Mihal Gjergji
KËRKOJ NJË STREHË
Atdheun e ngarkova në shpirt
Jam për udhë të gjatë
Mbi humnerat e mia
Fluturojnë pëllumbat e Ovidit
Kam mbetur fillikat..!
Ik, më thanë, ik tutje
Merr arabanë me plaçkat e trupit
Mua
Që gjithë jetën mbolla farë të zgjedhur
Më përzunë ca bij putanash
Pjella të turpit
Shtigjet m’u bënë brazda në ballë
U përgjakën horizontet
E dhimbja ime u bë iso kënge
Malet u thinjën
Bashkë me ta
Rënkon një mall i patretur nëne
Vetmitar kam mbetur
Ku të vete?
Qiejt e urrejtjes kullojnë mbi mua
Do t’i lutem Homerit:
Më bëj pak vend në dramat e tua!
Kurvelesh, Shkurt 2018.
Comments