top of page

Lefteri e shkëputi këngën isopolifonike nga tradita rutinë


Timo Mërkuri: Me KRISTO ÇIPËN “Mjeshtër i Madh”

I N T E R V I S T Ë

Me KRISTO ÇIPËN “Mjeshtër i Madh”


Dy figura të respektuara të krijimtarisë shqiptare. Dy emra që i japin përditë e më shumë kulturologjisë, poezisë, vlerave krijuese. Në këtë intervistë të dy, janë bërë një, dhe kanë prurë një model komunikimi të thjeshtë e të domosdoshëm. Një arsye më shumë për tu lexuar e për ti lexuar.

Redaksia





Emri i Krsito Çipës është i njohur dhe i dëgjuar për shumë artdashës, kryesisht ata të këngës isopolifonike dhe sigurisht që shumë prej tyre do befasoheshin po t’ju thoshja se Kristo Çipa është edhe poet e shkrimtar, veçse këngëtar. Ai është autor i tre vëllimeve poetike të botuara dhe një vëllimi poetik në prag të botimit, duke qënë njëkohësisht autor i gjithsejt 900 poezive fine, shumica të pabotuara, nga të cilat rreth 200 janë tekste këngësh, 30 rite të vjetra pagane, dy vëllime me tregime, mite e legjenda, ka në përfundim dy romane, ka shkruar e publikuar me dhjetra shkrime, publicistikë, reportazhe, esse etj.

Timo Mërkuri:- Shumë mendojnë se ju “kini qëndruar në hije” modestisht për një kohë të gjatë dhe tani na befasoni me paraqitjen tuaj si një poet i veçantë me vargje metoforike, duke qënë njëkohësisht figura kryesore e Asamblit Folklorik “Bejka e Bardhë”. Cila është biografia juaj reale artistike dhe cila pjesë e saj është e shtrenjtë për ju?

Kristo Çipa - Unë jam pilurjot që kam lindur në qytetin e Vlorës në vitin 1959 mes erës së flamurit dhe tramundanës së detit. Aty piva qumështin artistik në këngët e trios vlonjate dhe vargjet e para të vëllait tim të madh Lefter Çipa për Vlorën. Babai im më merrte shpesh në meshën e së dielës në kishën e shën Todhrit, ku jehona e korit kishtar ma ndezte fantazinë e pasazheve qiellore, që do ndikonin shumë në ardhmërinë time. Në vitin 1966 e ashtuquajtura “lufta ndaj burokracisë” e transferoi familjen e prindërve të mi puntorë e të persekutuar politikë nga qyteti i flamurit në fshatin e gurit, që ishte dhe njëkohësisht vëndorgjina jonë, Piluri. Bota ime e vogël as shtatë vjeçare u ndodh para ashpërsisë ekstreme dhe lartësisë kryeneçe të maleve të Vetëtimës. Mbaj mend udhëtimin tim të parë me këmbë nga Himara fshat drejt lartësisë së Pilurit nëpërmjet rrugës këmbësore të Koramit. Më dukej se nga çasti në çast do të më merrte poshtë honi i frikshëm emër tmerrshëm që thuhej se mbante brënda një shpelle ish priftin e fshatit së bashku me mushkën e tij. I mbajtur për shkurresh, më në fund dola në krye të rrugës dhe mu duk se kisha hipur mbi çatinë e botës. Tmerri dhe mrekullia hynë brenda meje njëkohësisht. Në Pilur asokohe kishte një prapambetje biblike në aspektin social, por po aq biblike ishte edhe marrëdhënia njerëzore dhe mënyra e komunikimit. Kënga, miti, legjenda, bejtja, përplasja, solidariteti, ligjërimi, humori mjaltosës, epizmi shkëmbor dhe lirizmi fluturak krijon një tablo si ato të Dante Aligerit në komedinë hyjnore.

Falë një memorjoje mjaft regjistruese nëpër dasma, gëzime, hidhërime dhe kuvëndimeve në hijen e rrapit mbi shkëmbenjtë natyralë pozicionues, shtresëzova mijra e mijra vargje, legjenda e ndodhi që i kam brenda meje si ata rezervuarët e ujit brënda tokës. Aty për herë të parë nga një plak i moçëm me veshje dhe pamje karakteristike, enciklopedist record, dëgjova vargjet.” Shumë vargje më mban kufari/ Unë jam djepi po dhe varri”. Aty dëgjova vajet dhe britmat leshëra lëshuar e faqe gërmuar të Ajkunave pilurjote, saqë thoshje se i ikuri, patjetër nga këtë lebetitje do kthehet përsëri (në jetë) i tromaksur.

Pjesmarrja direkt në grup të organizuar ka qënë në vitin 1969 me grupin e fëmijve të shkollës së Pilurit si vallëtar, që së bashku me grupin e fshatit morrëm pjesë në një koncert në fabrikën e çimentos në Vlorë. Në vitet 1974-78 morra pjesë dhe drejtova grupin polifonik të shkollës së mesme Himarë në konkurimet e rrethit. Kam luajtur në rolin kryesor tek drama “ Me pushkë e penë” të Naum Priftit ku morrëm çmimin e parë në rreth dhe unë diplomën si aktori më i mirë.

Pjesmarja e parë dhe definitive tek grupi i Pilurit ishte në festivalin e 17 të këngës në RTV me këngën epike të Pilurit dhe në rikthim kënga “ Në të marça manushaqr”. Gjatë periudhës së ushtrisë 81-83 organizova dhe drejtova grupin isopolifonik të brigadës ushtarake Himarë. Në vitet 2003 deri në vitin2015 organizova dhe drejtova grupin e bregdetit të Himarës ku kemi marrë çmime kombëtare e ndërkombëtare.

Prej 2015 ku morrëm pjesë në Festivalin Folklorik të Gjirokastrës me këngën “ Belisma bel hollë” e deri tash këndoj e krijoj me Asamblin Folklorik “Bejka e bardhë”. Pra siç e sheh nuk kam qënë i mënjanuar dhe as në hije, por shpesh herë “majat” e maleve pengojnë rrezet e diellit të bien te nail përbri, por dhe kjo pengesë është e përkohëshme.

Për sa më pyesni, po ju them se:- Këngë krijimi është më i shtrenjti në krijimtarinë time.

Timo Merkuri: -Realisht kur filluat të shkruani poezi. Nisur nga fakti se në Pilur pothuaj të gjithë fëmijët e të rinjtë ngrenë këngë e bejte, sa ishte pjesë e dellit tuaj poetik kjo traditë.

Kristo Çipa: - Poezia ime e parë është një tekst kënge që ka një natëlindje mjaft romantike. Në një udhëtim me mushka nga Piluri drejt majave e valeve të Vetëtimës, rreth orës tre të natës, së bashku me këngëtaren legjendë Ermioni Mërkuri dhe disa fëmijë të tjerë në moshën 10-11 vjeçare të gjithë, dolëm në Qafën e Armizores (toponim tipik pilurjot) dhe ja morrëm këngës mbi mushka. Aty për aty thura vargjet e këngës anonime ”Ç’u nisa natën në male”. Në vijim, në fletoret që unë i ruaj si avenire shpirti kam të shkruara këngë, poezi, tregime, parodi që here pas here i kam botuar në shtypin e kohës.

Poezitë, si gjini më vete nisa t’i shkruaj në kohën kur isha ushtar, gjatë viteve ‘81-‘83 e në vazhdim. Në Pilur tradita e dialogut me vargje ka qenë si odat poetike në Gjermani, Francë, Rusi me Pushkinin, Gëten, Hygoin etj. Në këta dialogje të fshatit tim mund të hasësh vargje e figura letrare që çdo poet i zëshëm botëror do t’i kishte zili. Në këtë traditë bënin pjesë mjaft vjershëtor nga të dy fiset nga rrjedh geni im: Çipa dhe Mërkuri. Këta botëkrijues letrarë mbanin mbërthyer vëmëndjen e njerëzve me vjershat dhe interpretimin e tyre, si sirenat Odisenë dhe të duhet të “dyllosësh” veshët për të ikur nga “ishulli” i tyre këngëtar, gjë që nuk e bëra asnjëhere, por ngela i mahnitur në ishullin e këngës që ka emrin Pilur. Kuptohet se “sirena” që mbërtheu Pilurin, Bregdetin, Labërinë dhe gjithë Shqipërinë ishte Lefter Çipa, vëllai im i madh dhe unë në atë moshë personalitet formues mirja pjesë në “debatin kritik prodhues” që bëhej në vatrën e familjes Çipa për çdo këngë të re dhe kompozimin e saj melodik.

Lefteri e shkëputi këngën isopolifonike nga tradita rutinë drejt një tradite sa bashkëkohore aq dhe evolutive. Tekstet madhështore dhe meloditë magjepsëse e bën këtë këngë yll karvani për gjithë isopolifoninë shqiptare dhe në krejt botën kulturore të saj. Kjo bëri që gjithë vjershëtorët (bejtexhinjtë) të dilnin nga kuadrati i vogël “katund” dhe të kërkonin hapësira të gjera. Më vjen mirë që edhe sot me teknologjinë moderne, shumë bashkëkohës nga trualli pilurjot ta vazhdojnë traditën si pjesë e genit dhe si nevojë për të mbuluar boshllëkun gjeografik dhe atë shpirtëror. Kuptohet që ndikimi i gjithë kësaj bote krijuese dinamike ka lënë gjurmë edhe tek mua.

Timo Merkuri: 3-Poezitë tuaja dallohen për "melodinë" brenda vargjeve si dhe për vargun metaforik, madje metaforat tuaja janë sa origjinale aq dhe “natyrale” e të kuptueshme nga lexuesi, duke patur njëkohësisht një nivel të lartë artistik. Duke qënë se shumë nga poezitë e tua janë këngë, pyesim:

a-Cili është te ju rraporti midis poezisë dhe këngës?

b-Sa ju ndihmon në melodizimin e teksteve metaforizimi i vargjeve?

c-Sa e ka ndihmuar këngën isopolifonike teksti poetik në rraport me tekstet tradicionale.

Kristo Çipa:- Unë i qëndroj mendimit se një poezi quhet e tillë në momentin kur e lexon, të duket këngë e muzikë, e përthith menjëherë dhe nuk e lodh mendimin për të kuptuar se ç’na thotë autori me këto vargje. Pavarsisht se me çfarë vargu e rime është ndërtuar ajo, nëse rrjedh si gurgullimë dhe zëri i brendshëm e këndon, ajo është poezi dhe këngë njëkohësisht. Ajo të duket se ka qenë brenda teje që kur ka ardhur jeta. A nuk janë kështu poezitë e Sadiut, Eseninit, Gëtes, Pushkinit, Hygoit, Agollit, Kadsresë, Spahiut, Poradecit, Lefter Çipës dhe sa e sa të tjerëve?! Gjithashtu poezia është muzikë dhe muzika ka melodi. Në të gjitha këngët harmonia, raporti zanore- bashkëtingëllore duhet të jetë sa më i butë, si mëndafshi i shpirtit që të krijojë melodi- harmoninë. Të gjitha këto i ka parasysh poeti, qoftë kur krijon këngë, qoftë kur krijon poezi. Kënga duhet të jetë poezi dhe poezia duhet të këndohet.

Kënga isopolifonike në të gjithë Lablrinë dallohet për vargun e fjalën rrufe që i jep efektin e menjëhershëm. Por sot dëgjuesi dhe interpretuesi i saj ka një nivel më të lartë kulturor e arsimor se ai tradicional. Kënga jonë isopolifonike është bashkëkohore dhe si e tillë e kërkon tekstin, figuracionin e në mënyrë të veçantë metaforat sa orgjinale dhe të kuptueshme, por njëkohësisht edhe me shumë kuptime e nëntekste domethënëse. Këngët e Pilurit janë prej shumë kohësh në elitën e isopolifonisë shqiptare. Tradicionalizmi epik në gjithë këtë lëvizje demografike, psiqike, shpirtërore dhe sociale kërkon medoemos që teksti poetik të prevalojë në këngë ashtu siç rraporti det- mal është më i preferuar se ai mal- fushë. Tashmë publiku, por edhe vet interpretuesi kërkojnë që teksti të jetë sa poetik aq edhe metaforik. Isopolifonia është qytetare me pasaportl diplomatike në botën e integruar, e veshur me fustanellën klasike që po i kap dhe i bashkon epokat si qytetare elitare e botës kulturore planetare.

Timo Merkuri:-Në librin e fundit me krijime poetike shohim se veç poezive, ju kini nisur lëvrimin e baladave. Çfarë kërkoni të thoni me këtë gjini të herëshme në kohën e sotme moderne. Cili është rraporti poezi baladë në kohën tuaj krijuese.

Kristo Çipa:- Ne ecim drejt perëndimit dhe kokën e kemi nga lindja, ne kërkojmë zhvillimin duke ikur nga vëndi dhe si pa dashje mbjellim trishtimin në mëmëdhe, ne kërkojmë modernen me zhvendosje dhe rikthejmë prehistorinë në dheun e kokës. Koha që jetojmë nuk është vetëm epidemike, por është pandemi dhe kjo ka edhe shtytje nga bota farmaceutike, prandaj mendoj se mjekimi i saj mund të bëhet me mjekim popullor bio, që e lenë trupin të pacënuar nga vaksinat hezituese.

Balada është vërtet një formë e hershme e letërsisë, por a më thoni se a ka piktura më të bukura dhe gjeniale se ato të kohës së Rilindjes evropjane me Mikelanxhelon e të tjerë? Balada është një gjini që mund ta shprehë dhimbjen mbarëkombëtare të shpopullimit dhe denigrimit tonë kombëtar. Jo më kot Rilindasit tanë ju drejtuan të shkuarës për të ringjallur besimin e kombit. Pastaj kjo jetë që jetojmë është romancë apë baladë? Ne si komb kemi hipur në kuajt e baladave për të kapërxyer realitetin, që ka qënë dhe është më shumë se i hidhur. Edhe vetë si poet ndjehem mirë e i plotsuar aty dhe mesazhet e mia si amanet aty janë të shprehura më bukur. Populli im është popull i lashtë sa bota dhe unë: “popullin tim kërkoj”.

Në krijimtarinë time kam rreth 950 poezi dhe këngë të botuara në katër vëllime poetike dhe të pabotuara ende. Nga këto rreth 200 janë tekste këngësh, 30 rite të vjetra pagane, dy vëllime me tregime mite e legjenda, dy romane pothuajse gati të rfunduara, me dhjetra shkrime, publicistikë, reportazhe, ese etjera. Ka rreth 80 shkrime vlerësues për krijimtarinë time poetike dhe prozën, shumë emisione televizive, dy videoklipe dhe kam organizuar katër Festivale isopolifonike. E gjithë kjo krijimtari më ngjan si një familje e madhe e pandarë me shumë kurorë familjare brenda dhe kur më pyesni se: cila këngë apo poezi ke më për zemër, kuptohet që ndihem ngushtë, por megjithatë unë do t’ju përgjigjem se: më për zemër kam këngën që krijova për 100 vjetorin e Pavarsisë: ”Jam krenar për kombin tim.

Timo Merkuri:- Le të rikthehemi në Pilur, fshat i pasur me mite e legjenda, madje shumë shprehje të huazuar prej tyre janë pjesë e fjalorit të përditshëm edhe sot, ka një pasuri të madhe logatjesh, të pranishme në çdo ditë të javës. Të duket se jeton në mes legjendash…

Kristo Çipa:- Bota e Pilurit është ashtu siç e ndjeva kur rashë në kontakt në moshën 7- vjeçare, si bota në komedinë hyjnore. Pse jemi autoktonë në këto troje, pse kemi patur një jetë në kufijtë e tragjedisë, pse kemi patur para syve një qiell e det- pamje të pafund, ne kemi gatuar e formësuar një perceptim krejt orgjinal e krejt mistik të botës që kemi jetuar e jetojmë. Vetë jeta jonë ka shkelur kufijtë e legjendës dhe është lastarizuar miti aq sa: shpesh ndodhi të jetuara dje, sot janë legjenda. Vlen të përmend këtu se vet intervistuesi ka mbledhur e botuar me mijëra këngë e rite. Ka analizuar si Kadareja Eskilin mjaft vaje, logatje, rrënkime, ninulla, që sot i kanë lakmi shumë studjues të vëndeve të mëdha.

Komunikimi i përditshëm është një enciklopedi e tërë që të befason me shprehjet, koloritin dhe humorin e pakrahasueshëm. Edhe veshjet, punët e dorës, gdhendjet dhe avazet të japin përshtypjen se Piluri nuk është fshat por është një planet i veçantë brënda botës rruzulluese. E gjithë kjo pasuri shpirtërore materiake dhe jo materiale të shtyjnë drejt frymëzimeve homerike dhe në çdo moment, qoftë edhe në gjumë, njeriu krijon dhe këndon.

Ne sot në modernitet kemi ende kode, rite, zakone që vijnë nga lashtësia që nuk i “dorëzohen” të sotmes, sepse ndjehen të sigurtë e të pakonkurueshëm nga rrymat moderniste. Mjafton të dëgjosh një grua si ligjëron në vajtim, një burrë që logat në hidhërim, një tregimtar që tjerr në kuvëndim dhe do thuash se të gjitha botët, të vjetra dhe të reja jetojnë në harmoni dhe natyrshëm në Pilur, në këtë lartësi lakmuese dhe në një panoramë sfiduese. Zoti të të jap jetë e ti hëdhësh në letër, pa vdekja pret, se ne, edhe asaj, me ritin e hapjes së varreve para kohe me epitafet shekspirjane mbi kryq, i themi të presë, se ja kemi dhënë paradhënjen për të qënë rehat me defterët e saj.


Timo Mërkuri: Kemi dhënë një paradhënie të madhe Kristo Çipa, ndaj nuk flemë me ëndra të liga, por ty faleminderit për përgjigjet dhe nxirre shpejt vëllimin e katërt me poezi, që ke në shtyp. E presim me padurim.


Pilur, më 23.02.2022


38 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page