Vangjush Saro*
LETËRSIA E MIRË DHE E VËRTETË ËSHTË E TILLË PËR ÇDO MOSHË…
(Ripublikohet me shkurtime në kuadrin e 1 Qershorit)
Ndërsa rilexojmë letërsinë e mirë, krijuar në kohëra, na bëjnë përshtypje: gjetja, rrëfimi i veçantë, thurrja e pamërzitshme e ngjarjeve, forca imponuese e tekstit, vizatimi origjinal i personazheve. “Zemra” e De Amiçiz, “Pinoku” i K. Kolodit, “Aventurat e Tom Sojerit” i Mark Tuen, “Oliver Tuist” i Ç. Dikens, “Pipi Çorapegjata” e A. Lindgren, “Djemtë e rrugës Pal” i F. Molnar, “Fëmijët e sotëm” i A. Nesin, etj. Në letërsi, zhanret janë njëlloj loje; le të mbeten ato në duart e studiuesve, për të bërë disa kategorizime. Çka përmenda më lart, dhe të tjera, janë thjesht vepra dhe arritje letrare që kanë kapërcyer shekujt, ashtu siç kapërcejnë kufijtë e moshave. Përjashto librat për moshat e vogla, mund të thuhet se nuk ka letërsi për fëmijë dhe letërsi për të rritur. Në konceptin tim, ka vetëm letërsi dhe ajo është një. E shumta që mund të shtoja për atë që e quajnë Letërsi për Fëmijë e Të rinj, është se ajo letërsi “përmbush edhe interesat e fëmijëve dhe të rinjve”.
Edhe pse me arritje dhe emra të spikatur, në këtë temë, Letërsia Shqiptare nuk ka vepra aso që të kenë kapërcyer moshën, kohërat dhe kufijtë e vendit; (do të doja shumë të jem i gabuar). Megjithatë, disa autorë si B. Dede, O. Grillo, S. Hasko, T. Gjokutaj, D. Bubani, P. Zoto, Xh. Beqaraj, A. Mamaqi, G. Bushaka, A. Bishqemi, etj., realizuan gjetje që për dekada merituan vëmendjen e lexuesve. Natyrisht, studimet kritike do të kompozojnë si duhet tablonë në të cilën mund të vendosen arritjet e tyre më të mira. (Kam lexuar studimin e një autori të ri, i cili ishte mjaft kritik (dhe vende-vende me të drejtë) me atë letërsi. Gjer edhe në krijimet fantastiko-shkencore nuk munguan terma si “Kooperativë, Sekretari i Partisë, Organizata-bazë” dhe të tjera mediokritete këso, ndërkohë që edhe në krijimet më të suksesshme e më të lexuara, motivet kryesore ishin të tilla si vajtja me vonesë në shkollë…)
Në dekadat e fundit, letërsia që “përmbush edhe interesat e fëmijëve e të rinjve”, për vetë rrethanat, përgjithësisht iku nga klishetë. Në kundërshtim me zërat mohues, si dhe prirjen e shumicës së Shtëpive Botuese për të sjellë vetëm libra të huaj, shpesh herë pa vlerë, mund të themi se letërsia e gjeti veten mirë në disa autorë më të rinj në moshë dhe të patrazuar nga nënshtresat ideologjike. Romanet “Meriyll” dhe “Ata kërkonin lumturinë” të V. Canosinaj janë ndër veprat më solide të krijuara në këto kohë. “Lulemaj” përcjell emocione pa fund; lexuesi bëhet një me episodet prekëse gjatë shtjellimit të “dramës” së dy adoleshentëve të dashuruar. Figura e Denit, është ndër shembujt e pakët që një mashkull shqiptar vjen në letërsi mjaft qytetar dhe elegant. “Djali i pëllumbave” i R. Brahollit, “Ishulli i fëmijëve” i E. Ramës, “Edhe pëllumbat qajnë” i F. Gjestilës, gjithashtu shënojnë arritje të rëndësishme në prozën e gjatë. Në poezitë më të mira të autorëve Sh. Zalla dhe Xh. Bushati nuk ka brohori, vihen re elemente lirike; prurjet e një frymëzimi e shpirti poetik janë të dukshme. Tregimet e F. Terziut dhe rrëfenjat e B. Xhamës e P. Koçit gjithashtu tërhoqën vëmëndjen e lexuesve dhe të kritikës letrare.
Kanë kontributet e tyre të spikatura në këtë letërsi edhe shkrimtarët Sh. Vreto, R. Pasmaçiu, S. Jakova, V. Kona, H. Kobellari, F. Lamaj, T. Kurtiqi, S. Pone, A. Dervishaj, Th. Jorgji, H. Meçaj, etj. Lexuesit, dhe krijuesit ca më tepër, kuptojnë ndërkohë që ka shumë për të bërë në shërbim të kërkesave estetike për një letërsi të mirë dhe që të shtyjë kufijtë e vendit, të moshës, të njohjes. Dhe këtu, biseda jonë përkohësisht është e mbyllur.
Një histori më vete në këtë lëmë, është përshtatja, sulmi ndaj shijeve të lexuesve, vjedhja e projekteve dhe çmimeve, përpunimi i tregut, industrializimi i fjalës, etj. Këto janë evidente kudo, edhe në Shqipëri. “Harry Potter-i” është ndoshta rasti më tipik se si fantazmagoritë dhe rëndomtësitë prodhojnë thjesht para. Ja disa nga nënvizimet e kritikut të njohur amerikan H. Blum, ndoshta nga zërat më bindës sot, për librin në fjalë: “M’u kërkua të shkruaj diçka në mënyrë të sinqertë nga botuesi i “The Wall Street Journal”. E pyeta, “Çfarë është?” Ai më shpjegoi se çfarë ishte Harry Potter-i. Vajta tek libraria e Yale dhe bleva një volum të lirë. Nuk e besova dot se ç’kisha para meje. Ajo që më dukej më e padurueshme, ishte fakti se kisha një klishe pas një tjetre. Sigurisht që librat e Harry Potterit janë një seri gjepurash. Si të gjitha gjepurat pa vlerë, do të flaket pas ca kohësh. Koha do ta fshijë. Ç’mbetet të thuash në këtë rast?”
Pa pretenduar se kemi shfletuar gjithë krijimtarinë e botuar**, ku patjetër ka edhe emra dhe gjetje të tjera, pa mohuar se në çdo vështrim (letrar) ka sadopak subjektivizëm, le të besojmë se letërsia e mirë, edhe ajo që “përmbush edhe interesat e fëmijëve dhe të rinjve” krijohet dhe përcillet në publik për të bashkëshoqëruar episodet e tjera të jetës. Pra, është një përpjekje për ta vizatuar botën në aspekte të veçanta të saj, është (thënë shkurtazi) një mundësi për argëtim, meditim dhe edukim.
……………………………………………………………….
*Në foto: me kolegët Sh. Zalla, A. Bishqemi, P. Koçi në një nga aktivitetet e para disa viteve.
**Nga krijimtaria (edhe për fëmijë e të rinj) e autorit të këtij shkrimi:
“Miku i vogël” / Poemë / “Naim Frashëri”, 1983
“Ervini dhe miqtë”/ Novelë/ “Toena”, 1993
“Një ditë pa mamin” / Novelë/ “Toena”, 1994
“Polic Këmbëvogli” / Novelë / “Reklama”, 1996
“Dy fëmijë në Kampionatin Botëror të Futbollit” / Novelë/ ASD, 2001
“Aventurat e Don Kishotit në Shqipëri” / Novelë/ ASD, 2004
“Rrëfime nga shkolla ime”/ Tregime / ASD, 2006
“Djali që u bë tullumbace” / Novelë (Anglisht dhe Shqip) ERIK Botime, 2019
“Dear Fox!”/ Fabula në prozë, Anglisht, Amazon 2020
“Mikesha”, “Dy në fushë”, etj. (Filma vizatimorë)
Comments