top of page

LAMTUMIRË...


LAMTUMIRË DALIP GRECA


Sokol Paja

Zemra e Dalip Grecës ndaloi përgjithmonë, u shua një ikonë e Diellit, Vatrës e gazetarisë shqiptare në Amerikë.

Sokol Paja

Zemra e Dalip Grecës ndaloi përgjithmonë. Ikona e shtypit të shkruar shqiptar në Amerikë, Editori epokal i Diellit 2009-2021, vatrani i veçantë, patrioti i spikatur, veprimtari i dalluar, njeriun që komuniteti e deshi dhe respektoi aq shumë, s'do jetë kurrë më fizikisht mes nesh. Ai ia dorëzoi shpirtin e tij Zotit të gjithësisë duke na lënë pas trashëgiminë e tij të pasur e kujtimet e dhimbshme e të paharrueshme. Sot më shumë se kurrë Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, të gjithë vatranët e Shqiptaro-Amerikanët i shprehin mirënjohje, nderim, respekt e vlerësim për punën e jashtëzakonshme që Dalip Greca bëri në Diell e Vatër për 12 vjet dhe në komunitetin shqiptar prej më shumë se dy dekada. Ai luftoi dhe punoi fort për idetë dhe idealet e tij. I palodhur, i kudondodhur, i urtë, punëtor, sistematik, fisnik e largpamës. Ngjalli gazetën Dielli, rifreskoi qelizat e Federatës Vatra, transformoi çdo realitet ku ai u bë pjesë, guxoi dhe u investua maksimalisht për të realizuar atë për të cilën ai besoi. Media shqiptare në Tiranë, Prishtinë, Shkup e çdo trevë shqiptare sot e nderon Dalip Grecën për kontributin e lartë për katër dekada me radhë që ai dha intensivisht në median shqiptare. Z.Greca kultivoi në media një stil të veçantë teknikash dhe vlerash dhe nga duar e tij kanë dalë ajka e gazetarisë së sotme shqiptare.

Dalip Greca ishte një patriot, profesionist dhe një njeri shumë i zoti. Dalip Greca mishëroi gjatë gjithë jetës së tij vlerat dhe vyrtytet më të larta të shqiptarit të mirë. Në çdo moment Dalip Greca ishte simbol i sakrificës, durimit, qetësisë, urtësisë, mençurisë, thjeshtësisë dhe këmbënguljes. Z.Greca gjatë punës së tij të mrekullueshme arriti të kalonte në shumë sfida duke pasur gjithmonë sukses dhe duke krijuar modele të shëndosha e të qëndrueshme si në Diell, në Vatër e në komunitetin shqiptar në Amerikë. Dalip Greca për katër dekada udhëhoqi me integritet moral, qytetar e profesional mediat ku punoi. Perveç punës së madhe dhe gjurmëve të pashlyeshme që z.Dalip Greca ka lënë në Diell, ai më herët ka qenë një gazetar shumë kurajoz, i ndershëm, i drejtë dhe menaxher i shkëlqyer te gazeta Ora e Fjalës, Republika, Illyria dhe bashkëpunëtor në shumë media kombëtare në Tiranë e hapësirën mbarë shqiptare. z.Greca ka qenë një penë e spikatur në diasporë duke memorizuar me qindra personazhe të historisë sonë kombëtare e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara e jo vetëm. Dalipi ishte një zë i fuqishëm dhe i pa kompromentueshëm. Ai kultivoi dhe transmetoi vlerat dhe vyrtytet më të larta mediatike dhe njerëzore. Duke qenë zëdhënës i Vatrës, gazeta Dielli, nën drejtimin e z.Greca kreu misionin me paanësi, korrektesë e profesionalizëm në kohë të vështira.

Dalip Greca me të gjithë ata që punoi ishte një bashkëpunëtor besnik, një familjar shembullor, një shqiptar i dalluar në diasporën e Amerikës. Miku ynë i shtrenjtë Dalip Greca pasi udhëhoqi me profesionalizëm të lartë, përkushtim të veçantë e pasion të dalluar vendosi të largohet duke na lënë përveç lotëve e mungesës, një trashëgimi të jashtëzakonshme e kujtime të përjetshme. Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, Komuniteti shqiptar, miqtë dhe familja do i jenë përjetë mirënjohës Dalip Grecës për veprimtarinë e tij dinjitoze dhe të shkëlqyer mediatike, njerëzore, kulturore, vatrane dhe patriotike. Të gjithë ne do të jemi mirënjohës përherë ndaj Dalip Grecës për frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të patriotizmit e të mirëkuptimit që kultivoi dhe transmetoi në Diell e Vatër për 12 vjet e komunitetin shqiptar në Amerikë prej më shumë se 2 dekada. Kontributi kolosal që la për të gjithë ne Dalip Greca pas largimit të tij në amshim do jenë një pasuri e çmuar për Vatrën e komunitetin shqiptar. Dalip Greca shërbeu me ndershmëri, përkushtim dhe shumë pasion. Ai ishte kurdoherë i gatshëm për të sakrifikuar dhe kontribuar si në ditët me diell dhe në ditët me shi. Me emrin e Dalip Grecës lidhet një histori shumë e rëndësishme e Diellit në Amerikë duke u kthyer në një media shumë serioze, dominuese dhe prestigjioze në botën shqiptare dhe jo vetëm. Dalip Greca ishte një intelektual i rrallë, një personalitet i shquar shqiptar i diasporës, një gazetar me dhunti të veçanta, një usta i pashoq. Gjurmët e pashlyeshme në gazetat Ora e Fjalës, Republika, Iliria dhe punën e jashtëzakonshme në Diell e në Vatër e kthejnë në një emër të paharruar në historinë e medias shqiptare në diasporë e trojet shqiptare.

Ai u nderua me dekoratën Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut prej Presidentit të Shqipërisë, nga Konsullata e Kosovës, shoqata e organizata në diasporë për kontribut të çmuar në media dhe komunitetin shqiptar. Në vlerësim të veprimtarisë së shquar kombëtare dhe kontributit të vyer shumëvjeçar si gazetar, publicist e drejtues mediesh, emri i Dalip Grecës do shkruhet me gërma të arta në historinë e medias shqiptare e diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I paharruar kujtimi, veprat dhe trashëgimia publicistike e njerëzore që Dalip Greca na la me ikjen e tij në përjetësi. FALEMINDERIT PËR GJITHÇKA.

28 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page