KUR ZEMRA BËN DRITË
MEVLUD BUCI
Kur zemra bën dritë
Dhe jehon brenda këngës,
Fliza të rinj rrit
Me vlagën e jetës.
Kohërave u flet jeta
me dhimbjen e saj,
dhe patjetër zemra
dhimbjen duhet ta mbajë…
për të bërë dritë
me dhimbjen që ka,
kështu vit për vit
gjersa në qetësi ra…
ZJARR I KËNGËS
Në zjarr të këngës është vrull i zemrës,
Përmes fjalës së lirë,
Ngrihet ajo madhështore përmes jetës
Kënga jetës i thur kurora me xhevahirë…
Dhe jeta e mbush me vrull të ri
Me dashuri ,besë,bujari,
E ndez e kthen në flakadan
Dhe s`dihet kush
Jeta apo kënga
Ritmin tjetrës ia mban…
LUKANI
Vështroj kurorën e maleve të lartë
Herë me borë e herë të gjelbëruar,
Lukan i luksit të begatë
Vendlindje e shenjtëruar…
Para syve gëzojnë pishnajat
Gëzojnë sytë në to
Apo ato në sytë e mi,
Ne jemi bërë të pandarë
Kështu gjithnjë
Dhe gjithnjë kështu
Me dashuri…
MASKA
Ditë e reja kanë bukuri
Me gjurmët e ëndrrave të bukura
Po shpesh u vihet, për çudi
Një maskë plot truke.
Ta heqësh maskën sa vështirë
Prej fytyrës së ditëve
Nuk është maska ,që diellit të përtërirë
U vihet prej reve
As prej stuhive në natyrë
Që maskojnë pamjet e shkrepave…
Është maska e njërëzve që në ligësirë
Transformohen përmes gjesteve…
MËSUESIT E MI
Si qielli plot yllësi
Si toka,si deti,
Erdhën tek unë mësuesit e mi
Dhe më mësuan të hedh
Hapin e parë për jetën…
Me germat e parë të alfabetit
Më mësuan krenarinë për të vërtetën,
Dhe kur u rrita, dhe kur vetë eca
Ata mësues sërish mbetën…
Dhe s`është kjo veç një kujtesë
Që mirënjohjen brenda ka,
Njeriu është lule,mësuesi vesë
Njeriu fqinjëron si toka me detin
Mësuesi, atmosfera që jetës frymë i dha…
KUJTESA
Ky zalli që hidhet valëshumë
në rrezet e diellit pranverak
nga dhimbja e kohës bën shkumë
shkuma dhimbjen përhap përqark…
në anë të tij ecën
malësorët e mi nëpër shekuj
dhe në valët e tij tretën
ëndrrat e etura…
Valët e tij ato i morën
Dhe i çuan larg,
Dhe kurrë nuk u lodhën
Në këtë ecje pa cak…
DËSHMI
Lisi i moçëm kryelartë
Përzhitur shpesh nga rrufetë
Dëshmon forcën që pat
Dhe flladin që i dhanë retë…
Dëshmi e viteve me stuhi
Dëshmi e ditëve të qeta,
Asakush s`i jep më tepër bukuri
Sa sfidën që i vuri para jeta…
PLIS I TOKËS
Plis i blertë i tokës
Ngjeshur me stuhitë e motit
Me vlagën që pranvera i dha…
Më flet i heshtur
Prej kohërave i ngjeshur…
E marr dhe me duar
E thërmoj ngadalë,
Fijet e barit bëhen fyej të largët
Që jehojnë plot mall..
Argjendojnë në të ëndrrat
Flakërijnë stuhitë,
Dhembjet dhe brengat
Të ngjeshura në të
Tek rrinë…
Të ngjeshura në plis
Ku koha u ngjiz…
FJALA
Nga thelbi i fjalës
Shpërtheu rrembi
Dhe u gjelbërua…
Nga thelbi i fjalës
Shpërtheu gjembi
Dhe mendja u shpua…
Qëroje me kujdes
Atë thelb,
Ku mendimi ndez
Shpirtin që dhemb…
NJERËZORE
Mjafton një dhembje
Dhe këngën e ndez,
Një dritë mjafton
Dhe lotin ndriçon.
një fjalë mjafton
Të thotë të vërtetën
Dhe një zë i arsyeshëm
Për të mbrojtur jetën…
Kjo është njerëzore
Vepra më e hijshme,
Madhështore…
Comments