KURORA E DINJITETIT
- për 8 Marsin -
Albert HABAZAJ
Vajza, gra, nëna e gjyshe,
Jeni Shqiponja Tërbaçi,
S'ka se si të jeni ndryshe
Jeni mëllë nga kulaçi.
Kulaç malli, dashurie
Për shtëpi e për Atdhe,
Mbushur me mjaltë mirësie
Shenjtore me frymë për ne.
Gremisni paragjykime
Luftoni për botë të re,
Ju s'njihni ditë për pushime
Amazona si rrufe.
Sot ne u themi gëzuar,
Pse mos t'u themi përditë?!
Ju mbani botën në duar,
Ju botës i jepni dritë.
Ju jeni urata vetë,
Luftëtare shumë trime,
Pastroni qiellin nga retë
Shqiponja në fluturime.
Kolona virtyti dhe nderi
Kurora të dinjitetit,
Pasqyra, ku thyhet terri,
Sheh veten sinqeriteti.
Bija, motra, nuse, dada
Nga ju ka frikë ligësia,
Se ju çani barrikada
A u faltë Perëndia!
Vlorë, e premte, 08.03.2024
Comentarios