top of page

Lame Fandi: PËR 90 VJETORIN E  LUAN ÇIPIt...


        PËR 90 VJETORIN E LINDJES SË MIKUT TONË TË VEÇANTË,  LUAN ÇIPI

                                                                                                         nga Lame Fandi

 

       Si rrallëkush nga miqtë, Luan Çipi të ve në pozitë të vështirë për t’i bërë një urim publik, plotësisht të merituar, sepse ai është sa pluridimensional aq ndhe modest, personalitet ku intelektuali dhe humani janë shkrirë e bërë pej kohësh një.  Cilat do të ishin fjalët më të përshtatshme për ta uruar në festën e bukur që ka, apo më saktë, që e kemi sot? Themi : “ e kemi”, sepse në gëzimin e tij të sotëm bëhemi qindra nga miqtë e tij, që dalim edhe nga faqet e librave me kujtime, ku ai ka gdhendur qindra portrete me një dashuri e mjeshtëri të vërtetë.

      Shumë prej nesh njihemi me Luanin që kur ishim fare të rinj, 14 a 15 vjeçarë, në vitet e para të gjimnazit. Pasditeve, shpesh bëheshim grup për konsultime të detyrave të shkollës te shtëpia e shokut tonë të paharruar, Vaso Suli. Atje “faleshim”të gjithë, sepse Vasoja ishte nxënës i shkëlqyer, shtyllë  e shoqërisë si dhe vëlla i profesorit poliedrik, nga më të mirët që ka patur gjimnazi në historinë e tij, Kristaq Sulin. falë të cilit shumica jonë u kultivua me interesa të gjithanëshme, enciklopedike, që në jetë rezultuan të dobishme për ne dhe për të mirën e të gjithëve. Qëllonte shpesh që dhoma ku mblidheshim nuk na nxinte dhe diskutimet vazhdonin te kopshti-oborr pas shtëpisë, ku nga lartësia e murit ndarës, gati gjithmonë, ne ishim nën vështrimet kurreshtare të fqinjit të Sulajve, Luan Çipit. Se kush ishte Luani dhe familja e tij e mirë, na e kishte bërë të qartë me kohë Vasoja. Si më i madh në moshë, Luani natyrisht, kishte interesa të tjera, po ja që i pëlqente dhe zhurma jonë e gëzueshme dhe nga dita në ditë u bë pjesë e gjithë shoqërisë. Fillimisht ne mësuam për të ato që tërhiqnin më shpejt e më shumë moshën tonë: Luani ishte sportist dhe kampion kombëtar në ngritje peshash, atlet po dhe muzikant, pjestar i orkestrës së qytetit, nxënës që e kishte mbaruar  shkollën e mesme me medalje ari, që për ne ishte vlerë nga më mirat dhe nga më nxitëset . Askush nuk kishte menduar se më vonë ai do të bëhej shkrimtar e publicist i shquar, që me përpjekje e talent të veçantë do të krijonte atë që ne sot e quajmë “Mozaiku i madh i portreteve poetikë të Vlorës”, pse jo edhe “GALERIA  POETIKE E PORTRETEVE TË QYTETAREVE TË VIRTYTSHËM”, vlonjatë, po dhe qytetarë  të tjerë nga i gjithë vendi, të cilët jetuan dhe punuan si rrallëkush për Vlorën, Shqipërinë, madje dhe për disa nga vendet më të përparuara të botës. E aty, në atë Galeri, janë radhitur dhe mbi 20 emra të grupit tonë gjimnazist, që Luani i nguliste ne mendje e i mbante në kujtesë për t’i pasqyruar në shkrimet e tij një për një.

   Sot gjithandej botohen shumë libra me kujtime, po  jo të gjithë merren nga raftet për t’u lexuar e aq më pak për t’u rilexuar. Dikush, në facebook, propozonte krijimin e një minibiblioteke, vetëm me librat që herëpas here, në kohë e mosha të ndryshme, t’i rilexojë. S’do të ishte keq. Në një farë mënyrë disa, ndonëse thjesht për lehtësi orientimi, e kanë bërë këtë. Sepse jo rrallë, ka patur raste , sidomos në përvjetore, kur na është dashur të rikujtojmë vlerat e ndonjë shoku a a miku ato  i gjejmë më mirë e më shpejt te biografitë poetike të Luanit. Dhe deri sa arrijmë duke shfletuar te ajo që kërkojmë, na dalin përpara portrete të tjerë shokësh e miqsh, me detaje që, gjatë rileximit, na bëjnë të na qeshë buza në mënyrë të pavetëdijshme. E gjithë kjo, ndodh jo vetëm nga malli , por edhe nga forca tërheqëse e stilit të veçantë dhe punës skrupuloze, që ka bërë dhe vazhdon të bëjë një personalitet si Luan Çipi. Ka vite që Luani, është veçuar si shkrimtar, publicist e eseist me frymëmarrje të gjerë tematike, ku në dhjetra libra do të gjesh të njohur e te panjohur, që janë bërë të shquar  nga karakteri dhe vepra e tyre. T’i përmendësh disa e të lesh disa të tjerë do të bësh me siguri një veprim të gabuar. po këtë gjë e kemi shmagur prej kohësh në festat tona që kur miku ynë i çmuar, akademiku Bardhyl Golemi, në njjë pervjetor të lindjes së tij na tha “ Gjithçka të mirë e të bukur që përmendët për mua, unë do të thosha se e gjej dhe te secili nga ju.”

     Para disa ditësh ishim në Vlorë. I pari që e mësoi se kishim ardhur ishte miku ynë i vjetër, inxhinieri Spiro Naqo. Pasi lamë një orar takimi e pyetëm nëse mund të merrte  me makinën e tij dhe Luanin. Sepse, si 90 vjeçar, Luani  mund të kishte edhe probleme apo vështirësi të moshës.“Ç’thoni, - na ndërpreu Spiroja, - ku do t’ia dijë Luani për moshën?!..”

    Dhe, vërtet, përpara se ai të mbërrinte ngaqë po parkonte makinën, te trotuari pranë nesh pamë të vinte ngadalë, i drejtë e me hapin karakteristik, i miri dhe i shtrenjti për të gjithë ne, Luan Çipi. Kënaqësia ishjte, si gjithmonë e pamatë, por sot,në 90 vjetorin e tij të lindjes, ajo është e shumefishuar teksa e urojmë:

      “I GËZOFSH VITET E TUA, SI SOT EDHE PËRTEJ 100 VJETORIT, LUAN I DASHUR! MBARË E MIRË BASHKË ME TË GJITHË NË FAMILJEN TËNDE TË BUKUR, PLOT SHËNDET E KRIJiME PA FUND!”.

29 views1 comment

1 Comment


Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
Jul 11, 2024

       I nderuar Harallamb,

       Eseja juaj, në nderim të 90-vjetorit të lindjes së mikut tuaj, intelektualit të njohur Luan Çipi, më ktheu 10 vjetë prapa dhe më kujtoi vlerësimin e lartë që ai ju bënte në faqen e internetit të gazetës “Dielli” të datës 15 mars 2014, me titull “Lamja po ikën”. Atje ai shkruante:

“Sa u ndava nga Lame Fandi dhe ndofta për shumë kohë. Ai do shkojë për të banuar gjatë në Itali, ku ka djalin dhe ku ka siguruar dhe ca kushte më të veçanta përkujdesjeje jetësore e shëndetësore. Kam shkruar dhe tjetër herë se Lamja (Harallamb Fandi) është miku im i dashur, i adhuruar dhe i respektuar...”.

Ju kujtoj me respekt nga vitet e gjimnazit…

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page