top of page

KUR POEZIA DEL NGA PELLGU I SHPIRTIT....


Vështrim libri

Nga: Tahir Bezhani

KUR POEZIA DEL NGA PELLGU I SHPIRTIT....

“ Kur pena shkruan për ju,sa peshë kam në shpirt”...

Malli kurrë nuk ndalet,as loti nuk pushon”..

(Sh. Bllaca)

Një ecje pa zhurmë e që le pas gjurmë. Lodrimi i mallit nëpër damarë trupi, i ngjanë zjarrmisë së mushkërive. Sado e mbanë në heshtje, vjen kollitja që e nxjerrë në sipërfaqe. Ky “durim” me zjarrin, ka të bëjë edhe me poetin e heshtur, modest, i cili përplaset me vargun pa ndarë brenda vetës , e nuk fletë... Ai pastaj pëlcet, pëlcet bukur, deri në krenari përtej vetës...

I tillë është poeti,Sherif Bllaca, i cili tani sa kohë jeton në Londër. Nga atje, me mallin e ndrydhur në gji ,vjen me poezi të ndezura, si prushi i gacave të dimrit.

Sherif Bllaca, pas librave me poezi, ”Guri i vatrës”2009, ”Labirinthi i jetës“ 2012, nga SHB. ”Lulu” në SHBA, ”Malli i lumturisë” 2015, vjen me librin e katërt poetik, ”Të kujtoj rruga ime”, nën përkujdesjen e redaktorit, poetit të mirënjohur, z. Sejdi Berisha, njohës i thellë i vargut poetik; me të cilin libër, autori merr një rrugë të re, shumë të sigurt në ecjen poetike. Në këtë libër poetik, vërehet çartë ngritja cilësore e ndërtimit të vargut dhe metaforës, që poetin e bënë të ecën i sigurt rrugës së krijimtarisë poetike.

Pesha e mallit, dashuria për vendlindjen, për dushkun e malit,... si barrë e shpirtit të poetit

Në librin më të ri të Sherif Bllacës, ”Të kujtoj rruga ime”, një titull mjaft sinjifikativ, gjejmë të shtruara shumë tema, të cilat janë pjesë e unit të brendshëm, pjesë e shpirtit krijues. Njeriun tonë të përvuajtur, posaçërisht poetin, e ngarkon pesha e mallit,dashuria për vendlindjen, për njerëzit e vet, për gurin e oborrit, dushkun e malit ku ka lindur e rritur trupin, më shumë se këndo tjetër. Shpirti e bartë peshën e jetës larg vendlindjes. Netët pa gjumë të sjellin figurat këndeve të dhomës, nga më të ndryshme. Figura që të djersitin, si malli për nënën, malli për shtëpinë , ”atë shtëpi përdhese ku buzëqeshja kurrë nuk ka munguar”. Nga një mall zjarri, ku vetën e shikon larg të gjithë atyre që t’i do zemra, pastaj vjen rënkimi poetik, shfryrje e brendshme, në forma e mënyra të ndryshme, dhe i drejtohet fatit të jetës: ”Që nga lindja gjer në amshim/mashtruese/hileqare,e mallkuar/gënjeshtare....”.

Vjen kjo ofshamë, si një nemitje nga brenda, sepse, poeti ka marrë rrugën e kurbetit në një moshë të shtyrë, atëherë kur shpirti nuk gjënë rahati, as qetësi në vendin e huaj. I dërmuar e i lodhur nga malli, ëndrrat e trishtojnë, ëndrra të cilat poeti i ka të vetmin bashkëbisedues dhome: “Kërkova gjumin/ai diku ishte tretur/kërkova rrugët/as ato nuk i gjeta/rrënoja të shumta/acar në pikë të verës”.

Krijuesit tonë në diasporë,krijojnë poezinë e realitetit, të cilën ua dikton shpirti e zemra, si pëlcitje, neveri jetësore, sepse është e gërshetuar nga shumë mendime të zjarrta, nga shumë peripeci jete, që vetëm ata e dinë dhimbjen e tyre të brendshme më mire se kushdo tjetër. Një element, ndoshta, që ka një çik hapësirë më të gjerë, apo dhimbja bëhet më e vrazhdë, është “kurbeti” i viteve të fundit, pas lufte, ku logjika flet se nuk ka asnjë arsye objektive që të ikin gjithë këta njerëz jashtë vendit të vet, për një kafshore buke. Kemi pasur (dikur) arsyet historike kur armiku i ka ndjekur njerëzit më të devotshëm të kombit tonë nëpër shekuj...

Te rasti konkret, poezitë nga libri “Të kujtoj rruga ime” e autorit Sherif Bllaca, kanë një element të tillë brejtës, i cili hetohet në bërthamën poetike të autorit, thënë në forma e mënyra të ndryshme, por përherë, plaga e djeg si një zjarr, të cilin e përcolli tërë jetën e tij, që nga fëmijëria e hershme.

Për ta konkretizuar këtë ide, që i ka rrënjët në vargje të këtij libri, vlen të ceket se Sherif Bllaca, është nipi i Ramë Bllacës, patriotit të madh, i cili dha jetën,(apo ia morën jetën), për çështjen kombëtare. Në këtë kuptim, gjithmonë, deri në luftën e fundit, familja Bllaca, ishte në shënjestër të pushtetit serbosllav, ku si pasojë iu dashtë të jetojë në disa vendbanime. Sherifi në Shkup iku si fëmijë, prapë u kthye në Pejë, ku në prag të luftës e ndoqën, për të përfunduar në Londrën e largët...

Nga ai cep i botës, ku jeta nuk e përtërinë, por vetëm sa e nxinë, sepse kurbeti i rri si guri në qafë. Por meditimet, përsiatjet poetike, që janë tani pjesë përbërëse e tij, nxjerrin nga brenda kujtimet e largëta e të pa harruara. Në poezinë “Liri desha djalë...” i kujtohen burgjet e babait kazamateve të Serbisë, porosia e tij për së gjalli, dhe poeti na jep vargjet brilante: ” Një ditë me babën/ për jetën e tij, bisedë kisha bërë./ Liri desha djalë/ Sot me eshtra të thyer/numëroj vitet. Kazamatet e Sremit/ fshehin historinë biro/ Aty heronjtë fituan LIRINË!...”. Këto vargje dëshmojnë hapur një dhimbje që zihet brenda poetit, kur ai kujton një periudhë kohore aq të gjatë pa liri, ndërsa tani, pas një lirie, prapë mbetët atje, atje ku dhimbja merr zjarrmi... Përkundër gjitha vuajtjeve, në vargjet e poetit gjejmë shpirtin e balsamosur në tokën e tij, atdheun, të cilin e do me tërë shpirtin e tij. Pra, edhe e le porosinë: ”Sa fort të dua o atdhe, Vendin aty ma lë!...”.



Vargu si protestë ndaj kohës që botës ia humbë mbase ia cenon edhe vlerat

Autori i librit poetik, ”Të kujtoj rruga ime”, Sherif Bllaca, nuk kursen të na sjellë në vargje e përjetimet nga jeta atje larg, në Londër. Nëse dikush e konsideron si jetë mjalti, tjerët e jetojnë si jetë ferri. I huaj përgjithmonë është i huaj. Ja poezia “Këtu në atdhe të huaj”, ku lexojmë: ”...E nata vazhdon/të shoqërohet me trishtimin/Qetësia e natës prishet/me gongun e orës/që shpirtin ma dridh/këtu në dhe të huaj”. Janë këto vargje prekëse ku pasqyrojnë një jetë të ndrydhur, në të cilën autori nuk ndjenë për asnjë çast veten të lumtur. Po këtë pyetje duhet t’ia shtrojë secili lexues vetës: kah na shpie kjo rrugë e rrugëve, me strajcën e mallit në shpin ngarkuar gjithë këta shekuj, me përfytyrim e gjithë pasurisë sonë, të ndarë edhe nga babë e nënë, vëlla e, për gjithmonë.

Këto stuhi që fryjnë nga zemrat e bashkatdhetarëve tanë në botën e jashtme, të cilat derdhen në prozë e poezi, janë ajka e letërsisë, e cila ruan kohën brenda vetës të bërë shkrumb. Këtë shkrumb duhet ta përqafojmë. Nga këto arsye, zoti Bllaca, pëlcet furishëm në çast padurimi, si në poezinë “Si zhurmë...”, ku pos tjerash lexojmë: ” Unë e Ti/gjithnjë zhurmë/Kështu është/o shpirti im/unë dhe zëri im/ pa drejtim/Zhurmë dhe vetëm zhurmë/e neveritur/Unë e Ti”.

Kush nuk e vëren këtë lloj proteste poetike? Vetëm ndërgjegjja e poetit kryengritës, ndaj botës që humbë vlerat njerëzore, di të sjellë këso vargje me peshë të madhe për njerëzimin. Protestë ndaj një kohe plot zhurmë,pa asnjë rezultat pozitiv për ndryshimin të një shoqërie.

Se poeti e ka atdheun të kapur si mishi për thoni, tregon poezia (mendoj) antologjike, ku vërejmë se poeti nuk ligështohet para situatave dramatike e konfuze, por imponon elegancën intelektuale në një moment evolutiv shpirtërorë kur shkruan: ”Kur pena shkruan për ju/Sa peshë kam në shpirt”...

Sa do ishte i tepërt komenti!.....

Poeti përmes poezisë, tregon kujtimet familjare, vuajtjet, por edhe krenarinë si formë qëndrese historike, fëmijërinë e vet, rrapëllimat e jetës plot vuajtje, të cilat, si një përvojë e begati, shërbejnë si pasqyrë e ecjes rrathëve të jetës, ku njeriu lë gjurmët e veta si shembull historie.

I tërë libri poetik i autorit Sherif Bllaca, ” Të kujtoj rruga ime”, me rreth 100 poezi, përfshinë një periudhë të begatshme të jetës së autorit, i cili në mënyrë brilante ka pasqyruar egon e tij poetike, ka pasuruar fondin poetik e letrar, duke u radhitur si një krijues serioz që meriton vëmendjen e lexuesit. Të gjitha sakrificat e jetës së njeriut, jo vetëm në diasporë, por kudo, i ka pasqyruar në tablo të jetës reale njerëzore, ku libri i zotit Sherif Bllaca, bëhet funksional, duke kryer misionin e poetit, dhe si i tillë, bëhet libër i kërkuar prej lexuesve, dashamirë të artit letrar.

19 views0 comments

Comentários


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page