top of page

...ky është i papërsëritshmi Uran Kostreci!


Intervista më interesante që kam zhvilluar në jetën time, ajo me shkrimtarin Uran Kostreci! Ja një pjesë e vogël e rrëfimit të tij!

- “Duhen vite në Shqipëri të ndahen krundet nga mielli…!” - “Për peqinasit ruaj respekt të veçantë!”

Dhjetë vjet më parë, nën shoqërinë e mikut tim Teki Iljazi, shkuam e takuam paradite në një nga baret mbrapa Muzeut Kombëtar Tiranë (ish Postiqet), ulur në një tavolinë me pamje nga lulishjta, duke pirë gjithë shije kafen e mëngjesit. E ka vendin e preferuar të tij. Veshur hijshëm, me kostum ngjyrë të errët dhe republikë në kokë, ai tërheq vëmendjen e të gjithëve. Uran Kostreci është një ndër simbolet e qëndresës antikomuniste në Shqipëri, autor i disa krijimeve letrare tepër të arrira e me vlerë, pinjoll i një familje të nderuar nacionaliste nga Kostreci i Përmetit! Është personazh i njohur për çdo shqiptar në këto dekada tranzicioni për shëmbjen e diktaturës dhe vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri; mban mbi shpatulla e në shpirt 20 vjet burg politik (1961-1981). - Dukesh si djalë i ri, - i them. Marshallah, mos të marr më sysh! - Faleminderit, - ma kthen me dashamirësi. Qesh nën buzë dhe vazhdon duke tundur lehtë kokën. - Ë ë…, diktatori bëri çmos të më vriste, të më zhdukte pa nam e nishan, por nuk ia arriti dot qëllimit, përkundrazi vdiq vet! Për humor, por dhe për muhabet, - vazhdon më tej, - po ju tregoj diçka interesante: - U shtrova ca kohë, para disa vitesh, në spital, për një kurim. Rastësisht, një grua që ndodhej aty pranë, mësoi se unë kisha qenë në burg, i dënuar 20 vjet për politikë. Më afrohet e më thotë: “..hë mo, se ju në burg vetëm rrinit e s’bënit as punë e as zanat!” . - Po, po, - ia ktheva hazërxhevap, - rrinim e bënim qef! Si lum neve! Bile atje donim të rrinim më, por ç’ti bësh se, na nxorën me zor, se të ishte për ne, s’dilnim kurrë! - Po lekë, kushedi sa keni marrë tani mbas burgut?! - Lekë the?! Sa të duash! Aq sa nuk dimë ku t’i futim! - ia ktheva me ironi të sofistikuar, që s’më prishte punë nëse do e merrte vesh! I kemi vënë në banka, në shtëpi, por edhe xhepat i kemi plot, aq sa kush na del përpara, nga ata që i njohim, u japim nga një dorë! Gruaja shqyente sytë, ndërsa unë flisja serioz, në pamje të parë i qetë, por realisht me një nervozizëm të brendshëm e keqardhje për lakrat e saj në kokë! S’ke çi bën, ky është realiteti shqiptar! Vështirë të ndryshosh mentalitetin e njerëzve me një të rënë të lapsit! Tek ne më shumë ka krunde se sa miell! Duhen vite të ndahen ato! Nejse…! - Nga burgu i Burrelit dola më 31 qershor 1981. Po është histori e gjatë dhe e dhimbshme ajo, ndaj le të kthehemi tek lirimi! Kishte dhe njerëz të ndershëm e dashamirës atëhere! Midis tyre mbaj mend komandantin e burgut, Idajetin, që e vlerësoja si njeri serioz. Ditën që dola, ai rastisi aty me shërbim dhe më thirri në zyrën e tij, duke më thënë: - Hë Uran, po del?! Ku do të vesh tani? A ke njeri në shtëpi? - Jo, - i thashë. - Po vëllai? - Është i martuar, - ia ktheva. - Sa vjet bëre? - 20 - të! Tundi kokën dhe vazhdoi, - Ruaje veten! Mos ardhsh më kurrë këtu! E falenderova dhe u nisëm për në Elbasan.

*** Ditët e para Urani u strehua tek i vëllai në Elbasan, në një shtëpi shumë të ngushtë. Me punë e caktuan në një ndërmarrje ndërtimi, tek ura e Shkumbinit. Punoi një vit e ca bashkë me disa shokë që ishin të gjithë evgjitë, por që e donin shumë. - Më 1982, zhvillohej kampionati botëror, - tregon ai, - dhe unë u thosha atyre me shaka, ju jeni skuadra e Kamerunit (nga që ishin të gjithë të zes), ndërsa unë jam trajneri juaj! Qeshnin pa pushim dhe më hidhnin përpjetë! Një natë, Urani shkon të shikojë televizor tek një kushërira e tij, në qytetin e Elbasanit, që kishte televizor dhe e zinte mirë stacionin e Beogradit. U kthye vonë atë natë. Në rrugicën para shtëpisë shikon dy vetë si hije, rrëzë një kollone, veshur me pardesy të zeza dhe instiktivisht u trondit. Në çast mendoi se ishte ndonjë çift i ri, por kur ai u nis drejt shtëpisë dhe ata po e ndiqnin pas, iu rrënqeth trupi. Tentoi të shpejtojë hapin, por dy personat arritën ta kapin. - Jemi të sigurimit të shtetit, - thanë. - Po çfarë kam bërë more, - ua ktheva?! Për fat të keq, por dhe për fat të mirë, nuk ishte arrestim por internim. E morën me kamionçinë, me ato pak rraqe në dorë, dy policë dhe një operativ, dhe e çuan në Kutanj të Peqinit. Deri në qendër të fshatit shkuan më këmbë, ku rruga ishte gjithë baltë, ndonëse kishin çizme, edhe ai vetë. Kutaj nuk ishte fshat internimi, ndaj pasi e lanë Uranin mënjanë, operativi bisedoi gjerë e gjatë me fshatarët. - Kuptova se ai u thoshte fjalë jo të mira për mua, dhe këtë e mora vesh më vonë nga qëndrimi i fshatarëve. Më bënë një kasolle me purteka, e lyen me bajga, dhe më futën brenda. Natën e parë më strehuan në një dhomë si birucë, që kishte shërbyer si depo armësh. Mua s’më fliste me gojë asnjeri, as fshatarët, as fëmijët dhe as normisti që vinte më maste punën, por më bënin shënja me isharet. Më shihnin sikur të isha lebroz apo djalli vetë. Kjo më shkaktonte dhimbje, por dhe s’mund t’i bëja fajtor, se ashtu i kishin porositur. Mbas dy tre ditësh, sollën edhe dy a tre të dënuar të tjerë, jo për politikë, por për gjëra të vogla. Njëri kishte mbajtur ramazan fshehur dhe tjetri kishte mbajtur dy keca jashtë rregullave. Mirëpo atyre u flisnin dhe mua jo. Të them të drejtën, e kisha të nevojshme të këmbeja dy fjalë me dikë, sepse ky qe dënimi më i rëndë se ai i burgut! Çdo natë, Urani, merrte një copë bukë misri, pak sheqer, e bënte sherbet në një pjatë të vjetër alumini, dhe ashtu i vetmuar hante atë gjoja darkë e binte flinte në krevatin e sajuar. Ishte koha kur piqeshin pemët, të cilat binin përdhe, kalbeshin e flakeshin, por ai s’prekte gjë me dorë. Fshatarët habiteshin me qëndrimin e tij, por dhe me faktin se sjellja e atij njeriu nuk përputhej me ato që u kishte thënë operativi ditën e parë. Në çdo familje, mbrëmjeve bisedohej për mysafirin e ri dhe thuheshin fjalët më të mira, jo vetëm për punën, por edhe për qëndrimin që atyre u bënte shumë përshtypje. Pas dy javësh, filloi të ndërrohej opinioni, bile po i flisnin fëmijët dhe diku një nuse i afron një gotë ujë gjatë punës, dikush tjetër i afron një kazan për larje rrobash. Pas tre javësh, kur ishin në orën e pushimit, në arë, nën strehën e një ndërtese të vjetër ku ishin futur të mbroheshin nga shiu, një plakë i thotë: - Afrohu, afrohu, se ne nuk hamë njerëz, kemi respekt për ty, pavarësisht se na kanë folur keq! Kaq u desh dhe tre gra të tjera folën njëzëri: - po, po… na kanë folur keq vërtet, por ti qënke i mirë! - M’u bë qefi shumë, dhe ashtu, pa ngritur sytë lart, u tregova historinë e djallit….. Morali i saj ishte, sa të jetë lapsi në dorë të zotit, që është armiku i djallit, ti do të dëgjosh zi për mua, por unë për të qenë jam ky që më sheh! Kështu u tha ai që të tjerët e konsideronin djall, por në fakt ishte njeri i mirë. Fshatarët e kuptuan se ç’donte të thoshte dhe qeshën me njëri-tjetrin. Ndërkohë, më plaku i brigadës i afroi kutinë e duhanit. Kështu bëri dhe Urani. Pas pune, plaku e mori në shtëpi, e pas tij filluan ta marrin të gjithë me radhë, aq sa atë po e merrte malli për kasollen. Një ditë, disa fshatarë ia rrethuan me gardh kasollen dhe e mbyllën me një lesë. Aty pranë ndodhej një plantacion me shalqinë, i cili ishte në kohën e pjekjes. Shalqinët kokërr mëdhenj e të pjekur mirë, i vilnin dhe i çonin për shitje. Ai se kthente kokën kurrë andej. Papritur, një natë i venë në strehëzën e tij kryetari i kooperativës, kryetari i këshillit dhe sekretari i partisë, të cilët nuk ishin burra të keq. U nxori nga një duhan dhe, pas një pause, filluan muhabetin: - Se si i ke punët me qeverinë ti, - tha kryetari i kooperativës, - neve nuk na duhet gjë! Ti je anëtar i kooperativës dhe nuk të ndajmë dot nga të tjerët! Siç e di, jemi të parët e fshatit, e kemi biseduar me njëri-tjetrin, me brigadën dhe me rojen, dhe kemi vendosur që ti të vesh çdo natë e të marrësh nga dy shalqinë falas tek kjo parcela këtu pranë! Je jabanxhi e hallexhi, ndaj duhet të të ndihmojmë! - Faleminderit, - ua ktheva, - por gjë që s’bëhet! Unë shoh çdo ditë 10-12 fëmijë që venë atje dhe roja s’u jep gjë! Po të marr unë falas, çdo thonë të tjerë?! Po fëmijët?! Prandaj faleminderit, shumë faleminderit, zëre se i mora! Ju e bëtë tuajën, por siç e thashë në fillim, harrojeni këtë muhabet! Pinë cigaret, panë njëri-tjetrin në sy, dhe ikën. Të nesërmen në mëngjes, kur u ngrita, ç’të shoh! Dy shalqinë të mëdhenj tek lesa e gardhit m’i kishin vënë pa gdhirë mirë, pa më pyetur. Kjo po ndodhte çdo natë nga njerëz që s’i njihja. Nuk i kundërshtoja dot, sepse i ofendoja. Këta ishin peqinasit e mrekullueshëm, për të cilët ruaj respekt të veçantë. Kurse mua më duhet të them me respekt, ky është i papërsëritshmi Uran Kostreci!

Petrit F. Zeneli

48 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page