Viron KONA
Lekë të vjetra apo lekë të reja?
Radhët e pensionistëve shtohen grumbull,
afrohen te kioska duke u kollitur e çaluar,
dikush rënkon edhe mban mesin me dorë,
por sot, ata kushedi pse duken të gëzuar!
-Sa lekë na është rritur pensioni, moj bijë?
-Është rritur goxha, o gjysh, 8.6 për qind,
është rritja më e madhe se çdo vit tjetër,
do të marrësh afro 8 mijë lekë më shumë,
po deshe në monedhë, po deshe në letër!
-8 mijë të vjetra a 8 mijë të reja, moj bijë?
pyes, se daullet e veshëve më janë shpuar,
por dhe jam bërë ca si matuf, e disa lajme
s`i kam marrë vesh, mirë s`i kam dëgjuar!
Di se ata të qeverisë i ngritën goxha pagat,
ishin trokë qyqarët, ishin bërë “për gjynah”,
dhe ata n ‘parlament, ngaqë shahen shumë
i dyfishuan pagat, njerëz me halle dhe ata!
Këto kam dëgjuar, për të tjerat gjyshi s`di,
ah, se për pak harrova pensionistët italianë,
atyre të mjerëve, ngaqë s`u del atje n ‘Itali,
vijnë t ‘jetojnë me ne duke çuditur dynjanë!
Po dhe ata mijëra turistë që vijnë çdo ditë,
me vetura, motorë, me traget dhe avionë,
habiten të gjorët me çmimet e ulëta te ne,
këtu gjetëm “Eldoradon” e vërtetë,-thonë!
Çudi, të huajt kënaqen, ne keq dhe më keq,
çështje “finance” kjo, por ne s`e kuptojmë,
ama “na bëhet zemra mal” kur qeveria thotë:
për turizëm jemi të parët, botës ja kalojmë!
-Gjysh, s`ta kam ngenë, lëri llafet e dëgjo:
ju jeni të vjetër e për ju “lekë të vjetra” ka,
duket që qeveria ju llaston: ”ju ga, ajo na!”
por ju, s`keni të ngopur me para!
-Të kërkoj falje, o bijë, ti ke shumë t ‘drejtë,
ne, me “lekë të vjetra” merremi mirë vesh,
“s`ke pulën, do hash sorrën”,-thotë populli,
ja, na e dhanë “sorrën”, na e bën peshqesh!
Pensionisti merr paratë me duar që i dridhen,
largohet me ngadalë e bën llogari i menduar:
dy kafe më shumë me miq e shokë i fituam,
rrofsh, o qeveria jonë, sa shumë je harxhuar!
.................
1.El Dorado,( Spanjisht për "të artën"). Ka qenë term i përdorur nga spanjollët për të përshkruar një popull autokton të Kolumbisë, i cili, u mbulua me pluhur ari dhe u zhyt në liqen. Në kërkim të El Dorado-s janë nisur disa ekspedita të pasuksesshme në fund të viteve 1500 për të gjetur “qytetin përrallor”, që nuk ekzistonte.
2.“Ju ga, ajo na!”, ju kërkoni, ajo ju jep!
3.“Kur s’kemi pulën, do hamë edhe sorrën”, pranojmë atë që na japin, “shtrëngojmë rripin”.
Comentários