Shefki Hysa
Faraonë e firaunë
Politika shqiptare ka zgjedhur modelin faraonik të qeverisjes të marrë nga Egjypti i Lashtë, me të vetmin ndryshim se dikur aty qeveriste një Faraon, kurse në Shqipëri qeverisin njëherësh shumë faraonë të drejtuar (formalisht) nga Kryefaraoni. Dhe ky model është zgjedhur me konsensusin e plotë të Pozitës dhe Opozitës (kujtoni konsensuset e famshme të politikës sonë në çastet e sa e sa krizave që ka kaluar vendi ynë në epokën e postkomunizmit, pas vitit 1990).
Kurrë mos harroni se në Shqipëri, ndryshe nga vendet e tjera, Mazhoranca e Minoranca janë një, prej njëra-tjetrës dallojnë sa për sy e faqe nga ngjyra e nga ashpërsia e debatit se kështu e kërkon Evropa demokratike (më saktë kështu i do mushka drutë). Pra, po ta zbërthesh hollë-hollë, Pozita e Opozita shqiptare, që janë të lidhura fort kokëposhtë e kokëlartë si portreti i derrit maç, qeverisin njëherësh e njëkohësisht dhe meqë kanë zgjedhur modelin faraonik, si model bashkëqeverisjeje (me konsensus), patjetër duhet të kenë faraonët dhe kryefaraonët e tyre. Dhe i kanë. Dhe i paçin me shëndet! I paçim edhe ne me shëndet (duam s’duam i kemi)!
Po pse kjo farë politike ka rendur gjer në Egjyptin e Lashtë dhe ka zgjedhur këtë model të vjetër qeverisjeje, do të habitet ndonjëri nga ju?! Mos u çudisni se edhe po u çuditët, çudia më e madhe thonë se zgjat vetëm tri ditë. Ideja është vërtet e vjetër, por, e përpunuar sipas stilit të politikës shqiptare, shfaqet si një realizim artistik bashkëkohor i shkëlqyer e tejet mbresëlënës që në radhë të parë kënaq e shfryn tërë egot politike pozitë-opozitë dhe lë me gojë hapur tërë politikanët e huaj që janë caktuar të monitorojnë zhvillimet faraoniko-demokratike në Shqipëri.
Të huajt e gjorë shokohen njëlloj si dje prej politikës komuniste shqiptare, edhe sot prej faraono-demokracisë sonë dhe të shtangur para kësaj gjetjeje origjinale, duke mos ditur ç’të thonë, veç tundin kokën të ekzaltuar: “Gut, gut! Shqiptarët janë në rrugë të mbarë, si gjithmonë në shtigje të pashkelura më parë!”…
Dhe kështu politika shqiptare (Mazho e Mino) qeveris rehat duke ngritur minipiramida e makropiramida në kurriz të popullit të vet punëtor të palodhur e të pafjalë. Vetëkuptohet secili faraon ndërton piramidën e tij. Dhe të gjithë faraonët të marrë sëbashku (Mazho e Mino) që nga piramidat e veta i përulen paksa lehtësisht qesëndisës Kryefaraonit (të emëruar prej tyre) të ngujuar në Kryepiramidën e tij për t’ju shmangur sa më shumë dallgëve të lakmisë faraonike që sundon gjithandej në Faraoninë-Shqipëri.
Faraonët nuk mund të qeverisin vetëm, jo se nuk duan, por nuk kanë aq tru. Dhe detyrohen të mbajnë një stan oborrtarësh me vete (të mirëpaguar), të cilët quhen ose janë firaunë (shqip: këshilltarë e avokatë të qoftëlargut). Firaunët, megjithëse rrinë në hije në prapaskenën e oborreve, janë pushteti i vërtetë i Faraonisë. Faraonët përkulin kokën, zgjatin veshët, dëgjojnë çuçurimat e firaunëve dhe pastaj ngrefen si meshkujt e pallonjve dhe japin verdiktin e tyre për të tashmen dhe të ardhmen e Faraonisë-Shqipëri. Nuk e kanë të vështirë të ndryshojnë e të rishkruajnë edhe të kaluarën e saj sipas këndvështrimit të tyre (më saktë të firaunëve). Pra, për fat të keq a të mirë, quajeni si të doni, dua s’dua unë, doni s’doni ju, Shqipëria qeveriset nga firaunët që rrinë bodrumeve si kobrat helmuese (kobra simbol faraonik).
Verdikti faraonik
Dhe u mblodhën kokë më kokë firaunët dhe nxorrën përfundimin se ekzistenca e letërsisë është vdekjeprurëse për përjetësinë e sistemit faraonik, se shkrimtarët duke qenë misionarë priren nga idetë e zhvillimit shoqëror, nga utopitë për të parë popullin sovran dhe jo faraonët e pushtetin e tyre. Si e tillë, letërsia duhet të vdiste dhe të zëvendësohej me një formë tjetër, grafomaninë, të mirëpaguar, të ngjajshme me të në paraqitje, por të ndryshme në thelb, në zemër. E kush e sheh zemrën e ndokujt në kohë të turbullta? Shihet veç dukja. Dhe grafomania në pamje do të ngjante me letërsinë dhe në zemër do të kishte të vetmen ide: përjetësimin e pushtetit faraonik shqiptar.
Dhe firaunët u çucuritën në veshë faraonëve dhe faraonët kryefaraonëve dhe kryefaraonët Kryefaraonit se letërsia postkomuniste shqiptare nuk duhet përkrahur e nxitur, përkundrazi duhet goditur, mallkuar e shpërfillur si krijesë heretike. Mor po tekefundit duhet deklaruar e vdekur, se nuk ka pasur ndonjëherë letërsi postkomuniste se edhe nëse ka shpërthyer ndonjë shkëndijë e saj ka qenë thjesht një manierë naïve e disa krijuesve naivë që e lanë e vdiq nga naiviteti e pakujdesia si një foshnjë të paushqyer mirë (për letërsinë në Kosovë, Maqedoni, Çamëri e në trevat e tjera shqiptare as që bëhet fjalë se ka ekzistuar ndonjëherë).
Pra, letërsia vdiq! Kështu çuçuritën firaunët qesëndisës ndaj paditurisë së faraonëve, kështu përsëritën me kryet lartë edhe faraonë e kryefaraonë. Dhe Kryefaraoni deklaroi: Letërsia ka vdekur!
Dhe më vonë, pas këtij verdikti, në kohën e lirë të faraonëve, oborrtarët firaunë, ashtu si me lezet, arsyetojnë e u argumentojnë shefave të tyre se Shqipëria është ajo që është: një vend i varfër në ide, pa elita intelektuale, pa heronj, pa pasuri natyrale, i pazhvilluar ekonomikisht dhe që do të rritet e zhvillohet vetëm nën sundimin e ideve dritëdhënëse faraonike, se vetëm pushteti i faraonëve (i frymëzuar prej firaunëve) do të bëjë mrekulli në Faraoninë-Shqipëri. Qoftë i përjetshëm pushteti i tyre!
Dhe firaunët nuk lodhen së shtjelluari hipotezat e tyre, me dëshirën për t’i bërë sa më parë ligjësi të pushtetit faraonik. Dhe çuçurisin e çuçurisin e pretendojnë se edhe heronj si Skënderbeu kishin kusuret e tyre e nuk dihet nëse ishin a jo shqiptarë, po ashtu edhe rilindasit Naim Frashëri e compani, realistët Migjeni e compani…
Edhe ndonjë politikan si ai Ismail Qemali sikur e kishte të dyshimtë biografinë, Ahmet Zogu po e po, e shiti një copë Shqipërie, e kështu me radhë e me radhë.
E kështu nën arsyetimin e firaunëve zënë e zbehen të gjitha elitat dhe bien nga piedestalet e Panteonit të Kombit për t’u ngjitur lart ata: faraonë e firaunë, të vetmit shpëtimtarë të Shqipërisë. I përjetshëm qoftë pushteti i tyre!
Dhe firaunët pasi i shtrojnë, i shumëfishojnë e i publikojnë gjithandej hipotezat e tyre nëpër rrymat e padukshme të thashethemnajës për autenticitetin e dyshimtë të heronjve shqiptarë, nuk përtojnë të hidhen një vrap edhe te fqinjët tanë aq të dashur, grekë e serbë, të flirtojnë lumturisht me ta e t’u thonë se më në fund Shqipërinë e kanë katandisur në një shkretëtirë intelektuale, pa histori, pa të shkuar e të tashme origjinale. E ardhmja vetëkuptohet do t’u përkasë atyre, faraonëve e firaunëve, qoftë edhe nën hijen e Cezarit (shqip: grekëve e serbëve)!
Dhe grekët e serbët, të gjorët, të vënë në siklet prej firaunëve, për të mos ua prishur atyre (jo për gjë tjetër!), nëpërdhëmbin se nëse nuk i doni ju heronjtë tuaj, më saktë kur ju po i shpallni kopilë, le t’ua japim ne atësinë. Prishur mos qoftë!
Punë e madhe se po na vidhen heronjtë, historia. Jetojmë edhe pa histori, siç jetohet pa letërsi. Mjafton të jetë shëndoshë Faraonia! Dhe rroftë grafomania!…
Dhe kështu faraonë e firaunë e cezarë bëjnë e bëjnë pazare në kurriz të çështjes shqiptare me dëshirën e vetme të përjetësojnë pushtetin e tyre, qoftë edhe me mbështetjen e qoftëlargut.
Letërsi e vdekur a…
I nderuar lexues, me përulje të madhe po i thërras arsyes tënde që të mos e keqinterpretosh këndvështrimin tim për letërsinë shqiptare para se të lexosh edhe radhët e fundit të këtij shkrimi. E di se çdokush në pozitën e të painformuarit për gjendjen e vërtetë të letërsisë shqiptare, me të drejtë mund të ngrihet e të protestojë ndaj meje e të më turret e të më shfryjë e të ma përplasë në sy siç bëri edhe një miku im, i cili pa iu dridhur qerpiku më tha se ti, Shefki, po sillesh poshtërsisht, se po e viktimizon kaq shumë letërsinë shqiptare dhe se po merresh kaq gjatë me agoninë dhe me rekuiemin e saj, saqë nuk e meriton të jesh shkrimtar. Mor po bëri mirë shteti që ua mori ndërtesën e LSHA-së, një nga drejtuesit e së cilës ishe edhe ti, Shefki, që ke kurajën dhe thua se letërsia shqiptare ka vdekur…
Ç’të të them, i nderuar lexues, miku i keqkuptuar më bëri për ujë të ftohtë. Dhe një keqkuptim i tillë është rebelim ia paarsyeshëm e me pasoja. Mund të pranosh se çdokush i painformuar, njëlloj si ai miku im, mund të ngrihet e të mbrojë edhe hipotezën se letërsia shqiptare është shëndoshë e mirë dhe se deklarimi i saj si e vdekur është një paturpësi e padëgjuar ndonjëherë, një veprim aq i pamoralshëm e i çmendur, saqë nuk i lejohet as një hasmi. Mor po është veprim i hapur e i qëllimtë armiqësor, kështu m’u përvesh ai miku im, i nderuar lexues… Dhe zemrën ma bëri copë-copë… Dhe nuk i kisha asnjë faj…
Dhe ai, çdokushi, miku im e i juaji, i nderuar lexues, njëlloj si ai miku që përmenda, për kundër pikëpamjes sime mund të sjellë plot fakte sesi shteti ynë i dashur e do dhe e ka për zemër letërsinë, sponsorizon çeljen e panaireve të librit artistik atje te piramida e tij a QNK-ja (Qendra Ndërkombëtare e Kulturës!), siç e quajnë zyrtarët e Ministrisë së Kulturës, promovon botimet e Kadaresë (mor po është hapur edhe një librari e madhe në mes të kryeqytetit me emrin “Kadare”) dhe… dhe…
Mor po seç po promovohen edhe ca libra të tjerë të ca të tjerëve, më tha befas i hutuar miku im që nuk di se si e humbi papritur toruan dhe vrullin hakmarrës ndaj meje… Hë, pra të kujt tjetër se nuk po më kujtohet, o miku im, Shefki?!… Më kupto, i nderuar Shefki, se nuk po më kujtohen për momentin… Mor po seç janë ca emra, si të dëgjuar janë, por ja që nuk po më kujtohen për momentin, që thuhet nëpër televizione se kanë ca poste të larta dhe seç kanë shkruar dikur… Vërtet kanë shkruar dikur dhe vërtet që edhe unë diçka kam lexuar prej tyre, por ja që nuk më vjen asgjë ndërmend…
Të më falësh miku im, Shefki, se mbase s’u kam kushtuar edhe unë vëmendjen e duhur veprave të tyre a mbase janë vërtet aq të dobëta sa të mos më kujtohen?… Po pse t’i promovojë shteti atëherë të tilla krijime që nuk të ngulen në tru?… Të mos jenë letërsi e vërtetë?!… Po kjo është çmenduri e rrallë, mor Shefki?!… Pse të shkojnë paratë e shtetit, djersa jonë, djersa e taksapaguesve shqiptarë për të promovuar një letërsi që nuk është letërsi?… Përse djali im të mësojë vetëm broçkulla në shkollë për lloj lloj bylmezash që nuk janë shkrimtarë e që as vetë nuk e dinë se për çfarë shkruajnë dhe të mos mësojë ato që thonë veprat e Fishtës, Konicës, Xhaferrit?…
Përse djali im të mos mësojë se ç’thotë letërsia postkomuniste, siç e quan ti?!… Përse djali im dhe nipat e mbesat e mia të mos mësojnë se ç’është shkruar për Çamërinë pas vitit 1990 në ato librat e tu me tregime aq interesante, të cilat kur i kam lexuar kam qarë?!… Mor po për atë librin tënd me tregime “Aromë Çamërie” ka shkruar aq bukur edhe Ismail Kadareja, Dritëro Agolli, Visar Zhiti e të tjerë që nuk më kujtohen për momentin se m’u ka bërë truri dhallë?!… Pse shteti ynë nuk financon të tilla botime, po merret me të paqenit?!… Përse ky fat kaq i keq për fëmijët tanë?…
Po këta politikanët nuk kanë fëmijë?… Nuk u dhimbsen fëmijët e tyre që i çojnë në shkolla dhe mësuesit ua mbushin trutë me atë farë kashte që kanë tekset e letërsisë shqiptare, në vend që të kishin kokrrat e grurit safi të vërtetë, siç ndodh me tekstet e letërsisë në botën e qytetëruar?…
Pyet shtetin e jo mua, i dashur mik që më paragjykove aq shumë sa desh më mbyte me pështymë, pyet Ministrinë e Arsimit, pyet burokratët që drejtojnë bordet e librit artistik, në vend që t’i drejtojnë shkrimtarët e vërtetë, ia preva fjalën mikut tim, i nderuar lexues, po ku dëgjonte ai?!…
Të jenë shkresurina burokratësh, grafomanësh, me një fjalë libra kufoma, siç shprehesh ti, miku im, Shefki, këmbëngulte ai?!… Si thua ti, Shefki, se m’u ka bërë mendja çorbë ca nga që jam i revoltuar nga qëndrimi yt pak ekstremist e ca nga që nuk po e shpjegoj dot se pse u bëkan tërë këto promovime për vepra që nuk janë letërsi?!… Përse shteti dashka më shumë kashtën se sa prodhimin e grurit?…
Sidoqoftë mbi ato kufoma ngrihet vepra e Kadaresë dhe kjo mjafton që letërsia shqiptare të mos deklarohet e vdekur… Të mos abuzohet… Të lutem edhe ty, Shefki, të mos e teprosh me atë xhenazen e sajuar të letërsisë… Megjithëse tani që po e vras pak mendjen dhe po e gjykoj me gjakftohtësi atë maskaradë promovimesh për ata farë autorësh e librash që mund të flasin edhe për alienët e jo për ne shqiptarët e sotëm dhe për të ardhmen e fëmijëve tanë, pa dashur, të jap të drejtë ty dhe shqetësohem me qëndrimin e shtetit… Sidoqoftë kemi Kadarenë… Letërsia mbahet gjallë edhe vetëm me Kadarenë…
E gjallë a e vdekur?!…
Pra, letërsia mbahet gjallë edhe vetëm me Kadarenë… Kështu u justifikua dhe e mbylli gojën miku im… Po a është i saktë ky “postulat” i mikut tim, i nderuar lexues?!… Le të arsyetojmë së bashku, por së pari të më falësh, i nderuar lexues, që ta lodha gjykimin me qëndrimin e mikut tim. Mbase e teprova ca, por jam nisur thjesht prej dëshirës që të të kem aleat pikëpamjesh dhe jo të më paragjykosh padrejtësisht…
Po e vazhdoj më tej arsyetimin, i nderuar lexues, me mendimin se po e shohim problemin nga i njëjti këndvështrim. Nuk jam unë ai që dëshiron dhe deklaron vdekjen e letërsisë shqiptare, por firaunët e faraonët e shtetit… Nuk jam unë ai që shprehet nëpër ekranet e televizioneve se nuk ekzistojnë shkrimtarët dhe krijimtaria letrare postkomuniste, por ata, firaunët, që mundohen të argumentojnë se letërsia shqiptare mund të mbahet gjallë ende me Kadarenë dhe me lloj-lloj kufoma të socrealizmit, të cilët vazhdojnë t’i mbajnë me kimet, t’i financojnë e t’i propagandojnë (për vepra që nuk i njohin as ata vetë e të tjera që nuk janë shkruar kurrë) si monumente kulture që mbrohen nga shteti…
Pse këmbëngulin ata se “i fundit i mohikanëve” për letërsinë shqiptare është Kadareja (nuk kam asgjë kundër Kadaresë, për mua sot për sot është shqiptari më i madh, Ambasadori i Kulturës Shqiptare!)?… Fare e thjeshtë. Janë ata që mundohen t’i mbushin mendjen botës se Kadareja ishte një “aksident”, një rastësi në letërsinë shqiptare. Janë ata që pretendojnë se deshën dhe e sajuan për interesat e tyre mitin Kadare, se e financuan për të qenë simbol i socrealizmit dhe se kjo letërsi është e vertmja që ka lulëzuar denbabaden në këto treva. Lulëzoi se deshën ata dhe se edhe kjo rrymë letrare është e mbaruar, e vdekur pa Kadarenë (kupto: pa ata që e financuan). Letërsi tjetër nuk mund të ketë derisa të vendosin ata për ekzistencën e saj. Janë po ata që gjer dje çirreshin se Kadareja ishte spiun i francezëve, se e kanë blerë francezët, se… si rrjedhojë e këtij fakti nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë letërsi shqiptare (thonë ata). Shqiptarët nuk mund të bëjnë dot letërsi, po nuk deshën ata. Faraonë e firaunë.
Janë po ata faraonë e firaunë (të majtë e të djathtë) që me lloj-lloj shpifjesh janë munduar të zbehin vlerat e heronjve dhe elitave intelektuale shqiptare, për t’i thënë Cezarit të tyre (atij që i shesin interesat e Shqipërisë dhe që i mirëpaguan) se shqiptarët nuk meritojnë asnjë shans nga kjo botë, se janë një popull pa vlera, pa histori, pa kulturë, art e letërsi. pa të kaluar dhe të ardhme…
Ja pra pse sillen kështu politikanët tanë e mundohen të argumentojnë se letërsia e mirëfilltë ka vdekur, nuk ekziston… Mund të ekzistojë ajo që dëshirojnë ata…
Në këto kushte edhe mua askush nuk më ndalon të them: Është e drejta e politikës shqiptare t’i mbrojë ato farë “monumentesh”, ato farë kufomash, madje nisur edhe nga përvoja e saj faraonike, i sugjeroj t’i mumifikojë dhe piramidën e saj “QNK” ta shndërrojë në mauzole me eksponatet e mumjeve të tyre. Le të mirëpaguajë edhe ciceronë e t’i stërvisë që t’u shpjegojnë gjithë art faraonëve e kryefaraonëve shqiptarë ato farë vlera që bartin ato farë monumento-mumje për të djeshmen, të sotmen dhe të ardhmen e Faraonisë së tyre.
Është një e drejtë me të cilën shteti justifikohet e motivohet se ia kemi dhënë vetë verbërisht! Është një e drejtë që i lind për faktin e thjeshtë se janë vetë shqiptarët ata që kontribuojnë për përjetësinë e kësaj farë politike faraonike. Atëherë le ta gëzojmë bashkërisht këtë farë politike që vendos sipas interesave të saj (jo tonave) se cila është e mira dhe e keqja për Shqipërinë…
Merruni me shtetin tuaj dhe timin, ju o miqtë e mi, mos u merrni me pikëpamjet e mia… Shteti ynë keqpërdor të ardhurat nga taksat e djersës sonë; unë, e shumta, mund të keqpërdor fjalën, një keqpërdorje që mund të sjellë vetëm keqkuptime pikëpamjesh e jo skllavëri, siç sjell keqpërdorimi i votave tona prej faraonëve e firaunëve të politikës…
Klinikisht e vdekur…
Terrori që ka ushtruar shteti faraonik ndaj shkrimtarëve dhe letërsisë më në fund e ka bërë punën e vet. Shkrimtarët e periudhës postkomuniste tashmë ndihen të anatemuar, të çorientuar, të lodhur, të shpërfillur, as të gjallë e as të varrosur. Dhe njeriu në agoni mendon më shumë për vdekjen se sa për jetën dhe veprën… Dhe firaunët kanë një lloj të drejte që përmendin vdekjen. Letërsia tashmë ka vërtet pamjen e një të vdekuri. Ka pësur një vdekje klinike. Firaunët e kanë fituar përkohësisht betejën me të. Dhe festojnë duke e trumbetuar vdekjen e letërsisë si dhuratë për shefat.
Megjithatë firaunët janë djallëzisht të zgjuar. Ndryshe nga shefat e vet, firaunët e dinë mirë se çdo të thotë e vdekur klinikisht. Vdekja klinike është një komë e gjatë, një errësirë shpirtërore dhe një rendje e shpirtit drejt një tuneli drite që të nxjerr në parajsë. Pra, letërsia në këtë periudhë është më pranë Zotit se kurrë (këtë e dinë mirë firaunët, por është një gjendje jashtë mundësive të tyre). Thonë se të vdekurit klinikë sodisin një copëherë parajsën dhe rikthehen në këtë botë me shpirt të pastruar dhe me dëshira më të mëdha për jetën, pasi kanë përjetuar ekzistencën e Zotit.
Edhe letërsia që po përjeton përvojën e Zotit dhe Parajsës, ndoshta do të rizgjohet shpejt. Do të rikthehet në jetë me ato forca e magji që zotëronte në zanafillën e saj. Mjerë faraonë e firaunë atëherë…
Aedët shqiptarë
Shkrimtarët shqiptarë do të rilindin, do të ringrihen e do të jenë të paepur si aedët, rapsodët e parë të njerëzimit. Aedët! A-E-dët! Aedët janë tingujt e parë të alfabetit, janë klithma e parë me tone muzikore e botës së njeriut, ehoja dhe jehona e saj. Janë britmë poetike, këngë dhe isoja e saj. Aedët janë ata që thurën eposin e Gilgameshit, kënduan të mrekullueshmet Nibelunget, sagat e para në kufi të legjendave për lindjen e fëmininë e njeriut dhe bashkëjetesën me perënditë e imagjinatës së tij, që rrëfyen e recituan bëmat e botës parahomerike dhe që me potencialet e tyre shpirtërore frymëzuan të madhërishmin Homer.
Aedët janë rebelët e parë ndaj naivitetit dhe monotonisë së jetës së njeriut primitiv. Janë jo vetëm artistë rapsodë, poetë e këngëtarë që thurnin, interpretonin e këndonin plot magji vargjet e tyre, por edhe dijetarët, filozofët, kronikanët, historianët dhe sociologët e parë të njerëzimit. Para talentit dhe pushtetit që u jepte zotërimi i magjisë së artit përuleshin prijës e mbretër, tërë të fuqishmit e botës paraantike. Para fuqisë së tyre u përul dhe u frymëzua edhe mbreti i mbretërve të botës njerëzore, i mrekullueshmi Homer!
Para aedëve të rinj shqiptarë të postkomunizmit dikur do të përulen se s’bën
faraonë e firaunë dhe e gjithë ajo politikë e mbrapshtë që e ka pjellë tiraninë dhe terrorin e pushtetit të tyre, që ka uzurpuar e skllavëruar Shqipërinë. Para magjisë së letërsisë së tyre do të shemben e zhbëhen ngrehinat prej rëre të grafomanëve që vazhdojnë të gjallojnë e të mirëpaguhen për pseudokrijimet e tyre, që u kushtohen bëmave të Faraonisë, kësaj shkretëtire të përkohshme letraro-artistike që ka pllakosur Shqipërinë
Comments