Nga arkivi i gazetarit
KUR IRODHIO I LASHTË KËNDOI SHQIP
Meditime
Ulur në një nga shkallët e gurta, shkallë që prej më se dymijë vjetësh kanë mbajtur të ngrirë vështrimin e miliona njerëzëve, ardhur në kohë e hapsirë, mbi atë hark që përbën skenën e atë sfond që përbën historinë e artit të të gjitha kohrave, hap fletët e kujtesës dhe shkruaj...
Një ecje e lehtë, nën vështrimin e syve modernë dritëpërcjellës, m’a ngrin lapsin diku thellë në fletët – qeliza të pa shkruajtura të trurit. Janë hapat e Alpaslan Ertungealp, dirigjent turk, që akustika e mrekullueshme e teatrit i përcjell shkallëve të mermerta duke i ngjitur lart, majave të gurta të Akropolit të lashtë...
Salla ka ngrirë zërat, celularët, aparatet fotografike e televizive. Dirigjenti ngjitet lart, bën vend para tavolinës dirigjuese, hap fletën e parë të një libri të madh prej nga nxjerr, me një të drejtuar të shkopit kroje melodish...
Një gjëmim daulleje, si gjëmimet në honet e thella të Olympit - Fron të Perëndive, si tërmetet zanore në Bjeshkët e Namura, më ngre lart, më merr me vete, më përcjell në vende të njohura e të pa njohura, më bën shqiponjë krahëhapur mbi qiejt e kohës sonë.
Instrumentat, në duart dhe gojën e “Orkestrës së Ngjyrave”, njerëzëve virtuoziteti i të cilëve është i njohur, herë ia marrin solo e herë herë buçasin, gurgullojnë duke nxjerrë ujin kristal të burimeve, vrungullojnë duke marrë e përplasur theqaqfjeve furtunat e orteqet malore, marrin e ngrenë në qiell këngët e zanave, përplasin e fusin dymbëdhjet pashë nën tokë kokat e bajlozëve të zinj...
Ku jam? Ku jemi? Në një teatër ku luheshin tragjeditë e lashtësisë apo në teatrin e madh të maleve, luginave e fushave të vendit tim ku kanë kënduar zanat e janë luajtur tragjeditë e mëdha të jetës së vendit tim. Ku më çon Vasil Tole me notat e mrekullueshme muzikore? Ku më çon Ismail Kadare me atë përkthim dhe përkim në kohët moderne të një tragjedie të lashtësisë greke?
Ndjejë në shpirt uverturën e mrekullueshme...Ndjej se si ngjiten në skenë e këndojnë shqip...
Po, po shqip ! Një shqipe me theks japonez të Hiroyuki Naritas e Michiko Hayashit, kinez të Wei Long Taos, sllav të Katerina Hebelkovas, Anna Taneevas e Tatiana Rubinskajas, grek të Vula Amiradhakit, meksikan të Monica Guillen Chaves...
Në monitor, lart, mbi kolonat mbi dymijëvjeçare, shqipja transformohet në greqisht...
Hedh vështrimin mbi skenë, nxjerr vjedhurazi aparatin dhe ngurtësoj pamjen. E kthej shikimin majtas, djathtas, lart dhe ndjej se si njerëzit, grekë, shqiptarë, kinezë, japonezë, evropianë, njerëz nga të pesë kontinentet e botës janë shkrirë nën meloditë e vendit tim.
Vasil Tole nuk më le këtu, më merr në krah me meloditë e tij dhe më çon larg, shumë larg në vendin tim. Më ngjit në Bogë, në ato pllaja të mrekullueshme ku vetëm një herë, disa orë, kam jetuar në të ritë tim. Më çon lart e larg, luginës së Valbonës duke më nanurisur me shkumzimin e atij uji kaq të kthjelltë e kaq të ftohtë melodinë e të cilit e kam në shpirt prej më se dyzet vjetësh. Më ngjit grykave të ngushta ku edhe zoqtë nuk i hapin plotësisht fletët se mos u takohen me shkëmbenjtë. Më fut në Shpellën e Dragobisë, më ngrin bashkë me krushqit e legjendës në një pllajë malore të Bjeshkëve të Namura ku Zanat, Muji dhe Halili kanë bërë rrënjë në legjendën e madhe shqiptare. Më tej më zbret butë butë, si të shkel në një shilte mbushur me lesh deleje Rude, fushës së bukur të Kosovës...
Nuk don të më lëshojë Vasil Tole. As edhe unë nuk dua të më lëshojë. Ai bredh e më sjell nga larg meloditë e vendit tim kurse unë, si të zgjidh një fjalkryq apo të dal nga një labirinth i lashtë, vazhdoj të udhëtoj nëpër vendin tim. Ngjitëm në Korab, në zemër të tij, në atëë vend që quhet Panair, atje ku ujrat e dëborës shkrijnë në burime të ftohta, mblidhen e humbasin midis shkëmbenjëve për të dalë diku në bjeshkët e Radomirës duke formuar Veleshicën ujëpastër. Ngjitëm në Gramë, në Bjeshkën e Zonjave marr me vete blegrimat e deleve dhe qingjave, fluturoj mbi Drin e ndalem në malet e Lurës, në Gjagjisht e Runjë, për të pirë ujë krojeve e për t’u çlodhur me pamjen e zambakëve të Liqenit të Luleve në sy.
Nuk më lë rehat Vasili sot, nuk don të më lërë por edhe unë nuk dua ta lë. Më merr për dore dhe unë si manar i shkoj pas për t’u ngjitur maleve dhe bjeshkëve të Jugut. Jam ngjitur atyre maleve në të ritë tim, jam ngjitur dhe në pentagramin e fshehtë të shpirtit më kanë mbetur notat e maleve të Skraparit, të Qafë - Devrisë, të Gjerbësit, Melovës e Rehovës që në sy kanë Tomorrin e lashtë dhe malet e Korçës e të Pogradecit tutje pyllit të majave shkëmbore. Kam hyrë edhe në pentagramin e grykës së ngushtë të Përmetit ku mbret i instrumentit është Javer Bariu e perandor i këngës lirike shqiptare është Mentor Xhemali.
Jam ngjitur në të ritë tim edhe në Kuç, Kallarat, Bolenë e Tërbaç, luginës së bukur të Shushicës. Kam fut në shpirt bilbilejtë e ison madhështore labe...
Jam ulur edhe në breg të liqenit të Pogradecit e kam bredhur fushës së Korçës, asaj treve të vëndit tim që ka ngjizë në shpirtin e të riut dhe plakut gëzimin që sjell melodia e kitarës dhe serenata korçare.
Atje ku kam qenë e ku nuk kam qenë më ngriti e më çoi me muzikën e tij Vasil Tole...
Një bubullimë...Një shkreptimë... Nga vjen kjo bubullimë? Nga orkestra që na sjell jehonën e bubullimave dhe shtërngatave në malet e vendit tim? Nga vjen kjo shkreptimë? Nga dritat që lëpijnë skenën apo nga rrufetë e legjendave të vendit tim? Nga vijnë këto pika uji? Nga shiu apo nga lotët e nënës së Doruntinës? Nga shiu apo lotët e motrës së Gjergj Eles Alisë që prej “nëntë vjetësh” lan plagët e vëllait për ta shëruar e ngritur në këmbë për t’i dalë përpara e për ta futur “shtatë pashë nën dhe” Baljozin e zi të ardhur prej përtejdetit ? ...
U largova nga Irodhio ndërsa qielli siste hollë lotët e legjendave. Me vete mora mbresat e një mbrëmjeje të madhe të muzikës shqiptare, mora edhe disa fotografi me autorin e operës, me Vasil Tolen, në shoqëri të Leokakos, mik i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, muzikolog i cili ka shkruajtur parathënien e operas dhe Antifaros, botues i revistës më të rëndësishme muzikore në Greqi. Me vete mora edhe shpresën, dëshirë e madhe e autorit, që operën ta shoh një mbrëmje në teatrin tonë të operës.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 30 shtator 2005
Në foto: Vasilo Tole në shoqëri të Lokakos-muzikolog i cili ka bërë hyrjen e veprës dhe Antifaros-botues i revistës më prestigjioze në Greqi për muzikën, pas shfaqjes së veprës si dhe një foto të orkestrës fiksuar më 30 shtator 2005
DY FJALE PER “EUMENIDET”
Opera “Euminidet”, i vetmi fragment i tragjedive greke që mbyllet me një fund të lumtur, është përkthyer nga shkrimtari i shquar Ismail Kadare dhe shënon një prej majave të shkëlqimit të artit antik. Opera është shkruar për solist, kor, recitues, valltare dhe orkestër. Vasil Tole dhe opera “Eumenidet”, e cila u ngjit në skenën e teatrit të lashtë Irodhio të Akropolit në Athinë për herë të parë më 30 shtator 2005 në orën 20.30 fitoi çmimin e parë për kompozim në konkursin ndërkombëtar “Dimitri Mitropoulos”, zhvilluar në Athinë në nëntor 2001. “Jam krenar që për herë të parë një operë shqiptare në gjuhën shqipe do të këndojë madhështinë e antikitetit të lashtë ballkanik, të ngjizur mbi shkëmbinjtë e bardhë të Olimpit”,- thotë kompozitori Vasil Tole. Opera “Eumenidet” i kushtohet ngjarjes më tragjike të njerëzimit, aktit mëmëvrasës të Orestit, i cili zbulon vrasjen e të atit, Agamemnon, nga e ëma e tij Klitemnestra. Përballja e fëmijës - birit me zgjedhjen e vështirë mes nënës dhe babait, mes dashurisë për gruan që e lindi dhe e mëkoi dhe hakmarrjes për babanë e vrarë dhe të tradhtuar – njeriut prijës, vendimbërës, Zot, përmbyllet tragjikisht në një goditje thike, me zgjedhjen e të drejtës për sundimin e burrit. Patriarkati merr në këtë vepër legjitimitetin hyjnor, duke sunduar përrallshëm brenda gjykimit të një hyjneshe si Athina, e cila nuk është lindur nga një grua dhe nuk vuan nga kompleksi i varësive instinktive ndaj nënës. Fundi i lumtur i kësaj tragjedie, kur Athina arrin të zbusë ndëshkimin për njeriun mëmëvrasës duke shenjtëruar Erinitë dhe duke i shndërruar në Eumenidë, i jep kësaj vepre një vlerë të jashtëzakonshme për të kuptuar ligjësitë e zhvillimit të arsyes universale njerëzore në kohë dhe për të lexuar të shkuarën në dritën e të drejtës natyrore, që antikiteti grek themeloi. Premiera botërore e operas “Eumenidet ose “Opera e tokës” në Athinë, përbën një kulm për operën shqiptare dhe gjithashtu një risi në përpjekjen për të zhvilluar në një shtrat të ri në ndërkomunikimet ballkanike lidhur me kulturën antike, që gjeneroi rajoni ynë. Përkthyesi i veprës, Ismail Kadare, u bë i mirënjohur rreth një dekade e gjysmë më parë, ndërsa prezantoi përkthimin e tragjedive të Eskilit, shoqëruar me një esse origjinale, ku gjallonte bindja se shqiptarët mbartin ende të gjalla në traditën e tyre etnokulturore gurë të çmuar tiparesh nga pasuria e rrallë e antikitetit. Kompozitori dhe studiuesi Vasil Tole është një emër i njohur për publikun shqiptar. Ai është autor i shumë monografive, ku spikasin "Odiseja dhe Sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit", CLUSTER, “The Albanian Intangible Heritage in CD” realizuar në bashkëpunim me UNESCO-n, "Folklori Muzikor - monodia shqiptare" etj.
Comments