top of page

Letër e hapur nga shkrimtari Pëllumb Kulla


Pëllumb Kulla

Letër e hapur nga shkrimtari Pëllumb Kulla

I dashur Fatmir

Para disa ditësh u ndjeva i përkëdhelur nga vlerësimi i një kritiku e kuratori letrar, si zotëria jote e të falenderoj thellësisht nga zemra, për fjalët e ngrohta dhe perqasjet që zbuloje në narrativën time, falë kryesisht dashamirësisë tënde e pastaj pajës tënde teorike, për të cilën të përgëzoj. Emrat e teoricienëve të shquar, përdorur nga ty ishin ca sugjestionues e siç të kam thënë dhe më parë dhe kësisoj, njerëzve të pamësuar me lartësira, u merret mendja. Tani, duke mos i kundërshtuar shumë, me riskun se shkel në domenet e tua, lemë të perdor me kënaqësi thënien e Borgjezit Fisnik të Molierit “Paskam 40 vjet që flas prozë dhe nuk e paskam ditur?!”

Po, përtej shakave, unë po zgjedh një vlerësim më popullor dhe për ata tregimet e mi të shkurtër, që citoje, po zgjedh etiketën (e thjeshtë por gjithashtu të lartë) “të bukur”.

More, i dashur Fatmir, po a e di ti se me këtë etiketë ti shfaq pikpamje antiqeveritare? Nuk e di ti se po u del kundër komisioneve të MKRTS që para ca ditësh deklaruan se “gjinia e tregimit të shkurtër këto kohë në Shqipëri shfaq prapambetje”! Siç e di, e siç ta ka nenëvizuar Roland Gjoza ata dolën me këtë përfundim, e hoqën çmimin vjetor për ta dhe për ca gjini të tjera dhe, që paratë të mos shkonin kot, ia bashkuan ato çmimit të romanit!

Me atë deklaratë Zia Çela, Mark Marku dhe të tjerë që me llupë në dorë, natë e ditë, vigjëlojnë mbi krijimtarinë tërthorazi na thanë që vetëm tregimi i shkurtër e bën Shqipërinë të skuqet, teksa poezia, romani, essetë dhe gjinite e tjera janë në binarë te shkëlqyer.

E ti, haptazi, lavdëron prozën e shkurtër! Edhe nuk e bën këtë për herë të parë. Po ashtu, në faqet e Fjalës së Lirë ke vlerësuar tregimet vërtet të mrekullueshëm (e në ato vlerësime unë bashkohem tërësisht me ty, por shpëtoj nga ndëshkimet, ngaqë nuk i kam përgëzuar autorët publikisht, si zotëria jote!) të Faruk Myrtajt, të Roland Gjozës, të Ramiz Gjinit dhe ndonjë tjetri.

Kjo, sinqerisht është t’i kundërvihesh shtetit shqiptar! T’i kundervihesh Kuvendit të tij, qeverisë dhe, më specifikisht, të jesh majë më majë me ministrin e asaj qeverie, Ylli Pangon! Mua më pëlqeu reagimi i Gjozës dhe e sponsorizova financiarisht menjëherë librin e tij me tregime të shkurtër prej 400 faqesh, që është i tëri, me të 400 faqet të bardha boshe dhe që deri tani 14 shtëpi botuese, nga 347 që ka Tirana, po zihen për të marrë përsipër botimin. Libri është në proces përfundimi. Kopertinën, totalisht të bardhë, ia ka marrë përsipër një japonez dhe redaktimin po e bën shkrimtari amerikan Philip Roth, i cili shqip nuk di as edhe të teshtijë, por në këtë rast injoranca e tij është e mjaftueshme.

Promovimi i librit do të bëhet në tetor të këtij viti ne shkollën e shurdhmemecve në Rrugën e Dibrës, pranë Medresesë, Tiranë.

Por, ky nuk është i vetmi lajm që desha të të jepja.

Mëso se para dy ditësh, të enjten pas dite, Këshilli i Ministrave, nën kryesinë e të parit, u mblodh në një séancë të veçantë katër orëshe dhe diskutoi krizën e tregimit të shkurtër në Shqipëri, krizë që përshkallezon më tej problemet pas atyre të papunësisë, të skafeve dhe eksporteve. Vendet e tjera të Europës Lindore janë në një fazë më të përparuar, kurse Shqipëria, e këtu citojmë zotin Pango: “ndodhet në një situatë të mjeruar në fushën e tregimit të shkurtër e kjo rrezikon pranimin e vendit në Bashkimin Europian. Për në NATO nuk përbën asnjë problem, se kryesisë së aleancës ushtarake i është paraqitur gjendja e tregimit për vitin që shkoi”

Mua më takon të të ve në dijeni e kaq!

Dhe natyrisht të të falenderoj nga zemra për vëmendjen ndaj krijimtarisë sime, pavarësisht nga herezia në vlerësime.

Përqafime

37 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page