Kur injoranca “çerçit” mesazh dhe alegori tek fëmijët
Astrit Bishqemi, novelë “Burgu i Qelqtë” (Onufri, 1995).
Dr Fatmir Terziu
Si një fëmijë shumë nga librat e mi të preferuar kishin jetën e fëmijëve në një “botë tjetër të paparë”, në një botë të panjohur nga afër, në një botë të ritreguar nga këndi tjetër, në një botë ku “ata vuanin dhe ne ishim të lumtur” në një botë që në disa raste një libër kishte fjalën dhe nëntekstin ushqim si një temë më vete. Një në veçanti, një i tillë si “Djemtë e Rrugës Pal” pos tekstit të shkrimtarit Ferenc Molnar, më kishte shpënë asaj kohe në shpirtin fëminor të Bokës, i cili shihte me mall bankën e Nemeçekut, ku për herë të parë ishin ngjallur ndjenja të papërcaktuara. Kjo gjë e quajtur jetë ishte shumë e çuditshme, ndaj ndonjëherë më mbushte me gëzim e ndonjëherë më mbyste me hidhërim. Një tjetër fliste për historinë e një djali, i cili ndihmoi për të shpëtuar barin e tij lokal “Burger”, duke u bërë një gastro-detektiv i cili shkoi tej normës për të gjetur një përbërës sekret të humbur. Shumë kohë pas humbjes dhe harresës për gjurmët e librit dhe duke harruar madje edhe titullin e tij, kam gjetur veten në një moshë tjetër, pikërisht më 29 Janar të vitit 1996, kur duhej t’i lexoja tashmë djalit tim të vogël, Andit katërvjeçar, novelën “Burgu i qelqtë” (1995) të shkrimtarit të mirrënjohur shqiptar për fëmijë, Astrit Bishqemi. Ky libërth më kishte ardhur pikërisht në këtë datë si “një kujtim i vockël (Fatmirit), me rastin e njohjes”, sigurisht me autorësinë e shkrimtarit dhe firmën e tij në datën e dhurimit të librit. Ky libër që kishte marë jetë nga “Onufri” me emër të mbarë i jetënisur në Elbasan, nën përkujdesjen e Bujar Hudhrit dhe shkrimtares dhe poetes me emër të vlerësuar si brenda dhe jashtë vendit, Flutura Açka, kishte nderin të kishte dhe firmën korektore të një personaliteti të arsimit dhe gjuhës shqipe, korrekturën letrare të Sefedin Trungut. Dhe ai tashmë jeton mes dy jetëve të tij, asaj të daljes në jetë dhe asaj të përjetshmes, që të paktën këtë fat e ka dhe se ka çdo libër që del dhe merr formën e jetës, pasi varet nga leximi dhe lexuesi.
Në atë vit libri dhe Astrit Bishqemi ishin në një udhë tjetër, kishin marë stafetën e duhur, jo thjesht ngaqë vite më parë, ai kishte botuar disa libra për fëmijë, por se kishte ditur mes talentit të tij të mbajë gjallë lexuesin e kësaj kategorie dhe për më tej me këtë libër kishte bërë më të arsyeshmen në këtë pikë. Në thelb ishte një mesazh që rrethsillej për “ftoin në poç”. Ishte vetëm libri im tashmë? Jo në të vërtetë, vetëm se ai nuk ishte vetëm i imi, pasi ai u bë më pas dhe libër i mjaft lexuesve të tjerë të moshave të ndryshme, që pasoi dhe me binjakët e mi më vonë. Ndërsa ftoi në poç bënte me të vërtetë një funksion temë-lidhje detajore, këtë herë ishte e qartë për mua se ftoi në poç është në fakt një përrallë e bezdisë së injorancës dhe fatit të lidhjeve të vogla të detyruara për të mbajtur detyrën me zinxhirë të mëdhenj në krahët e një sistemi që dukej se nuk kishte funksionuar mirë në lidhje me zgjedhjen dhe përzgjedhjen e njerëzve në detyra, sidomos të atyre dy vetëve me uniformë, që kishin ‘lart strehëve të kasketave një si mushkonjë të verdhë, një shkronjë e madhe, që ishte germa nistore e emrit të mbretit, germa që shërbente si simbol i mbretërisë’. Dhe natyrisht mes detajeve të tjera, ku ‘xhaketat tek gryka kishin nga dy copa të kuqe, të cilat ishin bërë shkak që malësorët t’i quanin me nofkën “gushëkuqe” normalisht na udhëtonin mes leximit në hapësirë, kohë dhe vend për të gjetur lehtësisht atë që duhej dhe duhej kuptuar. Libri mundohej në mjaft raste të mos ishte një shëmbëlltyrë e konsumizmit. Në fakt një tregim-novelë me një rrëfim fantastik të ri-imagjinuar të kohës së cekur na bënte të kuptonim dhe problemet e tjera të situatës ekonomike, ku ‘uniformës i kishte dalë boja’ dhe me detajet e tjera ku bilbili në gojën e xhandarëve dhe biçaku që çante arra, apo qërronte mollë, dardha e ftonj, na shpinte mes leximit dhe mesazhit të një miti që ishte krijuar kur nënat trembnin fëmijët në djepe, pasi ishin “çakall të ligjit”: “Fli shpejt, se vjen xhandar Xhetani dhe vaj halli pastaj!”
Por ajo që ndodh është në një shkollë. Në një klasë me nxënës. Në një mjedis ku frika për xhandarin që në djep vjen dhe si një arsye më shumë kur “dera u shty me forcë dhe xhandari hyn brenda me forcë’ dhe kur mësuesit, një burrë shtatmesatar, iu murëtua fytyra e dobët dhe e hequr. Mësuesit që nuk i erdhi mirë nga sjellja e pahijshme e “miqve” natyrisht nuk mund të mos lexohet ndryshe kur nxënësit heshtën të frikësuar dhe kur kënga e tyre u ndërpre si cicërima e zogjve. Leximi këtu përshpirtet tej mesazhit dhe natyrisht leximi për fëmijën në një moshë të tillë kalon tej mesazhit. Lexime të ngjashme, të ngushta në lidhje me mesazhin, kanë dhënë librat “Paddington Bear” me fabulën rreth elefantit Babar që ishte mbështetje e kolonializmit francez. Aventurat e Alice Uonderland janë parë si çdo gjë nga një himn i logjikës matematikore në një satirë rreth një tematike tjetër ose një kërcim ‘trippy’ si një temë bazë që tërheq vetë mesazhin për moshëvoglit. Dhe çfarë lidhje kanë këto lexime me “Burgu i Qelqtë”? Ajo që është kryesorja krahas dhjetra të tjerave është ajo që që nxit optimizëm, ajo që ka qenë gjithashtu si një përrallë e ardhur nga vendi, koha dhe hapësirë për të riformatuar kritikat ndaj një ose mjaft gjërave që duan ndryshim. Në fakt kjo është në thelb një “mund-bëj” i detajuar është një përfaqësim alegorik i debatit përreth politikës dhe tërë agregateve politike që në fakt rifaturohen, sigurisht duke lexuar mes thelbit të leximit. Më tutje duhet vërtet ajo që quhet ‘gërmimi i thellë’.
“Gërmimi i thellë’ tek “Burgu i Qelqtë”? i Astrit Bishqemit, nuk duhet parë vetëm tek fakti se kë ‘kritikon’ në thelb, por tek miti dhe faktorët mitikë, që autori përdor për të ndëshkuar atë që nuk shkon që në djep, që në moshën e saj që duhet zbatimi i ligjit. Ishte vetëm 1995-sa, mosha e brishtë e demokracisë së tranzicionit shqiptar, dhe natyrisht në thelb ajo që duhet kuptuar është dhe një kritikë për disa fenomene të ngjashme të ligjzbatuesve shqiptarë në atë periudhë. Duket kur thuhet që në fillim se “na ra udha dhe kthyem njëherë të shohim se çka bëhet me shkollën e mbretit”, një absurd ky kur ende sot akoma shihen fenomene që shkollat akoma janë nën kontrollin politik. Ia ngul sytë mes leximit në ato kohë dhe në këto kohë dhe faktet janë të mjaftueshme ku shihet se ndjenja ose do të materializohet, ose do të politizohet. Ose do të sjellë fakte të pakuptimta. Si tjetër gjë që mund të prodhojë një libërth me 60 faqe të një formati të vogël, natyrisht është inoranca e atyre që janë në detyrë. Kjo ndodh me ftoin që mësuesi e ka strukur në një enë qelqi të fryrë si susak, rreth së cilës pyetja ishte zbuluese dhe alegorike: “si kishin mundur ta shtinin gjithë atë ftua në poç?” Ndërsa nxënësit ishin vetë protagonistë në sajimin e bërë nga mësuesi, injoranca e ligjvënësve shkon deri në alegori:
“Ç’është ky çerçit kështu?!
-Ftua, kapter Cani, besoj se ju punojnë qiqër sytë.
-Ftua more, ftua; e shoh, se nuk më kanë plasur! Po si e ke burgosur këtu në shishe nuk po e marrë vesh.
-Po ta vrasësh pak mendjen, do ta gjesh sigurisht. Jo ti që je kapter, po edhe Xhetani.
-Ehë, për njat zot, s’ma rrok rradakja si e ke sajuar atë majmun?
Fëmijët shpërthen në gaz…”
Por ndërsa alegoria është njëra anë e lindur nga injoranca segmentare, në leximin e tekstit është ajo që Ligjëruesi i lartë në Universitetin Roehampton në sektorin e Qendrës Kombëtare të Kërkimit për letërsinë për fëmijë, Dr Alison Waller, thotë se “Unë nuk mendoj se ndonjëherë ju mund të gërmoni shumë të thellë për kuptimin”, pasi disa gjëra vetëm autori i di dhe i kupton më së miri se përse dhe kur duhet ti thotë.
Natyrisht, nganjëherë kuptimet duket se janë fshehur, sepse ne jemi kapur shumë në histori, ose për shkak se ne jemi thjesht shumë të rinj. Vetëm si një i rritur ne mund të kuptojmë përtej mesazhit, por jo gjithnjë kemi të drejtë të paragjykojmë, pasi dhe në këtë rast, Bishqemi nuk kritikon të tërën, por segmentaren, injorancën. Kuptime të tilla përtej asaj që ndikon ‘shtresa’ janë vendimtare për jetëgjatësinë e tregimeve që bëhen klasike, ku përrallat shqiptare dhe në përgjithësi kanë qenë një shembull kryesor. Sipas teorive psikoanalitike të austriako-amerikanëve Bruno Bettelheim, Hansel dhe Gretel është shumë më tepër se një llogari e prindërve që mesazhin e përcjellin mes leximit tek fëmijët e tyre dhe të keqen, magjistaren që përpiqet për të vrarë ata, apo për ti trembur ata ta bëjnë mit ose formë mitike. Kjo ka të bëjë me atë që quhet regres për fëmijën dhe I shërben “lakmisë gojore”, në lidhje me ankthin, ndarjen, dhe frikën. Në vitin 1976 studimi i Bettelheim për përdorimet e magjisë dhe frikës shpjegoi rëndësinë terapeutike me përrallat në edukimin e fëmijëve. Aplikimi i analizave neo-frojdiane me tregime, duke përfshirë Hirushja dhe Borëbardha, tregon se si këto rrëfime adresojnë të pandërgjegjshmen në një gjuhë të ngjashme me ëndrrat, duke ndihmuar fëmijët të merren me një bollëk të frikës dhe dëshirat ti lënë të pashprehura, si pasojë e rivalitetit të ambivalencës ndaj prindërve të tyre dhe injorancës që pjellin sistemet. Në këtë rast Bishqemi ka bërë një udhë-tekst, të cilën e ka hapur herët, për të vazhduar gjatë në udhërrëfimin e saj mes mesazhit që duhet lexuar në kohë, hapësirë dhe vend, kur injoranca “çerçit” mesazh dhe alegori tek fëmijët.
Comments