Kujtim mbresëlënës me Ambasadorin Mal Berisha
Sot, kur po bëhen homazhe për të nderuar Mbretëreshën Elizabeth II, Ambasadori Mal Berisha përmes televizionit MC (youtube: Herët në MCN-Mal Berisha rrëfen takimin me Mbretëreshën Elizabeth II-14 shtator 2022), dy ditë më parë, rrëfen kujtimet e tij nga takimi me monarken më të vjetër të botës, midis të tjerash edhe historinë me lahutën shqiptare.
Në fillim të vitit 2012 Mal Berisha u caktua Ambasador në Mbretërinë e Bashkuar dhe gjatë përgatitjeve në Tiranë për të marrë detyrën në Londër, me kërkoi një takim, si miq të vjetër, që të diskutonim bashkë për këto përgatitje. Biseda u përqendrua kryesisht te Mbretëresha, ku gjatë paraqitjes së letrave kredenciale, Ambasadori kish menduar edhe për një dhuratë. Rrahëm së bashku shumë mendime e ide, pasi ishte delikate gjetja e një dhurate për një person kaq të rëndësishëm dhe shumë protokollar, që ka pritur në audiencë qindra e mijëra diplomatë e duhej të “qëlloje në shenjë” me një dhuratë shqiptare që ta vlerësonte e t’i linte mbresa.
Në diskutim e sipër më lindi ideja për të gjetur diçka artistike dhe propozova të shkojmë te Argjendari Pirro. Të nesërmen shkuam në galerinë e punimeve të këtij artisti me mendje krijuese, i cili na priti mjaft mirë. Duke vështruar punimet sytë më mbetën te lahuta, punuar me shije të hollë në argjend, dhe, propozova që kjo të ishte dhurata. Ambasadori e pëlqeu menjëherë e më pas filluam të diskutojmë për unicitetin e këtij instrumenti dhe si do të prezantohej te Madhëria e Saj.
Muajt kaluan dhe menjëherë pas paraqitjes së letrave kredenciale, tashmë Ambasadori i jashtzakonshëm dhe fuqiplotë i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar të Britanisë së Madhe, Irlandës së Veriut dhe Irlandës, Mal Berisha, i mrekulluar me shkruan me shumë ngazëllim për ceremoninë, por, në mënyrë të veçantë për lahutën, për të cilën më përgëzoi, që kisha kontribuar në përzgjedhjen e saj.
T’i jepje dhuratë Mbretëreshës ishte e pazakontë, por me insistim te marshalli, ishte pranuar prej Saj dhe pas dorëzimit të letrave kredenciale, Madhëria kishte bërë pyetjen për lahutën e vendosur në tripod. “Ambasador, mund të më tregoni çfarë përfaqëson kjo dhuratë që më keni sjellë?” Shpjegimi që ka bërë Ambasadori ka qenë shumë i veçantë, duke i treguar se përmes këtj instrumenti janë përcjellë ndër shekuj heroizmat dhe legjendat e popullit shqiptar….
Lahuta shqiptare tashmë ndodhet në koleksionin e Mbretërisë angleze, por për fat të keq ajo në UNESCO është bërë pronë e kulturës së Serbisë, na kanë rrëmbyer edhe një instrument plotësisht autentik shqiptar.
Comments