top of page

KËRKOHET DREJTËSI DHE SHPAGIM


Pjesa II

KËRKOHET DREJTËSI DHE SHPAGIM

PËR GJAKUN E DERDHUR

II)- Ndodhitë dramatike të ndodhura në atë rajon, kanë vërtetuar çelikosjen e etnitetit shqiptar, i cili historikisht nuk ka pranuar të jetë vasal i askujt dhe asnjëherë.

Ky karakter është shfaqur dukshëm tek banorët çamë edhe gjatë takimeve që u mbajtën me armiqtë e tyre dhe të vetë popullit Grek.

Le të njihemi me "dredhitë" e armikut të asaj kohe:

* Është i njohur fakti se janë zhvilluar disa takime ndërmjet forcës politike të djathtë greke, EDES-it, që kryesohej nga Napoleon Zerva, me disa nga burrat çamë, për të mundësuar bindjen e banorëve të Çamërisë për të pranuar bashkimin me ushtrinë zerviste.

- Një nga këto takime, u zhvillua në fund të muajit maj 1943. Takimi u mbajt në manastirin e Paganionit, në fshatin Selan të Paramithisë (kujtojmë këtu se po në këtë fshat greqia kishte vrarë, torturuar 72 burra nga paria çame më 23/02/1913!!). Pala e EDES-it u përfaqësua nga kapiteni Zhupa, koloneli anglez Myers dhe dy-tre oficerë të tjerë; ndërsa nga pala e "ashtuquajtur" Ballit Kombëtar çam, u përfaqësua nga Mazar Dino, myftiu i Paramithisë, Ferhat Kaso e Sali Meto.

"Tërheq vemëndjen këtu, që, kushdo i interesuar, për të kuptuar qëllimin e vërtetë të atyre takimeve, le të gjykojë mbasi të njihet me kërkesat që janë parashtruar nga pala e EDES-it".

Në takim pala e EDES-it i kërkoi Mazar Dinos që të bashkoheshin me Napoleon Zervën kundër EAM-it dhe ELAS-it. Kundra partizanëve grekë ku ishin të inkuadruar mbi 700 djem e vajza çame që luftonin për çlirimin e Greqisë nga okupatori (disponoj listën me 656 emra të partizanëve çamë). Ai takim, për nga vetë qëllimi i tij, mbetet një fakt historik që dëshmon se EDES-i ishte pro okupatorit, mbasi sëbashku me 'ta, luftonin kundra partizanëve, çlirimtarëve të Greqisë (mos harrohet ishte fronti kundër komunizmit). Duhet vënë në dukje edhe fakti i vërtet se, vërtet aleatët, anglo-amerikanët ishin në koalicion ushtarak me Bashkimin Sovjetik (Rusinë), për të luftuar “Boshtin" Nazifashist (Gjermani, Japoni, Itali), por në terren, konkretisht në Greqi, donin të fitonte e djathta greke. Dy shtetet Aleate, britanikët e amerikanët, ndihmuan në të gjitha drejtimet për të fituar e djathta greke. Fitorja ju dhurua EDES-it. Ndërsa si pakica e majtë dhe minipakica e djathtë e disa çamëve, që pretendonin përfaqësimin e popullsisë në Çamëri, dështuan, nuk përfituan asgjë, veç masakrave dhe dëbimit masiv të asaj popullate!?. Bile në mars të '45-sës, kur e majta greke ja dorëzoi Çamërinë të djathtës greke, forcat qeveritare greke i veçuan partizanët çamë, i çarmatosën dhe mjaft prej tyre i pushkatuan.

Pabesi, tradhëti, por dhe naivitet.

Kjo situatë e rrëmujshme politike duhej të ishte kuptuar nga elementë çamë të të dy minigrupimeve (0,3%-3,9%) që u shfaqën përkohësisht përgjatë L2B, në rrugën që duhej ndjekur, pavarësisht nga influenca e pakët e aktivitetit të tyre tek banorët.Të dy, si grupimi i vogël me të djathtën dhe grupimi me të majtën greke, nuk arritën të pengonin strategjinë vrastare greke ndaj çamëve myslimanë. Mjeshtëria e dinakërisë greke, ata dy minigrupime, nëpërmjet manipulimeve, arriti t'i përdorë si alibi për të përligjur strategjinë e shtetit ortodoks grek, të kryerjes së masakrave, dëbimit të dhunshëm dhe të gjenocidit të asaj popullsie.

● Edhe në takimin tjetër të zhvilluar më 10/08/1943, në qytetin e Pargës, muarën pjesë përfaqësues të EDES-it dhe Mazar Dino me bashkëpunëtorët e tij. Pala e Napoleon Zervës paraqiti këto kërkesa:

- Të bëhej çarmatimi i menjëhershëm i çamëve dhe gjithë forcat çame të armatosura si dhe ata të aftë për luftë, të kalonin nën komandën e EDES-it.

- Në Çamëri të organizohej një administratë në formë këshilli, me emrin EA "Ethiniki Agona" (Lufta kombëtare).

- Ndihmat ekonomike, financiare, njerëzore, që do të mblidheshin nga popullsia çame të shkonin për EDES-in.

- Në krahinat që ishin nën juridiksionin e EDES-it, të mos shkelte asnjë çam i armatosur.

Kuptohet qartë se qëllimi i EDES-it, në ato takime, ishte të shtonte forcat për të goditur EAM-in kundërshtar, duke përdorur banorët e Çamërisë “mish për top” dhe njëherazi i gjithë rajoni të kalonte në "skllavërinë zerviste".

- Edhe në bisedimet e zhvilluara nga data 3 deri në 6 korrik të vitit 1944, në fshatin Mininë (fshati i parë çam kur vjen nga Janina), përfaqësuesit e Zervës, i parashtruan vllezërve Dino kërkesat e përsëritura:

- Çarmatimin e plotë dhe mobilizimin e përgjithshëm të djemve dhe burrave çame për tu inkuadruar në radhët e EDES-it,

- Të pranonin pa kushte pushtetin e EDES-it në Çamëri.

*-Këto ishin kërkesat e dinakërisë zerviste, të cilat shumica e cilësuar e popullsisë çame (95,8%) nuk i pranoi. Ai takim u zhvillua pa mbushur dy javë nga masakrat e zhvilluara në Paramëthi dhe rrethinat e saj!!?. Takim fallso, vetëm për të mashtruar, sepse edhe para se të masakronin banorët e Paramëthisë, u bënë "be e rrufe" se nuk do kryenin asnjë veprim kundër banorëve. Të gjitha këto ndodhira, u hapën "mendjen dhe sytë" banorëve. Çamët nuk u përfshin në luftën midis dy forcave rivale në Greqi, me përjashtim të grupimeve të vogla.

Ishte pikërisht kjo situatë që Zerva (fis i zervatëve aziatikë, të ardhur në Epir në vitin 1204, rrjedhojë e raprezaljeve të Kryqëzatës së IV-të), kishte kurdisur kurthin me planin djallëzor të takimeve. Takimet kishin dy qëllime:

a) Me pranimin e kërkesat zerviste, rajoni bëhej pre e zervistëve, pa asnjë lloj humbjeje. Dhe siç do shikojmë në vijim, do të asgjësohej mbarë popullsia çame me pabesi, sikundër u veprua në kasaphanën e Paramëthisë.

b) Mos pranimi i kërkesave zervista, ashtu siç dhe u vërtetua, u përdor si shkak për fillimin e ndëshkimeve.

Zerva rifilloi sulmin e përgjithshëm me datë 8 korrik të vitit 1944, mbasi kishte masakruar, gjatë 26,27 dhe 28 qershorit mbarë banorët e qytetit të Paramëthisë dhe rrethinat e tij. Pasoja e masakeave që u kryen përmbushën kriteret e gjenocidit të tmerrshëm.

Qëllimi i shtetit ortodoks grek për shfarosjen e popullsisë çame, del qartë dhe nga mënyra e kryerjes së operacioneve vrastare. Operacioni filloi në Paramëthi, vazhdoi gjatë jugut të Thesprotisë së sotme, doli në Pargë, Margëlliç, dhe në Filat.

Operacioni u zhvillua në formën e patkoit, fillimisht përfshiu gjithë lindjen, u zgjat nga jugu dhe rrethoi parëndimin e Thesprotisë. Zervistët me operacionin "patkua", vranë e prenë brenda territorit që u shkelte këmba, ndërsa veriun e përdorën si vathën e dhenëve për t'i larguar banorët jashtë vendlindjes.

Një episod: Kur ndodheshim në Sajadhë, babai me banorët e fshatit të tij, bisedonin për situatën. Tepër të shqetësuar e të stresuar, shtronin tre zgjidhje për pyetjet: Ç'farë do bëjmë?:

Zgjidhjen asaj dileme, babai na e ka shpjeguar në tre mundësi:

a) Ose do qendronin në Sajadhë dhe ti therte të gjithë greku me zervistët;

b) Ose të hidheshin në det dhe të mbyteshin të gjithë;

c) Ose rruga e tretë, për të mbetur gjallë "Fara e fisi" çam, ishte hapja e kufirit shqiptar për të shkuar tek vëllezërit e të njëjtit gjak.

Pse ishte ky shqetësim i prindërve tanë, pikërisht kur turmat e të dëbuarve dhunshëm ishin në afërsi të "Qafë Botës"?. (Vendkalimi nga Çamëria në Shqipëri).

Po. Shkaku i shqetësimit ishte se "Napoleon Zerva, në strategjinë e tij, kishte vazhdimin e sulmit kundër popullsinë çame (që po largohej për ti shpëtuar vrasjeve), edhe në brendësi të territorit shqiptar".

Këtë strategji shfarosëse greke kundër çamëve, e denoncoi hapur Shtabi i Përgjithshëm i UNÇL shqiptare pranë aleatëve, duke i u përgjigjur në të njëjtën mënyrë kërcënimit të EDES-it.

Ishte ky fakt strategjik grek që "në nëntor të vitit 1944, nënsekretari amerikan i shtetit Stetinius (Edward Reilly Stettinius Jr. October 22, 1900 – October 31, 1949), i informuar rreth situatës katastrofike që po i kanosej komunitetit çam, theksoi:

Ne mendojmë se nuk duhet të lejojmë forcat e armatosura greke dhe ato shqiptare të kalojnë kufirin dhe se përpjekjet e tyre për të përzënë ose asgjësuar pakicën që i përket një gjuhe ose një grupi kombëtar të ndryshëm nuk duhet të tolerohen”.

Kështu u zgjodh rruga e tretë. Dhe karvani i atyre njerëzve të drobitur, të lodhur, të bërë skelet, të sëmurë, të uritur, arritën të kalonin "Qafë Botën", me shpresë e besim se i shpëtuan vdekjeve. Por gjëndja shëndetësore, ekonomike dhe shpirtërore, jo të gjithëve u a siguroi jetesën. Atje në hapësirën territoriale të Konispolit, të Xarrës, të Muzinës, të Kllogjerit, ndërruan jetën 2,700 veta, fëmijë, gra dhe burra. Ata gjenden nën atë dhe. Atje janë emrat dhe shpirtërat e tyre. Atje është jeta dhe vdekja. Është e vërteta dhe mashtrimi. Atje qëndron memoriali i vdekjeve, për ti treguar shoqërisë së civilizuar të mbajë në vëmëndje vigjilencën e përhershme, të

mos tërhiqet nga vendosja e drejtësisë ndaj kujdo qoftë.

Vetëm pas vitit 1990, është ngritur zëri nga shteti shqipta, që shqiptarëve të Çamërisë, tu jepen të gjitha të drejtat, në zbatim të ligjeve ndërkombëtare. Dekreti Nr.7835, date 26.06.1994 vendosi: “Dekretoj shpalljen e 27 qershorit kalendarin kombëtar, Dita e Gjenocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek dhe ngritjen e një memoriali në Konispol".

Memorialil sfidon qendrimet dy anëshe ndaj parimeve demokratike të BE-së. Sfidon deklarimet falso të "Të Drejtave Universale të Njeriut". Gjithashtu atje dhe në atë kohë u ndal vdekja dhe lindi jeta për pjesën tjetër të "Farë e fisit" çam. Ajo pjesë e çamëve që shpëtoi nga asgjësimi i "demokracisë" së shtetit orthodoks Grek.

Del qartë se EDES-i i masakroi çamët, jo për gjoja se ishin bashkëpunëtorë me okupatorin, akuzë që u përdor dhe përdoret si alibi, por në rastin konkret edhe për faktin që ata nuk pranuan të inkuadroheshin me EDES-in kundër partizanëve grekë.! Një tjetër fakt i përdorur për të përligjur masakrat, mbasi kërkesat ishin qëllimisht të tilla për tu mos u pranuar.

Sjell në kujtesë bisedën time me një të afërt (S. Çerçizi në kohën e masakrave ishte 21 vjeç), para rreth 40 viteve, lidhur me takimin e fundit të 3 deri 6 korrikut 1944. Ai rastësisht kishte parë në një kafene të Janinës të ishin bashkë N. Zerva dhe Nuri Dino. I kishte bërë përshtypje ajo shoqëri, dhe më tha: "Për takimet që bënin vëllezërit Dino me Napoleon Zervën, që ishin pjesëmarrës të EDES-it, lindën dyshime nëse ishin të sinqerta apo të qëllimshme. Në një dyqan të Janinës, vazhdoi bisedën Çerçizi, ishin ulur Napoleoni me Nuriun, pinin kafe dhe qeshnin. Ai shoqërim i përzëmërt, një javë mbasi ishin bërë takimet e pa sukseshme mes tyre, nuk na pëlqeu".

Nga takimet e zhvilluara mes forcës politike të djathtë greke dhe disa individëve çamë, që nuk kishin të drejtë përfaqësimi të banorëve të Çamërisë, del qartë taktika e Zervës për të çarmatosur banorët autoktonë shqiptarë të Çamërisë, grabitjen e pasurive, izolimin e banorëve për të lehtësuar në realizimin e strategjisë së Greqisë për vrasjen dhe shpërnguljen e gjithë popullsisë nga trojet e tyre.

Koha vërtetoi, EDES-i realizoi misionin që i ishte ngarkuar.

Që EDES-i ishte bashkëpunëtor me "pushtuesin" gjerman, vërtetohet edhe me faktin e kërkesës që Zerva i bëri gjermanëve për çarmatosjen e banorëve çamë (kujtesë se në ato kohë, të paktë ishin kryefamiljarët që nuk kishin armë). Kërkesa e Zervës u muar parasysh. Me urdhër direkt të Hitlerit, u çarmatosën çamët nga forcat gjermane dhe armët e mbledhura u a shpërndanë forcave ushtarake të EDES-it (sipas ditarit të R. Dinos).

Nga muaji Qershor 1944 deri në mars 1945, forcat e Zervës dhe ushtria Greke, filluan aksionin e masakrimit, të shpronësimit dhe dëbuan dhunshëm të gjithë banorët e besimit mysliman të rajonit të Çamërisë.

Vijon

Studjues Fahri Dahri

Itali më, 23/06/2021.-

20 views1 comment

1 comentario


fahri dahri
fahri dahri
24 jun 2021

Korigjim: fshati me emrin Muzinë, të leohet fshati Mursi. Faleminderit. Fahri Dahri. 24/06/2021.-

Me gusta

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page