top of page

Kur ‘dhimbja e fjalës’ lexon artin e Zhitit

Updated: Aug 3, 2023


Kur ‘dhimbja e fjalës’ lexon artin e Zhitit

Fatmir Terziu


Në vend të hyrjes

Në katalogun kryesor të Bibliotekës Britanike në Londër midis emrave shqiptarë që mbahen në arkivat e saj është edhe emri i poetit dhe shkrimtarit shqiptar Visar Zhiti. Ai ndodhet mes mjaft titujve me librin “VV dhe një vrasje e munguar: sprovë me biseda të ndërprera, copa dokumetesh, letra dhe poezi”, por edhe me një përkthim tepër profesional nga i mirrënjohuri i Albanologjisë, Dr Robert Elsie. Vepra e përkthyer nga Elsie është “The condemned apple: selected poetry” (“Molla e dënuar”: poezi të zgjedhura). Tingëllon disi mentale në gjuhën angleze, por pak më e shprishtë në gjuhën shqipe. Tingëllon e tillë se prodhon ‘dhimbje’. Një ‘dhimbje’ të cilën do ta marim në konsideratë në këtë analizë.

Tingëllimë-dhimbja e fjalës

Tingëllimë-dhimbja e saj vjen nga vetë ambienca që ajo prodhon dhe po aq edhe nga vetë ambivalenca që ajo piketon. Është një tingëllimë që vjen nga ‘molla’, por jo thjesht nga simbolika e saj, por nga dhimbja e fjalës me të njëjtin emër, nga dhimbja që prodhuan fjalët e saj në kohë të mugët. Është një tingëllimë që s’vjen as nga shqiptimi i fjalës, apo zhurmat e tjera që lidhen me shkuljen nga degëza, as me qërimin e lëkurës së saj, as edhe me ato aspekte apo procese me të cilat krijohen ‘kacafytjet’ ndër duar apo dhëmbë njeriu Jo, pra. Jo thjesht nga ajo që dimë dhe njohim për mollën nga biologjia, filozofia, apo edhe nga të dhëna të tjera. Është një ‘mollë’ ndryshe kjo e përzgjedhjes së Zhitit, por po aq edhe e piketimit të studiuesit Robert Elsie. Është ‘molla’ që ktheu vargun e saj në pranga. Është ‘molla’ e përkthyer nga rusishtja. Pikërisht ajo ‘mollë’ e pafat në poezi që e ndrydhi jetën dhe fatin e poetit Zhiti. Është vetë tingëllima e fjalës ‘mollë’ që prodhoi dhimbjen e fjalës. Ishte më saktë, pikërisht ajo ‘mollë’ që u bë pjesë e akuzave për poetin. Ishte pikërisht ajo që shkruhet sot mes fakteve që zbulohen “Përveç akuzave që Visarit i bënin për dy librat që kishte dorëzuar për botim, atë e akuzonin se kishte përkthyer nga rusishtja poezinë "Molla" të Jevtushenkos dhe lexonte poetët e tjerë dekadentë Zhak Prever, Bodler e Fishtën”.

Poezia dhe surealja e dhimbjes mes fjalës poetike

Robert Elsie e cilëson poetin Zhiti ‘viktimë të sureales’ dhe për këtë ai ka botuar edhe një ese në “Indeksin e censorshipit’. Eseja gjithashtu flet anglisht edhe në Bibliotekën Britanike, duke rikujtuar kështu jo vetëm kujtesën për ‘mollën’ që dënon poetët, por edhe për mesazhin e vlerave të një poeti shqiptar që lindi mes ‘dhimbjes’, jo në kuptimin e saj të parë, por në atë kuptim që shënohet pos dhimbjes me fjalën. Më saktë atë ‘dhimbje’ në të cilën filozofia e Ëittgenstein lexohet qartë: “lidhja e dhimbjes me ‘dhimbje’ të fjalës (Ëittgenstein cituar tek Hanfling, 1989: 94). Sipas kësaj filozofie lexojmë ndryshe ‘mollën’ që prodhoi dhimbjen e fjalës. E lexojmë atë mes formës, madhësisë, ngjyrës dhe ngjyrimit që ajo i la pas fjalës së poetit. Por e lexojmë edhe në kontekstin filozofik të Ëittgensteinit që sipas tij ‘lidhja midis dhimbjes dhe fjalës ‘dhimbje’ është ndryshe’ (ibid). Më tej Ëittgenstein na sqaron se ajo është më saktë një ‘dhimbje-sjellje’ pasi sipas tij ‘gjuha funksionon gjithmonë në një rrugëtim’ (ibid). Dhe në këtë rrugëtim eci dhe eci arti i fjalës poetike të Zhitit. Eci se ndjesia filozofike e ‘dhimbjes së fjalës’ të shkaktuar tek talenti i tij, ishte ajo ‘dhimbje’ që lexohej vetëm në mendjen e poetit, ishte ajo dhimbje që nuk lexohej si ‘dhimbjet’ e tjera për të cilat natyrshëm ndihej ofshama. Këtë dhimbje e lexonte përhumbja e shpirtit, luftë-ekzistenca metafizike e njeriut me pasurinë e fjalës në shpirt.

Produkti i ‘dhimbjes’ së fjalës

Shembulli i dhimbjes ose më saktë i ‘dhimbje-sjelljes’ që prodhoi goditja e fjalës poetike të Zhitit është pikërisht ajo ‘mollë’ me të cilën koncepti i vetë fjalës ‘mollë’ në brendësinë e saj nënkupton më shumë se sa vetë fruti, se sa vetë poezia e përkthyer, se sa vetë arsyeja për ta burgosur, se sa vetë nocioni i fjalës ‘mollë’ në lidhjen e saj me marrëveshjen njerëzore për konceptimin dhe perceptimin e këtij fruti me ngjyrat e tij, me format dhe emërtimet e tij në gjuhë të ndryshme, por me një marrëveshje të fshehtë të dhimbjes në rrënjën e fjalës. Me një memorandum shpirt-heshtjeje të murosur në tru përpos një shpërthimi të ardhur si një produkt hyjnor në kohë të vonuar, por të artë, jo thjesht për poetin, por për kulturën shqiptare në tërësi, dhe pse jo për shembullin e një ‘dhimbjeje’ në tërë Botën e Artit, atij arti që pena e Zhitit i solli shans të ri, atij arti që përzgjedhja e Elsie e bëri të thotë fjalën e pjekur në mesin e emrave më të qëndrueshëm të ‘dhimbjeve’ historike të fjalës në Botë.

Po përse e lexojmë poetin mes kësaj filozofie të ‘dhimbjes’ në artin e fjalës? Përse kjo mbledh thuajse tërë dimensionin e veçantë që përcjell krijimtaria e Visar Zhitit? Së pari, normalisht dhe krejt natyrshëm për një poet të goditur në moshën më të artë të frut-prodhimit kjo dhimbje do të shkonte më përshtat. Jo vetëm se lidhet me dhjetë vitet e burgimit të tij, as edhe me pretekstet për ta gozhduar fjalën e tij, por për shumë anësi të tjera të cilat çuditërisht i kanë shpëtuar, ose janë lënë disi në moskapjen e dhjetëra e dhjetëra kritikëve dhe analistëve të krijimtarisë së poetit. Së dyti, është vetë udhëjeta poetike e autorit që u zgjua herët tek një talent si ai, e që gjeti mbështetjen e emrave të krijimtarisë shqipe si ato të Xhevahir Spahiut, Bardhyl Londos e Zija Çelës. Dhe së fundi është ambienti i viteve të fundit që në një farë mënyre e ka ‘trazuar’ deri në paudhësi poetike krijimtarinë shqiptare të kohëve të fundit, duke i krijuar kështu padashje poetit ‘dhimbjen’ më të re, dhimbjen e kohë-vërshimeve të panumërta vargore, ku shpesh herë vijnë si ushtri të panumërta ‘vlerash’ në skutat që veç riprodhojnë ‘dhimbje’ të fjalës.

Kjo e fundit është më kryesorja. Dhe në këtë ‘dhimbje’ mendoj se është ‘ri-prangosur’ krijimtaria e Zhitit, poetit që mbajti ‘thesarin’ poetik vite të tëra në ndjesinë e tij delikate të kërcënuar nga lamtumira e kësaj bote. Kur kanë kaluar thuajse dyzet vjet nga dritëfjala e “Rapsodia e jetës së trëndafilave”, ajo që thuhet shpesh në kohë tjetër për poetin është thjesht risjellja ndërmend për tjetrin e shembullit të njeriut-poet, vuajtjen e tij si model të shpëlarjes, por me këtë rast edhe ‘vetë-harresën’ padashje të ‘dhimbjes së fjalës’. Këtë e lexojmë tek mjaft poezi të poetit, por më e spikatura është kjo: “Si shkohet në Kosovë”, një baladë, tek e cila kërkohet rruga për në pjesën tjetër shqiptare, aty ku shpirti i ‘dhimbjes’ gjen fjalën më të mirë: “Kur të kesh një plagë tjetër të re në trup./ndiq udhën e rrëkesë së gjakut”. Është në fakt gabim të thuhet se poeti e sjell poezinë si ‘dhimbje’, as edhe si kërkesë retrospektive e kësaj dhimbjeje. Ai nuk luan aspak me të. As edhe kur shkruan ‘Cigare burgu’ as edhe kur kërkon më tej në dritëhijet e kamufluara të errësirrës së fjalës. Tek ‘Cigare burgu’ është në fakt një aspekt i vogël i asaj dhimbjeje që është harruar, ‘dhimbjes’ së fjalës nën trazim tymi të gazetave që veç tym dinin të prodhonin: “Grise një copë gazetë/vure pak duhan/të mbledhur nga bishtat e flakur/dhe drodhe një cigare/Lamet/t’u futën në mushkëri/si tym i hidhur/dhe atdheu kollitet i sëmurë”.

Koha si ridimensionim i fjalë-dhimbjes

Kjo dhimbje vjen disi si një kujtesë nga larg. Vjen nga koha kur djaloshi që nuk ishte më shumë se 13 vjeç, i dhënë i tëri pas librave, filloi të shkruante poezitë e para, por për të botuar do të duheshin edhe disa vite të tjera, atëherë kur mësuesi i letërsisë Faslli Haliti, mundi që ti botonte një poezi të vetme në revistën “Nëntori”. Por ajo vjen edhe si një ngacmim adekuat për vlerat e artit të fjalës, që sistemohen në disa vëllime poetike, ku mund të përmendim: “Kujtesa e ajrit” (Tiranë 1993), “Hedh një kafkë te këmbët tuaja” (Tiranë 1994), “Mbjellja e vetëtimave” (Shkup 1994), “Dyert e gjalla” (Tiranë 1995), “Si shkohet në Kosovë” (Tiranë 2000). Poezitë e tij flasin bukur edhe në disa gjuhë të botës letrare. Është pikërisht ajo që filozofia e Ëittgenstein na kujton për gjuhën dhe mendimin në poezi. Më afër është edhe nocioni filozofik i Martin Heidegger që shprehet ‘se në radhë për të zbuluar natyrën e artit që gjendet në krijimtari, na lër ne të shkojmë tek puna e kryer që të shohim çfarë dhe si është bërë” (Heidegger, 2001: 172). Me këtë thotë ai ne krijojmë mundësinë të shohim më qartë peshën e ‘dhimbjes’ së fjalës dhe të ndjejmë mendimin e ‘dhimbjes’ së vetë fjalës. Këtu është edhe pjesa tjetër që zbulohet tek Zhiti, më qartë është forca poetike e prozës së tij tek “Këmba e Davidit”; “Fumerali i pafund” apo edhe tek romani tjetër i vlerësuar mjaft nga kritika “Perëndia mbprapsht dhe e dashura”.

Si shkrimtar, Visar Zhiti është vlerësuar me disa çmime në Shqipëri e jashtë saj. Emri i tij është si zë më vete në Enciklopedinë e Madhe italiane. Por kjo është vetëm njëra anë për vëmendjen e shtruar. Emri i shkrimtarit dhe poetit që mbetet tjetër arsye në tërë dimensionin e tij, shpesh herë ngatërrohet me forcën që e bën këtë emër të ngrihet lart në këto hapësira vlerësuese. Kështu modeli Zhiti, mbetet ndoshta një ndër më modelet më të veçanta në krijimtarinë letrare. Është i tillë se ai pati vetëm ‘fjalën’ të vetmen dashuri për të mbytur ‘dhimbjen’, të vetmen lule në buzët e dashurisë, të vetmen arsye kundër vetë kundërarsyes. Poezia e tij “Mbi një fotografi shkruaj një lutje Zotit”, nuk është thjesht një kapërcim filozofik që na shpie ngutshëm në këtë derivat arsyesh. Ajo është modeli me të cilin ne duhet të lexojmë peshën e ‘dhimbjes’ në fjalë: “Mbi portretin tënd shkruaj një lutje Zotit,/Balli i shndërroi fjalë në dritë mëngjesi./Dy epitetet e vetullave/Dhe sytë e mëdhenj, sugjestionues,/Që unë të besoj se gjithnjë penat e botës/Mërmëritin lutjen blu/Të syve të tu./Te buzët/Ngjalën fjalët e mia (si puthjet?)/Dhe thonë të vërtetën./Ja lutja-liqen i vogël, dallgëzon/Dhe fytyra jote-mozaik/I gjallë nën ujë.

Fjala dhe forca e saj mes ‘dhimbjes’

Dhe kështu mes kësaj filozofie të dhimbjes shkojmë enkas tek popullorja që ngjiz mjaft mirë “gjuha s’është kockë, por kocka thyen”, me të cilën sedërtojmë lidhjen anësore të vargut të Zhitit, që me anë të simbolikës ‘skelet’ na jep arsyen të dirigjojmë edhe dhimbjen e mesazhin e sakrificës së saj mes ‘vuajtjes nga dhimbja e fjalës’. Poezia “Skeleti” është edhe filozofia edhe perceptimi më i gjerë në këtë pikë: “Njihuni me skeletin tim:/jam unë - pa ëndrrat e mia./Pastaj më jepni çfarë të doni,/përsëri skelet do të mbetem.” Kjo poezi është jo vetëm memorandumi i heshtur me ‘dhimbjen e fjalës’, por edhe memorandumi për të gjithë hapësirat dhe lexuesit. Ndoshta ky memorandum i heshtur mes vargut dhe fjalës së tij mund të kuptohet edhe me atë që vetë Zhiti deklaron: “poezia është më e fortë se diktaturat dhe triumfon mbi to, ..., është dhe ditari shpirtëror i një kohe, por dhe i shekujve. Poetët shqiptarë janë dhe martirë të fjalës shqipe dhe ne tani po jetojmë epokën e një ringjalljeje...”

Duket qartë pra, fjala dhe forca e saj mes ‘dhimbjes’ së fjalës poetike të Zhitit janë arkitektura më e re e perceptimit për një filozofi në kohë, hapësirë dhe vend, por edhe për një ridimensionim të veprës që e solli atë në jetë. Zhiti dhe fjala e tij i përkasin kohërave në ecje e sipër, jashtë ‘dhimbjes’ si kuptim i parë i saj ata ndërtojnë një pemë letrare, ose më saktë që ka formën, ose karakteristikat e një peme, ku kuptimi, shqiptimi, dhe shembujt janë një ndjesi e tillë e strukturës së tij. Kjo strukturë formon vetë diskursin arboreshent.

Diskursi arborescent në krijimtarinë e Zhitit

Visar Zhiti. Thjesht poet?! Vetëm një krijues … Një prozator… Një gazetar… një penë …, sidoqoftë e tillë?! A duhet ngatërruar koha me të cilën ne e diktojmë poetin, prozatorin, krijuesin apo … thjesht emrin që lidhet me identitetin letraro-kulturor, apo edhe me memorjen që buron nga fjala e bukur?! A është kjo një gjeneologji më vete në tërë kuptimin filozofik të një krijimtarie që ngjan si një pemë e shëndoshë? Duke parë vlerësimet për të dhe çmimet, natyrshëm ndjehesh i dyzuar me disa emërtesa që lidhen me të shkuarën apo edhe me kohën e tij të persekutimit. Më i dyzuar ndjehesh me nxitimin e të tjerëve që lidhin fjalën ‘kohë’ me veprën dhe krijimtarinë e tij. Po çmimet do të thotë dikush? A nuk janë çmimet dhe vlerësimet fjala e fundit? Natyrshëm janë dhe s’duhen nënvlerësuar. Nuk duhen hedhur poshtë. Por nuk duhen madje marrë si konsideratë e vetme në krijimtarinë e Zhitit. Çmimet letrare që ka marrë Zhiti janë të mëdha dhe renditen si më poshtë: “Çmimi Kombëtar” për veprën më të mirë në poezi, Tiranë, 1994; “Velija” - Çmimi mbarëkombëtar për letërsi, Tiranë 1995; “Naim Frashëri”, Tetovë, 2001; “Kalimerja”, Ulqin, 2002; “Çmimi i parë i poezisë”, Gjakovë, 2003; “Penda e argjendë”, për romanin më të mirë të vitit, 2003; “Asdreni”, Korçë, 2005; Libri më i mirë i Panairit të Shkupit, 2007; “Shkrimtari më i mirë i vitit”, Panairi i librit, 2008, Tiranë; Pen Clubi i Gjilanit, çmimi “Beqir Musliu”, 2009, Kosovë; Leopardi d’oro, Milano, 1991; Racconta il tuo Dio, Milano 1992; Gaetano Salveti, Romë, 1997; Ada Negri, Lodi Vecchio, 1998; Premio Internazionale per la poezia: “La cultura del mare”, San Felice Circeo, 1999; Premio alla carriera, Romë, 2000, etj.; Premio Internazionale “Mario Luzi”, Roma 2007. Është anëtar i Akademisë Ndërkombëtare të Arteve të Bukura, Letërsisë dhe Shkencës “Alfonso Grassi” - Itali. Anëtar i el PEN Club italian, i pranuar në të njëjtën ditë me poetin Evgeni Jevtushenko, Milano 2008. Visar Zhiti është i përfshirë në enciklopedinë e vendit (“Fjalori Enciklopedik”) dhe në atë të huaj (“Piccolo Treccani”), etj.

Për të analizuar më plotë krijimtarinë tipike të Zhitit le të ndalemi tek poezia e tij. Unë kam përzgjedhur pikërisht njërën prej krijimeve të tij të shumta. Dhe pikërisht poezinë: “Fundi si fillim”. Jo se kjo poezi është e vetmja e tij në këtë arsyetim logjik. Jo se kjo poezi mbetet e vetmja perlë e krijimtarisë së tij. Natyrshëm dhe bindshëm me një ‘jo’ të fortë. Por para se të marr në konsideratë këtë poezi le të ndalem tek një pikë referuese. Tek një pikë që lidhet me identitetin, memorjen fuqinë dhe diskursin e formacioneve të tij, por edhe me një aspekt të krijuesit me natyrën njerëzore. Dhe në këtë analizë studimore kam parasysh kohën, tek e cila vetë Zhiti ndalet ngeshëm, siç ndalet tek poezia “Koha”, ku vargjet “Sesi më kalon nëpër gishta/pa ma vënë unazën e saj/dhe unë mbetem veç i dashuruar”, jo vetëm plotësojnë gjetjen tonë, por edhe diktojnë se nxitimi i disave për të vlerësuar krijimtarinë e tij dhe talentin e tij vjen nga ‘koha e vuajtjeve’, ‘vjen si pasojë e persekutimit’, apo edhe si pasojë e disa morive që ndërvaren nga kjo situatë. Duke analizuar elementin kohë, jashtë atyre që ndikojnë vlerësimin për krijimtarinë e Zhitit, natyrshëm duhet theksuar se koha është elementi tjetër që shënon tërë këtë bollëk të tij tejet cilësor letrar. Visar Zhiti është autor i shumë librave me poezi dhe prozë. Ai është autor i disa esseve dhe krijimeve në tregime e novela të botuara jo vetëm në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, por edhe në gjuhë të tjera. Ai është përkthyer e botuar në italisht, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, rumanisht, hollandisht, në gjuhët polake, serbo-kroate, flaminge, hebraishte, arabishte etj. krijimtaria e tij është e perfshire në disa antologji të poezisë shqipe dhe në shumë antologji të botës. Është çmuar nga kritika dhe lexuesi shqiptar dhe i huaj dhe kohët e fundit edhe në Rumani, me daljen e librit të tij “Funerali i pafundmë”. Ai është autor i librave në poezi: “Kujtesa e ajrit” (Tiranë, 1993); “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, (Tiranë, 1994); “Mbjellja e vetëtimave” (Shkup, 1994); “Dyert e gjalla”; (Tiranë, 1995); “Kohë e vrarë në sy” (Prishtinë, 1996); “Si shkohet në Kosovë” (Tiranë 1999) dhe “Thesaret e frikës” (Tiranë, 2005). Zhiti ka shkruar në prozë këta libra: “Këmba e Davidit”, tregime, Tiranë, 1996; “Valixhja e shqyer e përrallave”, Tiranë, 1996; “Rrugët e Ferrit”, roman, Tiranë, 2001; “Ferri i çarë", roman i vërtetë, Tiranë, 2002; “Funerali i pafundmë”, roman, Tiranë, 2003; “Djali dhe legjenda”, tregim (shqip, maqedonisht, anglisht), Tiranë 2004; “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, roman, Tiranë, 2004; “Në emër të a(r)tit, ese”, intervista, Shkup, 2006; “V.V. & një vrasje e munguar”, sprovë, Tiranë 2006; “Shekull tjetër”, tregime, Tiranë 2008

Parë në këndin tjetër, mes këtyre vlerësimeve dhe një aritmetike sasiore por edhe cilësore botimesh, ndalesa analitike në veprën e Zhitit është më shumë një ndalesë diskursive, një stacion i diskursit arborescent. Unë në këtë studim analitik me diskursin arborescent do të provoj se krijimtaria e Zhitit është një arsye e ndërvarur mes stilit të tij dhe produktit të arritur semantik, mes asaj që tentohet dhe asaj që mbahet mend. Kjo më saktë kuptohet me atë lidhje që ngjason me pemën fizike, ku hapësira mes gjetheve dhe degëve duket disi koordinuese, dhe u paralelja shihet tek semantika dhe aestetikja që vijnë si një hapësirë e bollshme filozofike, pra ku ky diskurs arborescent plikon si një brengë e natyrshme nga koha e tij arsimtar në fshatrat e Kukësit, por edhe si një meledramë e jetës përpos brengave të ndikuara e të sfilitura të moshës më të bukur të tij rinore që u ndikua nga “Hekurat e frengjisë sime”, të cilat i përshkruan aq bukur e në mënyrë estetike me fjalën e përzgjedhur poetike vetë autori tek kjo poezi: “Kaq bukur këndoi bilbili/te hekurat e frengjisë sime,/sa dhe hekurat m'u bënë/degë të gjelbra qershie./Dyshemeja u mbush plot me/cicërima/dhe unë mëgjunjazi/si therrime buke,/si therrime jetë/një nga një po i mblidhja.” (Zhiti, poezia me të njëjtin emër). Por kjo poezi dhe mjaft të tjera të Zhitit janë një pemë më vete, që kuptohen qartë se kanë një jetë që vjen nga një filiz jetik, nga një filiz i shëndoshë ‘arborescent’ me koncept filozofik të qartë. Vetë koncepti filozofik që përcjell fjala latine [arborscns], “arborescent” praqet principin e të tashmes ‘arborscere’, duke i dhënë kuptimin e plotë të lidhur me termin e saktë ‘të rritjes për të qenë një pemë nga fidani’ (arbor) Shkrimtari Visar Zhiti në diskursin e tij arborescent krejt krijimtarinë e tij e ka si një pemë që nis nga ardhja e një fidani të shëndetshëm.

Si duhet kuptuar diskursi arborescent

Termi arborescent është një term i përdorur nga mendimtarët francez Deleuze dhe Guattari. Ata e përdorën atë për të përshkruar mendimin e shënuar nga insistimi totalizues që buron nga parimet, binarizmi dhe dualizmi. Në hapësirën më të gjerë ky term i përdorur në kuptime të ndryshme i afrohet terminologjisë që vjen përpos pemës gjeneologjike. Por ndërsa ky është si një kuptim i parë që fuqizon principialitetin e këtij termi, ajo që lidhet me krijimtarinë është derivati i kuptuar nga vetë dialektika e kohës dhe vetë kohës për të cilën vjen referimi në këtë gjeneologji. Vetë koha si një proces ndryshues dhe me elementë të ndryshëm përbërës, kuptohet më qartë me aspektin udhëtues në kohë, hapësirë dhe vend, për të sqaruar lidhjen me fjalën dhe forcën e saj. Më tej është distanca dhe hapësira që ndihmojnë të kuptohet tërë kjo lidhje semantike.

Kur kam udhëtuar, thjesht apo me ‘detyrë’ të lidhur me ‘lapsin’ dhe ‘bllokun e shënimeve’ kam ndjerë herët a vonë se kam marrë një kënaqësi të veçantë gjatë dëgjimit të këngëve dhe fabulave. Më së shumti prej atyre vargjeve të dëgjuara apo të lexuara që vijnë si trashëgim brezash. Kam ndjerë harmoninë e identitetit dhe memorjes kulturore që pasohet nga i ati për të birin. Më tej kam fiksuar se këto ndjesi janë në një farë mënyre më në modë në mesin e njerëzve të thjeshtë. Janë pjesë e atyre njerëzve të rastësishëm, të atyre krahinave në të cilat kam shkelur, kaluar dhe vënë veshin folk-traditës, se sa janë në mendjen dhe interesin e njerëzve të tjerë, qoftë edhe të atyre që lidhen me zyrat e institucionet e kulturës. Por, dihet se është e pamundur që çdo gjë që duhet shijuar të jetë universale dhe të jetë si të thuash ‘e miratuar nga shumica’. Shumica?! Në këtë rast është ndryshe. Shumica është vetëm pjesa numerike e diktuar nga ‘statistika fiktive’ dhe aspak pjesa ose turma e redefinuar në këtë aspekt, pjesa e ‘interesuar’ intelektuale e një kombi. Turma e një kulture?! Edhe kjo nuk qëndron. Nuk qëndron se fakti është metafizik. Është fakt i ndryshueshëm, i lëvizshëm. Por, jo, absolutisht as edhe ‘turma politike’. Madje aspak ajo turmë ideo-kulturore që ndikohet nga formacionet e fuqisë, apo nga diskursi i formacioneve të fuqisë që siglon diskursin ‘arborescent’ [që i ngjan një strukture të gjërave në formën e një peme] (!) Individi, në këtë lloj diskursi, qoftë unë apo ai, i cili nuk ka ndonjë interes të mëtejshëm, pra përcues në këtë kënaqësi, kur nuk gjen në të zgjuarsi të veçanta për të kënaqur dhe të kënaq mendjen e tij apo edhe të njeriut të interesuar, natyrshëm në këndin historik është një pikë referimi. Në aspektin profesional është një gërshetues i dijeve me gjetjen si pikë të referuar tek interesi mbi të cilin e pikëtakon ecjen e tij hulumtuese në këtë rrugë, madje të lidhur thjesht edhe me udhëtimin. Në një farë mënyre edhe vetë rruga e poezisë është e tillë. Edhe vetë endja filozofike e fjalës së poetit është e ngjashme. E ngjashme: dhe këtu janë dy arsye kryesore.

E para është se vetë natyra e njeriut është e njëjtë si tek të gjitha krijesat e arsyeshme, dhe se së dyti çdo gjë që bie nga ligjësitë e natyrës të pikëtakohet tek vetë ajo, pra natyra e njeriut, ndodh që natyrshëm të takohet njëlloj sikur takohet me admiruesit, apo edhe me artikuluesit e kësaj natyre në mesin e lexuesve, ku përpos vetë ligjësive të natyrës, kryesorja u ngjizet cilësive dhe kushteve që përcaktohen nga këto cilësi të ndikuara ose të dëgjuara nga pala e dytë, ose e ashtuquajtur pala ‘dëgjuese’, korrektuese’ apo edhe kritizere. Molieri, siç na është thënë nga Boileau, përdorte një grua të vjetër, e cila ishte kujdestarja e shtëpisë së tij, për t’ia lexuar të gjitha komeditë e tij, para se ai t’i bënte publike ato. Sipas këtij burimi, ajo, një grua aspak e lidhur me letërsinë, ulej me të në qoshen ndanë oxhakut, dhe dëgjonte me vëmendje leximet e Molierit. Ajo vetëm dëgjonte. Dëgjonte dhe përgjigjej vetëm kur ai e pyeste atë. Kësisoj ndodhte që të merrte shpeshherë vetëm një rrudhje balli, apo edhe një ngritje supash. Por sipas burimit në fjalë ndodhte që edhe mund të profetizohej disi kjo dëgjesë me suksesin e tij, kur vepra fiksohej të luhej në teatër. Ai nuk ndikohej nga fjalët e gruas së vjetër, as edhe nuk priste që ajo të analizonte, kritikonte apo korrigjonte Molierin, por nga ‘pritja heshtake’ që ndodhte në atë lidhje lexim-dëgjim, kur në anën e tij gjendej mes librit në dorëshkrim dhe zjarrit, një njeri, pra thjesht një natyrë njerëzore, ai mendonte se ndodhej dicka që ai duhej të provonte sa me vend ishte fjala e shkruar, sepse ai vetë më pas na tregon se publiku gjithmonë në mendjen e tij ishte ajo ndjesi që ai kishte fiksuar pas asaj gruaje të vjetër, dhe kurrë nuk vinte për të qeshur në të njëjtin vend, me të njëjtat fjalë. Këtë mënyrë ai e quajti mënyrën gotike të lidhjes së shkrimit të tij me aspektin e dëgjimit, duke kombinuar kështu përsosmërinë thelbësore me pandashmërinë dhe domosdoshmërinë e thjeshtësisë së mendimit. Ai me këtë formë shkurt dhe thjeshtë pati formuar për veten e tij një shije të bindshme, duke parandaluar sfumimet e një ideje paraprake të gabuar apo artificiale që lidheshin me kohën, jo thjesht si përdorim i saj, por në mënyrën e keqinterpretimit të kohës si faktor sublim në lidhjen me krijuesin dhe krijimtarinë e tij.

E gjitha kjo është një diskurs arborescent. E gjitha është një lidhje në këtë pemë që plotëson rritjen e frutit të shëndoshë në të. Dhe këtë e bën po aq mjeshtërisht edhe pena e Visar Zhitit. Si shihet kjo tek poezia “Fundi si fillim”: “E kuptove/ç’është...? Ti e dite truall,/por më shumë qënka shpirt./U përsërit Beteja e Madhe, e dikurshmja,/qëllimet ishin ndryshe aq sa dhe armët,/veç betejat e përditshme janë njëlloj/dhe fryma, fryma, e jotja dhe e gjithçkaje të gjallë,/por dhe e sendeve. Vdekje s’ka./S’është simboli këtu,/por vetë thelbi me qytetet/si shfletim i historisë,/e cila ka mallkimin të jetë përherë e tashme./Është emblemë, do të thuash ti, jo, ideal,/akt. Provë e botës. Jo dhe jo! Janë rrugët/më shumë, janë njerëzit shumë më shumë,/ku urrejtja shkrin e bardhë/si bora dhe bari i dashurisë mugëllon kudo/livadheve dhe parqeve/deri dhe te flokët./Mos e krahasoni hënën me kosën e vdekjes./Nuk kam frikë nga vdekja,/nga jeta kam më frikë. E ardhmja vjen/prapa shpine. E kuptove?/Është njeriu përgjysmë/në kërkim të gjysmës tjetër, përtej miteve, qofshin dhe modernë. Po na shikon,/e njohe? Je ti, unë. Është çdo vetvete/krejt e veçantë/në njerëzimin e njëjtë. Që/meriton gjithë qiejt, Perënditë/e së Mirës, (brenda nesh janë, zgjohini!),/ujrat e jetës, shkumba e valëve gjithmone krijon/çudira dashurish,/duam parajsën në tokë, që është gjendja jonë normale,/praruar me diej/dhe drejtësinë duam, të thjeshtë si natyra apo si epitafi/dhe bukuritë që gjithmonë janë hyjnore/deri në Fundin pa Fund.” (Visar Zhiti)

Çështja e të kuptuarit (dhe keqkuptimit) tek shkrimtari Visar Zhiti


Në vitin 1979, Visar Zhiti u përball me dënimin me heqje të lirisë së plotë, për një krijim, që u quajt “me gabime të rënda ideologjike dhe që nxinte realitetin socialist“. Ishte përmbledhja me poezi "Rapsodia e jetës së trëndafilave" (1973), që me një gjyq të rreptë dhe grotesk në prill të vitit 1980 e bëri atë të vuante dënimin me 10 vjet burg, që pasi e çuan si fillim në burgun e Tiranës, ku atje grumbulloheshin të dënuarit, e nisin me një epërsi më të madhe në burgun famëkeq të Spaçit dhe, kur ky mbyllet si burg politik, e shpërngulën në një tjetër ende më të rëndë, në burgun e Qafë-Barit.

Për një poet që ishte deklaruar si i padëshiruar i sistemit, për poezitë e tij me “ekuivoke dhe gjuhën e Ezopit, të trishtuara, që nxinin realitetin…”, aq më tepër që dhe babai i tij, Hekuran Zhiti, kishte pasur më parë një konflikt me autoritetet e vendit, pasi kishte qenë dhe vetë i dënuar, nuk kishte si të mos bëhej një nga të dënuarit politikë të diktaturës, si kundërshtar i atij regjimi. Krahas goditjes së armiqve të sistemit, kjo metodë shërbente, që pushteti i asaj kohe të frikësonte intelektualët e tjerë shqiptarë.

Çështja e të kuptuarit (dhe keqkuptimit) ishte bërë një çështje jete a vdekjeje. Një shkrim i disa muajve më parë, pjesa e të cilit është botuar dhe në disa gjuhë, gjurmon rrugën e Zhitit nga drita rinore që ai ëndërron studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër dhe në udhën e tij të mësimdhënies në qytetin malor verior të Kukësit tek errësira e burgjeve, ku shumë nga të burgosurit që ishin me të vdiqën nga keqtrajtimet, torturat dhe kequshqyerja, ose pësuan çrregullime mendore.


Rrjedhëjeta mes ëndrrave poetike


Visar Zhiti lindi në Durrës. Ai u rrit në Lushnjë, ku përfundoi shkollën e mesme në vitin 1970. Gjatë studimeve në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër, dhe më pas në detyrën e mësuesit në qytetin Kukësit, duke demonstruar një interes në fillim në vjersha, disa nga të cilat u botuan në revistat letrare, ai heshtazi, dhe vetë ndoshta nuk e kishte kuptuar, se ishte në një rrugë që donte të shkatërronte konventat e sjellshme të vargjeve prototipe të kohës.

Poezitë e tij që u botuan në revista letrare të kohës ishin sa moderne në formë, por aq dhe me një frymë të re në përmbajtje. Ai përdori gjuhë të zhdërvjellta dhe alegori mitike për të trajtuar çështje të që u trajtuan si të ngutshme nga qeverisja dhe drejtësia.

Abraziviteti i tij u bë një markë e papëlqyeshme e atyre që e ndiqnin nga pas dhe që kërkonin patjetër një shkak për ta dërguar në errësirë. Në një heshtje të detyruar, në lidhje me atë situatë, natyrisht ai me heshtje u thoshte, se depresioni juaj do të shfaqet tre herë në vit, derisa të mërzitet duke e prodhuar si faktorin më sublim të Njeriut të Ri e të lumtur socialist. Ai do të përmbajë çështje me interes, që për dashnorin e poezisë së lirë nuk kishte gjasa që koha me të cilën ishte destinuar poezia e asaj kohe të merrte forcë që t'i apelojë dikujt, përveç atyre që ishin të neveritur me gjendjen aktuale të letrave në monizëm.

Pas një kohe të gjatë në errësirën e Spaçit dhe të Qafë-Barit, Zhiti u lirua nga burgu në fillim të vitit 1987. Pushteti komunist nuk e lejoi më të punonte në profesionin e tij si mësues, por e „lejoi“ për të punuar në një fabrikë të prodhimit të tullave në Lushnjë pa të drejtën e botimit dhe pa të drejtën elektorale. Kur nisën protestat kundër diktaturës dhe lëvizja për demokratizimin e vendit, ai ishte me të parët dhe u bë gazetar i opozitës. Mbas rënies së diktaturës komuniste në vitin 1991, ai arriti të shkojë në Itali ku bëri disa specializime për gazetari në Milano deri në 1992. Përmes një burse studimi nga Fondacioni Heinrich Boll, Zhiti shkoi në Gjermani në vitin 1993 dhe vitin e ardhshëm shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


Udhët me pikëtakime ndryshe

Teksa e ndjekim këtë udhë mes dritës dhe errësirës së poetit Visar Zhiti, në një formë e në një tjetër, përveç aspektit „komunizëm“ ne gjëjmë një udhë të ngjashme me poetin e famshëm Ezra Loomis Pound.

Pound lindi në Idaho në 1885. Sapo Pound mbërriti në Londër nga SHBA (në 1908), me poezitë e tij ai kishte probleme me strukturat qeveritare dhe me drejtësinë. Suita e tij epike 50-vjeçare The Cantos ka mbi 800 faqe vargjesh në një përzierje të gjuhës angleze, provansale mesjetare, italiane, latine dhe mandarine. Nëpërmjet errësirës së saj, poezia e Pound ofroi një drejtim të ri radikal. Revista e tij Blast mbronte Vorticizmin (një variant britanik i futurizmit); prapa skenave, Pound organizoi grante për artistë modernistë të varfër si James Joyce dhe Ëyndham Leëis, ndërkohë që nuk ishte më mirë se ata. Hemingëay, Eliot dhe Yeats (ndër të tjerë) e konsideruan Pound një kritik të paçmuar. Ata i kërkuan atij të redaktonte shkrimin e tyre dhe ranë dakord për ndryshimet drastike që ai sugjeroi.

Në vitin 1945 Ezra Pound u përball me dënimin me vdekje. Pound mbërriti në Itali, ku u vendos në Rapallo në vitin 1924. Moody përshkruan se si poezia dhe politika e Pound u bashkuan në Italinë e Musolinit. Paundi filloi të fiksohej te ekonomia dhe bankat si rrënja e luftës dhe pabarazisë. Ai shkroi kanto të shumta duke distiluar pikëpamjet e John Quincy Adams mbi qeverinë, ekonominë Jeffersonian dhe teorinë bankare të shekullit të nëntëmbëdhjetë. Shitjet e vëllimeve të njëpasnjëshme të The Cantos ranë në mënyrë dramatike. Edhe lexuesit e tij të paktë të përkushtuar pranuan se poezia e tij kishte nevojë për komente dhe përkthim të gjerë për të qenë e kuptueshme.

Pound, së bashku me shumë italianë, e panë Musolinin si një alternativë të fortë të qëndrueshme për të cenuar komunizmin dhe kapitalizmin e parregulluar. Përballë varfërisë dhe papunësisë së përhapur gjatë Depresionit të Madh, fashizmi (veçanërisht në formën e tij italiane) dukej një mënyrë e tretë e dobishme. Antisemitizmi nuk luajti një rol në politikën fashiste italiane deri në vitin 1938, nën drejtimin e Gjermanisë naziste.

E njëjta gjë, por në kahje të tjera, ndoshta është menduar dhe në territorin shqiptar, në kohë të ndryshme. E urta popullore, e keqja më e vogël, ndoshta funksionon sadopak, por në tërësinë sublime mes dy qasjeve ka tjetër thelb mes të kuptuarit (dhe keqkuptimit) që ishte bërë një çështje jete a vdekjeje, thuajse në të dy rastet. Por ndryshimi ishte dhe mbetet thelbësor.

Sidoqoftë, Visar Zhiti ishte një i burgosur i mirëfilltë politik, si pasoj e mosqasjeve në mendimet e tij me sistemin komunist, ndërsa Pound ishte një i burgosur politik në një komb që nuk e njihte kategorinë e krimit politik. „Gabimi“ i Zhitit qëndron tek poezia e tij që mbetej tek të kuptuarit (dhe keqkuptimit) ndërsa Pound nuk mund të falej pasi nuk ishte dënuar për një krim poetik, por për tradhëti. Me kalimin e viteve, robëria e Pound u bë një shkak i famshëm për avokatët, shkrimtarët dhe ithtarët e fjalës së lirë, madje edhe ata që kishin luftuar fashizmin. Në siklet gjithnjë e më shumë, qeveria amerikane hoqi akuzat për tradhti në vitin 1958, duke ndikuar kështu në lirimin e tij dhe duke lejuar kthimin e tij në Itali. Ai u shpall roje i gruas së tij, Dorothy, dhe për pjesën tjetër të jetës së tij Pound nuk u lejua të kishte një llogari bankare, të nënshkruante kontrata, të kishte pronë ose të bënte një testament. Në vend që të dënohej me vdekje, Pound u dënua me gjysmë jetë. Vdiq në Venecia në vitin 1972, në moshën 87-vjeçare.


Edhe pse i tradhëtuar nga „miqtë“ nuk u ndal


Visar Zhiti natyrshëm ka një dhimbje më të madhe në shpirt. Ai u tradhëtua nga ata që i silleshin vërdallë si miq (dhe nuk është akuzuar për tradhëtar), dhe nga ata që kurrë nuk e kuptuan poezinë e lirë dhe lirinë e saj. Udhëheqja e lartë në pushtet, sipas dokumenteve të dala së fundmi, drejtpërsdrejti nga zëvendësdikatori Ramiz Alia urdhëroi përndjekjen e tij.

Pas rënies së diktaturës, Zhiti u emërua kreu i ndërmarrjes se vetme botuese “Naim Frashëri”, atje ku ai u denoncua dhe nisi kalvari. Ai ka qenë i punësuar më vonë nga shërbimet administrative të parlamentit të ri shqiptar dhe në 1996 u zgjodh vetë në parlament. Mbas Realiteteve të zymta të politikës shqiptare, ai parapëlqeu të punonte në diplomaci, Në vitin 1997 ai u emërua minist:er këshilltar për kulturën në ambasadën shqiptare në Romë, ku ai qëndroi deri në vitin 1999. Më vonë do të jetë kreu i ambasadës shqiptare në Vatikan dhe do ta mbylli karrierën diplimatike në Ëashington DC, SHBA.

Visar Zhiti ka një veprimtari të bollshme dhe mjaft cilësore krijuese. Libri i tij i parë me poezi, "Kujtesa e ajrit" u botua në Tiranë në vitin 1993, i cili përfshinte disa poezi nga burgu. "Hedh një kafkë te këmbët tuaja" u botua vitin e ardhshëm. Ky vëllim është i gjithë me poezitë e krijuara fshehurazi në burg në mes 1979 dhe 1987, të cilat kishin mbijetuar në kujtesën e tij apo u shkruan në copa letrash. Vëllime të shumta pasuan, dhe ai, sikurse ka cituar Robert Elsie, është i njohur sot si një prej poetëve të mëdhenj shqiptare të shekullit të 20-të. Ai ka shkruar edhe shumë tregime të shkurtra, të mbledhura në dy vëllime, ese dhe disa romane, është përkthyer në shumë gjuhë dhe ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra nga Garcia Lorka, nga poetët italianë Mario Luzi, Sebastiano Grasso, nga poeti siriano-francez Adonis, nga poeti rus Jevtushenko, etj. Kujtimet e tij nga burgu, "Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, burgologji siç i quajti ai, janë botuar dy herë në Tiranë dhe së funmmi, këtë vit edhe në Itali.


Duke përfunduar


Duke parë Visar Zhitin në këtë kënd dhe duke bërë dhe një paralelizëm, që ndoshta pikëtakon dhe nuk përkon për disa arsye, në thelb kuptojmë dhe mirëkuptojmë se asgjë nuk simbolizon më mirë marrëdhënien me ankth të poezisë me kulturën bashkëkohore, sesa gjendjen e titanëve të saj. Jo më kot bashkëngjitur me këtë shkrim po sjellim dhe tërë atë që e ka shoqëruar dhe e mban në udhën e tij, pra CV-në e tij të plotë, me të gjitha kuoriskurot (dritëhijet) që iu qasën dhe e ndërprenë udhën e tij të bukur të krijimtarisë së lirë. Lexoni Zhitin më tej dhe shijoni poezitë…

Në këtë grup poezish nga frymëzimi i tij poetik në Tokën e Shenjtë, Visar Zhiti sugjeron se poezia e kompozuar në këtë atmosferë ka një globalizim të zërit të tij të ndjeshëm poetik që përfshin një shprehje të identitetit të shtuar me dhe përmes trupit lirik.

Poezia e realizuar në këtë gjeografi para ndjenjës së lartë art-prurëse angazhohet kryesisht me forcën e lirisë së shpirtit, në të cilën ai synon të imagjinojë dhe lirikojë përvojën e dhimbjes individuale për një grup, të kodifikuar nga zhytja e tij e thellë filozofike në lirizmin e vetmisë ndjesore, por me një psallm të lartë e mesazh të qartë. Poezia e tij, nuk bashkohehet ndoshta me dhimbjen e vetë të burgut, por shkon drejt përcaktimit të subjektivitetit dhe identitetit kolektiv nga një burim i kundërt, përvojës së tij individuale në burg dhe asaj që ai pikëtakon në këtë gjeografi ku Fjala Biblike e bën atë të na shembëllojë më shumë se sa kurë ndonjëherë. Në fakt kjo është një lëvizje. Një lëvizje e ndjeshme poetike e Vizar Zhitit!

Kjo lëvizje drejt përkufizimit do të sugjeronte një integrim të temave, zhanreve dhe zërave poetikë, por poezia e Zhitit në një mjedis të tilë, edhe pas shumë kohësh pas burgut të diktaturës pa, në mos ndonjë gjë, një fragmentim të prodhimit të tij poetik në zërat përbërës të lirizmit, e pse jo dhe të romantizmit lirik, himnodisë kolektive, komentit satirik social dhe epikës vizionare. Vetë poeti na ysht të kuptojmë se poezia e realizuar atje duket se ka vënë në dukje në thelb një nga ironitë e zhvillimit të ndjeshmërisë krahasuese dhe është se, ndërkohë që idetë e tij të lirisë njerëzore gravitojnë gjithnjë e më shumë drejt forcës humane e logjike, poezia e tij fillon të nuhasë pjesën më të madhe të saj të menjëhershme, aksesueshmërinë popullore drejt vetëdijes së munguar edhe në vite e vite të tjera. Ndaj poeti e ndjek e vëzhgon dhe e shtron në anën më të thukët filozofike vargun e tij që të mirëkuptojmë:

„Ç’janë këta kryqe të mëdhenj nëpër erë

mbi Tokën e Shenjtë?

Avionët. Sa herë ulen poshtë,

aq herë një Krisht ngrihet lart në Qiell.


Erdhëm dhe ne të shohim gjurmët

e Ringjalljes, e ndjeva që trupi

m’u mbush me ato gjurmë


si me copëza ndriçimesh

në një festë tronditëse.

U bëra rruga që del

nga rrethinat e Tel Avivit

për të vazhduar më përtej, ku fillon Bibla.“


E pastaj Zhiti jo më kot na rikujton:

„Që nga kohët e vështira

mbeti ai shtrëngim duarsh

si Mali i shenjtë i Tomorrit,

si lumi Jordan… Po unë kam etje,

dua ujë… dhe gota m’u bë plot me verë.

Peshku mbaroi, na tha kamerieri,

teksa në pjatën bosh m’u shfaq

një goxha peshk.“

E ne shkojmë më tutje të nënkuptojmë se njerëzit, bgjërat, ata që ndodhin e ndodhën janë pjesë e një të tëre, si në rastin kur lexojmë se „Deri tani janë rrahur. Rendi dhe ligji shfajësohen në kurriz të disa kokave dhe gjymtyrëve të thyera. Por a është kjo gjëja dhe fundi i të gjithëve këtu? Nuk mund ta presim këtë. Natyra e gjërave na ndalon ta presim atë. Ka qenë një dështim. Por kush e kishte marrë me mend përpjekjen? Ishte një dështim, por një përpjekje e tillë siç do të kishte bërë disa vende të Evropës një revolucion. Çfarë garancie kemi se përpjekja nuk do të përsëritet, me të njëjtin fshehtësi, me të njëjtin organizim, madje edhe një luftë më të dëshpëruar? Si mund ta sigurojmë veten se gjaku që vloi për një garë dhe një fitore, do të ftohet dhe do të zbutet nga një disfatë e tillë; apo armiqësitë që ajo ka pjekur midis klasave antagoniste do të zhduken shpejt? Natyra dhe përvoja njerëzore na ndalojnë të kënaqim një shpresë të tillë….“ Lexoni Zhitin më tej dhe shijoni poezitë…


Visar Zhiti: biobibliografi


Visar Zhiti është një nga shkrimtarët më të njohur bashkëkohorë të letrave në gjuhën shqipe, që lëvron poezinë, prozën, esenë, po kështu edhe gazetarinë dhe përkthimin.

Është biri i një mësuesi, aktori e dramaturgu, Hekuran Zhiti, nga Tomorrica, atje ku lartësohet Olimpi i shqiptarëve. Babai i tij ishte dënuar si nacionalist, duke ia ndërprerë krijimtarinë e tij. Poezitë e tij, satirat, komeditë dhe dramat u botuan postume, mbas rënies së perandorisë komuniste.

Nëna e Visarit, Resmija, vinte nga një familja e madhe kolonjare, Fama ose Shahu, nacionalistësh, që u përndoq dhe u dënua nga regjimi komunist në Shqipëri, nga që kishte dhe të ikur në SHBA.

Visar Zhiti lindi dhe u rrit në Durrës, qytet buzë detit Adriatik. Gjimnazin e kreu në qytetin e Lushnjës, vend dhe internimesh, ku kishte dhe shumë familje nga Kosova. Më pas u diplomua për Gjuhë dhe Letërsi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe nisi të botojë poezitë e para në shtypin letrar të kohës dhe dorëzojë për botim përmbledhjen “Rapsodia e jetës së trëndafilave”.

U emërua mësues në fshatrat e Kukësit, jo shumë larg kufirit shtetëror me Kosovën.

Visar Zhiti kritikohet ashpër për poezitë e tij, deri dhe në Komitetin Qendror nga udhëheqja komuniste, arrestohet, në gjyq e akuzojnë për poezitë e tij “të trishta dhe kundër realizmit socialist”. Në akuzën e tij është se ai dëgjonte fshehurazi dhe radiot “Zëri i Amerikës”, “Radio Vatikani” dhe “Radio Prishtina”, etj. E dënojnë me 10 vjet burg, me heqjen e të drejtës së botimit dhe të drejtës elektorale.

Visar Zhiti edhe në burg, ku ishte e ndaluar, krijoi poezi me mend, ndërsa në kampet-burg të Spaçit dhe të Qafë Barit, në kushte të tmerrshme brenda telave me gjemba, teksa punonin si skllevër në miniera, i shkrunate fshehurazi nëpër fletoret, që të burgosur të tjerë i ndihmonin t’i fshihte ose i mësonin dhe përmendësh.

Ai ishte në revoltën e të burgosurve politikë në Qafë-Bari, të cilën do ta përshkruajë në një nga veprat e tij të mëvonshme.

Visar Zhiti arriti të nxjerrë fshehura nga burgu gati të gjithë poezinë e tij.

Pasi lirohet, punon si punëtor krahu në fabrikën e tullave në Lushnjë. Ku kishte dhe familjen.

Ndërkaq në dosjen e Visar Zhitit është dhe dokumenti që ai nuk pranoi të ishte bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, policisë sekrete të diktatues, megjithë pasojat e renda që do të kishte, duke pritur dënimin e ri.

Kur nisën protestat dhe lëvizjet për demokratizimin e vendit, rreshtohet me të parët dhe bëhet gazetar në organin e parë të shtypit opozitar, ku artikujt e tij u vlerësuan për forcën, drejtësinë, frymën paqësore dhe dhimbjen.

Ndërkaq në vitet ’90 ai nis të botojë nga krijimtaria e tij, edhe poezi të burgut, tregime, romane dhe ese.

Bashkëshortja e Visarit është zonja Eda Agaj Zhiti dhe në vitin 1995 lindi djali i tyre, Atjoni.

Visar Zhiti ka punuar dhe si drejtor në shëpinë botuese “Naim Frashëri”, atje nga ku i erdhi denimi, në Parlament, ndërkohë është zgjedhur dhe deputet, ka qene Ministër i Kulturës, ka punuar në diplomaci, 2 herë në ambasadën e Shqipërisë në Itali, pastaj në Selinë e Shenjtë në Vatikan dhe së fundmi në Ëashington, SHBA.

Vepra letrare e Visar Zhitit u vlerësua menjëherë nga lexuesi dhe kritika letrare për befasinë dhe guximin artistik, për të vërtetën që mbart, për gjuhën e gjallë, nivelin e lartë artistik, me metafora e kumbime, për imazhet sa tronditëse, po aq dhe magjepsëse, ku gërshetohen realizmi i ashpër me fantazinë, e përditshmja dhe kohët, tragjizmi dhe grotesku, shpresa dhe besimi tek njeriu, dashuria e pafund, dhembja dhe gëzimi i jetës plot me dritëhije dhe mister, gjithmonë me mesazhe paqeje.

Të gjitha çmimet letrare më të larta që jepen në Shqipëri për poezinë, prozën dhe esenë, etj, iu dhanë veprës së Visar Zhitit, por dhe në Kosovë, Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi. Libra të Visar Zhitit nisën të përkthehen dhe në gjuhë të huaja dhe u vlerësua me çmime letrare dhe jashtë vendit.


Visar Zhiti ka botuar librat:


me poezi:

1. “Kujtesa e ajrit”, Tiranë, 1993

2. “Hedh një kafkë te këmbët tuaja”, Tiranë, 1994

3. “Mbjellja e vetëtimave”, Shkup, 1994

4. “Dyert e gjalla”, Tiranë, 1995

5. “Kohë e vrarë në sy”, Prishtinë, 1996

6. “Si shkohet në Kosovë”, Tiranë, 1999

7. “Thesaret e frikës”, Tiranë, 2005

8. “Nënë Tereza mes shqiptarëve”, Album me poezi e foto, Tiranë, 2012

9. “Si është Kosova”, Prishtin”, 2014

10 “Të rritesh nga dashuria”, Tiranë, 2018

11- Dorëshkrimet e fshehta të burgut, poezi, botim anastatik, Tiranë, Onufri 2021


prozë:

12. “Këmba e Davidit”, tregime, Tiranë, 1996

13. “Funerali i pafundmë”, roman, Tiranë, 2003

14. “Djali dhe legjenda”, tregim (shqip, maqedonisht, anglisht), Tiranë, 2004

15. “Perëndia mbrapsht dhe e dashura”, roman, Tiranë, 2004

16. “Në emër të a(r)tit”, ese, intervista, Shkup, 2006

17. “V.V. & një vrasje e munguar”, biseda, portret, poezi, Tiranë, 2006

18. “Shekull tjetër”, tregime, Tiranë, 2008

19. “Në kohën e britmës”, roman, (dy botime), Tiranë, 2009

20. “Panteoni i nëndheshëm ose letërsia e dënuar”, sprovë, Tiranë, 2010

21. “Rrugët e ferrit”, roman, ribotim i plotësuar, Tiranë, 2012

22. “Ferri i çarë”, roman, ribotim i plotësuar, 2012

23. “Valixhja e shqyer”, ribotim i plotësuar, tregime, Tiranë, 2016

24. “Si na erdhi ai, i ndaluari…”, Tiranë, 2017

25- “Kartelat e Realizmit të dënuar”, sprovë (në shtyp), Tiranë, 2020


Vepra e Visar Zhitit eshtë përkthyer:


në anglisht:

26. “The condemned apple”, poezi, Los Anxhelos, SHBA, 2005

në italisht:

27. “Croce di carne”, poezi, Oxiana, 1997

28. “Dalla parte dei vinti”, poezi, D’Agostino, 1998

29. “La vita”, poezi, Pulcino Elefante, 1998

30. “Passeggiando all’indietro”, tregime, Oxiana, 1999 31. “Confessione senza altari”, poezi, (shqip dhe italisht), Diana Edizione, 2012

32. “Il visionario alato e la donna proibita”, romanzo, Rubbetinno, 2014 33. “Dov’e’ la vita?” (shqip dhe italisht), Poesie, Pazini, 2016 34. “Il funerale senza fine”, Rubbetinno, 2017

35. “La note é la mia patria”, (shqip dhe italisht) Pazini, 2018

35 “Sulle strade dell’inferno” romanzo, “Besa” 2022

në maqedonisht:

36. “Бoc и лyд”, poezi, Shkup, 2001


në kroatisht:

37. “Izabrane pjesme”, poezi, Zagreb, Kroaci, 2010

në serbisht:

38. “Kisha mog lica”, poezi, Beograd, 2019

në rumanisht:

39. “Psalm”, poezi, Bukuresht, 1997

40. “Funeralii nesfarsite”, roman, Bukuresht, Rumani, 2008

41. “Aripa Franta/ Flatra e mundur”, (shqip dhe rumanisht), Bukuresht 2018 42. “Cortegul fara sfarsit”, roman, ribotim “A” Bukuresh, Rumani, 2020

Ka përkthyer në shqip:

43. Mario Luzi, “Fati i ditës”, poezi

44. Nënë Tereza, “Takohemi nëpër lutje”, poezi

45. Federico Garsia Lorka, “Ballkon i hapur”, poezi

46. Nënë Tereza, “mërmërimë shenjtoreje”, lutje-poezi

47. Isikava Takuboku, “Poezi e shkruar nëpër gurë”, tanka

48. Sebastiano Grasso, “Ti në grackë në qepalla”, poezi

49. Adonis, “Iluzioni i hapave të mi”, poezi,

50. Evgeni Jevtushenko, 33 poezi. (Në librin“Si na erdhi ai, i ndaluari…”)


Poezitë e Visar Zhitit janë futur në tekste shkollash, në antologji të huaja dhe në gjuhët anglisht, frengjisht, gjermanisht, polonisht, holandisht, greqisht, hebraisht, flaminge, arabisht, serbe, malazeze, boshnjake, kroate, kinezçe, etj.

Çmime letrare kombëtare dhe ndërkombëtare:

1. Leopardi d’oro, Milano, 1991

2. Racconta il tuo Dio, Milano, 1992

3. Çmimi Kombëtar - për veprën më të mirë në poezi, Tiranë, 1994

4. Velija - Çmimi mbarëkombëtar për letërsi, Tiranë, 1995

5. Gaetano Salveti, Romë, 1997

6. Ada Negri, Lodi Vecchio, 1998

7. La cultura del mare, San Felice Circeo, 1999

8. Premio alla carriera, Romë, 2000 9. Naim Frashëri, Tetovë, Maqedoni, 2001

10. Kalimerja, Ulqin, Mali i Zi, 2002

11. Çmimi i parë i poezisë, Gjakovë, Kosovë, 2003

12. Penda e argjendtë, për romanin më të mirë të vitit, 2003

13. Asdreni, Korçë, 2005

14. Libri më i mirë i Panairit të Shkupit, 2007

15. Premio Internazionale “Mario Luzi”, Romë, 2007

16. Shkrimtari i vitit, Tiranë, 2008

17. Çmimi letrar “Beqir Musliu”, Gjilan, Kosovë, 2009

18. Mirënjohje, Rozhajë, Mali i Zi, 2012.

19. Çmimi i Madh i Letërsisë, Tiranë, 2012

20. Çmimi “Kurora e poezisë”, Korçë, 2014

21. Çmimi “Azem Shkreli”, Pejë, Kosovë, 2015

22. Çmimi “Ali Podrimja”, Gjakovë, Kosovë, 2015

23. Linguaggio dell’anima, Roma, 2016

24. Çmimin e Karrierës në poezi, Como, Itali, 2019

25. Çmimi “Dega e Ullirit”, Panairi i Librit në Ulqin, Mali i Zi, 2019

26. Dekoratën e Shoqatës së Shqiptarëve të Rumanisë, Craiova, 2019 Rumani

27. “Antar Nderi” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, Neë York, 2020

28- “Qytetar Nderi” nga Bashkia e Qytetit të Lushnje

29- Çmimi “Vexhi Buharaja” në letërsi, Berat 2021

30. “Mirënjohje”, Universiteti Fan Noli, Korçë, 2021

31. “Antar Nderi i Perjetshëm” – Qendra Kulturore “Nënë Tereza”, 2021, Miçigan, SHBA

Visar Zhiti ka marrë pjesë në shumë takime kombëtare dhe ndërkombëtare kulturore si dhe në festivale botërore poezie, ku ka përfaqësuar vendin si në Itali, Greqi, Francë, Rumani, Maqedoni, Mal të Zi, Austri, etj, si dhe është ftuar nga universitete të ndryshme në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Romë, Napoli, Milano, Paris, Vatikan, etj.

Në SHBA, në vitin 2013, u thirr nga “The Freedom House” në takim e gjerë me diasporën dhe jo vetëm, në veprimtarinë simbolike “Gjyqi i Nju Jorkut”, kundër diktaturës komuniste, ku në qendër ishte veprën e tij për burgjet dhe larine dhe ligjërata e tij.

Ka dhënë disa intervista në “Zërin e Amerikës”, ndërsa libra të tij janë dhe në Bibliotekën e Kongresit Amerika.

Është anëtar nderi i Festivalit Ndërkombëtar “Ditët e Naimit” të Tetovës në Maqedoni.

Është anëtar i Akademisë Internacionale të Arteve të Bukura, të Letërsisë dhe Shkencës “Alfonso Grassi” në Itali dhe anëtar i Akademisë Europiane të Arteve, po kështu është anëtar i PEN Klubit në Itali.

Emri i Visar Zhitit është i përfshirë në enciklopedi dhe në Fjalorë Enciklopedikë në Shqipëri, në Enciklopedinë e njohur Piccolo Treccani - Itali, në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, etj.

Tani jeton në SHBA, në shtetin Illinois, si shkrimtar i lirë

122 views1 comment

1 Comment


I dashur Fatmir!

Jam i mrekulluar nga ajo që kishit shkruar, me dashuri dhe mendim të kthjellët, me zbulime e interpretime origjinale, me estetikë kritike e filozofike, me vleresime që rrallë i thonë, me guximin e zemermadhit…

S’kam fjalë, veçse mirenjohje pafund…

Perqafime,

Visar

Like

Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page