top of page

Lamtumirë Fat Hasekiu!

Updated: Apr 30, 2023


Lamtumirë Fat Hasekiu!


Prof Dr Fatmir Terziu


Ndërsa Elbasani do të mblidhet e do të shtrydh lotët në kalimin e nxituar nga „xhepa“ do të mbetet e njëkohëqenëshme për kohërat një frymëmarrje dhe një frymëdhënie e thellë. Nën hijet e blirave do të ndjehet më thellë. E aty do të përkulen enkas të gjithë. Do të përshëndesin thellësisht një ikje të ndjeshme. E në këtë ikje Njeriu do të përjetohet në thellësi të vetë dihamës, qetësisë, thjeshtësisë, urtisë, respektit, përkushtimit dhe të gjithë angazhimit. Ai Njeri që e njohu do të habitet më thellë! E habia është thjesht një kohëbutësi e qasur mes jetës, ardhjes, dhe ikjes. Aty do të ndalojë vetë kjo lidhje me trinomin e tillë. E aty do të lexojë vetë Njeriu i gjendur dhe i pagjendur në kënd: „Ikën i qetë dhe i thjeshtë, sikurse erdhi, jetoi dhe mbeti në këtë jetë, Fatmir Hasekiu“. Pos njoftimit të familjarëve, fëmijëve të tij të dashur, vijojnë dhe rrjeshtat e para që shënuan njoftimin publik: „Me hidhërim të thellë njoftojmë për humbjen e babait tonë të shtrejntë, Fatmir Hasekiu. Nderimet do të bëhen në Vilën Vërçani. Varrimi te dielën dt. 30.04.2023. në orën 11 pranë varrezave të Elbasanit.“ E dhimbja mbetet dhimbje, aq më shumë kur e ke njohur nga afër mirësinë e një Njeriu me shpirt të madh demokrat, mirësi e atillë, e cila pikturohej gjithë urtësi në portretin e tij.

Kemi kaluar bashkë kohë të vështira. Kemi punuar dhe përkushtuar me një ndjesi, që në momentin e parë e gjeje tek urtia e tij, tek vlerat që ushqente në grup, tek mendimi i pjekur që përcillte për të gjithë e në veçanti për Demokratët. Humbja e tillë vërtet të hidhëron. I ëmbëli i kujtesës sime, i orëve të vështira demokratike, i lidhjes së hershme dhe miqësisë që mbeti në memorje, tashmë është në duart e Zotit. Dhe ashtu sikurse e thërrisnim, Fati i dashur, i amël, dhe gjithnjë i gatshëm, i papërtuar do të mbetet simboli i asaj që sot i mungon vetë rrugës për të cilën ai dha e përkushtoi vite të tëra me rallë. Është vërtet një dhimbje për të gjithë ata që e kanë njohur dhe kanë kaluar orë përkushtimesh, dedikimesh, vrulli jetik e demokratik me të. Vërtetë ikja e tij na krijon një dhimbje të afërt me vetë ata që e kanë pasur dhe e kanë ende shumë afër (sigurisht që do ta kenë sa të kenë jetët e jetëve të tyre).

Ndërsa shkruaj këto vargje shkruaj dhe shtrydh mes këtyre fjalëve grimca dheu që të bëhen një grusht i lehtë në lamtumirjen e tij. I shkruaj në një ujësi të bardhë lotësh, me të cilat Njeriu kurë nuk shkon përtej mallit për Njeriun e mirë. E në mungesë të Dhéut amë, në pamundësi për këtë e gjithëgjendshmja njerëzore më shpie të mbledh tufën më të bukur të luleve, që t'ia dhurojë enkas portretit të tij të pavdekshëm që ripikturohet dhe do të mbetet gjithnjë në memorjen time. E gjithkush do të thotë pse? Pse-të janë shumë të thella, shumë të pazgjidhshme, por që kanë miliona arsye që rrjedhin ndoshta thjesht nga një moment në jetën e Njeriut. E ai moment është pikërisht rrëfimi më i thellë diskursiv që do të bëjë tashmë një udhë të qetë vetëm në kujtesën time të ditëve të vështira në Atdhé. Për Fatin, Fatmir Hasekiun, ai moment do të jetë një arsye më shumë të mbahet atje tej mes luleve të përjetshme, se ai vërtetë e meritonte këtë respekt, që duhet të ishte më i ndjeshëm nga shumë instanca të tjera, por që ndoshta është shkruar të kthehet si respekt në realitet vetëm kur Njeriu largohet nga kjo jetë.

Më kujtohet një rast, dhe ky sërrish në ditë të vështira për Elbasanin e vitit 1997, kur i paharruari Engjëll Dakli do të shprehej mes një salle të madhe … „Doni të ketë qetësi në atë pikë, dhe të mos ndihet asnjë krrokamë njeriu, shkoni e thërisni me të butë një mik, demokrat, dhe një elbasanlli të mirë, emrin e ka të thjeshtë Fatmir Hasekiu!“. Dhe salla e mbushur me zhurmë e tym heshti, ndërsa Fat Hasekiu i pranishëm dhe i padukshëm në qetësinë dhe thjeshtësinë e tij thjesht buqëqeshi.

Dhe le ta përcjell me këtë fakt nga larg dhimbjen mes këtyre rrjeshtave, që vetëm Njeriu sikurse duhet të jetë Njeriu, i ndjen dhimbjet e të mirëve. Lamtumirë Fati i nderuar! Lamtumirë Fat Hasekiu!



966 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page