top of page

Kuvendi zgjedhor


Hazir Mehmeti

Hazir Mehmeti, Vjenë

Kuvendi zgjedhor në tetëvjetorin e lindjes së Lidhjes

15 dhjetor 2019: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, mbajti kuvendin e saj të dytë zgjedhor në Vjenë në tetëvjetorin e formimit të saj. Në shenjë kujtim u mbajt një minutë heshtje për viktimat e tërmetit në Shqipëri dhe vdekjes së anëtarit të saj para pak kohe, njëri nga bashkëthemeluesit e Lidhjes, Prekë Brahimi. Mysafire e veçantë e Kuvendit ishte Saranda Iseni, nënkryetare e Lidhjes së Krijuesve Shkrimtarëve Shqiptarë në Mërgatë, aktiviste shqiptare e njohur. 

Kuvendin e hapi kryetari i Lidhjes, Anton Marku, i cili paraqiti raportin e punës katërvjeçare nga i cili po veçojmë: “Lidhja  u themelua në nëntorin e vitit 2011 dhe deri më tani ka krijuar lidhje bashkëpunimi me shumë shoqata, klube, institucione, veprimtarë. Gjatë jetës së saj tetëvjeçare ka organizuar mbi 60 orë letrare, prej tyre 25 lexime letrare nga viti 2015, dhjetë prej tyre në gjuhën gjermane. Janë mbajtur orë letrare në disa vende dhe në Atdhe. Lidhja ka botuar dy antologji “Iliricum I” në shqip dhe gjermanisht dhe “Iliricum II” në shqip ku janë përfaqësuar autorë shqiptarë, anëtarë të Lidhjes. Lidhja ka marrë pjesë në shumë aktivitete shumë kulturore të organizuara nga shoqata vendore dhe të kombeve tjera. Janë mbajtur dy konkurse letrare për krijuesit nga Austria dhe ka marrë pjesë në organizimet e aktiviteteve letrare si pjesë e Lidhjes së Krijuesve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë në Mërgatë Diasporë me seli në Koblenz të Gjermanisë. Lidhja është mbështetur financiarisht në dy projekte nga Ministria e Diasporës e Kosovës dhe nga Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Austri dhe është e vetmja shoqatë shqiptare në Vjenë pjesëmarrëse në “Javën e Integrimit” në Vjenë tani e disa vite, ku autorë/e shqiptarë/e kanë lexuar në të dy gjuhët. Kjo ka ndikuar në afirmimin e autorëve dhe botimeve të tyre në mesin e krijueseve nga shumë kombe tjera që jetojnë në Austri.


15 dhjetor 2019: Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri

Lidhja ka thelluar bashkëpunimin e P.E.N-klubin austriak, me Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë dhe si rezultat i saj kemi anëtarësimin e disa shkrimtarëve shqiptarë në këto asociacione me renome në fushën e krijimtarisë letrare e artistike. Një bashkëpunim shumë i frytshëm me P.E.N-Klubin austriak në organizimin e orëve të përbashkëta letrare dhe në botimin e veprave letrare.P.E.N. – klubi ka botuar vepra të autorëve shqiptarë që veprojnë në Austri. Këtu duhet veçuar ndihmën e madhe që kanë dhënë shkrimtarët Peter Paul Wiplinger dhe kryetari i P.E.N- klubit Helmuth A. Niederle. Pjesë e veçantë e Lidhjes është bashkëpunimi i suksesshëm me Ambasadat e Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës ishte në organizim të orëve letrare dhe promovimet e veprave të krijuesve tanë. Sot në këtë kuvend i falënderoi të gjithë përkrahësit dhe dashamirët e Lidhjes!”

Në diskutime rreth raportit të punës folën disa nga të pranishmit. Jonuz Saliuka, tha se ‘‘Lidhja e juaj është shembulli më mirë për gjithë shoqatat tjera si duhet bashkëpunuar me vendorët në afirmimin e mërgatës shqiptare në Austri. Ju jeni të vetmit që jeni pjesë e Javës së Integrimit në Austri, kjo është shumë pozitive.Mendoj se fjala e Lidhjes duhet dhënë edhe me rastin e PeterHandke.” Shpresa Musaj, studiues, në fjalën e saj shtroi problemin e shtrirjes së detyrave edhe të anëtarët tjerë e jo të bie barra vetëm në një grup të vogël krijuesish nga kryesia, siç është deri më tani. ‘‘Ju, kryesia e Lidhjes, keni bërë një punë të mrekullueshme, për çka ju përgëzoj.” Gjergj Rrustaj, uroi drejtuesit e Lidhjes për punën madhore që kanë bërë deri më tani. “Një angazhim i madh dhe shembull për të tjerët.” Violeta Allmuça ngriti nevojën e shtrirjes së pjesëmarrjes në kuvend dhe aktivitete tjera. Vlora Jonuzi dhe Ina Arapi, propozuan zgjerimin e temave në aktivitetet letrare, me qëllim të njohjes së publikut me krijime letrare nga shkrimtarët tanë të mëdhenj të shoqëruara me lexime nga autorë të Lidhjes. Në diskutim u inkuadruan, pos të tjerëve, edhe Shpresa Musaj, Ina Arapi, Januz Saliukaj dhe Nikollë Laski, Franc Jakova, Ismail Çeta, Angjelina Marku, Avdi Çeta, Hazir Mehmeti etj.

Me disa plotësime, raporti i punës i paraqitur nga Anton Marku, kryetar i deritashëm u aprovua. Saranda Iseni në fjalën e saj përshëndetëse të kuvendit mes tjerash tha: “Nga njohuritë e mia tani e disa kohë lidhur me punën tuaj, jeni shembulli më i mirë në mërgatë se si duhet bashkëpunuar me asociacionet vendore, shoqatat tjera kombesh të ndryshme. Kryesinë e përgëzoj për të gjitha këto të arritura të shkëlqyeshme. Nuk do mungon bashkëpunimi me ju në nivel mërgate.”

Raportin financiar të detajuar e paraqiti Besim Xhelili, i cili u aprovua njëzëri. 

Nën drejtimin e kryesisë së punës Vlora Jonuzi, Besim Xhelili dhe Ina Arapi u kalua në pikën e rendit të ditës, zgjedhja e kryesisë së re. Duke u bazuar në rrethanat aktuale u propozua kryesia e re, bazuar në rregullore për votim. Pas diskutimeve Kuvendi zgjodhi kryesinë e re me vende për plotësim. Unanimisht u votua kryesia e re me këtë përbërje: Hazir Mehmeti, kryetar; Violeta Allmuça, nënkryetare; Anton Marku, sekretar; Besim Xhelili, ushtrues detyre i arkëtarit, njehërit Kryetar Nderi i Lidhjes; Gjergj Rrustaj, anëtar, Avdi Çeta, anëtar; Angjelina Marku, anëtare.


Unanimisht u votua kryesia e re me këtë përbërje: Hazir Mehmeti, kryetar; Violeta Allmuça, nënkryetare; Anton Marku, sekretar; Besim Xhelili, ushtrues detyre i arkëtarit, njehërit Kryetar Nderi i Lidhjes; Gjergj Rrustaj, anëtar, Avdi Çeta, anëtar; Angjelina Marku, anëtare.

Në pikën e rendit te ditës të ndryshme, u diskutua mbi mangësitë në pikat programore, u tha se duhet reflektuar në rrethanat konkrete si në promovime dhe në aktivitetet shënjuese dhe në koordinimin adekuat me subjektet tjera në realizimin e programit. Të pandarë Kuvendi vendosi që të dërgoj protestë të gjitha institucioneve relevante mbi ndarjen e çmimit nobel shkrimtarit ekstremist, mbështetës i fashizmit serb, Peter Handke. Kuvendi, përkundër pranisë së kufizuar të anëtarëve, ishte i suksesshëm në realizimin e detyrimeve nga statuti dhe programi.


23 views0 comments

Comments


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page