Kumuritë
Tregim nga Fatmir Terziu
Askush nuk mund ta dinte, përtej leximeve dhe rrëfimeve se sa e kishin moshën gurët e Kalasë. Më saktë, përpara se të quheshin të tillë, pra trupi i mureve të Kalasë, ata natyrisht ishin gurë të zakonshëm. E njerëzit erdhën e u sollën si të sigurtë për jetët rreth këtyre gurëve që ngritën vetë... E ndërsa e sillnim nëpër mend këtë lojë që sillej në rolin e saj të kërshërisë, ne vrapuam të gëzuar. Kumuritë zbarkuan në trupin e gurtë të Kalasë dhe trokisnin me gëzim. Por pas disa ditësh erdhën edhe dy kumuritë e tjera. U hodhën mbi gurë të mrihnin sqepat me gurët që mbulonin trupin e tyre me myshqe dhe në hapësirat e lëna nga kohërat shpërtheu një luftë e ashpër. Ata luftonin për ushqimin e tyre, dhe me sa e kuptuam dhe për të ngritur diku folenë. Por cilët ishin kumuritë tona dhe cilët ishin të ardhurat, ne nuk mund të dallonim. Ne vetëm shikonim dhe përcillnim hutueshëm mendime të ndryshme. Kur disa prej tyre u larguan për një kohë, ne filluam debatet e zakonshme:
“Tani fituan!”
“Ata nuk janë tonat!”
“Ata janë tonat!”
- Ata nuk janë të..., nuk janë ardhacake.
-Nuk mund të jenë të tilla.
“Nëse nuk janë, si i njihni?" - pyeti xha Bimi. Dini heshti. Por ai pasi u mendua thellë, foli pas pak:
“Si e dini se ata janë tonat?”
“Sqepat e kumuriave tona janë më fine," mendoi Koli. Ata janë gjithashtu më të fortë”.
“Xha Bimi, pse po zihen? pyeti Kipja.
Babai i Kolit ngriti sytë.
“Për ushqimin dhe për folenë,” u përgjigj ai.
“A nuk kanë fole të ardhurat?”
- Se të gjithë janë tonat, - u përgjigj xha Bimi. — Kumuritë e vjetra kanë ngordhur në vendet e tjera, në kohëra të tjera me rrebeshe, tani të rejat vijnë, kthen herë pas here, dhe natyrisht luftojnë për ushqimin dhe folenë. Jeta është një luftë e paparë!
Ah! Kështu ishte! Ne nga ana tjetër menduam se kishin ardhur ushtri të tjera, të gatshme për të shkatërruar sërrish Kalanë. Dhe kur lufta u ndez përsëri, ne nuk i ndamë më në tonat dhe të të tjerëve, nuk u grindëm, nuk përplasëm duart, vetëm shikonim dhe ishim shumë të trishtuar, se e shihnim tashmë kuptimin e jetës ndryshe.
“Pse nuk jetojnë bashkë?” pyeti Koli.
- Foleja është e ngushtë, - u përgjigj xha Bimi.
Kumuritë u vërsulën mbi njëra-tjetrën, duke rënkuar si njerëz, duke bërë muhabet e duke ripërsëritur me sa ishte ngjarë me sqepat e tyre tekstet e reja të këngëve, e më pas duke shpërndarë këngët e tyre në hapësirën blu. Një pendë fluturoi mbi Portë të Kalsë.
— Ah! gulçuam dhe ngrimë. Njëra nga kumuritë u rrotullua, u rrëzua në hapësirën e midisme dhe filloi të rrokulliset poshtë.
"Po bie!" Po bie! Po bie! bërtitëm dhe vrapuam rreth Portës së Kalasë. Kumuria goditi sokakun e shtruar me gurë dhe pastaj krahët e saj të shkujdesura kapën bordurat më të ulëta, fluturoi mbi kokat tona dhe u ul në pellgun që shpupuriste ujë kristal. Pastaj ai u hodh, me një vrull të ndjeshëm dhe u ngjit lart. Krahët e saj ishin gati të ndarë.
“Ajo është e lodhur,” tha Dini. “Do të bjerë përsëri.”
“Do ta presim me... krahët tona, duart dhe rrobat tona, bërtitëm të gjithë.
Kumuria tjetër iu afrua, e mbarti dhe e shtrëngoi fort, dhe e çoi në lumë. Fituesit qëndruan në fole, filluan të shtrydhin pendët e tyre dhe të kërcejnë të lumtur. Por gëzimi i tyre ishte i shkurtër. Ne humbëm në lojë kur Koli thirri:
- Ja ku janë!
Fituesit mbi Kala hapën krahët dhe ngritën sqepat në mënyrë kërcënuese. Lufta u ndez me një energji të re mbi gurë dhe mbi myshqe.
Erdhi edhe mëhallaliu ynë më i vjetër, Gjyshi i Kipes, i mbështetur në shkopin e tij dhe duke ngritur pëllëmbën mbi ballë na pa të gjithëve.
“Gjysh, pse po zihen?" Pyeti Kipja me keqardhje.
Gjyshi i Kipes shikoi kumuritë që pas përleshjeve dukeshin të zemëruara dhe tundi kokën me trishtim.
“Dhe ata janë si burrat,” tha ai. “Ka një vend në tokë për të gjithë, por të gjithë kërkojnë të rrëmbejnë gjërat e mira.” Shikoni, ata këpusin pendët, nuk duan të bëjnë një fole tjetër dhe të bëjnë jetë vëllazërore... Eh, sidoqoftë ky vend e rrit mardanozin dy herë në sene, dhe bën vend për të gjithë, ndaj dhe kumuritë bashkëjetojnë këtu.
Comments