top of page

Leon Lekaj: Një “armik” më pak



Nga Leon Lekaj


Në vitin e frikshëm 1973, u mblodh një plenium i famshëm. Ai i katërti i Komitetit qendror të PPSH. Shkaku, qe shfaqur befas, në festivalin e 11 të këngës në RTSH. Diktatori, në një dalje të tipit, “Enver Hoxha e mprehu shpatën”  shtriu kamxhikun e vet mbi intelektualë, njerëz me prirje perëndimore, artistë, të cilët kishin mundur të ecnin e me kohën, këngëtarë, instrumentistë e deri në qelizat më të vogla të shoqërisë së atëherëshme shqiptare.

Natyrisht që diktatorët, janë në rrugën e tyre të përcaktuar më parë si një platformë, me të cilën ata duan të qeverisin, por mua më lindin dy pyetje:

Po mediat?

Po populli?

Për pyetjen e parë, nuk ka nevojë për përgjigje. Thjesht nuk ekzistonin.

Pas fjalimit filluan menjëherë nisma të tipit “të luftojmë çfaqjet e huaja” dhe nëpër qytete, u derdhën si hije, grupe të rinjsh “revolucionarë”, pensionistë dhe ushtarakë, sekretarë e komisarë, organizata e gruas dhe ajo e bashkimeve profesionale, dhe të gjitha levat e pushtetit të cilët ndëshkonin me zjarr dhe hekur, çdo ndikim nga jeta e perëndimit. Më pas filloi lufta e “mullinjve me erë”, apo ajo e antenave. Ato u cilësuan prej pushtetit komunist, si bartëse e shumë të këqijave në Shqipërinë tonë socialiste.

Gati-gati e njëjta gjë po ndodh sot, pas 50 viteve në një shtet (që sipas KM tonë po lakmohet edhe prej shumë vendeve të zhvilluara), i cili pretendon të bëhet pjesë e familjes europiane. Vendimi i qeverisë Shqiptare (nënkupto Edvin Rama), si atëherë kur ne u bëmë shteti i vetëm atesit në botë, merr vendimin për të mbyllur Tik-tokun.

A i erdhi keq gjithologut tonë për atë çka po ndodh me fëmijët tanë në Tik-Tok, apo atij ju kujtuan etërit shpirtëror, historitë me antena e zhurmues, propaganda e armiqve të jashtëm e të brendshëm? Sipas disa statistikave, mendohet se kryeministri e ka humbur shumë popullaritetin e tij në Tik-tok dhe kjo për shkakun se ai përdoret më shumë nga moshat e reja, të cilat nuk mund ti gënjesh fort lehtë. Natyrisht, që demagogjia dhe propaganda, janë mjetet më efikase të një regjimi, por ajo çka më sillet ndër mend gjithë këtë periudhë, e cila paraprin mbylljen e tik-tokut, janë të njëjtat pyetje:

Po mediat?

Po populli?

Për pyetjen e parë, nuk ka nevojë për përgjigje. Thjesht nuk ekzistojnë. Ose ca më keq akoma: Janë të blera.

Nëse do të hyje nëpër rrjetet sociale këto ditë, atmosfera brenda tyre ishte gati e ngjashme me atë të qershorit 1973. Shoku Edvin, u ul “gju më gju me popullin” dhe qau hallet (e tij). Patronazhistë (nënkupto djem dhe vajza të reja të tipit “...ne jemi petalet më të bukura të Partisë socialiste) apo ish ushtarakë, (pensioni mujor e të cilëve varion nga dy, deri në pesë herë më e lartë se ai një mësuesi), të kujtojnë se në kohë e “zogut” kishte vrasje, burgosje, mashtrime. Se Shqipëria po “lulëzon” me 10 milion turistë (janë rreth 2 milion shqiptare jashtë kufijve dhe numërohen si turistë, sa herë hynë e dalin në vendin e tyre) dhe se tik-toku duhet të mbyllet. Këtë e ka thënë Edvin Rama, dhe ai di çka bën.

Edhe pse jo në masën kur ai qe “lider global”, edhe pse skandalet e qeverisë së tij dhe njerëzit që “kanë ngrënë dardha pas shpinës” së gjërë të kryeministrit janë shtuar ndjeshëm, vërehet se një pjesë e popullit vazhdon ta besojë.

Teoria e pinjollëve të Enver Hoxhës, se “uji nga lart vjen i kulluar, por turbullohet poshtë” nuk ka lëvizur. Është aty, si një moçal psikologjik i njerëzve të rreshtit, për të na kujtuar se gjilpëra e komunizmit, është ngulur thellë në trupin e atij populli dhe do të vonojë të dalë.

Në këtë situatë, qeveria dhe kryeminstri Edvin Rama do të shkojë në zgjedhjet e përgjithshme të kuvendit në datën 11 Maj me një censurë më shumë, por me një “armik” më pak.

Tik Tokun.

Athinë

Mars 2025

 
 
 

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page