top of page

Kur kujtojmë mësuesit tanë


Gazeta “55”. 12-18 qershor 1998


Msëuesi ndikon përjetësisht:

asnjëherë nuk duhet të jesh i sigurt

se ku mbaron ndikimi i tij

Henry Adams


Kur kujtojmë mësuesit tanë, mendja na shkon drejt fëmijërisë sonë të largët, kur jemi ulur për herë të parë në bankë dhe kemi filluar të shkruajmë shkronjat e para të shqipes sonë të dashur. Në kujtesën tonë zënë e ravijëzohen portretet e mësuesve të dashur që na rrinin mbi kokë me aq durim e dashuri për të shkruar bukur e pastër.

Kur fillova klasën e parë në shkollën tonë fillore në Mesaplik (njëri nga katër fshatrat e Smokthinës, Vlorë) më 01 shtator të vitit 1948, asnjeri nga mësuesit nuk ishte nga fshati ynë. Të gjithë ishin të ardhur. Mësues Fotoja ishte, siç thuhej, nga Tragjasi. Ishte burrë i moshuar, shumë i dashur me nxënësit dhe mjaft autoritar. Mësuesi Besim Feimi, edhe ky i moshuar, ish-emigrant në Francë në vitet e paraluftës, ishte nga Vranishti. Mësues Besimi kishte një horizont të gjerë kulturor. Gjatë shpjegimit të mësimit ne e dëgjonim gojëhapur. Mësuesi Petro Llazari ishte nga fshatrat e Bregut. Ishte djalë i ri, simpatik dhe tepër kërkues ndaj nxënësve. Zonjushe Elizabeta, një mësuese e re, flokëverdhë, shumë e shkathët, ishte si burrë e shkuar burrit. Mësuesi Rahmi Skënderi, djalë i ri që vinte nga qyteti i Vlors, ishte gojëmjaltë dhe të bënte për vete që në orën e parë të mësimit. Mësuesi Remzi Zahaj ishte nga fshati Brataj. Ishte i urtë e fjalëpak dhe dallohej për taktin e tij të shkëlqyer pedagogjik.

Edhe në shkollën shtatëvjeçare, e cila u hap për herë të parë më 01 shtator 1952 në fshatin Ramicë, e vetmja shkollë e atillë për të katër fshatrat e Smokthinës, të gjithë mësuesit ishin të ardhur. Tashmë, në shkollën shtatëvjeçare, mësuesve ne u drejtoheshim jo më me shprehjen “zoti Mësues”, si në shkollën fillore, por me formulën “Profesor”.

Profesori i parë, që e nisi mësimdhënien fillimisht në klasën e pestë më 01 shtator 1952, ishte Profesor Pëllumb Kikino. Ishte nga Gjirokastra dhe, me sa mbaj mend, familjen e kishte në Tiranë. Ishte shtatlartë. Kishte një trup atleti. Përgjithësisht, ishte i rreptë, por i drejtë. Profesoreshë Atlie Çiftja kishte mbaruar Shkollën e mesme pedagogjike në Tiranë. Në shkollën tonë ajo qe emëruar menjëherë pas mbarimit të maturës. Ajo, me sa më kujtohet, ishte nga Elbasani. Ishte një vajzë e shëndetshme, bukuroshe, mjaft simpatike, si lulëkuqe dhe shumë e dashur me nxënësit. Profesoresha Sabiha Baholli, brune, me pamje mjaft tërheqëse, simpatike, shpuzë nga temperamti. Edhe ajo, po ashtu, vinte nga Elbasani, kishte mbaruar Shkollën e mesme pedagogjike. Profesor Ndriçim Çeliku, edhe ky nga Elbasani, kishte mbaruar, gjithashtu, Shkollën e mesme pedagogjike. Ishte tepër i komunikueshëm, buzagaz dhe dallohej për humorin e tij të këndshëm. Pra, Elbasani, ajo vatër e shquar e arsimit tonë kombëtar, kishte dërguar tre mësues në Shkollën shtatëvjeçare të Ramicës, një fshat ky që ndodhet shumë larg qytetit të Vlorës, 54 km. Profesor Leonidha Pollo ishte nga fshatrat e Bregdetit, djalë i ri, energjik, autoritar.

Mësuesve dhe nxënësve të ditëve tona me siguri që u duket e pabesueshme t’u thuash që mësuesit e mi të shkollës fillore asokohe jetonin gjithë vitin në shtëpitë e fshatarëve, të cilët i ftonin me radhë, herë njëri e herë tjetri. Ishin vite të vështira dhe s’ishte e lehtë që mësuesve t’u krijoje kushte sadopak minimale. Prandaj fshatarët, të etur për shkollimin e fëmijëve të tyre, ishin gati të sakrifikonin për mësuesit, të cilët në atë kohë ishin figurat më të dashura dhe më me autoritet në fshat. Jo vetëm nxënësit, por edhe më të moshuarit e fshatit, që kishin “një barrë” mustaqe, mësuesit i drejtoheshin me shprehjen “zoti Mësues”.

Kur zbrita në Vlorë, në Gjimnazin “Ali Demi”, të cilin e fillova më 01 shtator 1955, profesorët e tij ishin me të vërtetë profesorë, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Kam të skalitur një herë e mirë në kujtesë kryeprofesorin e atij gjimnazi të famshëm, shumë të respektuarin Profesor Harilla Kuçuli. Ai ishte drejtor i gjimnazit. Profesor Harilla ishte një burrë i moshuar, me një zë imponues, pedagog i klasës së parë, metodist i shkëlqyer, erudit, autoritar. Ai jepte lëndën e letërsisë dhe lëndën e gjuhës shqipe, se në ato vite programi i gjuhës shqipe shtrihej deri në fund të klasës së dytë të gjimnazit. Më kujtohen si tani ato çaste të paharruara, kur Profesor Harilla na recitonte vargjet gjëmimtare të Naimit të Madh:

Mbreti plak u hoq mënjanë,

Pa u ngrit një trim më këmbë,

Vështroi një herë an’ e mbanë,

Hekurin e hajme dhëmbë.

Ish Kamani që ish burrë,

Më trim nga gjithë të parët,

Nuk i trembej syri kurrë,

Pa e donin shqipëtarët.

Kur i dëgjonim këto vargje gjatë recitimit të Profesor Harillës, neve na shkonin mornica nëpër trup.

Njëherë, në pushimin e madh, ne, një grup nxënësish, me Profesor Harillën u ndodhëm në oborrin e gjimnazit. Në bisedë e sipër, afrohet një burrë i moshuar, bashkë me një djalë shtatlartë, të druajtur paksa. Ishte mesi i muajit shtator. Nga biseda që bëri me Profesor Harillën, doli se ai ishte në hall të madh: vinte nga një fshat i Vlorës dhe donte ta regjistronte të birin në gjimnaz dhe në konviktin që ndodhej në Ujët e Ftohtë, se deri atë ditë ishte munduar mos i inxirrte të birit ndonjë bursë për në Tiranë, por s’kishte qenë e mundur. Më kujtohen si tani fjalët që Profesor Harilla i tha atij prindi:

“Të shpenzosh nga ekonomia që ke në fshat, qoftë edhe kilen e fundit të gjalpit, por djalin mos e lër pa shkollë, se, me ç’po shikoj, e paske djalë të zgjuar”.

Për fjetjen dhe ushqimin në konvikt, ne asokohe paguanim 950 lekë në muaj, sipas kursit të atëhershëm të lekut.

Lëndën e gjuhës shqipe na e jepte edhe Profesor Anastas Dodi, një pedagog i ri, simpatik, që kishte mbaruar Institutin e lartë pedagogjik. Profesor Anastasi ishte tepër kërkues, binte në sy për përgatitjen e admirueshme shkencore, për fjalët e pakta, por me shumë peshë dhe taktin e goditur pedagogjik në komunikimin me nxënësit. Dashurinë time për gjuhën shqipe, veç mësuesve të fillores dhe të shtatëvjeçares, ua detyroj edhe Profesor Harillës dhe Profesor Anastasit gjatë viteve të gjimnazit. Profesor Anastasin pata fatin ta kem pedagog edhe gjatë viteve kur isha student në Fakultetin e historisë dhe të filologjisë në gjysmën e parë të viteve ’60.

Në klasën e parë të gjimnazit, lëndën e letërsisë klasike greko-latine na e jepte Profesor Vangjel Pici. E kujtoj me shumë respekt atë pedagog aq të përkushtuar ndaj asaj lënde. Programi i letërsisë greko-latine ishte aq i ngjeshur, saqë na duhej të përballonim një vëllim të madh pune për ta përvetësuar. Shpjegimi i Profesor Vangjelit, i shoqëruar me recitimin me aq pasion të vargjeve magjike të Homerit dhe të Virgjilit, a thua se ai ishte një aktor që kishte studiuar për art skenik, sikur e hipnotizonte klasën fund e krye.

Në klasat e larta të gjimnazit, letërsinë na e jepnin Profesor Kozma Vasili dhe Profesor Milo Duni. Profesor Kozmai, simpatik, shtatlartë, i çliruar nga çdo kompleks në marrëdhëniet me nxënësit, dinte t’i ndërtonte ato në një mënyrë tepër origjinale, aq më tepër që ishte edhe një volejbollist i talentuar. Orën e mësimit Profesor Kozmai e organizonte sipas një metode me të vërtetë krijuese, duke u lënë hapësirë nxënësve për debat dhe shkëmbim të lirë mendimesh. Ishte pedagog i talentuar dhe me fantazi në zhvillimin e orës së mësimit.

Profesor Milo Duni ishte një tip i qetë, romantik, në dukje melankolik. Kishte një të folur me zë mëndafshi. Kur na shpjegonte mësimin, sytë i shkëlqenin në një mënyrë të çuditshme, ngaqë ngjarjen që shtjellohej në një vepër letrare, ai e përjetonte sikur ta kishte para syve. Ishte një pedagog i lindur për letërsinë dhe mjeshtër në zotërimin e klasës në një mënyrë të vetvetishme. Ishte një pedagog i talentuar që nxënësit i bënte për vete si me magji.

Kujtoj me shumë respekt Profesorin Gjon Çiftja, një pedagog i ri nga Shkodra, shtatlartë, me trup elegant, që sapo kishte mbaruar studimet e larta për matematikë. Ishte një pedagog i zoti, mjeshtër i vërtetë gjatë shpjegimit të mësimit në dërrasën e zezë. Për të aktivizuar sa më shumë nxënës në mësim, përdorte gjerësisht metodën e provimit simultan.

Mbresa të veçanta ruaj nga Profesoresha Liri Tirana, e cila, gjithashtu, na jepte lëndën e matematikës. Ishte një profesoreshë shtatlartë, flokëverdhë, simpatike. Ishte e njohur në të gjithë qytetin e Vlorës për rreptësinë, por edhe për drejtësinë e lakmueshme të natyrës së saj si pedagoge e talentuar.

Lëndën e algjebrës dhe të trigonometrisë na e jepte Profesor Janaq Syko. Këto ishin dy lëndë të vështira, kockë e fortë për çdo nxënës. Veçse Profesor Janaqi, me metodën e tij tepër karakteristike në shpjegimin e mësimit, i bënte këto dy lëndë mjaft të kapshme, shpeshherë të përvetësueshme që në klasë. Përgjithësisht, Profesor Janaqi ishte një pedagog shumë i rreptë, por edhe shumë i drejtë, Përgatitja e lartë shkencore i krijonte mundësi të manovronte bukur në zgjedhjen e metodave sa më efikase, për ta bërë orën e mësimit mjaft tërheqëse.

Lëndën e fizikës na jepnin Profesor Jorgji Skrame dhe Profesor Astrit Isaraj, të dy vlonjatë.

Profesor Jorgji kishte një natyrë të shtruar, fjalët i kishte të kursyera, klasën e zotëronte për bukuri me përgatitjen e thellë shkencore dhe objektivitetin në vlerësimin e dijeve të nxënësve.

Profesor Astriti ishte një pedagog i ri, me trup elegant, simpatik. Gjatë viteve kur kishte studiuar në Institutin e lartë padagogjik, kishte filluar të përdorte paksa në ligjërim edhe disa fjalë të dialektit të gegërishtes, të cilat ia hijeshonin shpjegimin e mësimit dhe komunikimin me ne në klasë. Ishte një pedagog që respektonte dinjitetin e nxënësve dhe gëzonte një autoritet të padiskutueshëm në klasë, falë zotërimit mjeshtëror të lëndës dhe mënyrës së shpjegimit të saj.

Lëndën e historisë, këtë lëndë të mrekullueshme, me vlera të padiskutueshme formuese për nxënësit, na e jepnin dy pedagogë të talentuar, Profesor Kudret Velça dhe Profesoresha Eleonora Kaleshi.

Profesor Kudreti, një erudit i vërtetë, e bënte të magjishme orën e historisë. Erudicioni i tij, ndjenja e humorit, tepër karakteristike për natyrën e tij gazmore, bënin që ora e mësimit të kalonte si pa u ndier fare.

Profesoresha Eleonora, me sa më kujtohet, ishte nga Fieri. Ishte pedagoge e re, me një pamje mjaft tërheqëse, të impononte respekt në mësim për njohuritë e thella në lëndën e historisë. Kur komunikonte me nxënësit, dukej sikur në të dyja faqet i çelnin dy lulëkuqe.

Lëndën e gjeografisë na e jepnin Profesor Balldadori dhe Profesor Selam Pulaj. Profesor Balldadori ishte një burrë i moshuar. Kishte një të folur të ngadaltë dhe natyrë shumë të qetë. Ai na mahniste me thellësinë e dijeve të veta. Takti i tij pedagogjik ishte proverbial në të gjithë gjimnazin tonë.

Profesor Selami ishte një pedagog i ri në moshë. Ishte mjaft i shkathët, nuk dinte të ulej kurrë në tryezën e padagogut, tërë kohën lëviste më këmbë, duke mbajtur në dorë një stekë të hollë, të cilën e përdorte gjatë shpjegimit të mësimit para hartës gjeografike, të varur në tabelën e zezë. Kishte një kujtesë fenomenale që i linte nxënësit pa mend kur ishte puna për të përmendur kryeqytetet dhe qytetet kryesore të vendeve të ndryshme, sipas shteteve të botës. Lëndën e zotëronte në majë të gishtave.

Lëndën e botanikës dhe të zoologjisë na e jepte Profesoresha Marika Bezhani. Ishte një pedagoge mjaft e pasionuar pas lëndës dhe mjaft kërkuese në klasë. Ishte mjeshtre për t’u futur në botën e nxënësve dhe për të ndarë hallet dhe shqetësimet e tyre. Si një pedagoge e përgatitur dhe me përvojë, Profesoreshë Marika dallohej edhe për taktin pedagogjik në marrëdhëniet me nxënësit.

Profesoreshë Milika dhe Profesoreshë Fekoja na jepnin lëndën e kimisë. Profesoreshë Milika ishte mjeshtre në zotërimin e lëndës dhe gjatë kontrollit frontal zor se i shpëtonte ndonjë nxënës pa u aktivizuar. Vlerësimet objektive të dijeve të nxënësve dhe ndjenja e humorit, sipas situatave që krijoheshin në klasë, e bënin për ne një pedagoge autoritare.

Profesoreshë Fekoja kishte një temperament të qetë. Të krijonte përshtypjen sikur ishte flegmatike. Por prapa natyrës së saj të qetë fshihej bota e pasur e një pedagogeje të përgatitur dhe serioze, e një njohëseje të hollë të psikologjisë së nxënësve. Fjalët e saj të pakta, të shoqëruara me pyetje të befta rreth lëndës, e bënin figurën e saj mjaft autoritare në sytë e nxënësve.

Lëndën e vizatimit teknik na e jepte Profesor Besim Turdiu. Ishte një pedagog autoritar që të ngjallte respekt që në takimin e parë në klasë. Përgatitja e thellë profesionale, takti pedagogjik, natyrshmëria në komunikimin me nxënësit dhe notat e humorit të tij të këndshëm në bisedat e lira jashtë mësimit, e bënin Profesor Besimin një ndër figurat më të nderuara mes trupës pedagogjike të gjimnazit tone. S’më shlyhet kurrë nga kujtesa këmbëngulja e Profesor Besimit për të na edukuar shijen e së bukurës gjatë kryerjes së detyrave të vizatimit teknik, duke na porositur që të përdornim letra të tjera për të mbështetur duart, në mënyrë që figura mbi formatin e bardhë të dilte e pastër dhe të kishte një paraqitje sa më estetike.

E vetmja gjuhë e huaj që zhvillohej atëherë në gjimnaz, ishte gjuha ruse. Në klasat e para, këtë lëndë na e jepte Profesor Drago Rashoviçi. Ishte një pedagog i ri, shtatlartë, ezmer, simpatik, serioz, autoritar. Ishte mjaft këmbëngulës dhe boll i durueshëm me ne, aq më tepër që gjuhën ruse filluam ta studionim për herë të parë. Gjatë gjithë orës së mësimit na fliste në gjuhën ruse, tek mundohej të na krijonte mikromjedisin e saj për të na thyer veshin, duke përdorur edhe mjete konkretizimi.

Në klasat e larta të gjimnazit, lëndën e gjuhës ruse na e jepte Profesor Rakip Korkuti. E kujtoj si një pedagog mjaft të dashur me nxënësit, me një përgatitje profesionale të admirueshme, kur komunikonte me ne në rusisht me shumë lirshmëri. Dallohej për natyrën e tij të shtruar, për respektin ndaj figurës së nxënësit dhe për durimin e një pedagogu me përvojë, megjithëse ishte në moshë të re. Më pas Profesor Rakipi u emërua drejtor i gjimnazit.

Lëndën e gjuhës ruse në gjimnazin tonë e jepte edhe Profesori Kristaq Suli. Profesor Kristaqin e kam njohur fare rastësisht: një ditë, sipas një urdhri të drejtorisë, nxënësit u mblodhën në një miting para shkollës për nder të një delagacioni sovjetik. Profesor Kristaqi, pranë kryetarit të delegacionit, përkthente fjalimin e tij, me duart të kryqëzuara në gjoks. Një përkthim i tillë, pa një përgatitje paraprake, në artin e përkthimit gojor quhet përkthin sinkroinik. Neve, nxënësve, na bëri shumë përshtypje përkthimi i rrjedhshën i Profesor Kristaqit, të cilit asnjëherë nuk iu mor goja, në kërkim të fjalëve apo të shprehjeve sa më të goditura, teksa fliste në shqip në krah të kryetarit të delegacionit sovjetik.

Më pas, megjithëse klasës sonë ai nuk i jepte mësim, ne do të njiheshim më nga afër me Profesor Kristaqin, i cili dallohej për natyrën tepër korrekte në marrëdhëniet me të tjerët, për autoritetin që gëzonte mes kolegëve dhe për objektivitetin e tij karakteristik në vlerësimin e dijeve të nxënësve. Ishte një pedagog mjaft i përgatitur në profesionin e vet, dinjitoz, ndaj dhe gëzonte respektin tonë.

Pedagogë të tjerë të gjimnazit, që nuk i patën dhënë mësim klasës sonë (paraleli B), kanë qenë edhe Profesor Pëllumd Çeli, pedagog i lëndës së historisë. Pas Profesor Harilla Kuçulit, ai u emërua drejtor i gjimnazit, por në këtë detyrë nuk qëndroi gjatë se u transferua në Tiranë. Ishte një pedagog i urtë dhe tepër dashamirës me nxënësit.

Profesor Xhevdet Kofina, pedagog i moshuar dhe tepër dashamirës me nxënësit, jepte lëndën e matematikës dhe të gjeometrisë. Si pedagog me shumë përvojë, Profesor Xhevdeti ishte një metodist i shkëlqyer.

Profesor Brahim Zejno, gjithashtu, jepte lëndën e matematikës. Ai sapo i kishte kryer studimet e larta. Ishte një pedagog që gëzonte respektin e nxënësve me përgatitjen shkencore, e cila është çelësi i autoritetit të çdo mësuesi dhe pedagogu.

Profesor Idajet Çoçoli, nëse nuk gabohem, ishte nga Gjirokastra. Studimet e larta i kishte mbaruar për matematikë, bashkë me Profesor Gjon Çiften dhe në gjimnazin tonë qenë emëruar njëkohësisht. Edhe për Profesor Idajetin, nxënësit flisnin me shumë respekt. Ishte një pedagog me një përgatitje shumë të mirë profesionale, kishte një temperament të shtruar, dallohej për origjinalitetin e shpjegimit të lëndës dhe larminë e mënyrave të kontrollit në klasë.

Profesoreshë Fejzia dhe Profesor Gurua jepnin lëndën e fizkulturës. Profesoreshë Fejzia njihej në qytetin e Vlorës si një pedagoge shumë e përkushtuar, e cila lëndës së fizkulturës i jepte një rëndësi të veçantë, në përputhje me programin e përgatitjes fizike të nxënësve, përgatitje kjo, e cila asokohe trajtohej me shumë seriozitet në gjimnazin tonë. Rreptësia e Profesoreshë Fejzies gjatë zhvillimit të orës së mësimit, njihej edhe përtej mureve të gjimnazit. Kur qëllonte që Profesor Gurua të ishte me shërbim jashtë qytetit, mësimin neve, djemve, na e zhvillonte Profesoreshë Fejzia. Ishte mjeshtre për nxjerrjen e “ndryshkut” të muskujve tanë.

Profesor Gurua ishte një pedagog i ri, me shtat mesatar, gazmor dhe tepër “i shkrirë” me ne, çunat. Të gjitha ushtrimet dhe elementet e tjerë të orës së mësimit i demonstronte me një përpikëri befasuese. Kësisoj, ne viheshim në sedër dhe mundoheshim ta imitonim, megjithëse ishim larg përgatitjes së tij fizike. Gjithsesi, ai na ndihmonte me shumë dashamirësi në kryerjen e ushtrimeve. Ishte pedagog me takt dhe dinte ta respektonte dinjitetin e nxënësve, prandaj edhe gëzonte simpatinë e tyre.

Ja, këta ishin Profesorët e Gjimnazit “Ali Demi”. Ishte një trupë pedagogjike shembullore, e cila, me përgatitjen e vet shkencore, krahas intelektualëve të tjerë vlonjatë, që punonin në të tjerë sektorë, si kultura, ekonomia, shëndetësia dhe administrata, përbënin nderin dhe krenarinë e qytetit të Vlorës.

Disa nga ata Profesorë i kishin kryer studimet jashtë shtetit. Kështu, siç thuhej atëherë në mjediset e gjimnazit, Profesorët Harilla Kuçuli, Balldadori, Besim Turdiu dhe Xhevdet Kofina, i kishin kryer studimet në universitetet perëndimore. Madje për Profesor Kofinën thuhej se, veç universitetit, edhe shkollën e mesme e kishte kryer në Austri. Profesor Selam Pulaj studimet e larta i kishte kryer në Moskë.

Tani, në pluralizëm, mësuesit dhe pedagogët e të gjitha niveleve, që nga shkollat e zonave periferike e deri në kryeqytet, po përballen me probleme të vështira nga më të ndryshmet.

Partitë politike mundohen t’i parcelizojnë mësuesit sipas elektoratit të tyre. Veçse duhet pasur parasysh, se pavarësisht nga rreshtimi i tyre në spektrin e politikës, ata shqetësimet i kanë të përbashkëta në kushtet e ekonomisë së tregut. Shteti, si rregullator i ekuilibreve sociale, duhet të mendojë për këtë shtresë shoqërore me vlera të pallogaritshme për të ardhmen e mbarë kombit tonë. Udhëheqësit kryesorë të pozitës dhe të opozitës, si çdo qytetar tjetër, kanë kaluar nëpër duart e mësuesve. Veç kësaj, jo pak prej tyre kanë qenë pedagogë në universitete dhe e dinë fare mirë se sa e vështirë është mësimdhënia. Po për ata mësuesit e zonave shumë të thella, ç’duhet të bëjë shteti, duke pasur parasysh shkallën e vështirësive për vetë kushtet gjeografike të mjedisit? Braktisja e punës nga ana e atyre mësuesve, për ta siguruar më lehtë bukën e gojës në qytet, nesër do të sjellë si pasojë shtimin e kontigjenteve të analfabetëve, të cilët, për të mbijetuar, do të zbresin nëpër qytete dhe do të bien pre e kriminalitetit.

Për ta vënë theksin më shumë në trajtimin e kësaj shtrese me shumë peshë në jetën e shoqërisë shqiptare, dëshiroj të ndalem te dy shkrimtarë të shquar rusë - Maksim Gorki (1868-1936) dhe Anton Çehovi (1860- 1904). Përmes kujtimeve të Gorkit, po u bëj të njohur lexuesve nderimin dhe respektin e jashtëzakonshëm që Çehovi kishte për figurën e mësuesit.

Në kujtimet e veta, Gorki rrëfen për Çehovin:

“Dikur më pati ftuar për vizitë në fshatin Kuçuk-Koj, ku kishte një parcelë të vogël dhe një shtëpi dykatëshe. Kur po më tregonte “çifligun” e vet, nisi të fliste me shumë dëshirë:

- Të kish shumë para, këtu do të ndërtoja një sanatorium për mësuesit e sëmurë të fshatrave. Dhe, që ta dini, do të ngreja një godinë të tillë, që të notonte në dritë, me dritare të mëdhaja dhe tavane të larta. Do të hapja këtu një bibliotekë të mrekullueshme, ku të kishte edhe instrumente muzikore, kurse rreth e rrotull saj do të mbaja zgjoje bletësh, do të hapja një perimore dhe një kopsht me drufrutorë; këtu mund të mbaheshin leksione për agronominë, meteorologjinë, se mësuesio, ore i dashur, dudhet të marrë vesh nga të gjitha.

Ai heshti sakaq, u kollit, më pa në profil dhe buzëqeshi me atë buzëqeshjen e tij të ëmbël, të dashur, që gjithmonë të bënte për vete në një mënyrë të atillë që s’e përballoje dot dhe të detyronte ta dëgjoje tërë sy e vesh.

- Mos po mërziteni gjë kur dëgjoni këto fantazitë e mia? Kurse unë kam qejf të flas për to. Sikur ta dinit se sa shumë nevojë ka fshati rus për një mësues të mirë, të zgjuar, me kulturë! Është e domosdoshme që ne, këtu, në Rusi, t’ia krijojmë mësuesit ca kushte të veçanta, madje duhet t’ia krijojmë një sahat e më parë, nëse e kuptojmë se pa një arsimim të gjërë të popullit, shteti do të shembet si ajo shtëpia që është ndërtuar me tulla të pa pjekura mirë. Mësuesi duhet të jetë artist, t’i punojë mendja, duhet ta dojë marrëzisht profesionin e vet, kurse në vendin tonë ai është një punëtor i zakonshëm, një njeri me arsim gjysmak, që vjen të mësojë fëmijët në fshat me po atë dëshirë, siç mund të shkonte në internim.Ai është i uritur, i rropatur, i trembur se mund të humbasë kafshatën e gojës. Ndërsa në të vërtetë ai duhej të ishte i pari i katundit, që të jetë në gjendje t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve që i bën fshatari, që fshatarët të shikojnë në figurën e tij forcën e personalitetit që meriton dashuri dhe respekt, që askush të mos guxojë t’i bërtasë,.. të poshtërojë dinjitetin e tij, siç veprojnë të gjithë në vendin tone: i plotfuqishmi, bakalli që ka vënë ca dhjamë, prifti, shefi i postës së policisë, bamirësi i shkollës, atamani dhe ai zyrtari që mban postin e inspektorit të shkollës, por që kujdeset jo për përmirësimin e gjendjes së arsimit, por për plotësimin me kujdes të formularëve të distriktit. Është marrëzi t’i paguash ca kacidhe një njeriu që ka për mision të edukojë popullin, më kuptoni? Të edukojë popullin! Nuk duhet lejuar që ky njeri të vishet me zhele, të dridhet nga të ftophtët në shkollat tona plot me lagështirë dhe me xhama të thyer, të budallallepset, të marrë plevit dhe të sëmuret nga laringiti, nga reumatizmi, nga tuberkulozi pa mbushur të tridhjetat… Ky është turp për ne! Gjatë tetë-nëntë muajve në vit, mësuesi jeton si qyqar, s’ka me kë të shkëmbejë dy fjalë, i trashet kujtesa në vetminë e tij, pa pasur mundësi të shfletojë libra apo të argëtohet. Edhe kur fton shokët e vet në shtëpi, e akuzojnë si të dyshimtë, - një fjalë idiote kjo, me të cilën njerëzit e djallëzuar trembin budallenjtë!.. Kjo është një gjë e pështirë, është një tallje me njeriun që bën një punë të madhe, jashtëzakonisht të rëndësishme. Që ta merrni vesh, kur shoh një mësues, e ndiej veten keq edhe për druajtjen e tij, edhe për rrobat e tij të vjetra dhe më bëhet sikur edhe unë jam fajtor për varfërinë e tij… E kam seriozisht!

Ai heshti për një çast, ra në të thella, bëri një lëvizje pakënaqësie me dorë dhe tha me zë të ulët:

- Një vend i kotë, një vend kaba kjo Rusia jonë.

Një hije e thellë trishtimi ra mbi sytë e tij të bukur, që ia qarkuan ca rrudha të holla në formë rrezesh, duke e bërë edhe më të thellë vështrimin e tij. Hodhi sytë përqark dhe u tall me veten e tij.

E shoh që ju torturova me një kryeartikull të tërë, nga ata që boton ndonjë gazetë liberale. Shkojmë, do t’ju qeras me një gotë çaj, meqë jeni kaq i durueshëm.

Kështu i ndodhte shpesh: flet aq ngrohtë, aq seriozisht, me aq çiltërsi dhe sakaq zë e nënqesh me veten e tij dhe me fjalët që ka thënë. Dhe në atë nënqeshje të ëmbël, të trishtuar, ndihej një skepticizëm i hollë i një njeriu që di t’i vlerësojë fjalët, ëndrrat. Veç asaj, në këtë nënqeshje ndihej një thjeshtësi e këndshme, një delikatesë e hollë.

U nisëm për në shtëpi me një hap të qetë pa e hapur gojën. Ishte një ditë e qëruar dhe bënte vape; dëgjohej zhurm e valëve tek luanin me rrezet e diellit; në këmbë të mallit se ç’kishte që angullinte një qen i kënaqur. Çehovi më futi krahun dhe foli ngadalë, duke u kollitur:

- Njeriut i vjen turp dhe trishtohet, veçse ky është realiteti: ka një mori njerëzish që ua kanë zilinë qenve.

Dhe, si qeshi, shtoi aty për aty:

- Sot po them vetëm fjalë të shpifura… Domethënë, po plakem.

Më kishte qëlluar të dëgjoja shpesh nga goja e tij:

- Këtu, që ta dish, ka ardhur një mësues… i sëmurë, i martuar, s’keni ndonjë mundësi për ta ndihmuar? Hëpërhë e kam rregulluar.

Ose:

- Dëgjoni, Gorki, këtu është një mësues që dëshiron të njihet me ju. Nuk del nga shtëpia, është i sëmurë, sikur të shkonit ta takonit, mirë?

Ose:

- Janë ca mësues që luten t’u dërgohen ca libra.

Nganjëherë atë “mësuesin” e gjeja në shtëpinë e Çehovit: zakonisht, mësuesi, flakë në fytyrë, ngaqë e dinte që nuk ishte i shpenguar, zinte një cep karrigeje dhe, ujë në djersë, rrinte e kërkonte fjalët, tek mundohej të fliste shtruar dhe “sa më me kulturë” ose me tonin e shpenguar të një njeriu patologjikisht të druajtur, i përqendruar kokë e këmbë në dëshirën për të mos u dukur leshko në sytë e një shkrimtari dhe e mbyste Anton Pavlloviçin me një mori pyetjesh, të cilat zor se mund t’i vinin ndër mend në ato çaste.

Anton Pavlloviçi dëgjonte me kujdes fjalët e mësuesit që kishin një renditje jo fort të goditur, sytë e tij morën një pamje të gëzuar, thinjat i dridheshin në tëmtha dhe në këto e sipër filloi të fliste me zërin e tij imponues, të butë e të shtruar dhe të thoshte ca fjalë të thjeshta, të shtruara, që preknin thelbin e jetës, fjalë këto që aty për aty e çliruan bashkëbiseduesin nga tendosja e deritanishme: ky hoqi dorë nga përpjekjet për t’u dukur mendjelli, prandaj edhe shumë shpejt nisi të dukej edhe më i zgjuar, edhe më interesant…

Më kujtohet njëherë kur një mësues shtatlartë, thatanik, me një fytyrë verdhacuke, të paushqyer, dhe me një hundë të gjatë, kurrizake, të përthyer drejt mjekrës në një mënyrë melankolike, qe ulur pranë Anton Pavlloviçit dhe, tek vështronte pa lëvizur me ca sy të zesë, po i fliste i ngrysur me një zë basi.

- Nga përshtypje të tilla, që burojnë nga realiteti objektiv, gjatë sezonit pedagogjik formohet një konglomerat i tillë psikik, që të heq absolutisht çdo mundësi për një qëndrim objektiv ndaj botës që na rrethon. Bota, sigurisht, s’është gjë tjetër, veçse përfytyrimi që kemi për të…

Tani ai kishte hyrë në botën e filozofisë dhe filloi të ecte nëpër të, duke na kujtuar një të dehur mbi akull.

- Pa më thoni, - e pyeti Çehovi me zë të ulët dhe me një ton ledhatues, - kush i rreh nxënësit në distriktin tuaj?

Mësuesi kërceu nga karrigia dhe tundi duart plot indinjatë:

- Ç’janë këto fjalë! T’i rrah?

Ai turfulloi i zemëruar.

- Mos u shqetësoni, - vazhdoi Anton Pavlloviçi, duke buzëqeshur për ta qetësuar, - pse, për ju e kisha fjalën? Por mua më kujtohet, e kam lexuar nëpër gazeta, se dikush i rreh, pikërisht në distriktin tuaj.

Mësuesi u ul, fshiu djersën nga fytyra, psherëtiu i lehtësuar dhe ia nisi me një bas të mbytur:

- Ashtu është! Ka ndodhur njëherë. Është fjala për Makarovin. Që ta dini, këtu s’ka asgjë për t’u çuditur! Është një sjellje e egër, veçse e ka një shpjegim. Është i martuar, me katër fëmijë, me grua të sëmurë, edhe vetë vuan nga tuberkulozi, me rrogë njëzet rubla… Kurse shkolla është si bodrum, ndërsa mësuesi vetëm një dhomë të ka. Në këto kushte edhe engjëllin e Zotit do ta zhdëpësh pa bërë asnjë faj, pa folur më për nxënësit që s’afrohen fare me engjëjt, të më besoni!

Pikjërisht ky njeri që sapo la pa mend Çehovin me atë mori fjalësh të zgjuara, teksa tundte plot mllef hundën kurrizake, filloi të fliste me ca fjalë të thjeshta, të rënda si guri, duke hedhur dritë mbi të vërtetën e mallkuar, mbi të vërtetën e tmerrshme të asaj jete që bën fshati rus.

Kur po ndahej me të zotin e shtëpisë, mësuesi mori me të dyja duart dorën e tij të vogël thatanike, me gishtërinj të hollë dhe tha duke e tundur:

- Po vija për te ju me mendjen se po shkoja te shefat e mi, me një druajtje në zemër dhe me trupin që më dridhej; isha krekosur si gjel deti, doja t’ju tregoja se, demek, edhe unë nuk jam prapa botës… Kurse tani po largohem nga një njeri i mirë, nga një njeri i afërt që i kupton të gjitha gjërat. Është gjë e madhe t’i kuptosh të gjitha gjërat! Ju falem nderit! Po iki. Po marr me vete një mendim të bukur, një mendim të mirë: njerëzit e mëdhenj janë më të thjeshtë e më të kuptueshëm dhe shpirtin e kanë më pranë njerëzve të sërës sonë, sesa këta maskarenjtë, mes të cilëve ne jetojmë. Lamtumirë! S’kam për t’ju harruar kurrëi

Hunda iu drodh, buzët i morën formën e një buzëqeshjeje dhe ai shtoi aty për aty:

- Që të flasim açik, edhe maskarenjtë janë njerëz fatkeqë, që t’i marrë djalli!

Kur u largua, Anton Pavlloviçi e pa nga prapa, nënqeshi dhe tha:

- Djalë i mirë… S’ka për të vazhduar gjatë…

- Pse?

- Kanë për t’ia nxirë jetën… Do ta përzënë…

Si mendoi një hop, shtoi ngadalë:

- Në Rusi njeriu i ndershëm është si puna e atij pastruesit të oxhaqeve, me të cilin dadot trembin fëmijët e vegjël” (Citohet sipas: “Anton Çehovi në kujtimet e Maksim Gorkit”.

Tiranë, 05-10 qershor 1998

64 views6 comments

6 kommentarer


Kozma Gjergji
Kozma Gjergji
01. sep. 2022

Një afresk-homazh dashurie, mirënjohjeje, respekti e nderimi nga Prof. dr. Eshref Ymeri për të gjithë mësuesit e mësueset e tij. Me një gjuhë emocionuese e shikim të thellë prej studjuesi e artisti Profesori shpalos portretet njerëzore e profesioniste të tyre, që vitet edhe më tepër ua lartësojnë. Shoqëria ka gjithmonë jashtëzakonisht nevojë për modele si të këtyre misionarëve të dritës. Është gjë e mirë t'i rikujtojmë dhe më kryesorja të mësojmë nga ata. .

Duke i njatjetuar i uroj Prof. dr. Eshrefit dhe muzës së tij frymëzuese Znj. Hava paçin kurdoherë shëndet e jetë të gjatë dhe plotë gëzime familjare e krijuese.

Me shumë respekt, K.Gjergji.

Lik
Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
01. sep. 2022
Svarer

I dashur Kozma,

Ju jam thellësisht mirënjohës që ma përcillni me aq bujari ngrohtësinë e shpirtit tuaj fisnik. Ju vetë keni qenë nxënës dhe e dini shumë mirë se ç’mbresa merr me vete në jetë ai nxënës që, nën ndikimin e edukatës prindërore, e ka dashur dijen si bukën e gojës dhe me çfarë respekti e kujton figurën e mësuesit të vet që në klasën e parë të fillores. Aq më tepër që ju, si një shkrimtar i talentuar, falë fantazisë krijuese, keni një aftësi hyjnore për të hyrë mjeshtërisht edhe në indin e jetës së nxënësit, edhe në indin e jetës së mësuesit.

Urimet më të mira nga unë dhe Havaja për ju, për Zonjën e zemrës suaj …

Lik

Dituria e pashprehur Flet. Flet me përkujtimin e tij të shtrenjtë, Prof Dr Eshref Ymeri… Flet dhe ne heshtim. Dikur tek „Fjala e Lirë“ që në Shqipëri kur e kisha në print kam shkruar… dhe sot po e risjell për respektin e këtij shkrimi brilant dhe për ta rikujtuar… Kam shkruar dhe për një mësuese që do ta formoj në veçanti shkrimin e saj… Respekte profesorit Eshref Ymeri.

Ja si kam shkruar në vitin 1996:

Ku ka shkuar mësuesi i vjetër shqiptar, i dashuruari i shkollës? Mësuesit që dinin të arrinin thellë brenda vetes, për të gjetur një mënyrë, për të prekur zemrën dhe mendjen e një filloristi, nxënësi, maturanti, gjimnazisti, studenti, duke i inkurajuar ata të vendosin qëllime dhe…

Lik
Eshref Ymeri
Eshref Ymeri
01. sep. 2022
Svarer

I dashur Profesor Fatmiri,

Ju, si një intelektual i shquar i fushës së gazetarisë, të publicistikës dhe si një krijues i talentuar i botës së letrave shqipe, keni aftësinë t’i përcillni lexuesit emocione të fuqishme nga sfera e arsimit, sepse edhe vetë keni qënë mësues për disa vite me radhë. Ju e keni njohur shumë mirë botën e nxënësve tuaj dhe mbresat tuaja nga ajo botë janë mjaft prekëse. Ju vetë i kujtoni me një nderim të veçantë mësuesit tuaj, prandaj, më shumë se tridhjetë vjet më parë, keni nxjerrë nga pena këtë Ese plot nostalgji për ata mësimdhënës veteranë që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen e nxënësve të tyre të dikurshëm.

Ju falënderoj nga zemr…

Lik

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif
bottom of page