Nga Visar Zhiti
NEBIL ÇIKA,
gazetari i njohur, veprimtari i palodhur i çështjes së të përndjekurve politikë, idealisti i së djathtës shqiptare, autor librash, mik i denjë, papritur ka ndërruar jetë.
Ky lajm dëshpërues, i dalë nga familja e tij, është përhapur sot gjithandej në media dhe rrjetet sociale në atdhe dhe në diasporën shqiptare kudo në botë duke pikëlluar të gjithë ata që e kanë njohur dhe dashur, që e kanë lexuar e dëgjuar si një zë i veçantë, guximtar, i drejtë dhe i mençur. Ndërkaq ai mbetet siç ishte, dhe një familjar i përkushtuar, një prind i dashur dhe i përkujdesur, mik besnik, aq sa i thjeshtë dhe dinjitoz, që luftonte dhe për dinjitetin e tjetrit…Mbartëte emrin e paraardhësit të tij, gazetarit të shquar të viteve 20-30 të shekullit të kaluar, Nebil Çika i Vjetri, përndjekjen e familjes nga diktatura komuniste, patriotizmin shqiptar, konservatorizmin tradicional, vazhdimin si një premtim të Nebil Çikës së Ri, dashurinë për vendin dhe vendlindjen e tij të bukur, Borshin e Sarandës, virtytet e Jugut, mirësinë dhe besnikërinë, etj. Ikja e parakohëshme e tij mbushet veç me bëmat dhe shëmbëlltyrën e tij, emblemë e qëndresës dhe e ëndrrës për një Shqipëri demokratike, të lirë dhe euroatlantike.
Ai tashmë hapi një rrugë dhe do të vazhdojë të prijë me idealin…
DËSHMI DHE AKUZË NJËHERËSH, KUJTESË DHE DREJTËSI…
- parathënia e Visar Zhitit -
Libri me biseda, që ka për qëllim të zbulojë nga krimet e komunizmit në Shqipëri, i gazetarit të njohur Nebil Çika, është dyfish drithërues, por mbi të gjitha i rëndësishëm, ai është krejt i veçantë në kolanën e librave të kujtesës, që po mbushin mungesën e rëndë të bibliotekave tona duke dëshmuar fate të njeriut shqiptar dhe si rrjedhojë dhe të vëndit nën diktaturë.
Ndërkaq ai (ri)sjell dhe dukuri të qëndresës njerëzore, forcën morale, diçka nga udhëtimi shpirtëror i Shqipërisë nga terret e frikshme humnerore drejt agut të lirisë. Të jetosh për të treguar, por dhe të tregosh për të jetuar.
1. ZBARDHJA E KRIMIT
Fjala “zbardhje” të kujton të bardhën, të pastrën dhe disi harresën, pse jo dhe zbardhëllimin e pafajshëm të ditës. Por duke i vënë pas fjalën “krim” ajo menjëherë errësohet si në një mbyllje sysh dhe spërkatet me gjak. Kurse kompozita “zbardhja e krimit” tregon se ka nisur misioni i një dite tjetër, i kohës për t’i ditur krimet si dukuri, por edhe kriminelin si përgjegjës.
Autori si mjet shpalosjeje zgjodhi bisedën, këtë institucionin të lashtë të njeriut, të pa zëvëndësueshëm, që teksa i rrëfehesh tjetrit, që s’është gjithmonë i sotshëm, i rrëfehesh dhe vetes, ke bërë një lloj çlirimi, katarsis, gjykohesh dhe ke gjykuar. Gjyq. Autori ka thirrur nga at që kanë qënë gjyqeve të diktaturës, që janë dënuar dhe kanë vuajtur në ferr, vijnë prej andej, nga burgjet dhe internimet, të afërm të tyre apo të njohur, nga ata që kanë kundërshtuar e kanë sakrifikuar.
Rrëfimi ushqen kujtesën dhe me të nisin jo vetëm historitë, por edhe historia. Biseda të drejtpërdrejta, me guxim, pa asnjë pengesë, përveç atyre të psherëtimave të dhëmbjes shpesh e më shpesh. Të nxjerra nga një emision televiziv, si të fantazmëta, i ideuar po prej autorit të këtij libri, që tërhoqi dhe shokoi mijëra shikues. Por, që të mos mungonin personazhet e vrarë nga diktatura, Nebil Çika hyn më thellë, me ndërgjegjen e gazetarit, hulumton, pyet për ta, heton të vërtetat, pse ndodhi krimi, ku i vranë, si, në ç’përmasa ishte ploja, vetanake, shtetërore, kombëtare, e fshehtë, e doktrinuar, banditeske, por gjithsesi krimi mbetet përherë krim dhe s’ka justifikime, as doktina nuk të ndihmon. Po ku janë varret e të pavarrëve, në ç’harresa të dëmshme? Po vrasësit çfarë bëjnë? Janë penduar apo përgatiten për vrasjen e radhës, me forma të tjera?
Shqipëria tashmë e ka nisur rrugën e ringritjes, si rrjedhojë dhe e zbulimit të të vërteva, e mbrojteve të tyre. Njeriu i saj po aftësohet të gjykojë në kushte lirie, të ndëshkojë të keqen me drejtësi, që sa më parë të bëhet paqe me historinë, në emër të ardhmërisë.
Libri i ngjan një hetuesie tjetërlloj, një kundërhetuesie, që kërkon të çojë moralisht në bankën e të akuzuarve ata që bënë hetuesira kriminale dhe ushtruan me tepri dhunën, ashpërsuesit e luftës së klasave, që do të thoshte mosndërprerje e luftës civile në kohën e sundimit totalitar të të vetëshpallurve komunistë. Ky proçes shkon deri tek diktatori, me të cilin duhej të fillonte. Dhe vrasës dhe buzëqeshur, thoshte Shekspiri.
Duke patur personazhe realë, të dënuar, ish të internuar, të burgosur, kryengritësa, studiues, historianë, dëshmitarë, por dhe ata që s’mund të vinë dot, personazhe në mungesë, të pushkatuar, të varur, të varrosur për së gjalli, me dialogë të rëndë, të beftë, me vende dënimesh, torturash, të rrethuar me tela me gjëmba, Spaçi, Burreli, Tepelena, Qafë-Bari, me emra vrasësish, vepra i ngjan një drame, një tragjedie, sa mesjetare, po aq dhe e tanishme, e shumë zërave, një kor lemerisës. I duhet kujtesës kombëtare, sado përzishëm qoftë. Është dëshmi dhe akuzë njëherësh. Ndihmon në të kuptuarin e së shkuarës, pavarësisht se të tashmen nuk e lë të qetë, me qëllim që ajo të ketë tagrin e duhur, përgjegjësitë, njohjen e së vërtetës, pa të cilën nuk mund të ketë përvojë historike dhe ndjellje të njëmëndët të së ardhmes.
Vazhdon apeli për drejtësinë e nisur në ndërgjegjësimin e mëtejshëm kolektiv në kërkimin e zanafillës të së keqes për të krijuar sa më shumë kulturë qytetare, nga ajo që ka munguar, që e copërluan në diktaturë, po, po kulturë për të qënë të aftë të qortojmë e të ndreqim e të qetësojmë shpirtrat. Ndërgjegjëson për të veçantën dhe të përgjithshmen, të cilat duket se i lidh e njëjta prangë. Libri, ashtu si shoqëria shqiptare sot, ka për qëllim çprangimin.
1. NJË EMËR, DY GAZETARË...
Kur marrim ndër duar këtë libër, na vjen vetvetiu të pyesim me habi: kush është autori, Nebil Çika? Po atë e kanë pushkatuar? Si, janë dy? Po kush e ka shkruar, i Vjetri apo i Riu, i vdekuri apo i gjalli, i vrari në diktaturë apo i ringjalluri në demokraci?
Nebil Çika i Vjetri ishte publicist dhe filozof, gazetar i njohur i vitieve ’30 të shekullit të kaluar, drejtues i disa mediave, i gazetës “Arbëria”, “Minerva”, etj. Ishte gjithashtu korrespondent i Retrues dhe New York Times në Tiranë. Demokrat, nacionalist. Bashke me Branko Merxhanin, Ismet Toton, Vangjel Koçën, etj, njihen si themeluesit e “Neoshqiptarizmës ”.
Më 17 Nëntor 1944, kur në histori shkruhet se po çlirohej kryeqyteti, ikte pushtuesi duke shkatërruar ç’linte nga pas, fitimtarët vinin me mizori duke goditur ç’gjenin përpara. Pa gjyq fare ata pushkatuan, mes intelektualëve të tjerë të lartë dhe Nebil Çikën.
Por kjo s’do të ishte e fundit për familjen Çika nga Borshi i Sarandës, pronarë tokash e tregtarë, veprimtarë të njohur të patriotizmës dhe të demokracisë.
Pasardhësi Sorkadh Çika, mësues në Konispol, 5 vjet më vonë arrestohet dhe dënohet me 15 vjet burg si kundërshtar i diktaturës komuniste. Por duhej ruajtur nderi, ideali, emri. Shqiptarët besojnë se emri mbart dëshirat tona dhe fatin. Fëmija, të cilit do t’i vihej emri i paraardhësit Nebil Çika, do të shikohej me çudi në shkollë, me inat nga komunistët, me admirim të druajtur nga të tjerë për guximin e prindërve që e pagëzuan me një emër të vrarë nga sundimtarët e kuq. Ata, emërvënësit, e kishin tejkaluar zakonin, ky ishte qëndrim dhe kundërshti dhe shpresë e fshehtë për ndryshim. Po thirrej një epokë e rrëzuar, misioni i pa përfunduar. Kjo i tmerronte bishat e diktaturës.
Nebil Çika i Riu, që edhe gjyshin nga nëna, Hysni Merkaj, ia kishin pushkatuar si një nga komandantët e njohur të Ballit Kombëtar, do të rritej duke u përndjekur dhe prej Emrit, pra. Emri i tij ishte i rëndë si ato pajimet e hekurta të një gladiatori mbi trupin e një njomëzaku, shpata e thyer ndhe brena në mishin e tij, mburoja e përgjysmuar, përkrenarja e çarë.
Ai nuk duhej të shkollohej, nuk...
Por ora e kohës së vjetër ndali, teksa binin pika gjaku prej saj si në pikturat ankthëruese të Dalisë. Ra Muri i Berlinit, ra perandoria komuniste dhe, edhe Shqipëria e vogël, mori rrugën e lirisë së madhe, të Europës.
Në gazetat e reja dhe të çliruara po trokiste një burrë i ri, serioz. Sapo kishte kryer studimet universitare për gjuhë dhe letërsi shqipe dhe kishte vendosur të bëhej gazetar. Kur thoshte emrin Nebil Çika, ata që dinin diçka, për një çast hutoheshin, hapnin sytë, rrëqetheshin. Nebil Çika... ai i pushkatuari... Erdhi fantazmë...?! Është pasardhësi... Kanë ngjallur emrin e tij. Ashtu...? Po, po, është Nebil Çika i demokracisë. Se siç vdesin, emrat dhe ringjallen.
Artikujt, kronikat, raportet, reportazhet, komentet, analizat, opinionet editoriale, intervistat e tij do të ishin me mijëra. Por gjithmonë me një qëndrim të palëkundur, i drejtë dhe patriot, i angazhuar si qytetar.
Të dy Çikët me të njëjtin emër, Nebil, kanë një pikë takimi në përplasjen e kohëve. I Vjetri shqetësohej për të ardhmen, por e lanë pa atë. Ja, një nga porositë e tij në vitin 1942: “Unë nuk dua veçse t’i ftoj këndonjësit të mendohemi së bashku mbi problemin themelor të së ardhmes sonë si qenie kombëtare pa marrë parasysh kontigjencat e jashtme...”.
Kurse i Riu është i detyruar t’i kthehet së shkuarës, në emër të së ardhmes. 80 vjet më vonë ai thotë: “...misioni është zbardhja e krimeve të komunizmit dhe prurja e vlerave të këtyre figurave të historisë së Shqipërisë, pra është dhe një rishikim i historisë shqiptare nga rrëfimet e protagonisteve...”
E ardhmja ngjante e penguar. Sikur nuk e linin të vinte. E shkuara pas një muri, që nuk e linin të ikte. Por duhet shkruar dhe pas vrasjes. Me mitin e ringjalljes. Frymë të tillë ka dhe ky libër i Nebil Çikës. Është i pari, le ta hapim...
Tiranë, 21 maj 2013
***
Kaluan 10 vjet. Nebil Çika iku sot në amëshim, fjala e tij, porositë mbeten pas si një udhërrëfim me rëndësi…
Nebil Çika e Visar Zhiti në burgun e rrënuar të Spaçit, në përkujtim të revoltës…
Comments