

Idealizmi letrar, që është parë si i tepruar, është i mjaftueshëm për mua për të pranuar (ndonjëherë ) më lehtë se unë mund të rilexojë letërsinë për fëmijë të kësaj periudhe në diskutim pa ndonjë shqetësim e sforcim mes studimit të Dedjas. Dedja e filloi kështu studimin e tij jo si një rebel kundër shkollave formaliste të kritikave që dominuan kohën e tij, apo edhe më parë, por shkoi më tej të rrekej në skuta të largëta ku dilte dritë nga errësira dhe myku shekullor. Dedja na jep një aspektualitet që çdokush duhet të mësojë se në trajtesën e temës duhet të jetë i kujdesshëm brenda bindjeve ekstra-narrative, veçanërisht ato që janë themeluar hershëm modernizmin e tyre mbi një vend të cekët refuzimi të vetë kontekstit të shtruar nga letërsia për fëmijë në një periudhë delikate shqiptare.

Prodhimi letrar artistik i rilindasve, në syrin e Dedjas, është parë pa dyshim, me karakteristikat e veta. Sipas tij ‘pjesa më e madhe e krijimeve, vjersha, tregime, fabula, përralla, copa letrare-shkencore janë shkruar posaçërisht për t’u futur në tekstet elementare për shkollat shqipe’. Duke hulumtuar ai solli në vëmendjen krijime të tila të asaj periudhe si të gjitha shkrimet për fëmijë të Naim Frashërit Ime përjashtim të “Vjersha për Mësonjëtore të para”), të Kristoforidhit, Samiut, Papa Kristo Negovanit, Luigj Gurakuqit etj. shkrimi i tij studimor i trajtoi tërë këto prurje si një aspektualitet i kujdesshëm brenda bindjeve ekstra-narrative ku ai e dinte mirë se ka patur edhe krijime posaçërisht të shkruara për leximin e fëmijëve jashtë kuadrit të teksteve mësimore, si të thuash për mësimin e gjuhës shqipe edhe jashtë dyerve të shkollës. Në këtë aspektualitet extra-narrativ ai përmend vëllimin e vjershave për të vegjël të Naimit, përkthimet dhe përshtatjet e njëqind e dymbëdhjetë fabulave të Ezopit dhe të fabulistëve të tjerë nga ana e Anton Santorit, novela “I vogli Donat Argjëndi” të Papa Kristo Negovanit etj. duhet theksuar se njëqind e dymbëdhjetë fabulave të Ezopit nën përkthimin e Santorit erdhën vetëm në shekullin e njëzetë, në fillimet e tij në mjedisin letrar shqiptar. Edhe “Gjahu i Malësorëve” i Kristoforishit, është parë i papërfshirë në tekstet shkollore, ai si një tregim artistik ai ishte shkruar nga autori për nevoja mësimore në shkollë, pikërisht në kohën që ai u kthye nga Stambolli dhe u vendos në Elbasan ku ua lexonte këtë tregim djemve në klasë.

Kështu me një vëzhgim adekuat të aspektualitetit të kujdesshëm brenda bindjeve ekstra-narrative themi me plotë gojën se studimi i Dedjas, mbetet arsyeja konkrete të mbijetojë për shkak se ajo si tematikë stimore e tij është serioze, shpirtërore, dhe gjithëpërfshirëse, por jo për shkak se ajo është sistematike ose një manifestim i gjeniut, por i një vlere të dalë për ti shërbyer gjeniut të letrave, vetë lexuesit, studiuesit, arsyes e mbi të gjitha kulturës së memorjes letrare shqiptare. Nëse studimi në fjalë i autorit Dedja fillon të duket një pjesë periudhë, kështu që ai me këtë periudhë ndërton pjesën e vet murale në kështjellën e letrave shqipe. Dedja sqaroi më së miri pse ndodhi edhe shkëputja e letrësisë artistike për fëmijë nga tekstet shkollore, abetaret dhe librat e këndimit. Ai e sheh atë me daljen e revistës “Vatra e Rinisë”, që nisi botimin në vitin 1933. Kjo ishte tribuna e parë ku u botuan shkrimet e autorëve për të vegjël Milto Sotir Gurra, Vasil Xhaçka, Ilo Mitkë Qafëzezi etj. atëherë mes shkrimit dhe hulumtimit të Dedjas si mund të përcaktohen disa karakteristika të traditës së letërsisë për fëmijë në këtë periudhë?

Shkrimi studimor i Dedjas dhe karakteristika të traditës së letërsisë për fëmijë

Mes shkrimit tipologjik, studimor të Bedri Dedjas, natyrisht del parësore skematika dhe semantika e trajtesës, aestetika dhe forma me të cilën ana studimore pikëtakohet me karakteristikat e kësaj letrësise shqiptare për fëmijë në atë periudhë. Ky studim përbëhet nga pika dhe tematia në kuptimin origjinal të fjalës hulumtuese apo qartëson përpjekje të plota, mbi mundësinë e një pamjeje sinoptike të fushës, teoria, parimet dhe teknikat e formës letrare të saktësuar për fëmijë në periudhën në fjalë.

Qëllimi kryesor i studimit është për të dhënë arsyet e qarta për të besuar në

një pamje të tillë sinoptike, qëllimi tjëtër i mesëm është që të sigurojë qartësinë profesionale mbi një kohëperiudhë të paqartë, ku versioni i saj është jo thjesht për të bindur lexuesit por për ta bërë elementin artistik të krijuar në fillesë në një kënd që të jetë sa më i arritshëm. Boshllëqet e vëna re mundësojnë kështu të kuptohet se së pari, letrësia për fëmijë e periudhës së Rilindjes shënoi një hap cilësor, sepse u zhvillua si letërsi artistike kryesisht me gjini të shkurtra, ajo nuk doli, me pak përjashtime, nga kuadri i librave dhe teksteve shkollore. Si rrjedhim nuk mundi të fitojë tiparet e një dege të pavarur në trungun e përgjithshëm të letrësisë së asaj periudhe. Në studimin e Bedri dedjas kuptohet se kjo letrësi edhe si e tillë u zhvillua si letrsi në funksion të shkollës shqipe. Kjo është edhe arsyeja që e bën atë karakteristike të dallohet për lëminë e saj të përrallave, tregimeve, fabulave etj.

Dhe ajo që është e vërtetë e shkrimtarit dhe studiuesit në lidhje me punën e tij është akoma më e vërtetë e mendimit të tij dhe e atyre të tjerëve që krijuan dhe u angazhuan për atë periudhë kohore të shtrenjtë në letrat dhe memorjen kulturore shqiptare. Është e vështirë të jetë e mundur për faktin që një shkrimtar i talentuar për fëmijë, dhe një studiues i përkryer për këtë fushë të letrësisë, të mbajë edhe prizmin kritik për të shmangur e zgjeruar shijet e tij, të cilat janë të lidhura ngushtë në shtëpinë e vet krijuese, si një praktikë e analizës së tekstit, në një ligj të përgjithshëm të letërsisë, por në faktin kur Dedaj na jep një analizë tekstore aty del qartë planeti dhe universi letrar i tij, po aq edhe ai analitik. Por studimi i tërësisë planetare të tij, ashtu si edhe ai angazhim i të tjerëve ndaj tij duhet të jetë i bazuar në atë që të gjithë aspektualitetet e letërsisë në të vërtetë kanë kudo dhe ngado: në dritën e tij, çdo gjë që çdo shkrimtar shumë i respektuar mendon për letërsinë në përgjithësi duhet të bënte ‘vëmendjen’ e duhur për arsyet që do të shfaqen në perspektivën e duhur. Studiuesi Dedaj duke folur si nga këndi i shkrimtarit, ashtu edhe nga këndi i studiuesit, prodhon njësoj si kritiku, jo thjesht kritikë, por dokumentet që duhet të shqyrtohen

nga kritikët e tjerë në një angazhim më jetik e më të vazhdueshëm. Nocioni se krijuesi domosdoshmërisht është ose mund të jetë një përkthyes kulturor i vetes apo i teorisë së letërsisë i takon arsyes së vetë nëntekstit. Korniza nuk është ajo e letërsisë në vetvete, por bazëdhënia shkencore që një subjekt do të asimilojë profesionalisht në diçka tjetër të rrëndësihme përtej planetit studimor të Dedjas.

Planeti studimor i Dedjas

Në planetin studimor të Dedjas asisti është prejrrjedhës, po aq edhe tejcues i mesazhit të grumbulluar. Asisti kritik ndeshet me fakte. Përshembull portretet e bukura të kafshëve të shkruara nga Kristoforidhi me një frymë rigoroze shkencore, sic janë vjershat moralizuese dhe vjershat diturake të Naimit janë parë si një lloj asisti në studimin e Dedajt. Po kështu edhe vjershat diturake të Papa Kristos, të Gjerasim Qiriazit etj. nga pikëpamja e përmbajtjes këto lloj shkrimesh në prozë dhe poezi japin sipas Dedajt, mësime shkollore, këshilla mbi sjelljen, mbi vetitë e karakterit të njeriut, marrëdhëniet midis njerëzve në shoqëri, mbi nevojën e punës, ato edukojnë dashurinë për atdheun, për lirinë dhe gjuhën shqipe. Kjo flet qartë se planeti studimor i Dedaj e sheh arsyen e kritikës këtu tek këto thkese letrare si një lloj burimi të ndikuar nga jashtë, po aq edhe nga pamja dhe gjendja reale në vend. Të asistojë kritika për një qëndrim që rrjedh nga jashtë kritikës është që të ekzagjerojë vlerat në literaturën që mund të lidhet me burimin e jashtëm, çfarëdo qoftë ajo. Është shumë e lehtë për të vendosur në literaturë

një skematizëm ekstra-letrar, një lloj ngjyrimfiltrues kohor, gjë që e bën atë të jetë e gabuar, ndërsa Dedaj argumenton ajo që i dha më shumë jetë Rilindjes ishte me një vecori orrigjinale të letërsisë për fëmijë. Të gjitha këto qashten mes asaj që është e vështirë në letrësinë për fëmijë të vendeve të tjera të gjesh një harmonizim kaq organik dhe një lidhje kaq të ngushtë të mësimit në shkollë me letrësinë artistike për fëmijë. Sipas Dedajt të krijohet përshtypja se në këtë periudhë për të cilën bëjmë fjalë, letrësia për fëmijë dhe mësimi shkollor në gjuhën shqipe për arsye të pushtimit të huaj, janë një proces i njëzuar, një proces i vetëm. Sot kjo temë pikërisht duket arsye tjetër, ndikuese, komerciale dhe madje edhe e shkëputur nga binomi letrësi-shkollë. Atëherë shpjegohej me rrethanat historike të kohës, ndërsa sot me mungesën e interesit dhe kontrollit shkencor dhe profesional të tekstit që shkruhet, serviret, apo edhe për shkak të kritikës që ende bën punë ‘vullnetare’ aq sa ajo mundet dhe e sheh të mudshme. Në një kohë që kritikët janë, studiuesit mbeten, ajo që mungon është respekti ‘ekonomik’ ndaj tyre. Në kushtet për të cilat flet Dedaj, arketipi i situatës shembte mite të tilla që lidhen me fatin e jetës së intelektualit, por ama sollën mes planetit të Dedaj një arsye më shumë në fatin e sotëm.

‘Syuzhet’ dhe ‘fabula’ në romanin “Presidenti i Planetit të Kuq”...

Të shkruash në fushën e letërsisë për fëmijë do kujdes dhe vëmendje. Të krijosh për fëmijët domosdoshmërisht do atë që Ciceroni e pati fiksuar hershëm “ai ka shkruar me kujdes të madh dhe vëmendje” (Magna cum cura atque diligentia scripsit). Kjo në gjuhën e shkrimtarit tjetër të mirënjohur shqiptar, Odhise Grillo, kuptohet me deklarimin se “shkrimtari i mirënjohur Bedri Dedja është një krijues poliedrik, …me përkushtim e vrull rinor” (Grillo, 1996). Kështu duket më qartë teksa merr në konsideratë të lexosh krijimtarinë e shkrimtarit akademik shqiptar, Bedri Dedja, ndërsa në këtë kënd e sheh letërsinë për fëmijë nga një majë tjetër, nga një kulm letrar. Janë në këtë kulm letrar disa libra me përrralla të këtij shkrimtari që datojnë në vitin 1954 e kur në vitin 1962 doli me “Një udhëtim i rrezikshëm” të ribotuar më pas në vitet 1970-të dhe 1981. Më pas janë me radhë mjaft libra të botuara më parë e të ribotuara më vonë si “Kallëzimet e gjyshe pastërtores” (1963; 1965; 1976); “Përralla popullore mbi kafshët” (1957); “Përralla e tre vëllezërve” (1957, 1995); “Heroizmat e Fatbardh Pikaloshit” (1954, 1955, 1962, 1965, 1995); “Bariu i vogël në mal të thatë” (1983); “Shkolla e pyllit” (1967, 1977, 1978, 1980); “Patoku në plazh” (1975); “Përrallat e shpatave të arta” (1976); “Kapiteni i shtrëngatës” (1970); “Përralla e lepurit dhe e breshkës” (1976); “Kërcënimi i thonjve kozmikë” (1976); “Gjyqi i macokut” (1962); “Alarmet e qytetit Sdikuisht” (1983); “Si katër ciliminj u bënë biznesmenë” (1995) etj.

Nga ky kulm letrar më shumë se dyzet librat për fëmijë në të gjitha llojet e gjinitë letrare, duke shtuar edhe atë masë të madhe të botimeve në fushën e pedagogjisë e psikologjisë, natyrshëm nga thënia e Ciceronit dhe deklarimi i Grillos forcojnë themelet e një shtrati bedenor në këtë krijimtari me një gjuhë të pastër. Është një gjuhë e kthjellët dhe e përzgjedhur që në këtë rast lexohet këndshëm dhe hap një dritare të rrëndësishme në përkthimin e saj në shumë gjuhë të tjera. Le të marrim si shembull librin “Përralla njëmbëdhjetëkatëshe” (1996). Gjuha e përdorur në këtë libër është jo vetëm gjuha që u duhet fëmijëve, por edhe mesazhi filozofik që u intereson të rriturve. Tek “Përralla e katit të parë, ose historia e miut të fundit të botës” mënyra se si e ndërton komunikimin gjuhësor autori është shumëkuptimëshe. Ai që në fillim zë fill me vëmendjen që duhet treguar në hapësirën midis dhe para kateve, jo thjesht se ‘na ishte një kat i parë…”, por se “…fare pranë dritares së katit të parë u rrëzua nga katet e sipërme një vazo me recel të mykur…”. Tre aspekte duhen parë këtu në këtë qëmtim filozofik të autorit. E para është se koha ka ndryshuar mendimin për katet e para. Ato janë bërë objekte ‘të shtrenjta’. Janë shndërruar në lokale, dyqane e destiancione fitimprurëse. E dyta lidhet me kujdesin e rrezikun e jetës nga qëndrimet poshtë kateve të larta. E treta është me traditën e harruar. Receli duket si i dalë mode, pra i ‘mykur’. Kështu tradita shqiptare e prodhimit të tij duket se po myket, po shndërrohet në një garniturë që shtyn njerëzit të harrojnë e autori të fillojë ‘përrallën e katit të parë’. Në këtë përrallë pastaj ‘miu i fundit i botës mbeti i vetmuar’. Dhe në pyetjen e autorit fiksohet qartë: “Po kush pyeste për perandorinë e minjve?” A nuk është kjo mjeshtëria që ka ndërfutur autori me elementët e tij semantikë për të ngritur probleme që u interesojnë edhe të rriturve, edhe fëmijëve? “Kështu ai takohet me shkrimtarin e madh italian Xhani Rodari” na vjen në ndihmë Grillo (1996). Ai takohet me Rodarin për vetë faktin sublim të gjuhës letrare dhe figurave, por edhe se të dy kanë përpos faktit se objekt i letërsisë është njeriu, bota, por dhe se ky është një objekt i përbashkët për të gjithë dijen njerëzore edhe për fatin e përcimit të dijeve nga historia, Filozofia, shkenca etj. Pra, krijimtaria e shkrimtarit Bedri Dedja nuk është thjesht një produkt i fjalës ‘frymëzim’, por një qenie që realizohet me përfshirjen e shkrimtarit brenda objektives dhe objektivitetit strukturo-ideor të prozës, ose më saktë atë që S. Hamiti e ka quajtur ‘përqendrim’ (Hamiti; 1999:10). Me këtë përqendrim shkrimtari nuk i përjashton pikëtakimet me interesin e përgjithshëm shoqëror, por rrit funksionin e tregimit të tij duke e bërë atë të aftë për një shoqëri polivalente dhe gjithmonë më të gjerë se ai i shoqërisë në një cast historik. Në këtë rrugë është edhe romani “Presidenti i Planetit të Kuq” (2004). Kështu me një kritikë objektive, që nënkupton metodën e argumentimit shkencor, bazuar në teorinë më të njohur sot do të ndërtojë një argument të shëndoshë që dikton dhe zbulon vlerat unikale dhe të papërsëritshme. Së pari do të analizojë diskursin anatemik me të cilin romani i jep përgjigje një morie shkrimesh lidhur me krijimtarinë për fëmijë. Së dyti do të diskutojë se cfarë kuptimi ka një ‘tkurrje’ që e zhdërvjelltëson krijimtarinë për fëmijë. Duke e marë në konsideratë romanin “Presidenti i Planetit të Kuq” ky argumentim shkencor natyrshëm do të reflektojë edhe me shkrimet paraardhëse në këtë pikë. Më së shumti si parantesë integrale do të jetë vëzhgimi në lidhjen Dedja, letërsia për fëmijë dhe ‘marrëdhëniet reciproke midis llojeve të artit’. Duke e nisur pikërisht me këtë do të synoj të ndërtoj një shtrat më të gjerë të konsideratës për romanin në fjalë.

Dedja, letërsia për fëmijë dhe ‘marrëdhëniet reciproke midis llojeve të artit’

Në krijimtarinë shqiptare aty nga mesi i viteve shtatëdhjetë një nga studiuesit shqiptarë të asaj kohe argumentoi në fushën e kritikës letrare me temën rreth ‘marrëdhënieve reciproke midis llojeve të artit’ (Mato, 1975). Ishte pikërisht Jakup Mato që mes ideve të tij trajtonte problemet teorike të lidhura në llojet e ndryshme të artit. Më pas nga fillimi i viteve tetëdhjetë ishin një mori krijuesish dhe kritikësh që do të shikonin këtë lidhje me pikëvështrime të ndryshme. Llazar Siliqi, do të shihte gruan dhe figurën e saj mes pasqyrimit të plotërisë së jetës. Diana Çuli do të vëzhgonte zbulimin e botës shpirtërore të të rrinjve në romanin e asaj kohe. Ndue Zef Toma i sillej një këndi tjetër me vëzhgimin e heroit lirik të poemave. Lumira Berati trajtonte këtë tematikë mes fizionomisë shpirtërore të fshatarit nga tematika e disa romaneve. Në aspektin e kritikës artistike studiues si Bashkim Kuçuku, Xhezair Abazi, Bestar Kongoli, Skënder Buçpapaj apo Fisnik Sina, do të ndaleshin përkatësisht tek tablotë e gjalla, tiparet dhe veçoritë e një individualiteti poetik, mozaikët me figura e ngjyra të larmishme, udhëtarë nëpër rrugët e jetës dhe disa kundrime poetike të njerëzve dhe dukurive. Të gjitha këto ishin disa nga anët ku kritika ‘nënshkruante’ me dorën e saj atë dukuri që lidhej me ‘marrëdhëniet reciproke midis llojeve të artit’, por me këndvështrime gati tipike, gati të këndëzuara.

Dhe ndërsa hidheshin këto ide dhe mendime në fushën e kritikës letrare, ajo që binte në sy ishte elokuenca diametrike në kapjen e plotësisë së krijimtarisë letrare dhe artistike. Hapësirat që kapeshin ishin ana tjetër që binte në sy. Letërsia për fëmijë mbetej disi e vakët në këtë këndvështrim kritik, madje tradita e Rilindjes Kombëtare ishte një hapësirë që ishte si një kënd i mëvetësuar në këtë traditë të saj. Në këtë hapësirë, ishte pena dhe krijimtaria studimore e shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Bedri Dedja, që ndërmori në atë kohë të riskonte realitetet dhe heshtjet ndaj fushës së letërsisë për fëmijë në hapësirën kohore shqiptare dhe të sillte studimin e tij “Mbi traditën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare në fushën e letërsisë për fëmijë” (Dedja, 1975). Në këtë studim Dedja do të zbulonte me autoritetin e tij studimor, se koha e artë e Rilindjes kishte edhe meritën e saj të madhe të krijimit të traditës së fillimeve të letërsisë artistike për fëmijë në gjuhën shqipe. Ai do të gjente në këtë studim nga ana e këndvështrimit të tij atë lidhje mes faktit që diktonte ‘frymën e thellë patriotike edukative’ (Dedja, 1975:82).

Duke ndjekur rrugën e studimit të këtij studiuesi shqiptar bie në sy edhe fakti i mirëfilltë dhe i pamohueshëm se ‘tradita e shkrimeve të posaçme didaktike për të vegjël, nis aty nga fundi i shekullit të XVI’. Por në fakt dihet mirë edhe prej vetë studiuesit në fjalë, edhe prej disa hulumtuesve të tjerë se gjer nga fillimi shekullit të XIX nuk ka letërsi të mirëfilltë artistike për fëmijë. Shumë autorë e mësues u morën me libra didaktike e shkollore gjer tek Naum Veqilharxhi, por asnjë nga këto vepra nuk dha ndonjë shkëndijë të qartë në fushën e krijimtarisë artistike të kësaj fushe të marë në konsideratë.

Krijimtari që i reziston kohës

Nga konsideratat e mara në lidhje me kritikën në përgjithësi, por edhe me studimin e letërsisë për fëmijë si në këtë hapësirë kohore, ashtu edhe më vonë, ajo që ndeshet është mosrrokja e kësaj krijimtarie dhe mosvendosja e saj në planimetrinë e saj të dukshme e të nevojshme ku shihen dhe klasifikohen aspektet e ‘marrëdhënieve reciproke midis llojeve të artit’. Krijimtaria për fëmijë si e tillë në krijimtarinë e shkrimtarit Dedja, por edhe në tematikën e tij, mbetet aq e rrëndësishme, por edhe dyfish-kuptimplote për të kuptuar se prodhimi letrar artistik i fushës për fëmijë, i të gjitha kohërave duke filluar që nga krijimtaria e rilindësve, ka patur pa dyshim karakteristikat e veta e të ndjeshme. Shumëllojshmëria krijuese, vjershat, tregimet, fabulat, përrallat, copat letraro-shkencore janë një dëshmi e padiskutueshme për vetë ekzistencën e tyre të hershme në tekstet shkollore në shkollat elementare të gjuhës shqipe. Mjaft prej krijimeve të hershme ndeshen edhe në kurrikulat e arsimit plotësues në diasporë dhe mbesin ajo që shkrimtari Dedja diktonte që në studimin e tij të viteve shtatëdhjetë: “të tilla janë pothuaj të gjitha shkrimet për fëmijë të Naimit (me përjashtim të “Vjersha për mësonjëtore të para”), të Kristoforidhit, Samiut, Papa Kristo Negovanit, Luigj Gurakuqit etj” (Dedja, 1975:83).

Ajo që Mato në fakt e sheh në ‘vellon estetike’ të përgjithësuar e të harruar të trajtesës së fushës krijuese për fëmijë, duket se është një zgjim didakt dhe i rrëndësishëm i studiuesit Dedja (Mato, 1975:108). Në një plan retorik, por tejet paralel me hapësirën, kohën dhe vendin, si aspekt filozofik i domosdoshëm, mund të sillet edhe fakti i Alfred Uçit tek “Estetika, jeta, arti”, kur parasheh ‘influencën pozitive’ të marrëdhënieve mes arteve dhe fushave krijuese të ndryshme (Uçi, 1973:113). Në këtë dimension studiues shqiptar, natyrshëm ndërmarja e Bedri Dedjas, forcon idenë se fusha krijuese për fëmijë është një dimension sa i rrëndësishëm, aq edhe kombinues në trësinë e marrëdhënieve krijuese dhe artistike. Është një fushë që kërkon më shumë se kushdo art tjetër një ombrellë të gjerë e të madhe bashkëvepruese, e jo vetëm mbrojtëse prej ‘shirrave’ apo stuhive që i këpusin telat. Themi kështu pasi është fakt se letërsia për fëmijë është një letërsi që kërkon ilustrimin, ngjyrën e duhur, narracionin, figurën, kopertinën e zbukuruar, figurën artistike dhe mjaft lidhje të tjera që e shpijnë atë sa në një shtrat arti në tjetrin. Pra letërsia për fëmijë është ajo që kërkon shtrat më të madh në atë që Mato e quante ‘marrëdhënie reciproke midis llojeve të artit’. Është ai shtrat të cilin e gatuan krijues shqiptar si Gjerasim Qiriazi, Mitrush Kuteli e mjaft të tjerë dhe në arenën pedagogjike evropiane me vepra të mirënjohura si “Qyteti i Diellit” të Kampanelës, “Utopia” të Tomas Morit, “Emili” të Rusoit apo “Lingardi” e “Gertruda” të Pestaloccit.

Kështu bindemi edhe më shumë se krijuesit dhe studiuesit e fushës për fëmijë si Bedri Dedja, janë ata që meritojnë shumë, ata që mbesin një udhërrëfim në fushën krijuese dhe lidhjen mes arteve. Duke mbetur në këtë pikë, parë natyrshëm edhe nga studimi i shkrimtarit akademik, Bedri Dedja, shihet në konkluzion se një objekt interesant studimi, ndonëse nga volumi është i pakët, mbetet përherë e më shumë koordinacioni krijues i kohërave për tërë fushën krijuese për fëmijë, në të cilën, vetë profesori Dedja mbetet një përmendore letrare. Romani “Presidenti i Planetit të Kuq” me vetë arkitekturën e tij duket se formon shtratin e duhur për të ndërmarë këtë nismë. Ajo që Xheladin Mjeku e sheh tek fjala e ardhur nga kritika franceze “Syuzhet” dhe të cilën Mjeku në analizën e tij për romanin në fjalë e citon “syzheu” është një nga elementët e duhur të caktojë formatin e nevojshëm në argumentimin shkencor të romanit.

‘Syuzhet’ dhe ‘fabula’ në romanin “Presidenti i Planetit të Kuq”

Para se të vazhdoj më tej me argumentimin shkencor në këtë pikë, dua të sqaroj paksa funksionin e këtyre dy fjalëve në prozë ‘Syuzhet’ dhe ‘fabula’. ‘Syuzhet’ ose syzheu, është një definicion që lidhet me plotin në prozë. I pari që e mori në konsideratë atë ishte Viktor Shldovsky, i cili me përdorimin e tij argumnetues shkencor sendërtoi ndryshesën në kuptimin historik me fabulën. Por më tej ishte David Bordwell, ai që e formoi të saktë përcaktimin e saj. Kohë më parë në një nga studimet e mia “Parametarat narrativë” (2007) kam shpjeguar këtë lidhje me tërë strukturën narrative, si edhe me filmin. Duke e konsideruar këtë lidhje të ndryshme mes ‘syuzhet’ dhe ‘fabulës’ sipas Mjekut, ‘ndërlidhja e përrallës me botën fantastiko – shkencore provokon imagjinatën e fëmijës’. Mjeku shkruan: “Në fillim të shqyrtimit të ndërtimit dhe trajtimit të problemeve të vendosura në syzheun e romanit fantastiko - shkencor për fëmijë "Presidenti i Planeti të Kuq", do të anashkalojmë fabulën narrative dhe të prekim veç disa prej karakteristikave dhe karaktereve që e shquajnë tematikën e shtjelluar brenda në vepër. Kjo nga arsyeja që t’i mbetet sa më shumë hapsirë e virgjër lexuesit, i cili në të shumtën e herave nuk gjen arsyen të bredh faqeve të librit, kur në një shkrim sado përciptazi të jetë i shtjelluar, mëson veprimet dhe bëmat e personazheve e deri në epilogun e veprës.” (Mjeku, 2010).

Vazhdon...


82 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page