top of page

Kur burri dhe nata ia grahnin në turr


Me romanin e Eqerem Canaj, “Qeni me një dorë njeriu në gojë

Dr Fatmir Terziu


Në një prozë të gjatë natyrisht së pari syri “shkon” tek volumi i fjalëve, mendja mbetet, gjithnjë nëse është për të mbetur, tek numri i faqeve që i bëhen detyrim leximit. Dhe më pas e gjitha është një arsye tjetër. Një tjetërsim që lidhet me interesin dhe interesimin e kësaj proze nësë hyn dhe mbetet në shijen tënde të leximit. Me romanin e autorit Eqerem Canaj, “Qeni me një dorë njeriu në gojë”, fjalët dhe volumi i tyre, sasia aritmetike, po aq dhe numerikja e faqeve në dorëshkrim, u zvenitën që në kapjen e parë të syrit dhe kërkuan të mbeten gjatë, për aq kohë sa mendja dhe dora u bënë një me penën e këtyre rrjeshtave. Dhe menjëherë sytë, mendja dhe dora nisën të pikasin atë që dallohet në mesin e një morie fjalësh. Dallesa shkon tek sita e sitimi i materialit, që autori e ka bërë gati për lexuesin. “Lexuesi”, ndoshta me fat nisi nga këto shënime, të cilat gjetën fjalën e bukur, atë që e bëri “lexuesin” të dallojë në këtë narrativ.

Ndërsa fjalët janë arsye më vete, edhe emërtesat narrative, karakteret, ata që hyjnë në sitën e narrativit, kur kapin emra të tillë si “avvokati Çedon” bëjnë atë detyrë që kërkon syri i lexuesit të mbetet mes faqeve dhe të depërtojë diskursin e emërtesave, kuptimin që sjellin e përcjellin fakte të tilla strukturore të emërzuara nga autorit i prozës. “Çedon” vërtet mbetet një i tillë në kuptimin e parë të emrit, siglimit të tij, shënjues dhe si shënjues mbetet një farë më shumë në fushën narrative për të prurë ndihmë në frutin e tejtejshëm të narrativit. Biznesmenët Zhyvene dhe Pavlind kanë një arsye tjetër në këtë narrativ, po kaq sa deri në fund të leximit, narrativi i nxjerrë në shoshën e dritës, që mbulon diellin në qytetin e trazirave. A mbulohet dielli me shoshë? Këtë dota kuptojë, jo si një urtësi popullore, Gjon Dorani, një nga protagonistët e romanit, por si një arsye semantike dhe filozofike e diskursit ku në ngajrjen e dhimbshme e mjaft delikate, që ushqen narrativin dhe mesazhin e romanit “...kishte qënë vetë ai polici i liruar, i cili pati pritur në skelën e qytetit biznesmenët e huaj, Zhyvene dhe Pavlindin.” Por kjo vjen në fund të romanit, si një arsye për të përforcuar diskursin e emërtesave, shënjuesin dhe signifikativin tek e ërteta: “... ata ishin shqiptarë, shokët e monstrës, që tentuan të arratiseshin nga gardhimi. Në fakt, ai i mbeturi shkrirë në tensionin e lartë kishte qenë roja i burgut. Dy të humburit qenë kapur e dënuar sërish. Kohë më vonë patën bërë tunel nga burgu e në buzdet, prej andej e në shtetin fqinj. Qëndra, duke ua ndërruar identitetin, i ktheu sërish për një lidhje të re. Dhe ata, nga ç’u panë sytë, ikën siç erdhën”. Kjo është zgjidhja e një enigme, që nis me ata që kishin “bredhërirë botën”, pra me biznesmenët e narrativit, që zbresin si “të huaj nga anija” pikërisht aty “në skelën e qytetit bregdetar, porsa nata kishte lëshuar brucin e zi e të thuktë”.

Nata që krrakërrinte në qytetin e thellë, shërbimi i posaçëm i tyre, udhëzimet nga qëndra, pulëbardha që gëlltiste ujërat e kripura dhe jepte shpirt papritur, fundjehona nxi e këtij qyteti, gjendja amorfe, qielli i plumbtë, hataja, nuk është se kanë vënë ndonjë ndryshesë në sytë dhe vëzhgimet e “biznesmenëve të huaj”, por kanë vënë në lidhje gjithashtu përfundimin se të tërë qytetet ngjasonin aq shumë me njëri – tjetrin, siç ngjasonte vëllai me vëllain, me motrën a kushëririn, përveç madhësisë, lulëzimit e të tjera. E veçanta është gjeografike, e falur moteve, e ardhur dhuratë dhe ajo nuk mund të njesohet, se aty mbetet era jonike, që dyndej pikërisht në këtë gji, ku qe ngulur përjetësisht qyteti, por edhe atë maloren që preverste nga malet Akrokeraun, si dhe duhmën e protokalleve, limonave, mandarinave, ullinjve. Tek këto veçori drynoheshin sytë. Kaq mjafton të hysh e të kërkosh thellësinë e narrativit në një qasje të bukur, të thjeshtë e të mirëzgjedhur të autorit. Më tej narrativi shkon shkitazi, ana linerare e tij, forma rrëfyese, gjuha e qartë, arsyetimi në këndin e parë, syri rrëfimtar dhe vëzhgues, ndjekja e qartë e problemeve, rreken të bien në një strukturë të ndjeshme e tërheqëse.

Teksa këmbët e biznesmenëve “hëngrën asfalt mbi portin detar”, ajo që kapin sytë pas xhamave të makinës mbetet në thelb dhe pika ku fillon referimi. Të dy janë të shtangur. Janë në pritje të përcjelljes së atij qeni, që shfaqet disi ndryshe nga qentë e sojit të tij. Dhe fjala e parë pos pamjes është “ Do ta vras atë qen të ndyrë! Do ta fus mes rrotave!” Kjo nuk ndodh, por shfryhet. Shfryhet se, “një qen me një dorë njeriu në gojë, i cili ia grahte në pikë të vrapit porsi shigjetë dhe s’e lëshonte prej goje dorën e përgjakur me gishtrinjtë e kalivarur” kishte hyrë tashmë në eksklamacion. Ata shtangën, ngrinë në vend. Nuk mbetet vetëm “beftia e rastit, por tronditja që i pati ngërthyer dhe, ca më tej, pamja e shoferit, i cili ndryshoi çehren e fytyrës shpejt: u skuq, u nxi, u zverdh, sikur u shndërrua në bishë. Duke u turrur, ai dredhoi timonin në përndjekje të atij qeni të shpifur”. Aty diskursi rreket të gjurmjë në narrativ, të kuptojë atë të flamur “luftë civile” gjasme, tashmë në shekullin e XXI. Por, kjo tashmë kuptohet se është vetëm fillimi, e nëndheshmja, ajo e padukshmja. Pra ajo që në në çastet e vetmisë, kur ta vinin punën në vijë, do të shërbente që “t’ia qëndisnin qëndrës në një raport të detajuar: “Qyteti i Trazirave dhe i të mbijetuarve”…

Dhe vërtet pas diktimit të vetë emërtesës “trazirave” qasja rrëfen faktet nga hoteli, maskat e zeza që kontrollojnë dhe tmerrojnë, zhdukjen e njerëzve, dilemën për ekzistencën e avokatit Çedon, e folura për katrahurën, dhe më së shumti për daljen në skenë të Gjon Doranit. Në narrativ “Gjon Dorani është pika që pikonte, pikë floriri thonin”. I kapte të dyzetat, nëse shihej nga afër dhe ndaj referuar atij, pra Gjon Doranit, njerëzit me mend, patën nënvizuar se, në dyzet vjet, mashkulli quhej burrë. “Gjithnjë duke kaluar këtë cak, sepse aty ndaheshin burrat, burrecët, mistrecët, kastravecët, karkalecët, quramanët, laramanët (burrë – grua) derdimenët, delexhinjtë, dënglaxhinjtë, sherrëxhinjtë, gomarët, pykët, rrypat, qypat, maskarenjtë, zagarët, kurvarët, imoralët, rrufjanët, servilët, xerxebilët, spiunët, majmunët, firaunët, hajduti, muti, malukatë e baltë”. Për autorin, po aq dhe për lidhjen në narrativ “Gjon Dorani qëndronte në vijë kufiri. Kish të vetat, edhe ky: spërklat e ujit të rrjedhur…” Ndaj dhe i jepet më shumë rëndësi në qasjen narrative: “Posa mbaroi gjimnazin e qytetit me përparim shkëlqyeshëm, të riun sykaltër e pritnin rrugë të reja. I ati, burrë me emër të mirë, një oficer lufte, dalë në pension, e çyti të birin që edhe ky të vazhdonte rrugën e të et. E thënë, e bërë! Familja sytë i drejtoi te perspektiva e tij. Dhe ai nuk i zhgënjeu: mbaroi shkollën ushtarake në kryeqytet, u diplomua si studenti shkëlqyer. U ra kufijve kryq e tërthor, gjithnjë me përkushtim e la emër dinjitoz. Pas vdekjes së të atit, nuk di ç’mendje i erdhi, e la detyrën ushtarake e u hodh me Rendin. Si e qysh, përfundoi oficer drejtimi në shtëpitë e vuajtjes, në qytetin e lindjes. E, kur përballej me të në ndonjë kafene, ky shprehte kënaqësinë e këtij përfundimi. Natyrisht, i martuar, me shtëpi e grua që përshtateshin, makina lustër, me të ardhura të mjaftueshme, me shoqëri të rrangut e me përspektivë të një kufiri normal, as i pari e as i fundit i qytetit” .

Narrativi përkujdeset mirë në detaje dhe e afron leximin më afër interesit të narrativit. Zejdin Brinja lind pos hakmarrjes, ezmerka ushqen lidhje të tjera, vejanja ka arsyen e vet, gruaja dhe vajza e avokatit Çedon janë në një kënd tjetër, dhe ndaj autori kërkon të sqarojë mes vetë qëmtimit të atij realiteti dhimbanak: “Atëbotë, të dy trupat, kishin rënë në kllapi, pa as më të voglën lëvizje, asnjë fjalë. Heshtja e ankthit bënte të vetën. Shtoi paspak njeriu i natës: - Shtrydhe, moj jevgë, policin e qytetit bregdetar!” Shthurja tashmë nuk njeh ligj, nuk ka arsye, nuk ka uniformë, nuk ka shtet, ajo është e gjitha grup më vete, fuqi dhe ligjësi më vete. E gjitha është anarki. Ndaj Gjon Dorani lë pas gjeografi të ndjeshme dhe kapërcen përtej detit. Gjon Doranit, kadalësisht, hyn në një botë tjetër. “I kalonte oficeri i liruar nëpër mend të tëra, çka përbënte gjirin e pranverës brenda asaj toke me emrin “Shqipëri”… Po ngutte diku: te vetvetja, brendësia.... Qëllimi i asaj lëvizjeje i kishte rrenjët brenda trurit të tij, në damarët, në palcë, në gjak, në gjithë qenësinë e burrit. Po tek ai njeri i panjohur, i cili vazhdonte të hapte varre mbi trupin e qytetit, vendlindjes?”

Gjon Dorani pa se në një gazetë: “Koriera de La sera italiana”, nënvizohej se njeri prej të tre kriminelëve pati shpëtuar mrekullisht dhe se vazhdonte të vepronte në thellësitë humbane të një qyteti bregdetar.... Kjo e dhënë puqej katërcipërisht me faktet që dinte apo që zbulonte, hera – herazi, oficeri i liruar. (Shumëkush e kishte cilësuar shëtitari i pafat). Eh, ç’rëndësi, mendonte, duhej të takohej me Ministrin e Rendit, kjo dhe pikë! Atje do të shkoqitte dyshimet, analizonte faktet, do të argumentonte për një plan domosdoshmërisht të zbatueshëm, ku do t’i buzëqeshte një fitore. Ja, pra, të tilla kuinta qenë ngulur në katrahurën trurore të tij”. Pjesa në vazhdim është udha më edhimbshme. Aty shpërthen tërë thelbi i shthurjes, katrahurës, e vetë thelbit të dhimbjes. Gjon Dorani, Lira, Beneta, Erikë Saraji etj nuk janë thjesht në një lidhje me “engjëllin e ditënetëve”, por si formula enigmatike e zgjidhjes së puzllës në narrativ: “- Lira është kurvë apo jo? Sa dashnorë ka? Përgjigju shkurt, shpejt! Erika uli kokën dhe u shkreh në lemeri vajtimi: - Zejdin, ç’të kam bërë unë?”

Dhe enigma mbetet në narrativ. Sa për të shkuar tek më interesantja, “Gjon Dorani, oficeri lirimtar, të kujton njeriun me ombrellë, të cilin rrufeja e godet tmerrshëm, pamëshirshëm. Ndërsa ai ndjek udhën e gjarpërinjve të vetëtimave në qiellin mavi. Gjarpërinjtë e lënë shfaqjen vetëm ca çaste, pastaj zhduken aq shpejt sa krijojnë iluzionin e shkaktuar nga drithërimi i çastit, kësisoj bëjnë mashtrimin për goditjen befasuese. Avokati Çedon u gjend, kur, sapo pati vdekur harresa. Dhe u derdhën lotë e vaj në shkretirën e buzëdetit: u shtrydhën deri në kufirin zero dashuria e dhimba. U njoftua komisariati i Rendit, avokatia… U dërguan ekipet e verifikimit, ekzaminimit, mjeku mediko - ligjor. U fotografua gjithçka në imtësi,u filmua dhe u arrit në përfundimin e indentifikimit: skeletit të avokatit Çedon Saraji, rrëmbyer nga një dorë e padukshme,vrarë e varruar në rërën e bregdetit, skeletit i mungonte një krahë, i djathti. Gjene, trupi u përcuall për në morgun e spitalit me porosi, çdo gjë u krye mësë miri. Po edhe pa bujë. Qe një ngjarje e vonuar, që tregonte paaftësinë e institucionit, shtetit demokratik… Vendimi, se arkivoli me trupin e avokatit do të vendosej në një sallë të komisariatit apo të avokatisë, për t’iu bërë nderimet zyrtare, u hodh poshtë. Kishte qenë fjala e zvendësministrit të Rendit që i kishte vënë vulë përpëlitjes së gjithëkahshme”.

Në roman “Burri dhe nata ia grahnin në turr”, mosekzistenca pjell joekzistencën dhe njeriu është ai që kërkon në kotësi jetën e tij të kotë. Qentë bëjnë punën e tyre në këtë anarki, dhe sjellin idenë e frymëzimin të rrëfehen me dorën e njëriut në gojën e tyre. Këtu shfaqen fuqitë e shkrimit, ajo që prodhohen nga mendja në një realitet të dhimbshëm. E kështu duke e përfunduar me fjalët e shkrimtares britanike, Jane Austen Një roman ... ose, me pak fjalë, vetëm disa vepra në të cilat shfaqen fuqitë më të mëdha të mendjes, në të cilat njohja më e plotë e natyrës njerëzore, përcaktimi më i bukur i llojeve të tij, rrjedhjet më të gjalla të zgjuarsisë dhe humori, i përcillen botës në gjuhën më të mirë të zgjedhur.” Le të shpresojmë se edhe lexuesi i lirë, i ndjeshëm dhe i qetë do ta mirëpresë këtë narrativ si të tillë, duke lënë pas vetëm qentë, ata që gjithnjë në një farë mënyre apo në një tjetër, kërkojnë të mbajnë në mes të dhëmbëve duart e njerëzve.

25 views0 comments

Comentarios


Shkrimet e fundit

fjalaelireloadinggif.gif

Revista Nëntor 2024

bottom of page