Shqipëruesi Klodian Briçi dhe “Përrallat e Andersenit”
Para nja njëzet vitesh kam bërë fjalë me përkthyesin Klodian Briçi lidhur me përkthimin e librit “Të ikësh me erën” të shkrimtares Margaret Mitchell, sepse ai më tha se zhargonin e të folurës së zezakëve në atë libër do ta përkthente në të folmen ‘tironse’. Po kështu nuk mbeta e kënaqur nga përkthimi “Portreti i Dorian Greit” të Oscar Wilde. Me fjalë të tjera, unë e vura veten në pozitat e mësuesit kur i vë një notë pakaluese një nxënësi dhe kujton se ai aq meriton dhe pikë.
Këto ditë lexova librin “Përrallat e Andersenit”, botuar nga Shtëpia Botuese “ALBAS” dhe sjellë mrekullisht në gjuhën shqipe nga shqipëruesi Klodian Briçi. Dikur është botuar ky libër, por tani del i plotë me gati 900 faqe (ndonëse i përkthyer nga gjuha angleze), Hans Christian Andersen, ky autor i jashtëzakonshëm danez, që ka mbajtur peshë zemrat e sa e sa breza lexuesish.
Ky libër i sjellë në gjuhën shqipe më kujtoi përkthyesit tanë që na kanë ushqyer me dashuri për letërsinë e huaj: Petro Zhej, Dhimitër Pasko, Vedat Kokona, Skënder Luarasi e të tjerë dhe të vetmen Shtëpi Botuese “Naim Frashëri” që kishim dikur. Në këtë kohë që po jetojmë kemi me dhjetëra shtëpi botuese dhe e keqja është sepse ndodh që një libër i përkthyer nga dikush që di gjuhë të huaj ashtu siç është pa u redaktuar, pa u korrigjuar futet në shtyp. Ndodh edhe më keq, botuesit nga mania e fitimit sa më të shpejtë një libër e japin për ta përkthyer në disa duar duke i ndarë kapitujt dhe duke paguar sa më pak sidomos studentët e gjuhëve të huaja.
Shqipëruesi Klodian Briçi e ka sjellë këtë libër voluminoz në gjuhën shqipe duke punuar me shumë dashuri, me shumë përkushtim, me shumë këmbëngulje, me shumë besim tek vetja, duke bërë një punë të jashtëzakonshme me fjalën shqipe, kështu hera-herës në përshkrimet e natyrës, kopshteve me lule e të tjera, gjuha e përdorur tingëllon si prozë poetike. Shqipëruesi duke e kërkuar fjalën shqipe e gjen edhe të largët në kohë (duhet menduar se Përrallat janë shkruar në kohën kur nuk ekzistonin telefonat, trenat, avionët e të tjera mjete të kohëve tona moderne). Në përkthimin e këtij libri në fund të faqeve ka shumë shpjegime për fjalë të rralla, të veçanta, pak të përdorura dhe ky është një libër që do t’u mbetet brezave dhe është një libër që nuk lexohet vetëm nga fëmijët e vegjël, por edhe nga të rriturit që mund ta lexojnë, gjyshi apo gjyshja, nëna apo babai, dhe ia rrëfejnë fëmijëve duke ua shkëputur vëmendjen nga celulari, video-games apo tableti.
Meritë e veçantë për botimin kaq dinjitoz të këtij libri i takon edhe Shtëpisë Botuese “ALBAS” me botuesit e përkushtuar Latif Ajrullai dhe Rita Petro, kryeredaktores Natasha Pepivani, redaktores Sevi Lami, korrektores Medina Mehmeti dhe autores së artit grafik dhe kopertinës Eva Kukaleshi. I përmenda gjithë këta emra sepse kështu bëhen librat e mirë. Meqenëse edhe unë kam përkthyer disa libra, mund të them se ndihma e redaktorëve dhe korrektorëve është shumë e çmuar, se mjafton të ngatërrosh një nyjë apo mbaresën e emrit dhe ndryshon kuptimi i rasës dhe kuptimi i krejt fjalisë.
Së fundi, dua t’i uroj Klodian Briçit suksese në shqipërimet e librave të tjerë.
Comments