top of page

LETËR MIQËVE TË MI TË VJETËR


Pilo Zyba

Zotit ... Hyskë  Borobojka Zotit ... Bamkë  Çomaga

Të  nderuar miq! Kam kohë që po mendoj t’u shkruaj.Por siç e shikoni dhe vetë u vonova shumë.Pas këtyre që do të lexoni më poshtë mendoj se,faji për vonesën e këtij shkrimi, “ apo shkrimeve të tjerë” që duhej të ishin bërë, justifikohet disi dhe më heq një pjesë të fajësisë , “vonesë”.     Me që kërkuam “lirinë” due vumë krah e fluturuam larg, nuk mund të them se shtegëtuam, pasi zogjtë shtegëtarë kthehen në foletë e tyre çdo vit.Ne, o miqtë e mi, po shihemi rrallë e më rrallë. Është e vërtetë që ndonjë letër dhe mund ta kishim shkruar, por, “ duke qënë të lirë”, të punojmë nga 16 orë në ditë, “për të mirën tonë” e jo të vëndit që na “mirëpret”, duke i pasur të gjitha të mirat si, “zyrat, të ardhurat, kohën e lirë, lejet e kalimit dhe të krijimi “ato që i kërkuam dhe i gjetëm”. Duke “jetuar në lumturinë e plotë që kërkuam”, nuk na del kohë për të shkruar letra miqëve e shokëve.Kohët kanë ndryshuar, tani jemi të lirë e shkruajmë për probleme të rëndesishme si p.sh: “Ç’është dashuria”“Si ta tradhëtojmë gruan”, “Si t’i lëmë fëmijët në rrugë”.Për këto mblidhemi në grupe shokësh dhe diskutojmë si të bëhemi Europianë, “Si të vjedhim”, “Si të përdhunojmë”, se mendojmë që Europa këto cilësi të mira ka, dhe ne, kjo faqe e dukshme e saj na pëlqen.     Gjyshja ime e ndjerë thoshte: “Shokët zgjidhi më të mirë se veten”.Këtë porosi të saj unë e mora me vete rrugëve të botës si dhe të tjerat si “Trim i mirë me shokë shumë”, “ Shokë të rinj bëj por të vjetrit mos i harro” etj.Gjyshja ime jetoi më shumë se një shekull jetoi dhe pa shumë luftime dhe gëzime, udhëtoi e jetoi në shumë shtete e në fund vuri kokën në prag të shtëpisë dhe tha: “Jeta ime ishte një libër, një novele e jetuar dhe jo e shkruar, ju tha, që e lexuat nxirrni mësimet tuaja”.     Ku ta dinte e ndjera se novelën që ajo shkroi për 107 vjet, sot talentet e reja pensioniste e shkruajnë për një javë.Talenti i tyre i burgosur ishte si puna e rubinetit, vertet nuk gjënte vënd të rridhte për të vaditur fushat e mendimit, por, kjo rrjedhë, ky ujë i  pastër me vlera shëruese shpirtërore grumbullohej çdo ditë, dhe në momentin e lirisë shpërtheu arave, hendekëve  për të rritur frytin e lavdisë personale e asaj kombëtare.     E shikon o zoti Hyskë, sa gabim bënte i nderuari ynë Bamkë me shokët e tij kur na i kthenin mendimet e hedhura në letër për ti parë e riparë disa herë, dhe pse? Se e donin të qëruar grurin nga kashta, ah, këto mendimet e lashta.Mendimet dhe pa vlerë prap mbeten mendime, vetëm se mendime pa vlerë.Sot ato nuk i shikon njeri, deri sa shikojnë dritën e botimit, “krim për orët e mendimit dhe bojën e shkrimit.E nga vetë rrënja e fjalës bot-tim do të thotë bota  ime që paraqes përpara të tjerëve. Dhe kjo botë o miku im, është në lulëzim, shumë e bollshme.Kjo botë krijuese në Greqi  ka marrë formën e përrënjve, lumënjve dhe lëmënjve.Ajo zhvillohet këtu e lirë “gjithësejcili për vete e zoti për të gjithë”.Zhvillohet dhe mërr frymë në gjërësi, gjatësi, e në cektësi, pasi thellësi nuk ka.Krijohet në mënyrë individuale e kolektive.Janë botuar disa “Antho-logji” që në gërqisht do të thotë, fjalët e lulëzuara, lulëzime të zgjedhura.Në qoftëse mërret parasysh kjo, ne jemi një pemë e lulëzuar që japim lulet e mendimit nëpër botë. Në mënyrë  shoqërore ajo vrullin e saj e ka të rrëmbyer.Nisur nga shokët, disa të tilla krijojnë një shoqatë.Katër shokë krijojnë pesë shoqata, dhe gjashtë shokë krijojnë një lidhje.Të gjitha këto u bënë aq shumë sa, ambasada në Athinë kërkoi të mbante lidhje të pa ndërprera me to.Kërkoi  të njihte veprimtarinë e tyre që “është gjumi dhe opjumi”.      Marr-dhëniet e disa njerzve me të njëjta mendime quhen ,“lidhje mendimore” kur ka lidhje me mendimet, “lidhje shkrimtarësh” kur ka lidhje me shkrimet “lidhje valltarësh” kur ka lidhje me vallat etj.Këto lidhje o zoti Hyskë, nuk bëjnë gjë tjetër veçse zgjidhin gjuhën  dhe e lëshojnë të lirë të kullosë livadheve të interesit, “Këndojnë” e helmojnë artin e vërtetë.Mbjellin e korrin në arë, pa hedhur farë, trumpetojnë prodhim të mbarë.Ata më të “mirët” pasi ua lëshuan zinxhirët, rendin e lehin se kanë lindur për ëmër, dhe e kanë mëndjen fëmër.Ç’është e vërteta kanë ca çelsa, një vulë e zyrë, por nuk kanë fytyrë, “fytyrën e një shoqate”     Këto lloj shoqatash, shkrimtarësh, valltarësh, pietarësh, shtohen çdo ditë jo si kërpudhat pas shiu, pasi shi po bie rrallë kohët e fundi.Këto shoq – hata, mblidhen e bëjnë shumë punë, unë di disa prej tyre, të cila çdo të diel mbledhin antarët e tyre, në një stallë “më falni” në një sallë.Të gjithë rrotull filxhanit e rakisë qajnë hallet e shoqërisë, në vënd të letërsisë.Kur mblidhen për të diskutuar, me letra e kova nëpër duar, flasin për rritje, pa vënë gjëkundi presje e pikë çuditje.Llustrojnë e furçojnë autorin, të madhin frutorin, që me talent e me penën e bukur, si flutur,  fletën e bardhe e nxin poshtë e lart dhe, bën art.Ka ardhur në skenë dhe një art i kohës, librat e pikturat i përcjell me parathënie një njeri e shkrimtar me ëmër, që luan rolin e redaktorit, që pi e bëhet rrumbull, e fjalën e lëshon si kungull.Leshtë i ka të bardha, si në lulëzim dardha, mirpo dardha lidh fruta , të buta, ndërsa ai me gojën sëpate, ditë e natë, lëshon mandatë.Thotë, jam i njohur, “ nuk e njeh as nënë e tij, pasi nuk e ka parë që nga dita që ka ikur”, kam vepra thotë, me  trumpetë e bujë, “veprat e tij një vrimë në ujë”. Jep  mendime për talentin që ai e ka zbuluar dhe e mban në duar, për t’ia dhënë  shoqërisë, me ndimën e demokracisë.Ç’far të them e të të mollois?Mos mendo o mik, se jam duke mbaruar, se ky “diell” nuk paska të perënduar.     Më kujtohet kur zoti Bamkë me miqtë e tij më dhanë një çmim përpara 25 vjetësh u gëzova aq shumë sa nuk më zinte gjumi natën.M’u bë shumë qejfi që të tjerët çmuan punën time.Sot o miku im flë i qetë se çmimin e mërr kur të duash ti, pa shkruar gjë.Të mos të them që e mërr dhe nga një komision e nga një shoqatë fantazmë që nuk ka as kryetarë e as antarë.Gogoli, e kishte parashikuar, kohën e përparuar. Ai shiste e blinte frymë të vdekura.Në kohën tonë nuk shiten e blihen            frymë të vdekura „ por çmime, me mbishkrime, me lavdërime, që“rrisin „ vlerën e letërsisë, në gjirin e shoqërisë. Deri këtu nuk ka ndonjë të keqe,por, më tutje ka leqe e hendeqe.Pas dy tre çmimesh e lavdërimesh, bëhet nga shoqata,“Mandata,“ një shkresë, me antarë katër a pesë të cilët me besë, pa i rënë njeriu në pjesë, propozojnë që talenti të vlerësohet e të dekorohet.Se brezat që vinë, nuk  do dinë  vlerat e vërtëta, ndaj dekorata është një shkresë, që do flasë kur ai të vdesë. E thellë për besë!Paskëtaj,vihen vulat, theren e piqen pula.Shtohen titujt shkencorë, me mjeshtra e doktorë.I dridhen kockat ne varr Naimit, që mban në supe ëmrin e çmimit.Përfundimi dhe llogaria, lëtërsinë e mërr porropia, ndërsa talentin e mërr uria.Ka dhe bukurira të tjera, me lajme të mira që mi bie era.Ti lodhesh një jetë të tërë në fushën e ushtrisë, dekorata propozohet për vlera në atë të letërsisë.Nuk prish punë për fushat, mjafton që si këpushat, njeriu në jetë, dekorata të ketë. Trumpetohet emri për lirikun, që ngatërron mollën me fikun, që var në qafë një gravatë si gjuhë të gjatë a si lopat dhe,  arrin deri atje, sa për  be, e dëgjova vetë me këta vesh te Omonia në një shesh, se Bamka vetë,“ nuk di sa është e vërtetë „ paska thënë një ditë të hënë, duke pirë e duke ngrënë, se liriku vërtet u vonua, por u vlerësua, bashkë me daljen në pension, lirika e tij tingëllon, jo si pensioniste, por , si artiste e valltare e një moshe 20 vjeçare.     Mund të hedh në këtë letër, edhe ndonjë vepër tjetër, si këto që lexove, por thashë me që është radha e parë, të mos plugojmë shumë në këtë arë.T’u lëmë radhë dhe punimeve të vjeshtës e të flasim kur të vijë koha e krasitjes së vreshtës.Të shikojmë si do jenë të mbjellat dimërore, nëpër shoqatat e pemët frutore.E nëse krimbi i djallëzisë, do gjallërohet e do vazhdojë të lëvizë, duke i bërë dëm shoqërisë, ne më tej nuk duhet ta zgjatim, pyjet dhe arat ti spërkatim, mendimet dhe hundët që kudo i fusin, t’ua bëjmë përshesh dhe kurrizin t’u zbusim.     O, miku im Hyuskë! Të them të drejtën na ka marrë malli, të mblidhemi  (këtë mendim shprehja dhe Bamkës) e “ Ta ndezim një herë* „ të bisedojmë për këta “Njerëz të krisur*  „ se duke kërkuar  cilësi, po na quajnë  “Lypës të kohës *„.     Mbetem me shpresë se letra ime do t’u gjëjë shëndoshë e mirë. Shpresoj që dritat nuk do ndërpriten gjatë leximit të letrës që po u dërgoj.Llambat edhe njëzet e katër orë po të rrinë ndezur, nuk i ndriçojnë dot padrejtësitë mbi kurrizin e popullit tonë të drejtë, të urtë e puntor.Sa për ujin nuk po të pyes, pasi ai nuk na duhet , problemet me autorët e të drejtat e tyre nuk besoj se mund ti lajë.Rruga që do ndjekë kjo letër do jetë e shkurtër për të vajtur te miqtë e saj, ajo do jetë e thjeshtë dhe e qartë.Jo si ajo e politikanëve tanë, që e kërkojnë me ngulm për të na nxjerrë nga prapambetja dhe, na fusin më thellë në llumin e prapambetjes e problemeve pa kokë e pa bisht.Me që ra fjala për bisht, më dërgo në Athinë një bisht fshese, por me dru thane, në qoftëse nuk ke mundësi, i thuaj Bamkës e porositeni diku nga Devolli.Më duhet për të shkundur ca postiqe me pluhur dhe, për të fshirë ca mbeturina që na kanë zënë rrugën.                                                     Me tespekt, miku dhe nxënësi juaj

                                                                       #Pilo  #Zyba                                               

shënim *“Ta ndezim njëherë” është libër me tregime humoristike i shkrimtarit Gaqo veshi, pseud.H.Borobojka *“Njerëz të krisur” dhe “Lypës i kohës” Libra të shkrimtarit Dritero Agolli, pseu.B.Çomaga.

57 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page