top of page

Letra të pashkruara, drafte…


Fatmir Terziu

Letra të pashkruara, drafte…


Pema e dijes


U detyrova të ulesha dhe të shkruaja për ty. Në fillim kapja mendërisht rrënjët. Pastaj me radhë depërtoja thellë në lëkurën tënde të njomë. Dhe kapja degët. Nuhatja gjethet. Filizat e tu të hollë. Trupin tënd delikat. Frutat… dhe ndonëse e di që jam duke kërkuar akoma aromën dhe shijen tënde. Tashmë jam shëruar!

Jam nën hijen tënde të bekuar. Në sinorin tënd të shtrenjtë. … dhe ndonëse e di se jam shëruar, ndonjëherë kam frikë të harroj mënyrën se si më bënin mendimet të ndihesha sikur isha duke fluturuar, kur të dy e dimë se na ndau ikja. 

Unë kam nevojë për ty. Të ndjej teksa hedh shtatin tënd lart dhe kap retë. Por se lartë është e paprekshmja dhe më mungon. 

Ngela duke parë të gjithë universin brenda një personi. Kështu që e detyrova veten të ulem dhe të mendoj për ty. 

Të kujtoj ty. 

Të gërmoj thellë tek Ty…

… të kaloj zemërimin tim dhe të shikoj vendin ku ju mbolla. Më duhej të ndihesha diçka kot, kështu që shkova në atë vend i përhumbur, i sëmurë me mallin për Ty … dhe të gjitha erdhën menjëherë në maratonën tonë të shërimit të vetvetes.

Tashmë jam shëruar! 


I bollshëm në falje


Unë jam i bollshëm në falje. Ju nuk keni kërkuar ndjesë, por e pranoj gjithsesi. Pashë gjithçka tek ty. 

Lartësitë e mia, lartësitë e mia, lartësitë e mia. 

Oh ata ishin aq të artë. Variante të mia. Më kapët prej tyre çdo herë. I përdorur nga stuhia, nga lakmia, nga … e padukshmja. Dhe ju më lejoni të ju kërkoj falje. Unë e di që ju doni të më shpëtoni. E di që më keni dashur mua. 

Unë e di, fare mirë, se dashuria për ju, duke qenë të dy në dashuri do të thotë të punosh bollshëm në falje tek një person tjetër. 

Ne u takuam ditën pasi isha pagjumësisht i përfjetur dhe e mbaj për mua atë fajin e harruar, qarkullon në trurin tim si një ushtri me forca të blinduara. Pyes veten se sa vështirë do të ishte të të kisha dashur, nëse nuk doja të dashuroja unë. 

E detyrova veten të ulem dhe të mendoj për ju, sepse unë po e bëj përsëri detyrimin tim në lartësi.

E pra, qenkam i bollshëm në falje. Fundja, a jam i verbër? Fundja, a jam i uritur dhe i dëshpëruar? A jam i vogël? Kjo nuk do të thotë se jam i cekët? Më lejoni të ma mësoni atë që tashmë e njihja. 

E detyrova veten të ulesha dhe të mendoj për ty dhe ulesha në heshtje derisa zemërimi kaloi dhe mendimet e vetme të mbetura ishin të heshtura dhe të tejdukshme, blu dhe të buta. 

Ju dhe unë ishim miqtë më të mirë dhe nuk e kisha shuar atë pjesë, sepse vetëm unë mbajta zi me zë të lartë për heshtjen tënde, për harresën tënde, për fjalën që kishim në çdo kohë në çdo kafene ku hymë. 

Kam qarë për të qeshur që kemi ndarë orën e ëndrrave deri në 4 të mëngjesit. Kam qarë në mënyrën se si më shikoje, sikur ta ndizja qiellin kur isha kaq i lodhur nga bollëku i faljeve të kota. Kam qarë për gjithçka, përveç miqësisë së ëndërruar, sepse nuk mendoj se ka ekzistuar ajo që do të përfundojë para ëndërrave dhe flas me të qeshur për kohën kur nuk kam mundur ta përpunoj atë, pra ëndërrën e paparë. 

Unë nuk mund ta zgjidhja tingëllimën e fjalës pa ngritur kurrë zërin tim. Sepse fundja gjumi do ëndërra dhe jo ulërima. 


A do të më shkruash?


Dhe vetëm mendoja si do të ulem dhe t’ju shkruaj. Ende pyes veten nëse mund të më lejoni të di se çfarë mund të kisha bërë ndryshe në atë kohë, kështu që këtë herë mos ta bëja përsëri? U detyrova të mendoj për ju një herë të fundit. Ju ishit një person i ri. Kështu që kur erdhi koha për ta dashur këtë person të ri, e bëja mirë, por tashmë pse e di nuk kam për ta bërë këtë përsëri. Doja të lëndohesha sepse më duhej të kujtoja se sa mirë ndihej dhe sa e vështirë ishte të të linte ëndërra që të shkosh në heshtjen tënde të zhurmshme. Unë ju lashë të shkoni dhe unë e shkruaj këtë pas një shekulli të vonuar, në pranverë, duke shikuar muzgun, plot dritë dhe mirënjohje, … pasi ka kaluar një dimër i tërë. 

E shkruaj këtë tani me shpresën se kjo pranverë e re zgjat sa të duhet koha për të shkruar. A do të më shkruash?

50 views1 comment

1 Comment


Brunilda Resulaj

Une nuk jam kritike arti ,as ne nivelin tuaj te fjales .. Por ne cdo postim tendin ,mendimi yt rrjedh ,si nje rubinet i hapur .. Dhe nuk ndjen lodhje duke e degjuar ..! Kenaqsi t’ju lexosh!

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page