Mbase në përdorimin e moçëm, si përdorje fjale, panairi ftonte hiret e bukuritë, dukjen e ëmbël, të dashur, kualitetin e epërm, më të pastrin e mundshëm, të pa-hile, më të bukurat e më të këndshmet për syrin, besohet se në panairet shfaqej shija e beftë dhe…sa më shumë gëzim.
Më pastaj, (edhe pse ne të Sotmit, jemi të dënuar tu gëzohemi zakoneve të sotme), hapësirat e botës’jetës, u ndanë në shtete, perandori, komisione të emërtuara, u vendosën kufij dhe interesa, më në fund…edhe në sallonet aristokrate hynë çmimet për librat, shpërblimet në natyrë, kokë-më-kokë…
Këto dallime/çmime nisën t’i jepnin ata që kishin. Ata ofronin paranë, shpërblimin, mbase ngaqë s’e kishin dot vet shijen për vetitë që (më lartë u përmendën) e panairit si festim për çdo kënd dhe, krejt pa dashje, krijuan diferencimin fals. Monedhë për artin kallp.
Edhe më tej, jo se përjashtohej me dekret apo ligj të qenit libër i bukur, pamje e paraqitshme arti, imazn i dëlirë dhe tërheqës, nuk të qortonte kush se ishe e virtytshme e papërlyer dhe e pafajshme në të qenit ajo që ishe lindur e bërë prej jetës, nuk ta fshihte dot kush dritën që rrëzëllejë edhe aty, në panair, ngjyrën si mund ta zbehte kush, as të drejtën e së barabartës si qenie, e lindur dhe e pohuar si e vërtetë, brenda arsyes së llojit e gjinisë, lindur e kërkuar të mbetesh në dinjitet origjinare, por…
…Por ja që erdhi dikur koha, gjërave që silleshin e shfaqeshin më bujshëm në Panairet, u kishin veshur dukje tjetër, që s’e kishin të vetën, që t’i zbukuronin pastaj edhe me çmime për energji e shpirt e cilësi që vetëm shpirt e bukuri të natyrshme s’kishin… Sjellja në të njëjtën mënyrë ndaj kujtdo, për prurje të njëjtë, respektimi, konsiderimi njëjtë në ngrohtësi i grupeve e individëve, prania imponuese e pushteteve të tjerë – na e mban edhe sot frymën kur shkrimtari zgjat dorën e merr trofenë prej nënqeshjes palavi zyrtare, heshtja e detyruar e opinioneve vetjak, qashtër personal, vetëm si të tillë, shpëtuar prej paragjykimeve madje larg “diskriminimeve pozitivë” do të thoshte dikush prej fituesve që qoftë edhe thjesht për etikë të pushteteve jo letrarë, as filozofik, do duhej ta refuzonte ai vet këtë diskriminim të pa para-shkruar dot…mundësuar prej patronazhimeve dosjuar prej heshtjes së lirisë…
Kërkohet të dëliren Panairet?! Të cilës shoqërie?! Të cilit ishull, thua?! Nëse do të bëhej me këmbime emrash, jo prirjesh të thella sociale, nëse pragmatizmi do zëvendësonte parimet, nëse do të refuzonim ca emra për të pohuar emra të tjerë, nën po të njëjtën logjikë, do mjeronim inspirimin e nisur qoftë edhe si frymë të bukur…
Se, secili nga ne është i kufizuar në mundësinë për të ditur gjithçka, për të lexuar tërë librat, aq më pafuqishëm jetët e autorëve, apo llagëmin e ngjizjes së botuesve! Këta të gjorët, nuk se s’kanë veç shije, por as intuitë që paranë e siguruar kush e di se si, s’dinë ta investojnë në qark autorësh më dritë të vetën…A s’i kemi parë që kthehen në pushtet, edhe këta, dhe shëmbëllejnë me ata që po perëndojnë pas perëndimit të fuqive shtetërore pas tyre?!
Pa asnjë dilemë, nëse do rrekeshim të ulnim dikë që të lartësonim dikë që dimë apo pëlqejmë ne, vetëm ne, grupi tjetër, sado nismë-mirë, s’do dilnim kund…
Por, kush e di, siç vet PËRPARIMI, që jo gjithnjë bën përpara shoqëruar nga Qytetërimi e Humanizmi, edhe në gëzimin për Librin, duket se s’kthehemi dot në Panairet fillestare, si Festa të Shkruarash Njerëzore…
Komentar